top of page

DREJT TEMPULLIT TE BAHAIT


Luan Çipi

DREJTË TEMPULLIT TE BAHAIT NË ÇIKAGO

Përshkrime udhëtimesh nga Luan Çipi

Kisha dëgjuar nga im bir, që banon prej shume vitesh në Çikago, për Tempullin e Bahait në këtë qytet dhe për parimet liberale e humane të kësaj feje, që pretendon të bëhet së shpejti, sipas tyre, dominuese në gjithë botën dhe që aktualisht, po sipas tyre, përfshin 7 milion besimtarë.

Duke qenë në origjinë besimtar i tarikatit Bektashi dhe i mbrujtur qysh së vogli me idetë naimjane liberale dhe patriotike të tyre, me tërhoqën principet e kësaj far feje, ithtarët e së cilës pretendojnë të jenë më të përparuarit ndër të gjithë religjionet fetare bashkëkohore botërore..

 Kështuqë në një ditë dimri me borë dhe erë karakteristike, duke e përballuar me dëshirë të ftohtin e madh, u nisëm nga qendra e qytetit Çikago drejt veriut, për ta njohur më nga afër ketë “mrekulli të re qiellore”.  Kjo për më tepër se kisha dëgjuar se ata janë pretendues për  ide sipërore e të përparuara, që përfaqësojnë marrëdhënie të reja të njeriut me Zotin. Kjo sipas tyre, do arrihet në procesin e zhvillimit historike dhe dinamik, nëpërmjet “relativitetit dhe progresivitetit” të fesë.  Ndryshimet do të bëhen, duke pajtuar, ndruar dhe drejtuar historinë fetare, shpeshherë të dhunshme dhe krejt mistike, drejt ecjeve njerëzore të lira e të përparuara, në paqe me çdo monoteizëm,  po në shkëputje nga kleri, kastat  dhe nga dogmat fetare të kahershme.

Pasi kaluam Downtown-in magjepsës të Çikagos drejt veriut dhe përshkuam bukuritë pranë liqenit në rrugën Lake Shore Drive, kaluam në fshatin e bukur Evanston ku, më së shumti, kane  vilat e tyre luksoze të pasurit e vendit dhe  afër Liqenit, futemi në Willmet, ku na befason pamja madhështore e Tempullit  Baha.i.

Pasi parkojmë buzë rruge makinën, hyjmë te kati i nëndheshëm, ku na presin me dashamirësi dhe na shoqërojnë besimtarët mikpritës, që na përshëndesin dhe na njohin me ekspozitat, librat dhe vidioklipet, si dhe na paraqesin pamjet, idetë dhe ngjarjet kryesore të historisë dhe jetës së tyre.

Kur u ngjita lart në Tempullin Baha.i të Çikagos, mendova se isha futur në një Tyrbe Teqeje Bektashiane Shqiptare, por kjo këtu, e modernizuar dhe tepër luksoze dhe e ndërtuar pa i kursyer paratë, ishte krejt e bardhë dhe tepër e lart.  Muret anësore mbi sipërfaqen rrethore dhe tyrbja madhështore ishte ndërtuar artistikisht dhe me teknikë të posaçme nga mjeshtra të talentuar, gjatë 50 vjetëve,  Punimet ishin realizuar me gdhendje e derdhje harmonike figurash, simbolesh e shkrimesh, që përfshijnë emblemat përfaqësuese dalluese për të gjitha religjionet fetare,  si kryqi i thyer, kryqi i krishterë,  hëna dhe ylli, ylli gjashtëkëndësh e deri te ylli me 9 cepa, simbol Baha.i.. Këtu bashkëjetonin paqësisht nga abrahmizmi, judizmi, budizmi, kristianizmi, islamizmi me përfaqësuesit e tyre historik të përfytyruar e të parë historikisht, si të Ademit, Ibrahimit, Musait, Zoroaster, Krishna, Buddha, Jezusi, Muhamedi  e deri te Babi i Bahait.

Duket se të gjithë të madhërishmit, profetë të një Perëndie të vetme, na kanë thërritur sot për t’i kujtuar me nderim.

Duke biseduar nga afër me mikpritësit dashamirë dhe duke u konsultuar me literaturën e shumtë deri në gjuhën shqipe, që na ofruan, nëpërmjet pamfleteve, ekspozeve dhe vidioklipeve të tyre, mësuam edhe  për parimet kryesore të Besimit Bahai, që vërtetë na përforcuan mendimin e adhuruesve, se kemi të bëjmë me një besim të ri dhe krejt të veçantë:

-Ka vetëm një Perëndi, krijuesi i gjithësisë;

-Njerëzit janë unik: ”gjethe të një peme, lule të një kopshti”

-Feja duhet të sjellë dashuri, ndryshe nuk është më fe.

-Fetari duhet të jetë i çliruar nga paragjykimet dhe tradita e mbrapshtë, për të qenë i pavarur,  i bindur e i kthjellët në mendimin dhe vendimin e vetë.

-Feja duhet të jetë në harmoni e bashkëjetesë me mendjen dhe të eci krahë për krahë me shkencën. Kjo kërkon arsim të detyruar e të përparuar, ku dhe gratë të zënë vendin që meritojnë.

-Paqja duhet të karakterizojë botën, për ketë ajo duhet të drejtohet me urtësi, qetësi e largpamësi nga një Këshill Ndërkombëtar, të gjykohet me drejtësi nga një Gjykatë Botërore dhe të ketë një gjuhë të përbashkët të njësuar.

