top of page

Drita e yllit që u shua.



…përsiatje..


Nga Timo Mërkuri

Në orën 1.15 pas mesnate të datës 18 shkurt 2021 u shua në shtëpinë e tij në Himarë poeti Lefter Çipa “Nderi i Kombit”. Duke njohur kontributin e tij, shumëkuish këtë shuarje e hamendësoi si fundi i një epoke në iso-polifoni, por unë nuk mendoj aspak kështu. Unë mendoj se, në fakt hyrja e Lefter Çipës në fushën e iso-polifonisë është nisja e një epoke të re të ndritur në këtë gjini të artit gojor shqiptar, pasi ai mbi bazën e një tradite të kaherëshme, por të “ndalur në vend” për nga progresi cilësor, ai e ngriti këngën iso-polifonike në një stad më të lartë cilësor, më bashkë-kohor dhe konkretisht:

I-Leftër Çipa kur hyri në fushën e artit gojor, gjeti një tip kënge iso-polifonike “këngë pleqërishte”, me një vijë melodike të shtruar, madje edhe kënga e të rinjve më shumë ishte me një ecje “pleqëishte” se sa me hovet e moshës. Kënga iso-polifonike e kohës “konkuronte” me tekst dhe jo me vijë melodike, pasi vija melodike ishte e “paracaktuar” në kuptimin që dihej tonaliteti i zërit të marrësit, apo i hedhësit, dihej deri ku ishte kufiri i “iso-s” etj. Në gjithë trevën iso-polifonike himariote dhe të Labërisë egzistonte afërsisht një mënyrë e të kënduarit në tipin “O shokë more”. Bënte përjashtim vetëm Himara me novacionin e Neço Mukos, i cili i dha rol dhe tonalitet “hedhësit”, novacion që mbeti në mes të rrugës për shkak të vdekjes së tij të para -kohëshme. Duhej të vinte Lefter Çipa që kënga të ecte përpara. Ai e kapërceu jo aq lehtësisht “stanjacionin” melodik të këngës me novacionin e kryer prej tij në këngën pilurjote (dhe jo vetëm), një novacion shumëplanësh që rezultoi me një këngë të re, dinamike dhe rinore. Kjo erdhi si pasojë e ndryshimeve dhe përsosjeve që ai bëri në:

a-Lefter Çipa e zgjeroi grupin iso-polifonik të Pilurit në përmasat e një asambli. Kështu këngën “Bejka e bardhë” në interpretimin e saj të parë e këndoi grupi me 24 veta, nga të cilët më shumë se gjysma ishin element femër. Zgjerimi i grupit në numër të madh e “nxorri” këngën në ambient të hapur publik nga ambienti i“ngushtë shtëpiak” tradicional i mëparshëm, ku këndohej me një numër të vogël 4-6 veta, duke i dhënë këngës më shumë hapësirë shikimi, më shumë ajër dhe frymëmarje, forcë tonaliteti dhe iso të fuqishme. Këngët e Pilurit dëgjohen për së largu dhe të rrëmbejnë në botën e tyre, po je spektator është e natyrëshme të ngrihesh e të kërcesh nën melodinë e tyre në sheshin para skenës.

b-Futja masivisht e elementit femër në grupin iso-polifonik, pati dy efekte cilësore për

këngën: 1)- zbuti vijën melodike të këngës, si dhe 2)- theu traditën e kaherëshme që kënga isopolifonike ishte vetëm “këngë burrash”. Rikujtojmë se gjithë grupet e këngës iso-polifonike ishin grupe burrash, si psh. grupi i Himarës, grupi i Tërbaçit, grupi i Smokthinës, i Dukatit etj. që ishin vetëm me përbërje burrash. Grupi i grave të Dhërmiut këndonte “vetëm” këngë “grash”. Veç faktorit melodik, masivizimi i elementit femër në grupin e Pilurit ishte një tipar civilizues në shoqërinë e kohës dhe shumë grupe të tjera e shoqëruan. Tashmë koha e grupeve me përbërje “vetëm me burra” i përket të shkuarës.

