top of page

Djemtë e Hasan Lleshit, Dëshmorë të Atdheut





Djemtë e Hasan Lleshit, Dëshmorë të Atdheut


Prof Dr Fatmir Terziu



Jemi në pragun e një ëndrre që tashmë është bërë realitet. Realitet magjik që flet sikur je në rrjedha të vetë jetës. Sufa, sapo është kthyer nga Stambolli. Meta ishte duke u bërë gati për luftë. Ai e ka lënë djalin e tij vetëm 5 vjeç. Hasani është i ati i nënës së protagonistit kryesor të kësaj memorjeje të pavdekshme, shpirtmadhit, Nazmi Muceku. Ai ishte i martuar me një nga gratë më të fisshme të asaj kohe, Fatimen, ku zoti u dha atyre 5 fëmijë. Nadirja ishte e para nga fëmijët e këtij barku, i dyti ishte Meta, e treta ishte Mizenja që është nëna e Nazmi Mucekut, i katërti nga fëmijët është Isufi dhe i pesti është Fadili. Dhe e gjitha është jo thjesht një film, jo thjesht një zë i fuqishëm mesazhi, një këngë, një art më vete, por një promemorje lavdie dhe krenarie që flet e flet papushim për atë që Historia e mban të shtrenjtë në lavdinë e një familjeje, trungu, fisi, gjaku dhe Vatani. Dhe aty është kënga e kënduar, dhe aty është beteja, dhe aty është rrënja, dhe aty është e gjitha sa është dhe mbetet tërë jeta, e pavdekshmja. Është njohur e përmendur gjatë kjo betejë në shtypin e kohës duke u transmetuar gojë më gojë nëpër gjenerata. Sigurisht prej mbi 100 vitesh të ndodhisë së saj, kanë kaluar mbi tri breza, por lufta e zhvilluar në Shkallë të Deshëve midis pushtuesve serbë dhe patriotëve malësorë matjanë ka siguruar përjetësinë e saj edhe nëpërmjet krijimtarisë anonime popullore dhe autoriale.


Mësojmë në këtë kontekst atë që thotë „Mjeshtri i Madh“ Esat Ruka, „T’u këndoftë kanga- është njëra nga urimet popullore me një kontekst të thellë identitar dhe krenar. Në odat malësore prej kohësh, si në legjenda, është ndigjuar me krenari kënga e luftës së matjanëve në Shkallë të Deshëve, e cila përshkruan me vërtetësi dhe emocion, me mjeshtri krijuese dhe figuracion atë fitore të madhe duke mos lejuar më asnjëherë që hasmi serb të hyjë në Mat. „ E pra aty është e gjitha dhe ajo që lidhet e stërlidhet tek triimëria:

„… Sufa i Canit e Meta i Lleshit/ nuk ia lëshojn’ istikamin serbit/ për pa i djeg fishekt’ e rrepit/…


Apo:

„…ku e ban harkun ylberi/ këtu është Mati e këtu është nderi/

Se për tokën e besën e burrit/ shkrijmë me gjak zemrën e gurit…/“

Ka qenë kjo këngë e kënduar hershëm dhe që mbetet një mjet mesazhier i pavdekshëm, ku duhet thënë që në pikë të parit, se aty janë ende herronjtë, Sufa i Canit e Meta i Lleshit që ia kanë zënë istikamin serbit.

Ndërsa rritej Nazmi Muceku, që në djepin e tij të gdhendur mirë e bukur, ninullat e nënës së tij të dashur që ishte martuar me një trung tjetër patriotik, me Zeqir Mucekun, shkonte tek ajo që përcillte historia dhe fakti dhe ai dëgjonte këngët për herronjtë, vëllezërit e shtrenjtë të nënës së tij, dajot e vetë protagonistit të këtij projketi Kombëtar. Zeqir Muceku që kishte marë në këtë fis, natyrisht kishte dhe ai ndër deje vlagun e gjakut shqiptar, të patriotizmit që mbartej edhe tek dera e tyre e madhe. E kështu dy dyer krenare dhe të lavdishme trimërie, shkuan të pikëtakojnë sërrish Historinë për të ardhmen, për brezat e tyre, që ti ushqejnë me dashurinë për tokën amtare. Dhe kjo tashmë është një realitet.

