top of page

Dibra dhe gjeneza e saj


Një vështrim i shkurtër mbi Dibrën dhe gjenezën e saj*

Nga Sakip Cami

Një varg enciklopedish të vendeve fqinje apo të popujve të hershëm europianë e rendisin Dibrën si bastion qëndrese e përkushtimi, brenda saj bujaria e trimëria, mikpritja e zgjuarësia, eleganca dhe shpirti i bardhë.

Dibra është një trevë, kultura materiale e së cilës përfaqëson epokën më të herëshme të gurit në truallin shqiptar.

Gjurmët më të vjetra arkeologjike janë zbuluar në Burim të Maqellarës dhe sipas specialistëve i përkasin një periudhe të herëshme rreth 6000-7000 vjeçare.

Trualli i Dibrës në të dy anët e luginës së Drinit të Zi banohej nga fiset e lashta ilire.

Jo vetëm nga studimet e autorëve tanë por edhe nga enciklopedia e madhe greke gjejmë të tilla të dhëna bindëse se Penestët, populli i Ilirisë verilindore banonte në të djathtë të lumit Drilon, mbi malet të cilët ndanin krahinën e tyre nga Paionia dhe Dardania.

Sipas historianit vendor Vahid Kormaku, bashkëpunëtor i Aleks Budës, Qyteti ilir i Albanopolisit nuk ndodhet në Zgërdhesh të Krujës, por në rrjedhën e djathtë të lumit të Drinit të Zi, në Jabllanicë të Dibrës së Epërme, sot RMV.

Sipas studiuesit Arqile Josifi që i referohet Ptolemeut, qyteti ilir i Albanopolisit ndodhet në Trojk (Trojak, Sllovë të Dibrës së Poshtme, dhe zë një sipërfaqe 4 herë më të madhe se qyteti i sotëm i Peshkopisë.

Sipas Uikipedias, emri i Dibrës rrjedh nga emri i fisit ilir Dober. Që në shekullin e V para Krishtit, Herodoti përmend emrin Dibër si dhe më vonë në shekullin e parë të erës së re nga Streboni dhe Plini. Në shekullin e II të erës sonë Klaudio Ptolemeu konfirmon me hartat e tij vendndodhjen e qytetit ilir të Albanopolisit dhe banorët e Doberit (Dibrës).

Në Shek.IV para Krishtit ndërtohet kalaja e Grezhdanit. Në vitet 170 para Krishtit autorët antikë përmendin emrin ilir të Penestëve me banim në zonën e Dibrës. Në vitet 292-306 të erës sonë Dibra bie nën pushtimin romak. Në vitin 395 Dibra bie nën sundimin e Bizantit. Në vitin 1020 ngrihet Episkopata e Dibrës me seli në Dobrovë.Në vitin 1192 Dibra shkëputet nga sundimi bizantin. Në vitin 1257 Oraniku ose Shehri i sotëm përmendet si qytet. Në vitin 1270 është ndrtuar kisha e Kërcishtit të Epër (Monument kulture). Në vitin 1355 Pal Gropa merr në zotërim Ohrin dhe Dibrën.Në vitin 1375 Dibra kalon nën zotërimin e Balshajve.Në vitin 1385 Dibra bie nën sundimin osman. Në qershor 1389 në Fushë të Kosovës merr pjesë në luftë Gjergj Kastrioti i parë, katragjyshi i Skënderbeut. Në vitin 1440 Gjergj Kastrioti Skënderbeu emërohet sanxhakbej në Dibër.

Periudhën e mëvonëshme do ta trajtojmë më në gjërësi, por thelbi i këtij studimi historik është periudha 1821-1921, ngarjet historike dhe luftëtarët e saj, të cilët dibranët i kanë në mes tyre, i kanë gjyshër, stërgjyshër e katragjyshër. .

Dibra si krahinë filloi të ngrihet e të dallohet aty nga çereku i parë i shekullit të XV kur në ballë të luftës kundër turqve dolën Kastriotët. Po në këtë kohë flitet për një ndarje ndërkrahinore të Dibrës, në Dibër të Epërme dhe në Dibër të Poshtme.