c-Këngët e grupit të Pilurit përmbajnë gjithë elementët bazë të këngës iso-polifonike si vija melodike, zërat e këngës (marrësi, kthyesi, hedhësi, iso-ja) por ato janë kompozuar në shoqërinë e istrumentave tradicionale si fyelli dhe cula dyjare, madje fyellin e ka në fyell solo dhe fyell mbushës. Realisht i pari që futi istrumentat në këngën iso-polifonike (himariote) ishte Neço Muko, por theksojmë se ai i futi i imponuar nga shoqëria PATHE dhe më kryesorja, ai futi istrumenta të largët për natyrën e shumëzërrëshit shqiptar si violinë dhe piano. Ndërkohë Lefter Çipa futi me vetëdijë, në mënyrë të studiuar dhe në realizim të vijës melodike të krijuar prej tij istrumenta tradicionalë, si fyelli dhe cula dyjare, që realisht ishin pjesë e jetës dhe e botës iso-polifonike shqiptare. Këto istrumenta nuk janë thjeshtë “shoqërues” të këngës që këndohej, ato janë prijës së melodisë së këngës. Kënga nis, vazhdon dhe mbyllet me melodinë e istrumentave, ajo vazhdon edhe në kohën kur këngëtarët janë në “pauzë” ose kanë mbaruar këngën. Fyelli dhe cula dyjare vlerësohen si “pjestarë” aktivë të grupit dhe duke qënë të tillë, vetë grupi nuk pranon1 të këndojë pa praninë e tyre.

ç-Te këngët e Lefter Çipës gjen si asgjëkundi “dialogun” e këngëtarëve djalë- vajzë të shoqëruar me dialogun e culës me fyellin në një harmoni të përsosur. Kjo këndohet jo si një duet me dy këngëtarë , por si interpretim i “marrësit”( në fakt i dy “marrësave”) në një këngë që e këndon gjithë grupi, me të gjitha tiparet dhe elementët e një kënge iso-polifonike.

d-Para Lefter Çipës tekstet e këngëve iso-polifonike ishin tekste popullore, ndërkohë që këngët e Lefter Çipës janë krijime poetike të mirëfillta, kanë tekst të ngritur në një nivel të lartë artistik, ndonëse figuracioni është marë nga realiteti i përditshëm, prandaj është i “thjeshtë” në përmbajtje dhe lehtësisht i kuptueshëm E thënë ndryshe, teksti i këngëve është tekst “i jetuar” praktikisht nga antarët e grupit, prandaj ata e kanë më të lehtë ta “jetojnë” dhe në këngë. Kujtoni tekstin e këngëve triumfale të këtij grupi “Bejka e bardhë”, “Shko moj shko kuac e kuqe”, “Sorkadhe me rremba shkruar”, “Cula e Labërisë” etj. Madje edhe teksti brilant i këngës së dëshmorëve: “Nga kjo baltë e kësaj toke/Merr një grusht e shtrydhe fortë/Pika gjakun do kullojë /Luftën e madhe tregon/./Kemi derdhur gjak me okë/Ndaj lulëzon kijo tokë” është tepër i kuptueshëm dhe lehtësisht i këndueshëm. Lefter Çipa është poeti i rrafshit të epërm poetik dhe krijimet e tij sipërore e ngejnë nivelin e këngës iso-polifonike.

e-Lefter Çipa i theu barierat tradicionale të vijës melodike të këngës iso-polifonike. Kështu, veç se futi këngët me dy marrësa (Bejka e bardhë, Kuaca e kuqe etj), futi në grup “marrësa” të rinj në moshë e me zë metalik që u dhanë këngëve “fytyrën” e tyre rinore, bukuri, dinamizëm dhe ritëm, duke lënë në haresë tipin e këngës të avashtë “pleqërishte”. Zërat e këngëtarëve “marrës” ishin në harmoni të plotë me melodinë e istrumentave, thua se ishin një. Kështu psh. zëri i vajzës te “Bejka e bardhë” ishte në sintoni të plotë me culën dyjare dhe zëri i djalit ishte po në sintoni me fyellin mbushës, në ndjekje të fyellit solo.

