Dialog i Brendshëm
Heshtja është mungesa e plotë e zërit. Ndërsa rri në heshtje një zbrazëti kalon pranë dhe perceptoj dridhjen e motit të ngjyer, megjithëse jam disa miliona larg nga destinacioni i zhurmës. Zhurma e perceptimit tim që vrapon nëpër shkallë të njohura e të panjohura, më rifton në takim me instinktet. E ashtu në zbrazëti dëgjoj insektet verore që vrumbullojnë gradualisht duke ulur kreshendon në qasjen time, pastaj zvogëlohen ndërsa vijnë në një ngritje nervore që zbuten nga bardhësia e thinjave që i shpurpurit era. Era e nxituar bën që flokët e parënë të bëjnë stigma imagjinare me gishtërinjtë shpirtërorë që shtrihen drejt qiellit. Natyra fillon të qetësohet dhe unë mund të dëgjoj lapsin tim duke gjurmuar një koleksion fjalësh në letër. Ky koleksion ka zëra të tjera, ka emërtesa të ndryshme, ka faturën e një moti të tërë të lëvizshëm brenda vetë këtyre emërtesave. Unë mund të dëgjoj se si pëshpërit melodiciteti i trazuar me çajin e mentes që rrëshqet në fyt dhe që spërkat në stomakun tim në reflektim. Do të më çmendte absolutisht të ulesha në heshtje pa e shijuar një peisazh, sepse i adhuroj tingujt natyralë dhe artificialë që sjell kjo botë edhe kur je dhe s'je në plazh. (Autori)
Nga Fatmir Terziu
Zbrazëti
Telajo e natës shkul penelat e shiut të ëmbël
çmenduri, të shkosh kaq thellë në pyllin e yjeve.
Oh ju lutem, bëhuni një ëndërr.
Ftohtësi
Shqetësojnë molekulat në kokë
lejojnë emocionet të lëvizim trupin.
Ka lindur një botë e ftohtë.
Destinacioni
Sytë rrjedhin pa pagesë
derdhen në rrëkenj të mallëngjyer.
Baqthi i pret me finesë.
Udhëtim
Rendjet e panjohura prej zgjimit
i bluaj me nervat e mi të lodhur.
Model i (pa)përpunuar i syrit.
Takim
E gjitha tashmë ka evoluar më vete,
për herë të parë ne ishim thjesht filma vizatimorë.
Tani jemi modele për portrete.
Reflektim
Pasqyrë, ku ka ikur rinia
a fshihet në këtë kokë të rrudhur?
Buzëqeshin thinjat e mia.
Peisazh
Është sikur dielli po fle në zjarr
tis i kaftë mbledh rrezet të kërcejnë vals.
Liqeni dëgjon pulëbardhat në hall.
Comments