top of page

DITA E PESTË ME SHAKATË VLONJATE


NJË STUDENTE NGA VLORA NË TREN

DITA E PESTË ME SHAKATË VLONJATE

Nga Luan Çipi


Në takimin me pensionistet vlonjat me banim në Tiranë, së bashku miq e shok të hershëm qysh nga fëmijëria, nisi të tregoj sërish T.P., pedagog nga Vlora. Ai këtë radhë kujtoi një ngjarje rinore të një shokut të tij vlonjat, që për intimitet nuk e identifikoi dhe vetëm sa e vuri virtualisht ngjarjen në gojën e tij:

Student në vitin e fundit të fizikës, kisha dy dëshira kryesore, më tregoi një natë dimri, shoku im: -kërkoja me këmbëngulje raste për të vërtetuar në praktikë ligjet që mësoja për fizikën dhe rregullat e prera të sajë, që i ndjeja si pjesë të përditshme të vetëdijes sime dhe -gjuaja në vazhdimësi të gjeja ndonjë rast të mirë, për të zgjidhur problemet e beqarisë.

Aso kohe, më duhej, të paktën një herë në muaj, të kthehesha nga Tirana në qytetin tim të dashur, ku linda dhe u rita, në Vlorën time të bukur, ku më prisnin nëna ime, po, ku më tërhiqte dhe fantazia djaloshare dhe dëshira për ndonjë aventurë dhe për ndonjë rastësi të këndshme.

E desha shumë jetën dhe e dija se çdo ditë e ikur, nuk kthehet më. Isha i ri, gjithë energji e fuqi, tip sportiv e i pa përmbajtur dhe në kërkim të dashurisë dhe të shoqes time të jetës, që deri atëherë e kuptoja thjesht kontakt të rinjsh, qoftë edhe si “dashuri platonike”.

Udhëtimet për ne, studentet e varfër kryesisht, po dhe të tjerët më së shumtit, i bënim me tren. Autobusë e taksi pak lëviznin nëpër rrugët e Shqipërisë dhe ato ishin dhe me çmime biletash shumëfish. Treni Tiranë-Vlorë, qarkullonte dy herë në 24 orë dhe ishte me kabina kolektive ku uleshin 20-30 veta. I pari nisej nga Tirana ora 5 dhe i dyti ora 14. Unë zgjidhja trenin e dytë, që nuk preferohej nga të tjerët, prandaj kishte edhe më pak njërës. Nuk pëlqehej ky orar, sidomos gjatë verës kur bënte shume vapë dhe në ato 5-6 orë që zgjaste udhëtimi, behej i vështirë dhe i mërzitshëm.

Qëllimisht i kontrollova vagonët nga fundi drejt kreut, në kërkim të ndonjë “zogëze” të këndshme të vetmuar e të strukur në ndonjë cep kabine. Dhe vërtet e gjeta një vajzë shumë të bukur e të re vlonjate dhe pak a shumë, të parë e të njohur qysh në qytet. E përshëndes dhe i kërkoj leje të ulem pranë saj dhe ajo pranoi dhe mandej u duk se ngeli e kënaqur. Pasi “gërmuam” njeri tjetrin për pikat e njohjes dhe lidhjet nëpërmjet shokësh të njohur njëkohësisht, biseda ngeci, se kërkohej një temë e pranueshme për të dy. Unë, që ndieja tërheqje qysh në momentin kur e pashë dhe që vet e zgjodha objektin, në kërkim të një teme më interesante, e nisa bisedën, siç ndodh rëndom, me motin:

-Na përvëloi, kjo vapë e madhe i them unë. Dhe shtova e godita drejt e në objektiv: Ke bërë mirë që fustanin e ke zgjedhur dekolte dhe me mëngë zhapone.

-Po, ke të drejtë, shume vapë edhe shyqyr zotit, që është në modë tani ky lloj fustani dhe jo xhubleta e dikurshme e anëve tona, ndryshe vapën do ta ndienim edhe më shumë.

Mësova nga sa tha vetëm me dy fjalë, se kisha në krahë një partnere të zgjuar dhe se ajo ishte me origjinë veriore.

Pasi mbaruam me rutinën e problemeve të kohës deri në të rejat dhe parashikimet e më tejshme të stacioneve meteorologjike shqiptare e italiane, që edhe ato parashikonin vapë të shtuar, biseda ngeli. Kjo nuk me interesonte, se me duhej patjetër të nxitoja pa humbur kohë, se edhe koha dhe treni shpejtonte, ndaj mua më duhej domosdoshmërish të avancoja...

-Nga e folmja me duket se je veriore, nga ju kemi dhe për ku shkoni?

-Banoj në Vlorë, ku edhe duket se jemi parë, po me origjinë jam shkodrane. I kam prindërit arsimtarë. Jam vajza e madhe e profesor Zylalit.