-Të gjithë duhet të punojnë sa më shumë dhe, si të pasurit dhe të varfrit, të luftojnë përtacinë, në shërbim të njeri tjetrit  dhe në adhurim të Zotit;

-Qëllimi i njerëzimit të jetë qytetërimi, përparimi dhe zhvillimi i përgjithshëm.

Historia e këtij besimi  e ka zanafillën në vitet 1817-1892, në Iran dhe Palestine, vende asokohe të pushtuara nga Turqit Osmanlinj.

Ideator quhet një pasanik persian, me emrin Bab-i, që paralajmëroi  i pari çudinë e radhës: ardhjen e një prijësi të ri, që, kur u shfaq ishte Baha,i u llahu, i dërguari i Zotit. Profeti i Ri, shumicën e jetës e kaloi në krijim e meditim, në vuajtje e burgosje të gjatë, derisa ndërroi jetë, në Palestinë në vitin 1892. Pas kësaj fuqinë predikative  dhe drejtuese e morri i biri i tij, Abdyl Bahai, që doli nga burgu Turk në vitin  1908. Ai ndërmori udhëtime e predikime nga Palestina në Afrikë, Evropë dhe Amerikë, derisa ndërroi jetë në vitin 1921, në moshën 75 vjeçare, duke lënë si pasues të zjarrtë nipin e tij, Shoghi Efendiun.

Kjo ishte aradhja e zgjedhur e Besimit Bahaj, që përballoi vështirësi të patreguara, në kushtet e vështira të prapambetjes, fanatizmit dhe tiranisë të asaj periudhe në Azinë e Vogël e të Mesme.

Atëherë shkenca dhe arti, që po lulëzonte në Evropë,  shiheshin me përçmim dhe konsideroheshin të pista. Gjithë populli dhe veças gratë, ishin në injorancë dhe ato, të zhvleftësuara krejt, pa arsim e kulturë dhe të gjithë në grindje, në mëri e në luftë fisnore.

Ishin besimtarët Bahaj, që predikuan  me durim e paqësisht, po dhe ndërmorën me guxim hapa për zhvillimin, duke u distancuar nga paragjykimet e vjetra fetare, në mbështetje të arsimimit të përgjithshëm, të emancipimit të grave dhe të përkrahjes së shkencës, teknikës dhe përparimit.

Në Haifa të  Izraelit, në këmbët e Malit Karmel, u ngrit Mauzoleu i Bahait. Atje u vendos edhe Qendra Administrative me 9 drejtues të zgjedhur dhe zgjodhën Këshillin e Përgjithshëm të Drejtësisë, organizma  këto të njohura ndërkombëtarisht. Atje rruhet edhe trupi i Babit.

Ne Akka, aty afër, është një tjetër Tempull Bahai, ku ruhet Baha ullahu. Këto, të dy selitë e shenjta,  janë vendet me të adhuruara të besimit Bahai.

Qendra të tjera të rëndësishme fetare Bahaj ka kudo në botë: Në Rusi, Amerikë, Indi, Birmani dhe Gjermani e në vende të tjera të Evropës, po dhe në Kinë, Japoni, Australi, Zelandë, Afrikë e deri ne Oqeani e Paqësor.

Njerëz të guximshëm e paqësore nga e gjithë bota, që i përkasin ndonjë besimi, apo të feve të njohura tradicionale: të krishterë, islam, budistë, hindu, hebrenj, zoroastrianë,  shumë prej tyre, lëne pas dogmat dhe prapambetjen dhe përqafojnë Besimin Bahaj, duke u bashkuar, si u pëlqen ta thonë Bahaiasit, në një familje  të madhe e të harmonishme. Qëllimi i secilit prej tyre është për të vendosur ”Paqe mbi Tokë, për të gjithë njerëzit vullnetmirë”.

Duke u bërë thirrje për bashkim e përfshirje, Besimi Bahaj, nuk i përjashton, përkundrazi i fton në bashkëpunim e mirëkuptim absolut të gjithë pjesëtarët e vetë, si dhe përfaqësuesit e feve të tjera tradicionale, duke iu kujtuar se  Bahai, në radhë të parë, është profeti i ri, i dërguar nga Zoti, i pajisur me cilësitë më të  mira të pararendësve të tjerë të nderuar të mëparshëm.

Edhe unë, që shkruaj me nderim për ta këto radhë, pas vizitës dhe përshtypjeve mbresëlënëse në  Tempullin Bahai në Çikago, nuk u diktoj domosdoshmërish të bëheni Bahaj. Kjo është çështje vullneti e bindjeje dhe ka lidhje me atë që i thotë ndërgjegjja

secilit. Po, duke vizituar këtë qendër të bukur e të shenjtë për miliona besimtarë këtu, në Çikagon e Amerikës së Madhe,  duke pasur respekt të konsiderueshëm për ta, me shkon mendja te vëllezërit e mi Shqiptarë dhe krenohem që edhe ata janë të cilësuar e të vlerësuar në mbarë botën për tolerancën ndër fetare.

Më shkon mendja, gjithashtu me keqardhje, te politikanët tanë, te demonstratat, vrasjet, korrupsioni dhe mosmarrëveshjet dhe them, se modeli e qëllimi i këtij besimi, duhet të kihet parasysh dhe të udhëheqë mendimin dhe veprimin e çdo politikani e partiaku, si dhe pse jo, të çdo qytetari të ndershëm e patriot të vendit tim të  mrekullueshëm, po të shumëvuajtur.

Pjesë e Librit të Luan Çipit “Nga Llogoraja në Niagarë”

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page