Kufiri përëndimor i Dibrës zë fill nga Maja e Draganit në Malin e Gurit, në atë të Prodanit sipas rrjedhës së ujërave duke u kufizuar me Malin e Kaptinës së Martaneshit. Që andej përfshirë Tërnovën vazhdon me Malin e Duriçit në Qafë Buall të Bulqizës, Majën e Ballgjajt të Allamanit, Masdejë, Nezhdë, Kurora e Lurës, në Qafë-Mërkurth e deri në Gur të Kuq. Në veri ajo shtrihet nga Vlashaj, Tejmolla e që këtej sipas rrjedhës së Mallës e në Qafë –Draj të Reçit, për ujë të Veleshicës e në majë të Korabit.

Kufijtë lindorë të Dibrës zbresin nga Maja e Korabit ku dhe nis Gryka e Radikës, majave të bistrave duke përfshirë brenda të dy Rekat.

Kurse kufiri jugor nis nga maja e Elicës, përfshirë sipas rrjedhës së ujrave fshatrat rreth Koxhaxhikut, ku futet Drini në grykë, në fund të fushës së Strugës e deri tek Kryqi i Belicës.

“Dibra e Epërme “ dhe “Dibra e Poshtme” janë emërtuar kështu duke u nisur nga rrjedha e lumit Drin. Ato ndahen në malin e Inoskës, kodrat e Qenokut deri në Drinin e Zi, vazhdon në anën e majtë të Drinit të Zi, në kodrën e Grepit, Gjurrën e Mazhicës, ngjitet në Gjuras deri në majën e Arape, ku ndahet kufiri i malit të Luznisë me atë të Grykës së Vogël. Nga Muqilla në majën e Tollës e në Qaf-Helm, në majën e Allamanit, ndahen Grykët e Murrës me Grykën e Vogël duke lënë brenda Murrën me liqenjtë e Kacnisë.Malet janë këto: Korabi, Skërteci, Inoska, Kërçini, Jabllanica, Pllaja, Xhaxhishti e Kreja.

Por si Nandë Malet e Dibrës kanë hyrë në histori krahinat përbërëse të saj që janë: Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Bulqiza, Golloborda, (mal i mbështetur ) Çidhna, Reçi, Dardha, Muhurri, Luznia, Katër Grykët.

Lura njihet si bajrak dhe si një nga nandë malet e gegërisë shqiptare.


KËSHTJELLAT NË ZONËN E DIBRËS

1. Albanopolis , Jabllanicë

2. Lladimericë (Pasinkë) Jasharaj

3. Tuçep, Xhepishtë

4. Kojavec, (kalaja e Kojavecit)

5. Ostren i Madh (kalaja e gurit)

6. Trebisht

7. Drenok

8. Modriç (kalaja e Modriçit)

9. Prodan

10. Zabzun – Borovë (kalaja e Meçadit)

11. Jabllanicë – Bezovë

12. Koxhaxhik (Sfetigrad)

13. Homesh, afër zallit

14. Valikardhë

15. Sofraçan

16. Grazhdan

17. Stelush, Lukan, Katër Grykët

18. Kalaja e Zhugrit

19. Kalaja e Cidhnës

20. Kalaja e Skudrinës (Mavrovë)

21. Kalaja e Ohrit

22. Kalaja e Petralbës, Mat

Dibra në studimet e dijetarëve të huaj


Dibra është një trevë e lashtë që ka ngjallur prej kohësh edhe interesin e dijetarëve dhe udhëtarëve të huaj.

Ata përmendin me admirim në shënimet e tyre virtytet e dibranëve duke çmuar veçanërisht bujarinë e tyre, por pa lënë jashtë vemendjes edhe bukuritë e natyrës, përshkrimet me karakter gjeografik, historik , ekonomik etj.

