top of page

Diskursi dhe trajtesa tradicionale në poezinë e Sokol Demakut


Diskursi dhe trajtesa tradicionale në poezinë e Sokol Demakut


Fatmir Terziu


Leximi i punës së shkrimtarit, poetit, publicistit dhe aktivistit Sokol Demaku e konsideruar së bashku mundëson njohuri të reja në mënyrën se si estetika dhe identiteti i kalojnë kufijtë në shkrime të tilla, materiale në prozë, publicistikë e në poezi. Këta shkrime na japin mundësinë të kuptojmë se bashkërisht idetë dhe mesazhet angazhohen në një dialog me shumë drejtime përtej territorit që flet sesi identitetet janë të shumëfishta, në ndryshim, të nuancuar dhe komplekse, dhe se si Demaku ia detyron mes këtyre shkrimeve mjaft tërheqëse origjinën e tij frymëzimeve të ndryshme, vendndodhjeve dhe prodhimeve kulturore, marrjes në pyetje të momenteve në një vazhdimësi historike dhe niveleve të ndryshme të kulturalizimit të brendshëm dhe publikut. Me vëmendje ndaj formës dhe shpjegimit poetik, ndërsa marr në konsideratë vëllimin poetik të Sokol Demakut, „Plagë zemre“ (2022) të cilin sikurse sqarohet e përgatiti për shtyp Rizah Sheqiri, si dhe e zgjodhi dhe redaktoi Viron Kona, po ashtu dhe përgatitjen për kopertinën nga Rizah Sheqiri, mësojmë se botues është sërrish QKSH ”Migjeni”, shqyrtoj diskursit e poetit ndaj mjediseve të tij bashkëkohore, të bazuara në gjeografi, histori dhe kulturë të ndërlidhur në një shkëmbim gjuhësor që shqyrton zërin e lirë të poetit në të gjithë hapësirën ku ai frymëzhet, mbledh, kërkon dhe shkruan mendimet dhe librat e tij. Për këtë Kona shprehet në hyrje të librit „kjo përmbledhje poetike e Sokol Demakut ma lehtësojë punën shkrimore, pasi shpejt zbulova shumë poezi mbresëlënëse që ma bënë të dashur vëllimin poetik e, si rrjedhojë, i shpreha natyrshëm dhe pa sforcim vlerësimet dhe konsideratat e mia“ (Kona, 2022: 5). Pra fuqizohet akoma më shumë ajo që cituam më lart, se autori është një penë e gjithëanshme dhe gjithnjë është në kërkim të lidhjeve adekuate.

Nëpërmjet këtyre lidhjeve adekuate, në disa raste të përbashkëta, poezia e diskutuar këtu kontribuon në një studim më të gjerë të krijimtarisë në territorin gjeografik në konsideratë, por dhe në një hapësirë tjetër të gjasjme. Sokol Demaku me tërësinë e tij dhe me angazhimin në grup, na rrëfen mes veprës dhe veprimit diskursiv se të gjithë këta krijues ndërtojnë dhe apelojnë identitetin e tyre, ndoshta me synimin për të kapërcyer statusin e personave të margjinalizuar nga termat emigrant dhe të ardhur në një vend tjetër, pasi mes këtyre termave gjithnjë qëndron dhe mbetet forca e integrimit. Brenda këtij kuadri, lexuesi mund të shohë se veprat e tilla, ndonëse natyrisht individuale dhe të dallueshme, mund të lexohen edhe në dritën e angazhimit të tyre me secilën, ose shumë prej veprave të të tjerëve, duke theksuar rëndësinë e rivizatimit të kufijve dhe hartimit në mjedisin diskursiv për gjeografitë relative përtej konceptit dhe perceptimit.

Në të gjithë vëllimet poetike të Demakut, ashtu si dhe në këtë vëllim, ekziston një matricë e të përbashkëtave, ballafaqimeve, ose marrëdhënieve. Demaku, për shembull, mobilizon një formë të vetëdijes historike me anë të së cilës, në fakt jo në pakt raste ata të gjithë të konsideruarit në këtë studim, kërkojnë të përcjellin kujtime shoqërore dhe kulturore, që janë njëkohësisht individuale dhe kolektive. Të gjithë gjithashtu angazhohen dhe identifikohen me nevojat e të tërës, veçanërisht në lidhje me ato identitare dhe tradicionale. Dhe të gjithë, gjithashtu, krijojnë poezi specifike për vendndodhjen që ndonjëherë është autobiografike dhe deshifron, se si individi mund të konceptohet në dritën e fuqisë së origjinës së dikujt dhe udhëtimit gjatë gjithë jetës, rrënjëve dhe rrugëve të jetës së tyre, dhe një rimarrje në pyetje të kuptimit të terminologjisë filozofike së shtëpisë dhe ndryshimi i vetvetes, sikurse është në fakt një nga pikat më të forta të vetë poetit Sokol Demaku, që është një model në këtë drejtim, pasi si një mësues i kualifikuar matematike, ai është thuajse një dhe i pandarë me atë që e frymëzon dhe e bën mirëfilli letërsi që lidh ura mes Kosovës, dhe Suedisë.