ë- Ridimensionoi zërin e “hedhësit” (zë që ishte ngritur në një shkallë më lart nga Neço Muko) duke e bërë atë një zë faktor në sukses të këngës.

f- Lefter Çipa ngriti “fidanishten” e këngëtarëve duke krijuar grupin e të rinjve, prej nga mirte shpesh elementë të rinj në grupin e të riturve, duke e mbajtur në këtë mënyrë gjithmon të ri grupin kryesor. Grupin e të rinjve e pasonte grupi i fëmijëve, duke u krijuar kështu një “zinxhir” artistësh të të gjitha moshave. “Kënga piluriote” ishte çështje e gjithë fshatit, jo “tabu” e vatrës së kulturës.

g-Lefter Çipa ishte drejtues artistik jo vetëm i grupit të Pilurit. Vargu, fjala, organizimi i grupit, vija melodike e këngës që ai “kompozonte” për çdo tekst e çdo grup, ishte burimi i suksesit të shumë grupeve iso-polifonike në bregdet e Labëri. Ai punonte me ato grupe me të njëjtin itensistet si me grupin e Pilurit, u gëzohej sukseseve të tyre njësoj siç gëzohej me ato të grupit të Pilurit. Kudo që vente ai linte pas vetes “yje” këngëtarësh, që në qiellin e iso-polifonisë dukeshin si kostelacione yjesh.

II- Prandaj themi se shuarja e Lefter Çipës nuk është “fundi i një epoke” iso-polifonike, pasi kënga e tij do këndohet dhe në të ardhmen, vija e tij melodike do jetë “bazë” e vijës melodike të shumë këngëve, poezitë e tij do “melodizohen” nga grupe të ndryshme, artistët e rinj të Pilurit të mbledhur te grupi “Bejka e bardhë” vazhdojnë dhe e çojnë përpara këngën pilurjote, këngëtarët “yje” që Lefter Çipa la nëpër grupet e tjera do ta përsosin këngën iso-polifonike të fshatit apo krahinës, siç i mësoi Lefteri etj. etj. Në qoftë se ardhja e Lefter Çipës në iso-polifoni është nisja e një epoke të re, shuarja e tij është thjeshtë shuarja e një ylli të shndritshëm në galaksinë iso-polifonike. E parë në këtë kontekst unë ju kujtoj se drita e një ylli që shuhet vazhdon të vijë te ne edhe dhjetra apo qindar vjet më pas dhe ky është një realitet dhe jo një figurë artistike.. Kështu do vijojë të ndrijë drita e yllit Lefter Çipa, ndërkohë që dhjetra e qindra yje të tjerë ndrijnë e vazhdojnë të rriten e të rritin dritën e tyre në qiellin shqiptatr të iso-polifonike.

Novacioni i Lefter Çipës në iso-polifoni do jetë “lëndë energjie” që do shtojë dritën e tyre.


Sarandë, më 19.02.2021


1-Për ilustrim mjafton të kujtojmë rastin e tentativës së segmenteve shtetërorë për të penguar futjen e istrumentave për të kënduar këngën “Bejka e bardhë” në Koncertin Qeveritar më 16 Tetor 1973 dhe që këngëtarët i fshehën nëpër mëngore dhe shark, duke i nxjerrë vetëm para mikrofonit, kohë dhe vend kur asnjë ndërhyrje e jashtëme (institucionale) s’bënte efekt.

51 views0 comments

Yorumlar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page