Dijetari austriak Hahn i ka quajtur shqiptarët “aristokratë të Ballkanit” dhe ka përshkruar itinerarin e “Udhës së Madhe”. Duke ndjekur itinerarin e “Udhës së Madhe” ai arrin në Peshkopi e në Grazhdan, në kryeqendrën e hershme të të dy Dibrave. Pas disa kohësh ai shkon në qytetin e Dibrës së Madhe, i cili i lë mbresa për arkitekturën e veçantë dhe origjinale, sado që në atë kohë shehri i Dibrës ishte vetëm një fshat i madh.

Shënime të vlefshme për Dibrën ka lënë edhe francezi A.Bue, i cili ka botuar një libër katër vëllimësh me vëzhgime studimore që u përkasin viteve 1838-1839.

Të dhënat e Buesë janë të karakterit gjuhësor, etnografik, historik dhe gjeografik. Edhe Bue e përshkruan qytetin e Dibrës së Madhe që përveç bukurisë ka patur dhe ka llixha natyrale kurative.

Dibrën e ka patur vizituar shpesh edhe konsulli rus Hitrov, i cili për të hyrë në Dibër, bëri rrugën Shën Naum-Ohër-Strugë. Ai përshkruan me hollësi jo vetëm rrugën por edhe kështjellat, hanet, urat etj.

Edhe konsulli tjetër rus Jastrebov e ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe në veprën e tij për Ballkanin Jugor flet për Dibrën dhe Kalanë e Grazhdanit të cilën e quan një qendër të rëndësishme të periudhës romake.

Edit Durham në librin e saj “Brenga e Ballkanit “ shkruan : “Dibra ka vuajtur rëndë si pasojë e luftës, sepse kufiri është vendosur ndërmjet dibranëve dhe qytetit të Dibrës që është tregu i tyre. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në të dy anët e kufirit, madje edhe ndonjë luftim.Në asnjë rrethanë nuk duhet bërë që një kufi ta ndajë tokën e një fisi në mes në rast se ata që e caktojnë këtë kufi, dëshirojnë të vendosin paqe.”

· Nga libri “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë” 2022, faqe 11-15

KUVENDET E NANDË MALEVE TË DIBRËS

KUVENDE LUFTARAKE, BASHKIMI E ORGANIZIMI KUNDËR PUSHTUESVE*

Nga Sakip Cami

Nandë Malet e Dibrës ose Nandë Krahinat e Dibrës e kishin si praktikë veprimi mbledhjet e tyre në vende të ndryshme sipas kohës dhe vendit, sipas nevojave të organizimit të luftës kundër pushtuesve. Në Dibër vepronin dy kuvende. Kur mblidheshin dy Dibrat (e Epërmja dhe e Poshtmja) mblidheshin te Gurra e Mazhicës në Dibër të Epërme dhe te Ferra e Pashës ose te varret e Dali Hasanit në Dibër të Poshtme, pra në Zogje dhe në Arras.Kuvendet në Dibër të Poshtme janë drejtuar nga Salë Demiri dhe kohë të tjera nga Lusha, Noka, Troci etj. Kuvendet e Dibrës së Epërme janë drejtuar nga Salë Markja, Sheh Zerqani, Cen Leka, Dalip Karaj, Mersim Dema.

Një nga mbledhjet e Nandë Maleve është zhvilluar tek Gurrat e Mazhicës në Grykën e Vogël dhe është vendosur:

· Malet të qëndrojnë të bashkuar njëri me tjetrin në çdo rast kohë e rrethanë.

· Teritori i tyre të quhej i të gjithëve. Çdo pëllëmbë e një mali të quhej e të Nandë Maleve dhe po u cënua ndonjëri prej tyre, kushdo e kudoqoftë, të mbrohet nga të gjithë.

· Në Grykë të Vogël që ishte në ballë të sulmeve turke, të vendosej një roje e përhershme që të lajmëronte kur të vinin turqit. ( Në fillim këtë detyrë e kreu më së miri Zenel Cami).

· Asnjë malsor prej maleve të mos pranonte tituj e grada si pashë apo spahi dhe të mos shërbente në ushtrinë dhe administratën osmane.

· Kush hynte në shërbim të shtetit turk, nxirrej me forcë nga malet përgjithmonë.

