Dr. Shpresa Fundo Gjergji: Triptiku "Familja Rosmaku", tashmë pjesë radiofonike
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 6, 2025
- 5 min read

Triptiku "Familja Rosmaku", tashmë pjesë radiofonike në Bruko Broadcast Radio, BBR dhe e ilustrimit muzikore
Përmes emisionit “Gjyshja tregon”, “Familja Rosmaku” gjen një dimension të ri, duke kaluar nga faqet e librave në valët e radios dhe tingujve muzikorë të këngëve. Ky kalim nga letra tek zëri i gjallë i transmetimit sjell një përvojë unike për fëmijët, ku çdo detaj i tregimit merr ngjyra dhe ritëm përmes tingujve dhe interpretimit.
Së pari, promovimi i vlerave familjare vjen natyrshëm dhe pa pengesa, duke nxitur përfytyrimin fëminor ndaj asaj çfarë dëgjon.
Emisioni përdor fuqinë e tregimit oral për të transmetuar vlera të forta morale dhe sociale. Gjyshja si personazh qendror, përveç që interpreton ngjarjet, shërben si urë lidhëse mes lexuesit të vogël dhe mesazhit edukativ. Përmes zërit të saj të ngrohtë dhe të besueshëm, fëmijët perceptojnë dashurinë, solidaritetin dhe bashkëpunimin si vlera kryesore të Familjes Rosmaku. Ky format i sjell personazhet e Familjes Rosmaku më afër dëgjuesit, duke e bërë ato të prekshme dhe të gjalla.
Së dyti, muzika dhe atmosfera e krijuar nxit emocion dhe e argëton fëmijën.
Këngët e përshtatura për Rosmakët janë melodioze dhe festive. Ato krijojnë një atmosferë optimiste dhe pozitive. Ritmet e lehta, melodia e qetë dhe herë - herë me hovacione fëmijësh, e shprehur nëpërmjet korit të fëmijëve, e bëjnë dëgjuesin të ndihet pjesë e ngjarjeve, të entusizmohet dhe në të njëjtën kohë të asimilojë më tepër. Refrenet e thjeshta dhe të këndshme inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, këndimin, duartrokitjen apo lëvizjen ritmike. Elementët muzikorë funksionojnë si “pushtues emocional”, duke forcuar lidhjen mes tregimit dhe dëgjuesit.
- Do të vija theksin te struktura dramatike dhe dinamika, e cila është e pranishme dhe evidente.
Pjesa radiofonike është ndërtuar në mënyrë të tillë që secili segment ka ritmin dhe tensionin e vet. Momentet më të qeta shërbejnë për përshkrime dhe reflektime mbi ngjarjet, ndërsa pjesët muzikore dhe këngët e lehta japin energji dhe ndihmojnë në kalimin mes skenave. Kjo ndërthurje e tregimit me muzikën e bën programin tërheqës dhe ndihmon fëmijët të ruajnë vëmendjen për gjithë kohën e transmetimit.
- Gjithashtu estetika e zërit dhe muzikaliteti, është një botë e cila e thith ëmbël fëmijën duke bërë që komunikimi të rritet në nivelin e kërkesave të kohës.
Një shtesë e vogël mund të përqendrohet te bukuria e interpretimit: intonacioni, pauzat, ngrohtësia e timbrit, të cilat janë pjesë e artit dhe i japin tregimit një “shpirt” të ri që nuk mund të arrihet vetëm me leximin e tekstit.
- Ajo ku doja të ndalesha dhe të fokusohesha është roli edukativ dhe argëtues, që ky format e sjell në mënyrën më të bukur për botën e fëmijës. Përveç argëtimit, që është e dukshme, ky format forcon memorien e fëmijëve përmes përsëritjes së mesazheve dhe motiveve muzikore. Këngët, ritmet dhe dialogjet radiofonike ndërtojnë një ekosistem mësimor që kombinon imagjinatën, ndjeshmërinë dhe zhvillimin e gjuhës. Fëmijët mësojnë jo vetëm për historitë e Rosmakëve, por edhe për emocionet, bashkëpunimin në një mënyrë natyrale dhe të këndshme.
Mund të nënvizohet se ky projekt nuk ka vetëm funksion artistik, por edhe social, sepse krijon një hapësirë bashkëbisedimi mes fëmijëve, prindërve dhe edukatorëve rreth vlerave që përcjell “Familja Rosmaku”.
