top of page

Do t’i gris gjithë ç’nuk kam shkruar...


Nase Jani

Do t’i gris

gjithë ç’nuk kam shkruar...


I urrej

vjershat e mia me lirika dashurie...


Do t’i mbys e do t’i gris,

do t’i hedh tek varri i heshtjes,

t’i mallkoj e t’i harroj!...

se më çmendën!


Se më çmendën pa më çmendur,

se më tretën pa më vdekur...


Do t’i hedh tek varri i shpirtit,

do ti mbys e do t’i gris!

Ja kështu!

Kështu do bëj!


Shpirtin

do ta zboj nga shpirti!

Truri s’do më nxjerrë më vjersha!


Do ta marr veten nga dora,

do ta hip në trotuar,

të mos vritet nga makina...

Do ta ul tek stoli i drunjtë,

do t’i jap në dorë tespije...

Të jetojë pa jetuar, pa lirika dashurie!

Ja kështu,

kështu do bëj!


Do t’i mbyll qerpikët e syve,

jo me duar, por me gurë, pllaka varri...


Nuk do shoh

e pse të shoh, ç’vlerë ka më tej shikimi?!

Bota tjetër e unë tjetër,

do rri larg nga kush kam qenë,

as dhe veten s’do e shoh,

Një i çmendur i pa-çmendur...

Një i tretur, i pa-vdekur...

që jeton i pa-jetuar, pa lirika dashurie...

Humba veten,

pa e gjetur!



Do t’i mbys e do t’i gris,

gjithë ç’kam shkruar e s’kam shkruar!


Vetëm shpirtin s’e kap dot,

shpirti im s’qenka i vrarë?!

Shpirti im s’qenka në varr?

Shpirti im s’është më me mua?


Do t’i gris

gjithë ç’nuk kam

shkruar!...


Ditëlindja



Sa herë më vjen ditëlindja

bëhem fëmijë dhe bredh

mbi kalldrëmet e fshatit...


Humbas moshën,

humbas vdekjet e prindërve...


Dhe pllakat e varrit

i gdhend e i fshi nga kujtesa...


Xhafo Kurja

më tregon përralla...

Mbledh manaferra nga Rripa,

luaj me top-lecke

dhe s’di të shkruaj vjersha...


Sa herë më vjen ditëlindja

humbas veten nga vetja...

2. 5. 2004


Me Naimin më 25 maj

Me Naimin kam një ditë në lindje,

sup më sup te mali që shkrin borë,

ku dhe trëndelina rri në pritje,

malli për vendlindjen bëhet kollë...


Se ç’bëri Naimi,

dinë të gjithë...

Ç’bëj e ç’nuk po bëj,

unë s’di as vetë...

Edhe vdekja s’di ku do më vijë,

në vendlindje,

a në udhë-kurbet...


Por një gjë e di dhe do ta di:

me Naimin mbeta gjitoni...



Vitrina


Rri përballë vitrinës

me rroba fëmijësh...

Andej:

manekinët veshur bukur...

Këtej:

unë hesht mbi trotuar...


Një xham na ndan...


Ai djali-kukull

s’është më kukull...

Në vitrinën e fëmijërisë sime,

jam unë

i veshur bukur...


Prapë hesht mbi trotuar...

fshi trishtimin nga xhamat e syzave...


Me jetën time-fëmijë

një xham na ndan...



Ëndrra



Shpesh

më ndodh çudia më e thjeshtë:

Nuk e gdhij mëngjesin

pa një ëndërr...


Ëndrra:

herë si qiell...

herë si det...

herë si qumësht i ngrohtë te gjiri i nënës...


Sa mëngjese

gdhihem me babanë,

në ca vende që tani s’i di?!


Sa mëngjese

del një nuselalë

fshehur, bëjmë e bëjmë dashuri?!


Sa mëngjese

gdhihem si marrë,

don Kishot, pa Sançon shërbëtor?!


Sa mëngjese

gdhihem dhe i vrarë

si Pushkini, nga një trim e horr?!


Sa mëngjese

zbres diku në Kretë,

fluturoj mbi dete si shejtani...

flas me Kazanxaqin, qetë, qetë...

pi me Zorbën raki, ballëkazani?!....


Ëndrra,

që më fut te pus i thellë,

ku t’i dojë qejfi të më shpjerë!



Sytë e nënës


Sytë e nënës

më kanë mbet’ tek sytë,

shohin njëri-tjetrin e nuk çmallen..

e shoh çdo mëngjes e i them prit,

më sheh çdo mëngjes e më thotë dale...


Prit i them

të mbush fllaskën në krua,

ku dhe Perënditë freskojnë ballin,

të mbledh vezë thëllëze ndenë ftua,

të shkul ca salep, të mbledh çaj-mali...



Prit i them

të ulem ca në prehër,

të thith nga gjiri im ca qumësht gjiri...

mbase s’m’ë dridhet dora përmbi letër,

të mos më rrijë fshehur frymëzimi...



Sytë e nënës

më kanë mbet’ tek sytë,

shohin njëri-tjetrin e nuk çmallen...

e shoh çdo mëngjes e i them prit...

çdo mëngjes më sheh e më thotë, dale...



Prit i them,

por nëna më thotë dale,

bota dhe këtu, është plot me halle....


Poezi nga libri: "Jetë e hutuar" 2007


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page