· Turkut të mos i dorzoheshin armët për së gjalli.

· Po të kërkonte ndihmë Topalltia (pjesa e fushës) ose ndonjë krahinë tjetër në luftë kundër turqve, ti shkohej menjëherë.

· Seicili mal në tubimet popullore të vendoste plakun e vet për vendosjen e karareve.

· Seicili plak të kishte 3-4 çekiç (ndihmës) që të ndanin ngatërresat , vrasjet për hakmarrje, etj.

· Po të vritej nga ndokush plaku, i cili nuk ishte i armatosur, vrasësi të pushkatohej, t’i digjej shtëpia dhe familja t’i largohej për një kohë të caktuar ose t’i priteshin pemët dhe t’i merrej toka.

· Në rast lufte kundër turqve ndalohej çdo hakmarrje.

· Ndalohej pushka në gra, të rinj dhe pleq të armatosur.


Kuvendi tek Gurra e Mazhicës në ditën e dytë të qershorit 1844.

Bashkё me Sheh Mustafa Zerqanin dhe Mustafa ag Ostrenin, për t’i bërë ballë ekspedites së Hajredin Pashës organizuan dy kuvende:

Njëri tek Guri i Shpu, në Fushë të Shehrit dhe tjetri në Mej të Kalasë (Homesh).

Në të dy kuvendet kanë qënë po thuajse të njëjtët persona.

Nga Fushë Shehri kanë marrë pjesë :

Mustafa ag Ostreni, Ilias Pashë Dibra, Cen Daci, Maliq Zajmi, Hasan Ballanca (i vjetri), Osman Shemsi Begu;

Nga Çidhna morën pjesë Vesel Lusha, Sali Noka, Salë Demiri, Zenel Bitri, Asllan (Llan) Kaloshi nga Sina;

Muhurri u përfaqësua nga Zenel Hoxha, Mustafa Lala, Jusuf Lika, Ibrahim Kaleshi e Demir Lleshi;

Luznia u përfaqësua nga Elez Murrja, Halil Murrja, Sali Nikolli, Hasan Seferi, Hasan Toçi, Ibrahim Palluçi, Bajram Haxhi Nikolla;

Dardha u përfaqësua nga Osman Musa, Rushit Cani, Selman Xhani, Beqir Hasani;

Reçi u përfaqësua nga Jusuf Doda e Mahmut Troci;

Gryka e Vogël nga Cen Leka, Salё Markja, Mustafa Lleshi, Mustafa Jakimi, Rahman Dema, Osman Musa Izvira, Abdurrahman Teta, Met Alimani, Ridvan Daçi, Ahmet Merçia, Sinan Uka, Hazis Dema, Ilias Bodurri, Hajdar Cami, Azis Tomja, Islam Çena;

Gryka e Madhe nga Sheh Mustafa, Fasli Malja, Ahmet Loka, Selim Baloshi, Sali Zeneli, Abas Kalla, Met Shahini,Rizvan Alla;

Katër Grykët nga Llan Kaziu

Bulqiza u përfaqësua nga Dalip Karaj, Bajram Fera , Fejz Xhobi, Ismail Çakalli.


Kuvendi te Guri i shpu në Dibër, 1855

Aty u grumbulluan krerët e fshatrave dhe burra patriotë të mençur dhe të pushkës. Nga Bulqiza, erdhi Dalip Karaj e Mehmet Duriçi me çekiçët e tij, nga Gryka e madhe, Ismail e Baloshi e Jashar Zeneli, Sul Shehu etj. Nga Gryka e Vogël, Sal Markja, Sefer Lleshi e Rrahman Dema me çekiçët e tyre.

Nga Dibra e Poshtme erdhi Elez Murrja, Sali Nikolli e Hysen Manuka nga Luznia, kurt Hoxha e Abaz Pira nga Muhurri, Sal Demiri, Ali Lusha, Demir Noka nga Çidhna, Mahmut Troci e Hasan Doda me çekiçët e tyre. Tre vetë ishin të papranueshëm në këtë mbledhje se ata i kishin shërbyer turkut për interesat e tyre ekonomike.