Në procesin e shprehjes dhe ngritjes së zërit reflektiv të asaj që mund të jetë lënë jashtë kanunit letrar, poeti Sokol Demaku, ka qenë dhe vazhdon të kontribuoj në një dialog letrar të dominuar gjerësisht nga perspektiva mbartëse e traditës dhe kulturës, duke diversifikuar vargun e tij bashkëkohor teksa „Zgjatma dorën vëlla“ nuk është thjesht një përshpirtje diskursive me një mbartje të madhe filozofike, por dhe një domosdoshmëri që natyrshëm përmbys, ose riformulon të gjithë ato trajta egoiste dhe djallëzore, inatçore të ndasisë dhe urrejtjes, dhe që në traditat kryesore të poezisë së kohës na jep mesazhin më të bukur të zgjatjes së dorës për vëllain, për pajtimin dhe mirëkuptimin dhe kjo „Zgjatma dorën vëlla,/Së bashku të marshojmë,/Ardhmërinë e fëmijëve,/Së bashku ta ndërtojmë.“ (Demaku, 2022: 25). e ngjashëm do të shprehet edhe tek poezia „Eja“, tek e cila „Eja më afër“ është një simbolikë thirrëse dhe ndjellëse për mesazhin e qartë „Le ta dëgjoj zërin tënd“ edhe „Të ndjesh ndjenjat e mia“ apo edhe „Të ndjesh aromën time“, që në këtë formë diskursive qartësojnë akoma më shumë formën e influencës që meton rëndësinë e një afërsie dhe përfshirjeje në një, ashtu sikurse thotë poeti „…unë dua që të jem,/në ty dhe për ty“ (po aty).

Kështu, roli i kuptimeve të ndryshme rreth ndasive, të tërhequra veçanërisht nga largimet dhe jeta në emigrim, bëhet një diskurs i rëndësishëm në përpunimin e një kulture lidhëse, e cila i tërheq këto grupe të ndryshme 'kombëtare' së bashku në një model të ri që shënohet jo vetëm etnikisht në mënyrën se si kultura e tyre etnike dhe trashëgimitë kishin qenë në të shkuarën dhe tashmë këto po përforcohen me afërsi diksursive në prurjet e Demakut. E ku ka më bukur kur këtë Demaku e sjell me poezinë e tij „Fati“ ku ai shkruan „I adhurojë ëndrrat,/Në tokën e njomë,/Aty ku fshatari hedhë farën,/Aty ku njeriu gjënë të lashtën rrënjë./I adhurojë ëndrrat,/Në këtë tokë të njomë,/Kur njeriu prehet,/Me zemër e shpirt./Po pse kjo jetë,/Është vetëm një fytyrë,/Si mostër, E zhveshur nga jeta./I adhurojë ëndrrat,/Në tokën e thatë,/Por e kotë së koti,/Njeriu është i pa fat.“ (faqja 27). Dhe kjo nuk vjen tek poeti vetëm se është një trajtesë poetike, as dhe formë diskursive, por një shtjellë e thellë dhe e zhvilluar bukur në trajtesën tradicionale.

Trajtesa tradicionale është një mesazh me mjaft rëndësi dhe me një kuptim shumë më të gjerë në krijimtarinë e Demakut, që në këtë vëllim poetik shkon pak a shumë më tej. Kjo trajtesë nuk mund të trashëgohet thjesht me një pëshpëritje, por me një trajtesë fine, të cilën Demaku e sjell dhe e përcjell bukur në mjaft poezi sikurse janë „Jeta është libër“; „Rrjedhë lumi“; „Jetë e re“; „Kujtim“ e mjaft të tjera, që në thelb kanë dhe dashurinë e forcën diskursive të dashurisë në thelb. Sokol Demaku e bën këtë në një normë diskursive adekuate, brenda dhe jashtë influencës diskursive, dhe me një penë fine përfshin, në radhë të parë, kuptimin historik, dhe kuptimi historik përfshin një perceptim, jo vetëm të së kaluarës, por pranisë së saj. Tek poezitë e Demakut, dashuria, mirëndjesia dhe vetë kuptimi historik e detyrojnë njeriun të shkruajë jo thjesht me brezin e tij në rrënjët e tij, por me ndjenjën se e gjithë letërsia e Evropës nga Homeri dhe brenda saj e gjithë letërsia e vendit të tij ka një ekzistencë të njëkohshme dhe kompozon një urdhër të njëkohshëm. Ky kuptim historik, i cili është një ndjesi e të përjetshmes, si dhe të së përkohshmes dhe të përjetshmes së bashku, është ajo që e bën një penë e tillë sikurse është dhe mbetet edhe ky vëllim poetik i Demakut. Dhe është në të njëjtën kohë ajo që e bën një poet më të vetëdijshëm për vendin e tij në kohë, për bashkëkohësinë e tij. Sokol Demaku është një model në këtë pikë, dhe vëllimi i tij sjell e përcjell, mesazh diskursiv e jep dritë në vetë qëllimin e tij.

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page