Nëse do ti mëshoja sado pak përjetimit estetik dhe fantazisë, do të mund të sillja një feedback nëpërmjet një vëzhgimi se si radioja dhe muzika jo vetëm i japin jetë tregimit, por edhe zgjojnë imagjinatën e fëmijëve. Ata e krijojnë vetë në mendje pamjen e personazheve dhe skenave, gjë që është një formë aktive e artit.
- Ka një ndikim të përgjithshëm me shumë efikasitet kur sheh
integrimin i "Familjes Rosmaku" në valët e radios Bruko Broadcast Radio - BBR dhe muzika që padyshim zgjeron horizontet e tregimit. Programi nuk është thjesht një përrallë e dëgjuar, por një përvojë multisensoriale ku zëri, muzika dhe ritmi bëjnë të gjallë çdo karakter dhe ngjarje. Ky format i hap fëmijëve dyert e imagjinatës dhe krijon një lidhje afektive të thellë me vlerat dhe botën e Rosmakëve.
Këtu do të përdorja termin “komunikimi shumfishohet”, sepse në këtë kontekst, ky komunikim lidhet me mënyrën se si mesazhet dhe emocionet e “Familjes Rosmaku” nuk mbeten vetëm në librin origjinal, por shpërndahen në disa kanale dhe forma: radio, muzikë, këngë, dialogje, ritëm, zëra duke patur si audiencë më shumë fëmijë njëherësh dhe duke fuqizuar ndikimin e këtyre elementeve.
Këtu qëndron ndryshimi mes letërsisë për fëmijë të autorëve të mëparshëm me ata të periudhes së tanishme. Këtu mund të them se me të vërtetë këta autorë me emër e të pranuar pa hezitim nga shtëpitë botuese, bëjnë diferencën në komunikimin e ndërsjelltë të veprave të tyre me fëmijët e sotem. Madje, pikërisht këtu i jap përgjigje pyetjes: A arrijnë dot që autorët e një dekade të mëparshme të realizojnë atë komunikim që kërkon fëmija i dekadës sot?!
Në mënyrë më të detajuar:
A. Zëri dhe tregimi radiofonik – Kur Gjyshja tregon, një zë i vetëm (Gjyshja) transmeton historinë, por dëgjuesi ndjehet i përfshirë duke u bërë pjesë e ngjarjes. Mesazhi nuk është më statik, por i gjallë dhe i ndjeshëm. Si i tillë e gjen mundësinë e transmetimit në një trajtë që përthithet më shpejt, natyrshëm, pa lodhje me argëtim dhe në një shkallë më të pjekur artistikisht.
B. Muzika dhe këngët që janë pjesë e të tërës, shtojnë elemente emocionale që “shumfishojnë” ndikimin: një këngë melodioze e bën historinë më të paharrueshme, ritmet e argëtojnë dhe e bëjnë pjesëmarrëse fëmijën.
C. Përsëritja dhe angazhimi aktiv i refreneve, pjesëmarrja me zë ose duartrokitje, i bën fëmijët pjesë aktive të komunikimit. Mesazhi nuk kalon thjesht pasivisht, por shumfishohet përmes veprimit dhe emocioneve.
D. Multimedia dhe dimensioni social luan rol të asimilimit të vlerave të triptikut të autores Shpresa Fundo Gjergji, duke kaluar nga letra te radioja dhe muzika, historia arrin një audiencë më të gjerë dhe krijon mundësi për biseda mes fëmijëve, prindërve dhe edukatorëve. Ky është një komunikim që shumfishohet, sepse marrja e mesazhit arrihet duke u përjetuar në mënyra të ndryshme.
Në thelb, termi “komunikimi shumfishohet” do të thotë se mesazhet e Familjes Rosmaku nuk ngelen vetëm të dëgjuara, por ripërjetohen, ndahen dhe fuqizohen përmes zërit, muzikës, emocioneve dhe veprimeve.
Kjo e bën veprën të flasë artistikisht me një dimension jo të zakonshëm.
Në këtë format të ri, “Familja Rosmaku” merr vlera të tjera:
- komunikimi shtohet,
- mesazhi mvishet me një emocion të ri dhe
- perceptimi i tregimit bëhet i gjallë.
Përmes ndërthurjes së zërit, muzikës dhe atmosferës radiofonike, triptiku nuk është më vetëm një tekst letrar, por një krijim që dimensionohet artistikisht, duke u shndërruar në një përvojë të plotë estetike dhe edukative për fëmijët dhe duke përmbushur më së miri kërkesat e komunikimit modern sot.
Autore: Dr. Shpresa Fundo Gjergji









Comments