top of page

Disa fjalë për Robert Shvarcin




Isha student. Një mbrëmje vjeshte tiranase të 1962-shit, kur shiu, si zakonisht, binte me gjyma, tek po shpejtoja të futesha në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, atëkohë në godinën e Teatrit Popullor, sa s’u përplasa me dikë, që, ashtu si unë, vraponte drejt të njëjtit destinacion. Të dy ishim pa çadra dhe, me të hyrë brenda, u prezantuam. Quhej Robert Shvarc. Në ato çaste na u duk sikur njiheshim qyshkur. Që ta forconim miqësinë, ndikoi fakti që të dyve na pëlqenin gjuhët e huaja, por sidomos kunati i tij, aktori i shquar Prokop (Kopi) Mima. Kohë më kohë uleshim të tre në klub dhe flisnim për letërsinë e për teatrin. Adashi na këndellte para së gjithash me kinematografinë, e cila vazhdonte të ishte në modë. Ne i mbanim ison, se nuk para kishim ç’të shtonim.

Kur në ish-Jugosllavi filloi kasaphana millosheviçiane, Roberti ndjeu se diçka iu këput në thellësi të qënies së vet të ndjeshme. Kur mori vesh që Sarajeva, qyteti ku ishte lindur, u shndrrua në arenë përleshjesh vëllavrasëse, nuk kish më qetësi në shpirt. „Si është e mundur gjithë kjo marrëzi?” shprehej i revoltuar.

Ndër shekuj Sarajeva pat qënë qytet i mirëkuptimit dhe i bashkëjetesës paqësore midis etnive dhe feve të ndryshme. „Zoti është një dhe vetëm një” gati sa s’klithte nga dhembja Roberti. Në ato ditë shkroi, më shumë me lotë, se sa me bojë, poezinë „Ma vranë Sarajevën”.

Serioz dhe kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve, shqipëruesi i shquar nga gjermanishtja, Robert Shvarc, e ndjente veten „hebré të shqiptarizuar”. E thosh me bindje e krenari këtë sintagmë për shumë arsye, por, mbi të gjitha, ngaqë „asnjëherë nuk kam dëgjuar që ndonjë shqiptar të nxjerrë nga goja fjalë të keqe ndaj kombit tim”.

Gëzohej jo pak kur sillja ndonjë të dhënë të re për lidhjet e hershme shqiptaro-hebraike. Një herë kish ardhur në Pogradec, më duket bashkë me Dhimitër Xhuvanin, apo Taqon, siç e thërriste shkurt[1].

E pashë Robertin tek shëtiste i vetëm në bulevard dhe e ftova për një kafe në Hotel Turizmi. E piu ngadalë duke thithur thellë cigaren që s’e ndante kurrë nga buza. Vazhduam të çapiteshim në breg të liqenit. Sollëm në kujtesë poezinë e Lasgushit dhe prozën e Mitrushit. I thashë se dy dijetarë të Greqisë së lashtë, shkrimtari Apolodor dhe gjeografi Skimnos, kanë konfirmuar faktin që Vidami, udhëheqësi i fenikasve semitë, u bë mbret i fisit ilir të enkelejve, që e kishin kryeqëndrën pikërisht në Enkelanë, pra në Pogradecin e sotëm.

Sytë i xixëllonin sidomos kur ia përsërisja faktin që, në flamurin kombëtar të Skënderbeut, pranë shqiponjës dykrerëshe, ishte Ylli i Davidit, jo ylli i kuq i komunistëve.

- Asgjë nuk është e rastit - vinte në dukje në ato momente Roberti dhe shtonte: "Prej shekujsh, madje prej mijëvjetshash, ndjehemi shumë mirë pranë shoshoqit, sepse Zoti na ka pajisur me dhuntinë e mënçurisë e të tolerancës".

[1] Dhimitri, që e kish nënën nga një familje e fisme pogradecare, nuk i harroi asnjëherë rrënjët. Në verën e 2009-ës e takova për të fundit herë në breg të liqenit të Pogradecit. Pas disa muajsh kaloi në jetën e amëshuar, duke mbartur nderimin e një kombi të tërë.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page