Në fakt është një promemorje e fiksuar që tu flasë brezave. Klip pas klipi ka një montazh profesional, që flet me tërrsinë e shfrytëzuar nga arkivat, dhe me atë që ka prurë ideja e realizuar sa artistikisht, aq dhe estetikisht për të realizuar tematikën. Bëhet fjalë për klipin muzikor që shoqëron interpretimin profesional të këngës „Djemtë e Hasan Lleshit, Dëshmorë të Atdheut“. Klipi nis me një betejë të shrytëzuar nga arkivat, ndërsa pasohet më pas me një figurë të qasur në sfond, duke pasur përpara një mjedis të pyllëzuar, e ku protagonisti ka veshjen tradicionale të zonës që i përket në tematikë. E pas kësaj kamera hapet duke nxjerë në pah pamjen e vendlindjes së herronjeve, për të cilët teksti qas thelbin e vetë. E kështu e shkuara bardhë e zi vjen në kohë, ku qasen vizioni jeshil i një pasqyrimi ku pasqyrimi është edhe ajo që i takon banimit, shtëpiat e lyera me gëlqerëe të bardhë e me tërë atë jetanëjë që qaset në thelbin e vetë vizionar.


Më tej sërrish pamjet bardhë e zi të pasuara nga krisma e një pushke në duart e padukshme, pra na shpie aty ku është vetë thelbi i këtij realizimi artistik, që t'u flasë brezave me krenarinë e të parëve të tyre. Aty nis paralajmërimi, gatishmëria, ajo që bën fjalë për kryefjalën gatishmërinë e mbrojtjes së vatanit. Është beteja. Beteja me serbët në Shkallën e Deshëve ne malin e Dejës në vitin 1913, njihet si njëra ndër legjendat e qëndresës së popullit Matjan. Ndër luftëtarët që ranë me armë në dorë në front, qenë vëllezërit Met e Isuf Lleshi nga Rremulli i Matit. Dhë kështu bëhet realizimi i kombinuar historik, estetik, artistik dhe domethënës për traditën e trimërinë e një fisi që ka derdhur gjak për vatanin.

Dhe kamera me idetë dhe storybordin e paramenduar nga idetaorët shkon tek dialogu midis dy vëllezërve para shtëpisë së Met Lleshit në Rukaj. Ambjenti i shtëpisë jashtë dhe përcjellja nga famijarët e dy asqerëve për luftë. Dy vëllezërit luftëtarë shihen të jenë të veshur me rroba të kohës dhe me pushkë në krah.(viti 1913). e detajet shkojnë më tej. Nga maja e shullanit me Dron shihet të filmohet fshati Rukaj dhe Rremull. Hapësira e regjistruar shkon deri në liqenin e Ulzës, pra gjithë peizazhin e zonës. Po kështu me Dron shihet të filmohet edhe Macukulli dhe Mali i Dejës. Në këtë prizëm është filmuar vendvarrimi i dëshmorëve në varreza. Është shfrytëzuar filmimi i zhvarrimit në Shkallë të Deshëve (Murana) dhe i varrimit në varreza të Dëshmorëve të Rrethit. Për videoklipin janë shfrytëzuar edhee foto të nevojshme. Moment tjetër i rëndësishëm mbetet gjetja e një ode me oxhak me orendi të traditës së zonës e shtruar bukur ku janë ulur familjarë të dëshmorëve, dhe grupi i realizimit të këngës (5-6 instrumentistë) dhe këngëtari. Varur në murin e odës është një flamur kombëtar, fotoja e një gjyshi të shtëpisë dhe portreti i Skënderbeut, një çifteli, një pushkë, një sofër e shtruar me disa lugë druri një kupë druri ose qeramike, një enë uji….


Për këtë realizim sikurse është thënë ishte nisiativa e nipave Nazmi Muceku, Isuf e Fadil Lleshi, që këta Dëshmorë të Atdheut të përjetësohen në këngë. Teksti u shkrua nga Viktor Gjikolaj. Muzika dhe interpretimi u realizuan nga Esat Ruka „Mjeshtër i madh“. Studio e regjistrimit muzikor u realizua nga Alfred Qemalja. Videoklipi u realizua nga Bert Neziri, nga studio „Sara Production“.

Kohë më parë me mikun tim, Nazmi Muceku, pata një bisedë të sinqerttë, rreth së cilës sillej fjala dhe dëshmia e asaj që është arritur në vite. Në vitet kur pushka ishte mbrojtja dhe nderi i vatanit. Në ato vite dushmani ishte ai që zgjaste duart e tij të krimit dhe pushtimit, por që haste në trimërinë dhe vendosmërinë e trimave të atillë, për të cilët flet kënga e larticituar.

