Disa vjet më parë „Fjala e Lirë“ na kujton se u organizua në sallën e mbledhjeve të hotel "Turizmit" - Sarandë, ceremonia e nderimit të një prej individëve më të ndershëm, kurajozë e stoikë të diktaturës komuniste, Dino Martiko, me titullin “QYTETAR NDERI PER KOMUNEN E LUKOVES” me motivacionin e mëposhtëm: "Desident antikomunist, teknicien e intelektual i shquar. E shkoi jetën e tij në burgjet komuniste. Aspironte për demokraci, për një jetë të re dhe shtet të zhvilluar. Ishte atdhetar e patriot i vendit të vet. Dha një kontribut të çmuar në luftën NÇL dhe në rrëzimin e komunizmit."
Në prezencën e publikut sarandiot, titulli u dorëzua prej kryetarit të Komunës në fillim studiuesit të artit, shkrimtarit e publiçistit të titulluar mjeshtër i madh, Miho Gjinit, e në vijim ky ja dorëzoi të birit të Dinos, Robert Martikos. Pas fjalimeve të rastit, nga stafi i televizionit lokal “Riviera”, i drejtuar prej eruditit dhe poetit të mirënjohur e të talentuar Agim Mato, u shfaq një dokumentar emocionues, i pregatitur posaçërisht për jetën heroike të Dino Martikos, ku arsimtari i mirënjohur sarandiot, Xhorxhi Vasili, paraqiti një montazh jetësor tepër të kualifikuar e dinjitoz. Regjizori dhe artisti i talentuar Vangjel Agora lexoi pjesë të shkëputura nga libri i Petraq Palit “Shpirt i zjarrtë në orën e hijeve” për të pamposhturin, Dino Martiko. Sfondet muzikore të projektuara me shije të hollë i ofruan mbrëmjes një karakter të spikatur prekës, zbulues e njëkohësisht përkujtimor… Portretizimet e ish të burgosurve Murat Gjonzeneli, Lavdosh Beqo,te poetes Vitore Stefa apo të poetit e shkrimtarit Petraq Pali për Dinon qenë mjaft kuptimplotë e domethënës për të stigmatizuar diktaturën vllavrasëse në Shqipëri. Në përfundim, në bufenë elegante të hotelit, pjesmarrësit e takimit, u ftuan për të marrë pjesë në një koktej.
Duke marrë shkas edhe nga fjala emocionuese e mjeshtrit të madh, Miho Gjini, të shumtë qenë ata të cilët në fund të mbledhjes, u shprehën se Dino Martikua përbën një figurë të vërtetë, dinjitoze, per tu nderuar në shkallë kombëtare…
I paharruar qoftë emri i nderuar i Martirit të Demokracisë, Dino Martiko.
"PER ASPERA AD ASTRA…"
(Nëpërmjet rrugës së vështirë drejt yjeve…)
(Mesazhe të thjeshta morale e shpirtërore që burojnë prej një fizionomie heroike si ajo e Dino Martikos...)
Do të dëshiroja të filloja këtë shkrim rreth konkluzioneve thelbësore të jetës së babait tim, Dino Martiko, me krahasimin figurativ se asnjë perlë e fshehur në guackën e saj, asnjë diamant i burgosur përjetësisht në shkëmb dhe asnjë margaritar i fshehur në një pinna nobilis: që mban në zemrën e vet një gur të çmuar të ngrirë, ashtu romantike, shëtitëse në Bregetin e Bukur Jonian në brigjet e të cilit është ndërtuar Saranda tonë pitoreske, nuk do të kishte vlerë, pa u nxjerrë sandejmi e pa rënë në duart e njerëzve.
