top of page

DRITA DHE MAJAJA E KËNGËS


1. NËNA: DRITA DHE MAJAJA E KËNGËS.

Fatmir Terziu



Nëna: drita dhe majaja e këngës.

Mjerë ai që nuk puth duart e nënës!

Nëna: Dora dhe zemra që i falen Zotit

Nëna: kush e ka një, e quan atë Nënë,

kush nuk ka rron me dhimbjen deri në palcë prej emrit Nënë,

kush e humbet që kur është gjallë,

për të s'ka asnjë fjalë,

... jo më Nënë pastaj.

Nëna: drita dhe majaja e këngës.

Mjerë ai që nuk puth duart e nënës!


2. DHIMBJA E NËNËS


U mblodh loti i verbër,

shkuli me forcë

një mal të bardhë borë.

E zogjtë u shpërngulën mendjelodhur

nga litarët e dhimbjes

për të dhënë alarmin.

Toka pëshpëriti thellë

shprushi të gjitha lutjet

e i mbështolli në zemër.

Kaq. Ra nata në sy

e syri u lag si një glob.

2 maj, 2020-2022


3. SHQIPËRI


Ndoshta do të ju duhen shkresa,

miliona vite histori plotë sajesa,

ndoshta do të shpikni të tjera fshesa

por, unë jam e kristaltë si vesa.


Mëngjeseve kur zgjohem në fllad

i mbaj gjerdanë në gjoksin tim,

sepse unë rroj me bulën në ballë,

ushqej shpirtin e lirë papushim.


Ashtu si Galaktika atje lart,

ushqen dete, oqeane përditë,

ashtu me shpresat që mbart,

prodhoj dritën time për sytë.


Dëshironi të shpikni makina?

Për t'më parë gjithnjë robinë?

Por rruga ime nuk ka kthina,

kurë nuk rrëzohem në shpinë.


Më thoni tani, ju lodh ky loti im?

Ai është si një minierë kristali,

njësoj si në dhimbje dhe në gëzim

kur pushon së dali, shembet mali.


A ju shqetëson kjo krenaria ime?

Më krahasoni me ndonjë shkëmb,

por unë asnjëherë nuk bëj krime,

dhimbja e Tjetrit mua më dhëmb!


E kam gjuhën mjaltë të ëmbël,

nuk ushqehem nga gjuha e rrugës,

edhe kur ju m'i nxirrni dhëmbët,

unë ju jap ujë në bisht të lugës.


Mund të më vrisni në shkresat tuaja,

me ato që i quani vetëm ju histori,

por tashmë ato janë të huazuara,

një herë më ka kaluar miu ndër sy.


Dhe tani dua t'ju them pikësëpari,

Unë jam nga Dhéu i bekuar i Ilirisë,

jam e qeshur sikur kam miniera ari

të gërmuara në oborrin tim të shtëpisë.


Buzëqeshja është thesari im,

nuk ka sy tjetër që të përfshihet,

po ta vrasësh është vetëm krim,

sepse prapë, si ajri, do të ngrihet.


Duke nënshkruar kohën për kohën

në një agim që është çuditërisht i qartë

tashmë unë nuk e çudis më Botën

sepse jam ëndrra shekullore atje lartë.


Mund të më vrisni në shkresat tuaja,

me ato që i quani vetëm ju histori,

por tashmë ato janë të mallkuara,

mua më quajnë krenarisht Shqipëri!

33 views2 comments

2 Comments


mich.maska
May 08, 2022

C'te te them me teper se c'ka thene Poeti Kozma Gjergji. URIME, ME MAJA' TE REJA

Perqafime, Myslim Maska, Athine.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
May 06, 2022

Tre poezi terziane që spikasin për konceptimin, endjen e figuracionin e freskët dhe

ndjeshmërinë emocionuese. Në veçanti drithërojnë ato për Nënën. Të duket sikur i ka shkruar

vetë dashuria e thellë për të.

Me shumë respekt, K.Gjergji.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page