Edhe pse nuk janë të gjitha, edhe pse është një epilog i asaj që ka ndodhur, mjeshtërisht zëri i Esat Rukës, teksti dhe vetë realizmi përmbledhin një të tërë më të madhe. Bëhet fjalë për luftërat në mbrojtje të vatanit. Luftërat heroike të një fisi dhe të një tërësie trimash, që brezave, brez pas brezi luftuan me 5 krajla të Serbisë, luftuan me pushtuesit që kishin dominuar agresivitetin e mendjen e asaj kohe që dominonte Greqinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe Jugosllavinë e asaj kohe, mbretërinë serbo-kroate- sllovene. Këto luftëra dhe këto qëndresa në vitet e tyre janë një kurorë lavdie, që natyrshëm i jep tonin artsjellës edhe kësaj kënge.

Dihet nga historia dhe nga historianët se kur shkatërrimi i Perandorisë Osmane kishte filluar realisht, në shkurt të vitit 1912, Porta e Lartë urdhëroi të gjithë ushtrinë të tërhiqej nga Rumelia, pra edhe nga zona e tyre, pra edhe nga territori matjan. Sa e nuhatën shtetet ballkanike, të gjitha me orekse të shfrenuara për llokmën më të madhe për llogari të tyre dhe në dëm të Shqipërisë, largimin e Turqisë nga Shqipëria, që e kishte nën zaptim, në prag të Luftës Ballkanike, formuan Aleancën Ballkanike. Shtetet që e formuan Aleancën Ballkanike qenë: Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Të gjitha këto shtete nisin bisedimet e fshehta dhe të drejtpërdrejta për ndarjen e Shqipërisë në copa midis tyre. Serbia dhe Mali i Zi, si njëra dhe tjetra, qenë militarizuar deri në dhëmbë, kishin mobilizuar nën armë rreth 1/7 e popullsisë së tyre, ose 14.5% e saj. Serbia me 2.9 milion banorë kishte nën armë 400 mijë burra, ndërsa Mali i Zi me 220 mijë banorë kishte nën armë 30 mijë burra. Në luftërat e vitit 1912 dhe 1913 ushtria serbe pati 70 mijë ushtarë të vrarë në luftime, ose 17.9% e ushtrisë, ndërsa Mali i Zi pati 11.2 mijë ushtarë të vrarë, ose 37.3% e ushtarëve. Në të tilla standarde ishin edhe Austria, Greqia e Bullgaria. Serbia, që më 1880 kishte uzina për shkrirje hekuri e çeliku, prodhonte pushkë shumë precize dhe kishte mundësi reale edhe për kompletimin e ushtrisë me armatimin modern të kohës, si me topa e mitraloz, fishekë e bomba etj. Ndërsa, shqiptarët luftonin me pushkë me gjalmë ruse, italiane, bullgare apo austriake, të cilat mezi i kishin gjetur dhe me një ballë fishekë të marrë andej këtej. Cili ishte kalendari i veprimeve luftarake, i fitoreve dhe humbjeve mes palëve ndërluftuese? Në këtë kuadër, më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë zyrtarisht Turqisë. Një muaj më vonë, më 17 tetor 1912, Turqisë i shpallën luftë edhe Serbia e Bullgaria dhe një ditë më pas, më 18 tetor 1912, edhe Greqia i shpalli luftë zyrtarisht Turqisë. Më 1 shtator 1912, Pashiqi u zgjodh kryeministër i Serbisë dhe gjeneral Putniku ministër i Luftës.

E më pas duke ditur se kjo që ndodhte zgjoi dhe mobilizoi mjaft Luftëtarë të Veriut në vitin 1913, edhe beteja me serbët në Shkallën e Deshëve ne malin e Dejës në vitin 1913, që sikurse e thamë njihet si njëra ndër legjendat e qëndresës së popullit Matjan bëri bashkë mjaft luftëtarë, edhe luftëtarët që ranë me armë në dorë në front, pra vëllezërit Met e Isuf Lleshi nga Rremulli i Matit. Kjo luftë nuk bëri jehonë vetëm në Mat, por në Dibër e rretina, madje shkoi dhe më tej, duke shënuar kështu një ngjarje dhe një memorje të madhe historike.

