Dobiçi



Nga Edison Ypi

Çfarë të bësh me dobiçin që ta lënë te pragu ose në prehër, ta mbash, apo ta lësh ? Ta mbash, të vjen turp. Ta hedhësh, të vjen keq. Mbajtja apo hedhja nuk janë të vetmet alternativa. Kqyre mirë dhuratën e pakëndshme prej mishi. Nëse dobiçi që ta kanë ngecur nuk ka bile por vërrë, s'ke ç'e do, të nxjerr telashe, mos u merr me të, hidhe. Nëse të kanë llocur dobiç me bile, mbaje. Pas pak bilja do bëhet bole, do bëjë punë të mëdha, do korrë suksese për vete dhe për Kombin. Dobiçi, ai me bile që do i bëhen bole, si bir pasioni ngjizur kushedi se në ç'hotel a motel mes britmave të qefit, është pakrahasimisht më i shkathët, më energjik, se ne të tjerët ngjizur me gromësima dhe shurre mëngjezi. Mos e lër te pragu. Fute pra dobiçin brenda. Merre me doreza llastiku. Mbështille me një gazetë nga ato që ekzistojnë por nuk lexohen. Fute në torbë. Torbën me dobiç brenda shko lerja në prag njërit që ka nisur të shkruaj librin "Dobiçllëku ynë në shekuj". Ja, ta solla lëndën e parë për librin tënd, thuaji. Bëj libër të mirë ! Provo përmes librit tënd dhe dobiçit që të solla, rolin e pashmangshëm të dobiçave në historinë tonë. Binde miletin se dobiçat jo vetëm s'duhen vrarë, por duhen mirëmbajtur dhe rraca e tyre duhet përtërirë. Se botën nuk e çojnë përpara qurranjosat dhe moralistat por dobiçat dhe dobiçllëku. Bëj çmos të hapet fakulteti i dobiçologjisë me padagogë dobiçologë të famshëm që ti mësojnë rinisë dobiçllëkun akut, dobiçllëkun vizionar, dobiçllëkun liberal dhe atë konservativ. Se Fati i Kombit varet për së pari nga numuri i dobiçave dhe sofistikimi i dobiçllëkut. Jo më kot Dante Aligieri i ka kushtuar dobiçit vargjet me bukuri të pashoqe; "Dobiçi shokë dobiçi, me të ngrënë e me të pirë, në diell a në dëborë, kudo me bile në dorë". Gjetja e një dobiçi nuk është fatkeqësi si thonë disa që skanë haber nga jeta. Dobiçi i gjetur në prag, në prehër, apo kudo tjetër, është mbarësi, është Fat. Dobiçi është mbijetues i madh. Sfidues madhështor. Tani që të mirat që gëzojmë falë dobiçëve dhe dobiçllëkut janë bërë një realitet i prekshëm nga të gjithë, të merren masa që dobiçllëku të përhapet si dhe sa e meriton. Rëndësi e veçantë tu kushtohet dobiçërve që gazetat, radiot, televizionet ua fusin shqiptarëve përmes veshit, syrit, trurit, hundëve dhe të tjerave vërra. Dobiçllëku duhet mësuar nëpër libra që tregojnë me saktësi me dobiçin çfarë të bësh, dobiçin ku ta lësh, në kazan, në trotuar, në përrua, në ferrë. Një ditë në vit të quhet "Dita e Dobiçit". Të shpallet ditë feste kombëtare dhe të jetë pushim. Ti thuhet ndonjë kolektivi punonjës andej nga Gjiri i Patokut ose Bytha e Derrit të shpalli iniciativën mbarëkombëtare "Dobiçi çështje e të gjithë popullit". Mos pyet nëse dobiçi që ta ngecën është i gjallë apo i vdekur, i larë apo i përgjakur, me apo pa kordon ombelikal, i përshtatshëm ose jo për tu birësuar, i plotëson apo jo kushtet për trafikim organesh. Dobiçin kurrë mos e braktis. Dobiçin gjithmonë mbaje, gjithmonë merre, gjithmonë ushqeje. Sidomos sot kur dobiçi dhe dobiçlliku përbëjnë kuintesencën e rracës tonë, dhe Shqipëria është bërë e tëra një Dobiçhane ku gjithçka që bëjnë dobiçët e kudondodhur, në veshët e shqiptarëve vjen si muzika e Paganinit, e sofistikuar dhe bosh.

22 views

Shkrimet e fundit