Doktorantja Arjeta Ferlushkaj pranohet në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë


Arjeta Ferlushkaj

Adnan Mehmeti

Presidenti i Shoqatës

Stamford, 16 tetor 2020

Është një traditë e bukur që muaji tetor të quhet ndryshe dhe “Muaji i Letërsisë”, dhe ditët e këtij muaji duhet të kenë mjaft lajme të reja, të bukura.

Në kushte më të mira pa COVID 19 do të ishte të bënim në ndonjë qytet të Amerikës promovime të veprave të botuara. Po prapë na vjen lajm i gëzuar. Fillimi i muajit tetor vjen me një ogur të bardhë për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, sepse pranuam si anëtare në radhët e Shoqatës doktoranten e letërsisë Arjeta Ferlushkaj.

Arjeta Ferlushkaj është shpërngulur në SHBA në fund të vitit 2016 dhe jeton mes shteteve Nju Jork dhe Nju Xhërsi. Pas bashkëpunimit që kemi pasur në të kaluarën, ajo tani është anëtare e rregullt e Shoqatës së Shkrimtarëve.

Studiuesja Arjeta Ferlushkaj me kohë ka dërguar në bibliotekën e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë librin e saj “Pasqyrat e postmodernitetit”, si dhe ka plotësuar formularin e anëtarësimit. Është ky një rregull për të qenë e barabartë në komunitetin e poetëve dhe shkrimtarëve anembanë Amerikës në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, një lidhje elitare, e suksesshme dhe modele për krijuesit shqiptaro-amerikanë. Arjeta Ferlushkaj ka në proces botimi librin e saj të dytë që pritet të dalë  pas pak ditëve.

Kryetari i Shoqatës, Mëhill Velaj, bashkë me kryesinë, e vlerësojnë anëtarësimin e doktorantes Arjeta Ferlushkaj si studiuese serioze e letërsisë, por edhe për aftësitë e saj në fushën e bibliografisë. Le të kujtojmë që gjatë vitit 2020 kemi pranuar edhe katër anëtarë të rinj: Xhemal Gora, Jani Plasa, Ermira Mitre dhe Frank Shkreli. Kemi botuar librin “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë -Autorë dhe vepra”, me mbi 103 anëtarë, gjithashtu edhe revistën e vetme letrare në SHBA “PENA”, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve.

Shënime biografike për doktoranten Arjeta Ferlushkaj

Arjeta Ferlushkaj ka lindur në Shkodër më 22 shtator 1983. Ka studiuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në degën Gjuhë-Letërsi. Në Universitetin e Tiranës ka kryer studimet Master në profilin “Studime Letrare”. Nga viti 2006-2016 ka punuar në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës në pozicionin e përgjegjëses së Fondit të Librit Shqip. Ka qenë anëtare e Institutit Alb-Shkenca nga 2009-2016. Është doktorante në profilin “Shkenca Letrare” pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë (sot quhet Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka marrë pjesë në seminare e Konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka botuar artikuj publicistikë dhe studimorë në gazeta, revista e buletine shkencore brenda e jashtë Shqipërisë.

Ka botuar studimin “Pasqyrat e postmodernitetit. Elemente të poetikës postmoderne në romanet e Ridvan Dibrës” në vitin 2012 nga Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë.

Si studiuese e letërsisë është e specializuar në atë bashkëkohore e posaçërisht në zhanrin e prozës. Studimet pasuniversitare për Master dhe shkolla doktorale, të dyja të fokusuara në prozën bashkëkohore, e kanë plotësuar dhe, sigurisht, rritur nivelin kërkimor shkencor. Ka ndjekur metodat studimore bashkëkohore kryesisht, me fokus kryesor në shkollat e kritikës letrare që kanë në vëmendje tekstin e më pak autorin. Prirja për ta vlerësuar një vepër nisur më shumë nga emri i autorit nuk është e re. Është një “problem” që e ka dëmtuar jo pak artin e vërtetë, letërsinë si art i fjalës. Prandaj ka synuar në Shqipëri dhe synon tani edhe këtu në SHBA që të përcjellë frymën e një kritike të vërtetë sa i takon vlerësimit që i duhet bërë një krijimtarie. Në çdo rast, studiuesi duhet të ketë bazë të punës tekstin, pavarësisht autorësisë.

Përvoja e saj dhe e disa anëtarëve që merren me studimin e letërisë Shoqatës sonë i hapin horizonte të reja. Nëpër disa vite ne kemi organizuar seminare, por që synojmë që të organizojmë të tjera seminare, pse jo edhe konferenca shkencore për data të rëndësishme historiko-letrare, për shkrimtarë të ndryshëm apo edhe për dukuri letrare.  Një temë diskutimi mbase do të jetë prirja e letërsisë së diasporës. Në to secili pjesëmarrës në seminar ose konferencë të përgatisë shkrime për autorë të diasporës, apo të bëhen analiza rreth prirjeve tematike dhe të formës letrare që po ndjekin autorët e diasporës. Kjo duhet të jetë një domosdoshmëri përderisa në Shoqatë kemi krijues e studiues me grada shkencore.

Arjeta Ferlushkaj mirë se erdhe në gjirin e ngrohtë të Shoqatës!


Doktorantja Arjeta Ferlushkaj dhe Adnan Mehmeti


26 views

Shkrimet e fundit