Për këto e të gjitha kënga „Djemtë e Hasan Lleshit, Dëshmorë të Atdheut„, po aq sa realizimi dhe idea, financimi dhe kontrinuti në klipe, i japin nismëtarit kryesor të saj, biznesmenit nazmi Muceku, një rol të rrëndësishëm, një vlerë dhe një urim më të fortë në këtë ndërrim të viteve. Ai me këtë rast ka deleguar një dhuratë edhe në përshpirtjen e herronjve dhe ka shënuar një Memorje të madhe e të pavdekshme që do të këndohet brez pas brezi.


Esat Ruka, jo thjesht si artist, por dhe si një historian, na sqaron se „Janë shkruar disa këngë nga autorë matjanë dhe janë kënduar në skenat e institucioneve artistike e festivale. Është kënduar me suksese dhe pritur shumë mirë edhe kënga “Semti i Prellit me Bajrakë” me autorë Naim Gjoshi & Esat Ruka duke hyrë në fondin e këngëve shqiptare të luftës. Nipat e dëshmorëve Lleshi e konsideruan detyrë krijimin e një kënge enkas për këta dy dëshmorë të atdheut, si një histori e krenarisë së të Parëve të tyre. Që të jemë i sinqertë, megjithëse familjen Lleshi e kam vetëm rreth 500 ml larg shtëpisë time në katundin Rukaj të Matit, e konsideroja të “plotësuar detyrën” ndaj kësaj teme me këngën që përmenda më lart (Semti i Prellit me Bajrakë). E pohoj hapur publikisht, se me gjithë krijimet e njohura e të vlerësuara të repertorit tim, gjithnjë i mbetem borxh kontributit të madh e të pakrahasueshëm në gjenerata të bashkrahinasve të mi për Liri, dinjitet dhe përparim shoqëror. Gjithnjë kam përmendur katundin Rremull dhe jo katundin tim Rukaj. Kjo për faktin se Rukaj është njohur si katund më vete me Vendim të Kuvendit Pop. të Shqipërisë në vitin 1972, kohë kur u bënë disa ndryshime administrative të vendit. Tashmë Rukaj është qendër administrative e 6 katundeve.“

Jo thjesht për në fund. Është e shkuara që flet sa në art, aq dhe në mesazh. Bëhet menjëherë organizimi duke thirrur nën armë “ burrë për shipi” për mbrotjen e trojeve, nderit dhe pasunisë.

Pleqësia e çdo katundi bën thirrjen “pushkë për shpi” dhe në dhjetor 1912- forcat matjane me krahinat përrreth organizojnë forcat për mbrotjen e vendit… Rremulli, Shëlliu, Macukulli… organizohen në skalione për mbrojtjen e shtigjeve në Shkallë të Deshëve. Met Hasan Lleshi -Rremull 1880 -1913, në përgjigje të kushtrimit të Komandës së Vendit i gatshëm të marrë detyrën. Meta rreth të tridhjetave, ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, Minen dhe Hasanin. Isuf Hasan Lleshi – Rremull 1886 - 1913 i vëllai, beqar i sapo ardhur nga Stambolli, ku punonte përkohësisht për të ndihmuar familjen. I thotë vëllait (Metës): nuk të lë vetëm do vij vullnetarë.

Jo! i thotë Meta. Ti duhet të kujdesesh për famljen. Sufa vendos pushkën krahut dhe niset me të vëllanë drejt vendorganizimit të pritës.

Ata janë ende të gjallë, janë në zemrat e atyre që i bajnë të tillë, janë tek nëna e dashur e Nazmiut, babai i tij, nipërit e familjarët e tjerë, janë gjithnjë lart e më lart, janë tashmë dhe në art. Në një art të pavdekshëm, të ndjeshëm, me shumë shumë sqimë e me shumë margaritarë, sepse brenda ka një mesazh të madh Kombëtar, e mbarëkombëtar, me rrënjën e pavdekshme të trungut mjaft patriotik shqiptar.

Duhet shtuar se Meta që mban gjallë dhe emrin e gjyshit, ka shërbyer për mbi 40 vjet në disa vepra, si në ndërtimin e hidrocentraleve, Ulëz, Shkopet, Vau i Dejës, edhe në Hekurudhën Elbasan -Përrenjas e në disa të tjera. Kjo flet akoma më shumë për dashurinë e tyre për Atdheun.

274 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page