-O sa më gëzove! Krejt Vlora ka respekt për prindërit tuaj dhe çdo djalë Vlore ju adhuron (dhe mora guxim për të kaluar direkt te qëllimi im) dhe kushdo do ëndërronte të bëhej dhëndër në familjen tuaj të nderuar. Pastaj i shpjegova kush jam dhe se vazhdoj në Tiranë studimet në vitin e fundit të Universiteti. Për nga “kashta” nuk kishte nevojë për shpjegime, se i ri, sportist, i gjatë dhe kaçurrel, flisja vetë.

Ajo, as që reagoj për propozimin tim të fundit aludues dhe për çudi, u largua pak nga kontakti im i qëllimshëm provokues trupor. Pastaj, pa folur ra si në heshtje vari, duke më hedhur, vetëm shikime hetuese, si e hutuara dhe e frikësuar.

Unë e kundroja dhe thash se rashë në dashuri me shikim të pare, si i thonë. Mendova se e gjeta shoqen e jetë sime dhe si i eksituar nga prania e saj, sidomos nga llërat e shëndosha e gur të forta, ku isha mbështetur qëllimisht, dhe gjokset e përdala provokuese, që buisnin thuajse pa reçipete para syve të mi, vetiu të shqyer.

Nuk e duroja dot heshtjen dhe ngecjen e bisedës në këtë pikë kulmore më dukej si disfatë. Ç’të bëja?

Zgjata dorën time të djathte me guxim dhe i kapa fort dorën e saj të majtë. Ajo, e befasuar, çuditërisht këtë radhë, nuk e tërhoqi dorën.

-Paske unazë të bukur i thash, mos je e martuar? Jo, tha, e kam dhuratë nga gjyshja dhe është vërtetë e bukur, e rrallë dhe e çmueshme, me gurë xhevahiri!

Me guxim të shtuar edhe më të madh, pas kësaj prove afrimi, e lë dorën dhe afroj këmbën time te këmba e saj dhe lart e poshtë, mish më mish, ëmbëlsisht. Ajo nuk e pranoi këtë teprim, duket iu duk i parakohshëm dhe brutal, ndaj menjëherë u largua pak dhe u shty rezë dritares së hapur të trenit, që vazhdonte rrugën me zhurmë e shpejtësi dhe linte pas fusha e kooperativiste shamibardha, që punonin të rraskapitura edhe në zhegun e vapës së padurueshme. Mendova për ato kooperativiste të drobitura që rropateshin në sy të diellit, po ai është fati i tyre trhash dhe ndryshe ky, fati ynë...

I nxitur e i eksituar nga “dekolteja” dhe “zhaponeja”, në kulmin e emocionit verbues rinor, instinktivisht vendosa, pa u tërhequr dhe pa u thyer, të hidhem tërësisht në sulm, duke menduar se vetëm sulmi është garanci për mbrojtje, frenim disfate e burim fitoreje dhe deri golash, siç ndodh të paktën në futboll, po pse mos fitoj dhe unë kështu thash e veprova...

Si student “i shkëlqyer” në mësime, gati fizikan, nisa të veproj me ngulm dhe ta pushtoj të paktën me ijën e trupit tim, bukuroshen e pa kapshme: Kinse të shihja mrekullitë e natyrës në parakalim dhe fushat me kooperativistë, dola vrullshëm me gjysmë trupi nga dritarja dhe e ngjesha fort pas mbështetëses së kanapesë së trenit atë, ndërsa unë humba vetëdijen, dorëzuar si pa ndjenja në kulmin e lumturisë. Këmba më ndeshi me shume forcë në një send tepër të fortë dhe unë shumë i gëzuar mendoja se ishte presioni këmbëve të saj.

Ligji i tretë i Nytonit, thashë dhe përsërita përmendsh: ”Forca e veprimit, e barabartë me atë të kundërveprimit”.

Kthehem tani brenda dritares, pak i kthjelluar dhe tepër i relaksuar me të vetmin mendim që ta përqafoj edhe pushtoj fortë, se që më do, sinjalin e morra te “kundra veprimi” i fortë me këmbët e mia të pagabueshme, tani të rëndësishme (më shumë dhe nga koka ime) se ato u bënë faktor fitoreje.

Një zhgënjim i madh: Bukuroshja e ëndrrës së parë djaloshare, që më doli këtë ditë mes rruge si e rënë nga qielli, nuk ishte fare te kanapeja, në kabinën tonë të trenit, ku kishte mbetur vetëm ndjesia imagjinare dhe aroma e saj e këndshme ... Këmbët e mia, kur unë kujtoja se po eksperimentoja ligjin tretë të Njutonit dhe në këtë çast, po kundërveproja, ishin pleksur gabimisht, te këmbët e hekurta të kanapesë së trenit dhe jo te këmbët e mikeshës time imagjinare...

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page