top of page

“DO TA GJEJ NJË MIKROFON”…


Fejton: Thoma Goga

“DO TA GJEJ NJË MIKROFON”…

Shpeshherë udhëtimet e gjata më janë bërë bezdi dhe monotoni. Po kur kisha në krahë ndonjë bashkëudhëtar të lezetçëm, udhëtimi kthehej në larmi. Dhe unë e shfrytëzoja për zanatin tim. Ja bëj ndonjë shkrim. Kështu ndodhi dhe herën e fundit.

Në sedilen e krahut tim të djathtë ishte në djalë me dy telefona; një në dorë e një në vesh. Tek një dëgjonte e fliste, te tjetri diç shkruante e shikonte. “Cërr” me njërin “cërr” me tjetrin. Derman nuk gjenin “cërret”. Më atë që kishte në vesh zgërdhihesh e qeshte. Me tjetrin shikonte filma, foto. ç‘të bëja. Veç të zija veshët me tapa. Po dhe ato dreq i harrova në shtëpi. Në një çast gjeta rastin dhe i fola.

- Zbor u bëke telefonave, o djalë.

- E kom n’zanat, xhaxha,- u përgjigj ai.

- Dre, po ç’punë bën zotrote, se u dërrmove…

- Jam student për gazetari.

- O sa mirë. I pafsh hajrin zanatit. Domethënë, merresh me shkrime. A ke botuar ndonjë gjë?

- Bona ni lajm ni herë, po s’dul.

-Pse?- pyeta seiozisht.

- Atë ditë isha dhi tu hangër e tu pi. Se ç’dreçin kisha bo, as vetë s’e di.

- Po histori gazetarie bëni?

- Xhaxha, studjoj për gazetari e jo për histori. Kur të mbaroj do ta gjej dhe unë një copë mikrofon…

- Vetëm lajmin njeh. Po intervistën, reportazhin, investigimin…

- Pse unë do i boj të gjitha. Le t’ bojn’ ene të tjerët…

- Po mirë more bir, a e njeh fejtonin?

- Jo, jo. Në fakultet nuk kemi asnjë “Fatjon”…Pastaj se mos rrimë në fakultet. Shkojmë vetëm kur kemi provime. Ja nesër kemi “gazetari”.

- Ta thotë xhaxhai; “fatjoni” është vëlla binjak me rrëfimin. Po që t’i

njohësh edhe këta, shko ndonjëherë nga Biblioteka Kombëtare…

- Nga bie kjo?

E kuptova se djaloshi nga truri ishte “dërrasë” fare.

- Po sikur nesër të kërkojnë të bësh një shkrim, çfarë do thuash?

- Ja do boj ni lajm për ty,- tha “gazetari” i ardhshëm.

- Hë më rruaç, se s’kam dalë asnjë herë në gazetë. Kaq vjeç vajta. Të shes dhe unë ca pordhë te plaka.

- Çfarë zanati keni ju xhaxha?

- Çoban me dhënë e me dhi. Ditë e natë në stan rri.

- A ke internet atje?

- Thashë, kam vetëm dhënë, dhi, zagarë e gomarë.

- E si e shtyn ditën pa internet?

- Birinxhi. Kur kullosin bagëtia, marr ca djathë e turshi e ja valoj me raki. Aty nga dreka kur bagëtia futet në stan, dal e mbledh boronica.

- Të falenderoj xhaxha. Ky o superlajm. E mora dhe këtë provim. Vetëm më thoni emrin.

- Çeço Çobani nga Babica…,- thashë unë emrin e personazhit më të dashur në librat e mi. - Dhe shiko, po nuk gjete atë "mjekërrfon" kur të mbarosh studimet, eja të punosh në stanin tim. Do të emëroj “zëdhënës të stanit”…

Atij në çast i qeshi surrati.

Ja kështu, që thoni ju. Udhëtimi im i fundit ishte më i bukur dhe më me “bereqet”. Njoha një “talent” gazetarie që kishte provim. Dhe unë e shtyjta ëmbël këtë udhëtim…


(TH.G.)


8 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page