top of page

Dosja 07



Nga Puntorie Muça Ziba


Nga përmbledhja me poezi "VEGA"

Dosja 07.

Nenia ime nëntëdhjetë e nëntëvjeçare, dy vite para se të vdiste më tha:Kur do të plakesh bijë, do të bien dhëmbët, do të zbardhen flokët, do ta humbish shqisën e të shijuarit, shijen e të bukurës, aftësinë për të kuptuar, për të dëgjuar. Vera e vjeshta, dimri e pranvera do të duken njësoj. Nga ditët e javës do ta kujtosh vetëm atë që të është mbërthyer në mendje për të mirë ose për të keq. Nuk do të mund t’i dallosh gjinitë. Djalin do ta njohish nga britma e vrazhdë, shumë e ngjashme me atë të burrit me të cilin e ke lindur. Tërë ditën do ta qortosh nusen e djalit, nusen e nipit, mbesën e djalit dhe mbesën e bijës,ngaqë do t’i fajësosh për eshtrat që do të therin, për lëkurën e trupit që do të të dhemb edhe po të preku dikush me një fijëz kashte. Nuk do të durosh as ledhatime fëmijësh, ngaqë do mendosh se po të prek nepërka. Nata dhe dita do të duken njësoj. Në zheg e në fllad do të dridhesh nga i ftohti. E madhe do të duket dhoma e gjumit dhe shumë e fuqishme drita e qiriut. Nuk do ta kujtosh burrin e mbarë as pavdekësinë, por vetëm vdekjen. Do rënkosh e do qash pa zë e pa lot, deri ditën e mbrame kur do të të fusin në dhe për t’u tretur.

Oh kur kam qenë njëherë e re e idealizoja vargun perlë dhe zërin e trëndafiltë të këngëtares.

Atëbotë i bindesha bashkudhëtarit në tren në autobus në aeroplan dhe e pyesja me mirësi për ku ishte nisur a frikësohej nga aksidentet sa fëmijë kishte cilës gjuhë i përngjante gjuha e tij, me cilat hoje shkronjash shenjtërohet dashuria përse është praruar me ar, fytyra e gjuhës sime…

Oh, kur kam qenë njëherë e re, e brishtë dhe qibare, sa i doja: rrugët, dhiaret,kopshtet,oxhaqet ku merrte rrugë tymi. Kur unë kam qenë e re këndoja e vallëzoja dasmave bashkë me ciganen e paguar, ah,nuk dilja prej valleje derisa e mbyllnin dhëndërin dhe nusen në dhomën pajë shtruar.

O kur kam qenë njëherë e re meraku im ishte ajëri që rrëshqiste mbi fije gërshetash drejt shtatit tim qibar.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page