Diksursi i dashurisë tek “Dritaret e Shpirtit”
Fatmir Terziu
“Dritaret e Shpirtit” është titulli i romanit më të ri të shkrimtares Nexhi Baushi, ku fjala „dashuri“ jo vetëm si nocion, por dhe si një diskurs më vete zë një hapësirë të madhe në të. Është përmendur e shtjelluar në mënyrë të thellë narrative „dashuria“ me të gjitha përmasat e saj, aq sa të pesëdhjetë përdorimet ndajnë si me proporcion të njëjtë vetë kumtin e kuptimeve që mbartin mesazhet e qarta në roman.
Festimi i dashurisë rrallëherë flitet aq shumë sa në 14 shkurt, ndaj dhe Baushi e nis që në paragrafin e saj të parë me këtë përshkrim të ndjeshëm: „Katërmbëdhjetë shkurti, Dita e të Dashuruarve, sot u zgjua i ftohtë, me borë, “si borërat e mia”, mendova. U ngrita herët, si zakonisht, dhe, kur hapa dritaren ndjeva lagështinë e Tiranës, ftohtësinë e dimrit dhe të vetmisë. Por vetmia ime është e një lloji të veçantë, sepse është edhe shoqëruesja ime më besnike; me të bisedoj lirshëm, admiroj dhe adhuroj çdo gjë që syri më shikon, më lë në paqe me veten – e vetmja që nuk më braktis – e shpesh ndihem mirë me të.“ Por, ndërsa ligjërimi i dashurisë ka evoluar në baza më liberale vitet e fundit me publikun e gjerë, ajo që mund të habisë disa njerëz është se këto ide janë diskutuar prej kohësh në letërsi dhe ligjërimi daton shumë përtej Shekspirit dhe Wordsworth. Sot, entuziastët e letërsisë nuk do të jenë të huaj për veprat titullare të dashurisë që strehojnë polemika dhe mospërfillje, ndaj për këtë vetë shkrimtarja Baushi meton me penën e saj në labirinthe të reja.
Deri më sot, pyetjet e mëdha mbeten: Çfarë është dashuria? Për çfarë flasim kur flasim për dashurinë? A është një re e paprekshme që mbulon të dashuruarit, një takim pasionant, një qëndrim i guximshëm kundër të gjitha mosmarrëveshjeve, një arratisje e fshehtë, apo ka shumë mundësi - të gjitha? Diskursi i dashurisë shtrihet nëpër shekuj të letërsisë, duke mbuluar zëra dhe përfaqësime të ndryshme. Në romani e Baushit, protagonistja Drita është ajo që metohet dhe mendon se vetë e ndezi dhe e fiku zjarrin e tillë të dashurisë, ku dhe një gjethe hyn në diskurs dhe në kohë, hapësirë dhe vend me tërë forcën që i jep narrativi, ndaj thuhet qartë dhe bukur: „Dashuria për Adnanin ishte gabimi më i bukur që më ndoqi gjithë jetën. Papritur, era e jugut vërshëlleu si një tingull flauti. Ai e shkëputi dorën nga blloku e të dy instinktivisht hodhëm vështrimin përtej xhamit. Nga rrapi përballë gjethet e kuqërremta u shkëputën nga trungu dhe nisën të vallëzonin në ajër plot naze, dhe më pas u shtrinë në shtratin e butë të tokës për t’u puthur. Diku kisha lexuar “Gjethja e rënë nuk e urren erën”.
Shpesh e krahasojmë shoqërinë me një pëlhurë, një jorgan që është një plejadë arnash të ndryshme. Në mënyrë të ngjashme, ashtu si njerëzit janë me origjinë dhe besime të ndryshme, ligjërimi i dashurisë flet për bashkimin jo vetëm të dy njerëzve, por edhe të besimeve dhe komuniteteve të ndryshme. Me fjalë të tjera, diskursi i dashurisë është i ndërlidhur. Ndaj Nexhi Baushi, nuk flet vetëm për dashurinë, por vetëm për diskursin e dashurisë, që në fakt është e pamundur të flitet aq lehtë për dashurinë pa u ndërthurur me tema të tjera si raca, gjinia, kultura, identiteti dhe ndonjëherë edhe tema si ambientalizmi, me të cilat shkrimtarja gjen formën e saj të veçantë për ta interpretuar bukur tek “Dritaret e Shpirtit”.