Në lidhje me simbolizmin e diamantit të fshehur më duhet të përmend një shkrimtar të madh francez, e pikërisht të famëshmin Viktor Hygo, i cili shkruan se përfaqëson një rreze drite të burgosur e ngurosur prej mijra e mijra vjetësh brenda në shkëmb. Në këtë prizëm, jo vetëm me gjuhën artistike të poezisë por edhe atë të realitetit të pastër e praktik, do të dëshiroja të shtoja se edhe Dino Martikua, u udhëhoq në jetë i nxitur prej idealesh të pastra heronjsh të dashur e heroikë, që në të kaluarën përbënin një hymn të madhërishëm për idealet shqiptare të besës, kurajos, trimërisë dhe burrërisë së vërtetë, legjendare, me plot kuptimin e fjalës...
Thuhet se idetë e larta njerëzore marrin vlerë veçanrisht, kur di ti përdorësh mirë: jo vetëm me kurajon dhe inteligjencën e duhur në ditë të rënduara me re të zeza, por edhe me atë dashurinë e thellë e të pashterëshme për njeriun, të cilin në pamundësi për ta ndihmuar materjalisht e shpirtërisht, të paktën, nuk bën kurrsesi ta dëmtosh, vrasësh, varfërosh e poshtërosh pa mëshirë. E megjithatë, për disa, përherë do të kenë më shumë vlerë tingujt e mbytur të tridhjetë asprave apo monedhave të dala prej një portofoli të vjedhur, në krahasim me atë madhështinë hyjnore të dritës së margaritarit të bukur apo Idesë... Për të cilën ca heronjë të rrallë, dijnë aq bukur të sakrifikojnë madje edhe jetën. I tillë qe Dinua: përherë kurajoz, i pamposhtur, besnik me miqtë e të njohurit, i ndershëm deri në ekstrem, i vrullshëm e i paparashikueshëm, i futur në betejën e egër të jetës jo me dyshim, por i vendosur, i pajisur me një vullnet të hekurt, që me aq mjeshtëri dinte tja impononte vetvehtes, madje edhe në ditët më të vështira të jetës ë tij të kaluar në hetuesira sfilitëse e burgje të egër, pa mbarim...
Vallë, ç’farë vlerë materjale mund të ketë një Ideal i Lartë, i cili nuk gjen kurrë zbatim në praktikë! Parë në këtë prizëm, është me të vërtetë për tu habitur se si, një individ si Dinua, edhe pse i torturuar keqas prej flakëve te Ferrit, të cilat i ndien me dhimbje ti djegin e përvëlojnë trupin, arrin njëkohësisht të dallojë mes tyre vetë Dritën e Vërtetë... Hyjnore! Dhe kjo për arësye se dëshira e tij për tu organizuar si qënie e moralëshme, madje edhe ne Diktaturë, ishte tepër e madhe dhe e etëshme. E ethëshme mund të thuash!...
Konkretisht, Dino Martikua edhe pse veteran i këtij Qyteti e njëkohësisht i zbuluar me vonesë për bashkëqytetarët e sotshëm, sarandiotë, përbën një figurë historike të pakundërshtueshme, të vendosur në themelet e Historisë së Sarandës. Dhe kjo, duke pasur parasysh kurajon, mençurinë dhe vendosmërinë e tij si negociator për dorëzimin pa kushte të forcave fashiste, italjane në shtatorin e vitit 1943, ku ai arriti të mos derdhet asnjë pikë e dashur, gjaku shqiptari, siç ndodhi për fat të keq në Gjirokastër... Më duhet të ve në dukje se gjithë jeta e tij prej martiri është pasqyruar në Librin in memoriam që doli para një viti me autor shkrimtarin Petraq Pali.
Katër janë momentet më të rëndësishme të jetës së tij:
E para, refuzimi i Dino Martikos në vitin 1947 për tu inkluduar në Shërbimin Sekret Shqiptar: me detyrë imediate për të shkuar me misjon në Greqi, ku informacionet e tij si agjent i fshehtë, sigurisht, do të përbënin një tragjedi të vërtetë për dhjetra familje shqiptarësh të arratisur e minoritarë grekë me vendbanim në Shqipëri. Qe koha kur njerëzit vriteshin rrugëve, pa gjyq, dhe Dinua arrinte të kuptonte për bukuri pasojat e këtij refuzimi, i cili nuk do të vononte pas disa vjetësh, të përplasej mizorisht jo vetëm mbi të por edhe mbi familjen e tij.