I pari foli Dalip Karaj i Bulqizës i cili tha: “Ndigjoni or burra! Sal Markja asht burrë i mençur, kur do asht dhe trim. Ai na ka mbledhë këtu, asht mirë ta nigjojmë para se të marrim vendim?! Po kështu dhe për Abas Pirën e Sal Demirin. Ashtu them dhe unë o Dalip Karaj i Bulqizës tha Elez Murrja. Kuvendi dëgjoi Sal Marken i cili në fjalën e tij shtroi “lojën” e taktikat e luftës, kundër Hysni Pashës. Kjo luftë tha Sal Markja të bëhet jashtë qytetit në fushë të hapur të Shehërit të Dibrës rreth Gurit të shpuar. Kështu u vendos udhëheqësi dhe organizatori, ngeli Sal Markja i Grykës së Vogël. Ai u bëri thirrje krerëve të maleve, kur t’u çojmë fjalë, të jeni gati për luftë. Kam shpresë se të gjithë këta turq do t’i zëmë rob, dhe ta marrë vesh sulltani se kush asht Dibra! Kur ta marrë vesh Sulltani do t’i plasin damarët e qafës! Qeshën të gjithë. Ai porositi se plani i luftës të mbahet sekret deri në minutën e fundit. Kohë pas kohe këto vendime u pasuruan edhe me nene të tjera sipas kushteve të reja që diktonte jeta.

Kuvendin te Gurra e Mazhicës, pranverë, 1910 e drejtoi një përfaqësues i Dibrës së Poshtme, Isuf bej Karahasani nga Brezhdani.

Pjesëmarrës të tjerë të parisë së Maleve ishin: Zenel Hoxha nga Gjurrasi; Mersim Dema nga Homeshi, Zenel Kraja nga Gjorica; Sheh Hajredini nga Zerqani, Myftar Murrja nga Luznia; Tahir Bazi e Kurt Hoxha nga Muhurri; Llan Kaloshi, Selman Alia, Mud Lusha dhe Selim Noka nga Çidhna, Avdi Ndreu dhe Shaban Kaca nga Dardha; Baftjar Doda, sheh Abazi dhe Hysen Shabani nga Reçi, etj. Krerë të Fushës në Kuvend ishin: sheh Abazi i Dohoshishtit, sheh Hasani i Tominit, Rustem Bardulla i Peshkopisë dhe Tahir Tafa i Sohodollit.

Në këtë kuvend u diskutua për situatën në të cilën ndodhej Dibra dhe u vendos për vazhdimin e kryengritjes së armatosur kundër osmanëve.

Kuvendi i tetorit 1911 me tre malet e epra


Hasan Ballanca shkruan:

“Ditët e para të tetorit 1911 në Fushë të Thatë të Gjoricës në prani të 1450 pjesëmarrësve nga Gryka e Vogël, Gryka e Madhe dhe Bulqiza u organizua një kuvend që mori trajtat e një mitingu”. (Hasan Ballanca, Gazeta “Drita e Manastirit, 9 tetor 1911 sipas letrës së shkruar nga Gjurasi me 2 tetor 1911, M. Murra, Dibra, faqe 316).

Kuvendi ngarkoi Osman Karajn nga Bulqiza, Selman Kurtin nga Boçeva, Jakup Canin nga Sofraçani që kërkesat e këtij mitingu t’ja transmetonin mytesarifit të Dibrës.

Më pas dibranët kaluan në kryengritje të përgjithshme kundër turkut, ku një numër të konsiderueshëm luftëtarësh ishin nga Tërnova dhe nga fshatrat rreth saj. Drejtimin e Malit të Grykës së Madhe e kishte sheh Sula i Zerqanit, i biri i Sheh Mustafës.

Një kontribut për veprimet luftarake kundër turqve për krijimin e një fronti të gjërë nga Vorret e Vrame mbi Zerqan dhe deri në Shupenzë, Topojan, Luzni, Reç e Dardhë dha dhe çeta e Tërnovës.


*Nga libri: “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë, 2022, faqe 81-84

88 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page