I shkruar në një kohë thuajse dyvjeçare, që nis me muajin qershor 2020-të, ky roman shkon të huazojë kohën e karantinës, kohën më absurde të njeriut të ndaluar nga virusi, për të qenë në lirinë e tij të përditshme. Kështu e detyruar nga pandemia e stërgjatur e koronavirusit, jeta normale edhe në mjedisin shqiptar, si në të gjithë botën, ndryshoi në mënyrë drastike rrjedhën e saj, sepse të gjithë thuajse mbetën për muaj të tërë të izoluar. Në kushtet e reja që u krijuan, të gjithë pak a shumë ishin të detyruar të ndryshonin edhe mënyrën e të jetuarit e të menduarit. Për të mbajtur trupin dhe trurin në formë, Nexhi Baushi duhej që të gjitha aktivitetet t’i zhvillonte brenda banesës ku jetonte. Në kushtet e saj, duke qenë se jetoi vetëm, i mbetesh mjaftueshëm kohë për të lexuar. Nga ajo kohë e tepërt, përfitoi që të lexonte sistematikisht libra, dhe për këtë arsye iu desh të rradhiste mbi tavolinë një sërë librash të cilat i kishte blerë dhe nuk kishte patur kohë e mundësi për t’i lexuar.
Midis shumë librave që po kërkonte në biblioteken e saj, i ra në sy një libër mesatarisht i hollë, i shkrimtares italiane Suzanna Tamaro, me titull “Thuaji zemres Po”. Ajo shprehet për këtë „Kisha shumë vite që e kisha blerë, por e strukur në një qoshe të bibliotekës siç duket nuk i kishte ardhur rradha për ta lexuar, herë e nxirrja dhe herë e vendosja përsëri në vendin e saj, sepse po më tërhiqnin libra të tjerë, për të cilat u bëhej reklamë e vazhdueshme si nga libraritë ashtu edhe në Panairet e Librit. E mora në dorë e rrotullova, vura re se kishte një lidhje të mirë dhe një kopertinë që i rezistonte kohës. Në pjesën e prapme të kopertinës shkurtimisht ishte shkruar biografia e shkrimtares dhe krijimet e tjera. Mendova se do të ishte një libër që do më terhiqte. Dhe kështu faqe pas faqesh deri sa e mbarova këtë libër nuk e hoqa nga dora. Një shkrim me një fuqi të madhe shprehëse, i thjeshte dhe i kuptueshëm dhe shume i dashur për t’u lexuar.“
Ky libër ishte i shqipëruar me mjeshtëri nga Dritan Çela[1] i cili prej kohësh ka zbritur hyjnërisht dhe mbërritur profesionalisht tek lexuesi shumë bukur. Ky libër që është i katëgorisë „bestsellers“, i shkurtër vetëm 130 faqe trajton jetën e një gruaje, peripecitë e jetës në etapat e ndryshme dhe të fut në botën e brendëshme të saj. Ka një analizë të thelluar psikoanalistike. Të gjitha këto i janë përcjellë lexuesit aq bukur sa të mrekullon dhe se ke çfarë mëson. Natyrisht, shkrimtarja Nexhi Baushi, si një lexuese e njohur dhe mjaft e përkushtuar sqaron më tej „Kur mbarova së lexuari thashë me vete, paskam humbur një xhevahir, të vogël pa lexuar“.