E dyta, përbën një fakt të pamohueshëm se në Celulën e Partisë së vitive 1945-1946 në Sarandë, ku merrnin pjesë sekretari i parë, kryetari i komitetit dhe kryetari i degës së P.B., ai hahej fyta fytas, egërsisht, për të penguar arrestimet e para. Jo vetëm në zonën e Bregdetit të Poshtëm, ku gjatë Luftës kishte kryer detyrën e kryetarit të Frontit Nac-Çl., por edhe për të ndaluar futjen në burg të mjaft sarandiotëve të tjerë të pafajshëm. Siç dihet arrestimet e para në Bregdetin e Poshtëm filluan menjëherë pas përjashtimit të tij nga Partia. Edhe në këtë rast Dinua e kuptonte mjaft mirë se me ç’farë forcash gjigande kishte të bënte. Konceptonte gjithashtu, se ai vetë, qe tepër i vogël e mikroskopik për ti përballuar ato. Por ja që nderi, ndërgjegjia, karakteri dhe dashuria për Njeriun nuk e lejonte në asnjë mënyrë të vepronte ndryshe. Vlen të theksohet në këtë rast se ky lloj qëndrimi: ku heroi zemërmadh nuk ngurron as një çast për tu vërvitur në zjarr, edhe kur e ka parasysh se flakët përvëluese nuk do të vonojnë ta përpijnë të gjallë, përbën një akt të madh Patriotizmi të Vërtetë. Dhe jo fjalë boshe por gjoja dashuri të mëdha, që në praktikë dëmtojnë të afërmin , bashkatdhetarin, shqiptarin...
E treta, gjatë hetuesive të zgjatura, pas arrestimeve të tij respektivisht në vitin 1954 dhe 1979, Dinua nuk u mposht shpirtërisht dhe nuk e humbi kurrë kurajon. Nuk denoncoi apo rrëfeu asnjë nga bisedat e zhvilluara me miqtë e tij të shumtë. Madje hetuesve të tmerrshëm të asaj periudhe me të vërtetë të gurtë të Historisë Shqiptare, u drejtohej me fjalët: “Përse mundoheni kot me mua? Shkoni më mirë, në shtëpinë time. Merrni aty djalin tim. Mos hezitoni fare! Ju jap leje të plotë. E sillni këtu para meje. Dhe më thoni: “Do të ta varim këtu, para syve të tu!” Ka humbje më të madhe për mua se sa asgjësimi fizik i djalit tim?” Vlen për të theksuar gjithashtu se për të u inskenua edhe një lloj ekzekutimi i gënjeshtërt, sikur do ta vrisnin pa e nxjerrë në gjyq. Por më kot, pasi një karakter i çeliktë si i Dinos nuk dinte të nënështrohej kurrë.