Libri shpalos një kulturë të gjerë të autores, që i la mbresa të pa shlyera, dhe që ishte vertetë një nxitje e madhe. Ai libër i hapi pa dashje një ide të bukur që të filloj nga puna e të shkruaj një roman. Romani erdhi pak a shumë kështu: „Kisha shumë idera në mendje, të cilat rrinin të ngujuara thellë në tru, duhej pra, kjo nxitje që ta hidhja në letër, atë çfarë kisha grumbulluar nga përvoja ime jetësore dhe nga leximet e shumta. Dhe kështu nisa ta shkruaj në Qershor të vitit 2020. Pas një pauze të gjatë shkëputjeje nga ky shkrim, m’u desh të përfundoja dhe të botoja një tjetër roman, “Mall që djeg” si dhe një libër me poezi, të titulluar. “Guri i Memorjes”, i cili doli nga botimi më 21 Mars 2022 ditën e ditëlindjes time. Në Shkurt të këtij viti, pas një udhëtimi dimëror jashtë shtetit, dhe një pauze refleksioni përfundova romanin tim të dytë.“
Dhe kështu erdhi në dritë romani “Dritaret e Shpirtit”. Në libër përshkruhet rrjedha e jetës së një gruaje intelektuale në disa etapa të jetë së saj në të dy sistemet, që nga koha e fëmijërisë së hershme, e deri në moshën pas daljes në pension. Peripecitë e saj të jetës, përpjekjet për t’u kompletuar intelektualisht dalin në një sinkron të qartë e të bukur, mjaft të rrjedhsëm narrativ. Përfundimet e studimeve e larta dhe ato pasuniversitare siç quheshin në vitet 70-80 janë një pikë referimi në këtë narrativ. Krahas gjuhëve të huaja të detyrueshme në shkollë, vite më pas, për të mbrojtur disertacionin përfundon kursin 9/mujor të gjuhës frënge. Jeta e saj profesionale nga viti në vit vjen duke u rritur deri sa arrin të bëhet edhe Drejtoreshë në një nga dikasteret e vendit.
Ana sentimentale e protagonistes kryesore të librit, pikërisht personazhit kryesor, Dritës, është mjaft e komplikuar. Ajo shfaqet e rishfaqet në narrativ me një diskurs të qartë herë mes gëzimeve, hidhërimeve, por herë-herë ka edhe çaste lumturie. Ajo vihet në provë dhe lufton që të fitojë sfidat e jetës që i dalin përpara, madje duke i tejkaluar ato.
Romani “Dritaret e Shpirtit” krahas dialogjeve të shumta midis personazheve trajton edhe probleme sociale. Dialogjet midis Dritës dhe së bijës, janë vërtetë prekëse dhe bukura, e këto vihen re që në fillim të librit. Libri ka gjithashtu dialogje midis personazheve që spikatin për nga mënyra e të shprehurit, gëzimit, hidhërimit, mërive, zemëratave, por edhe të një dashurie të thellë njerëzore. Kjo karakterizohet mjaft e qartë në lidhjen midis Dritës dhe Srebrenit, me të cilin ajo lidhi jetën dhe pati një vajzë, por që fatkeqësisht zgjati pak në kohë, duke i lënë asaj një zbrazëtirë të madhe shpirtërore. Pas fatkeqësisë që i ndodhi dhe dashurive të humbura, Drita e lidh jetën e saj vetëm me të bijën e saj të vetme Ana. Në roman ka dhe mjaft përshkrime të bukura të natyrës shqiptare. Jo më kot shkrimtarja, Nexhi Baushi, që në hyrje të romani zgjedh thënien e Luigji Pirandelos se „Jeta ose jetohet, ose shkruhet“.
[1] Dritan Çela, përkthyes i talentuar nga gjuha italiane. U bë i famshëm, më së shumti, me përkthimin e veprave të shkrimtarit italian Dino Buzzati etj. Fatkeqësisht, u nda nga jeta në moshë të re, në kulmin e krijimtarisë së tij në fushën e përkthimit. Biri i vetëm i shkrimtarit tonë të njohur, Zija Cela, nga i cili kishte trashëguar edhe artin e të shkruarit, çka u shpreh më së miri në përkthimet e tij brilante.
Коментарі