E katërta, gjithë jeta e Dino Martikos u udhëhoq prej idesë heroike të pamposhtmërisë shpirtërore e morale. Qe diçka që vijoi deri sa vdekja i mbylli përfundimisht sytë në vitin 1985 në burg. Thuhet se në mjaft raste edhe vetë heroi: si produkt i çastit, mund të dorëzohet, kur dallon se gjithë jeta e tij kalon e kredhur në mundime e tortura të vijueshme. Atëhere, nëqoftëse bëjmë pyetjen se nga ato tradita të bukura burrërie legjendare, shqiptare, ç’farë mbeti nën Diktaturën që porsa kaluam dhe cilët, pikërisht, qenë personat që mishëruan TRADITEN, duke transplantuar në realitetin shqiptar konceptin filozofik të një mendimtari të madh gjerman, të quajtur Frederik Niçe, i cili njerëzit e kësaj kategorie i quan MBINJEREZ, SUPERMENE apo UBERMENSH: në gjermanisht, mund të thuhet se këtë misjon të madh shpirtëror nuk qenë në gjendje ta përballonin byroistët, gjeneralët apo zyrtarët e lartë, kur Diktatura i shtrëngoi për të rënë në fatkeqësi të papritura, politike. Krejt ndryshe vuajtjet e pambaruara, shumëvjeçare i përballuan me stoicizëm të thellë vetëm ca tipa njerëzish tepër të rrallë si Pjetër Meshkalla, fjala vjen, apo Simon Jubani, Dilaver Premti, Dino Martikua dhe fare pak të tjerë... Përbën një fakt të pamohueshëm se në kohën e poshtërimit të përgjithshëm, këto qënie njerëzore të kaluara në bangoprova të pambaruara mundimesh e torturash shnjerëzore, mund të konsiderohen si të vetmit MBINJERËZ SHQIPTARË gjatë një periudhe tepër të gjatë, pothuajse gjysëm shekullore, që kaloi në mënyrën më mizore mbi supet e një populli tejet të varfëruar e të stërmunduar...
E megjithatë, si bir i një njeriu në mënyrë skajore i ndershëm, në radhë të parë, si im atë, i vë në dukje të gjitha këto, kryesisht për të nxjerrë një konkluzion thellësisht human për Shqipërinë e ditëve të Sotëshme. Si intelektual edhe njëkohësisht autor i disa romaneve në fushën e prozës artistike, në një farë mënyre, e ndiej vehten shpirtërisht të impenjuar, për të ndihmuar sado pak bashkëpatriotët e mij. Pasi përbën një fakt të pamohueshëm se do të rrjedhin mjaft vite, për të ndryshuar pasojat e transformimeve të thella në D.N.A.-në shpirtërore të njerëzve, që patën fatin e keq të jetojnë në ato ditë të vështira...
Do të dëshiroja të shtoja se përherë gjendem i përfshirë prej një dëshire të zjartë, për ti parë të gjithë shqiptarët të bashkuar, të dashur e të adhuruar me njeri tjetrin dhe jo të kredhur në pozicionet e mirënjohura politike, keqdashëse e përçarëse, që vetëm dëm i sjellin shoqërisë. Përveç simbolizmit negativ askujt nuk duhet ti interesojë më e kaluara, kur bëhet fjalë për të hapur sytë për konstruktimin e të ardhmes. Vetëm një Shqipëri e ndërtuar pozitivisht, me zemër e mendje të hapur: në bazë të modeleve të mirënjohura europjane, mund të çajë rrugën përpara e sigurt, me nder e dinjitet, drejt përparimit dhe iluminizmit mendor e shpirtëror aq të domosdoshëm...
Për vetë RILINDJEN E KOMBIT!
Duke përfunduar falënderoj nga thellësia e zemrës kryetarin e Komunës së Bregdetit të Poshtëm, Vladimir Kumin, këtë bir të dashur e të zgjedhur të Nivicës heroike, gjithashtu Agim Maton, Xhorxhi Vasilin dhe mikun tim të ngushtë, Lefter Voglin, për ndihmën e madhe që dhanë për organizimin e këtij takimi. Nuk mund të lë pa përmendur kryetarin e Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Rrethit të Sarandës, mikun e ngushtë të tim eti, bashkëvuajtës në burg, të nderuarin Llambro Nesturi.
E gjithashtu tju falënderoj të gjithëve për pjesmarrjen, e kryesisht për ndërtimin tuaj të bukur shpirtëror, përderisa si sarandjotë të vërtetë: të mbushur me bujari e dashuri, erdhët sot në këtë takim të organizuar për nderimin e një figure thellësish heroike, të ndershme, largpamëse dhe iluministe si im atë, Dino Martiko. Për të përjetësuar kujtimin e këtij biri të dashur të dalë nga gjiri i popullit të nderuar e fisnik të Sarandës.
Ju përshëndes të gjithëve me dashuri e mirënjohje të thellë...
Robert Martiko
Comments