top of page

DIALEKTIKA E JETËS – E VEÇANTA E ARDITA JATRU


Dr Fatmir Terziu Lindja, jeta dhe vdekja ... janë topikja që ngroh një sinonim vazhdimësie. Një sinonim dialektik, që jo pak herë gjen fole tek poezia. Në fakt ç’do krijimtari e përdor si shtrat këtë preambulë të dialektikës, por kur gjendet në poezi flet disi më qashtër, më athët, ... më sinqerisht parathotë kreshendon poetike. Një kreshendo që gjendet në një stil ndryshe në poezinë e Ardita Jatrut. Një stil që shumëzohet në treshen dialektike të jetës njërëzore me dialektikën natyrale. Një sinonim që ngrohet tek ‘dashuria’, tek dashuria që prodhohet nga virusi poetik i mendjes, nga virusi që rrëmon ndjenja, ide, frymëzim që ‘të infektojë’ autoren në një analizë më vete të paradokseve që rrugëtojnë në këtë dialektikë, në këtë metaforë jete.. Një sinonim që është pjesë e së tërës, komplekses, të thjeshtës dhe natyrales. Një sinonim që vjen në një moshë me ‘këngën e plakut Duk për një cigankë’ pa moshë, për një cigankë që s’intrigon, por tulat anonimaten e saj për të figurëzuar një produkt. Një produkt që buron nga mashkullorja, një produkt që shënon dhe ligjëson një teori të kognicionit dhe perceptimit, duke risjellë artistikisht perëndimin e një logjike maskuline, ç’mitizimin e një dukurie tullafe që ende shihet e parashihet vetëm si një antagonizëm fryrës seksesh, ku elementi dominues i katapultohet natyrës. Në këtë katapultim Jatru merr përsipër të tregojë qartë teksa premton: “Ju rrëfej këngën e plakut Duk për një cigankë”. Premtimi në realitet këtu vjen spontanisht. Ai vjen si një e papritur që buron nga mendjenatyra maskuline, që nën përzgjedhjen emërtore “paku Duk”, perifrazon domethënien:

“Eja të të fsheh në pyllin më të dendur Ciganka ime, e bukura Dalina, E nën pemën e bajames, Për të parën herë, të shoh hijeshinë E lëkurës tënde të thekur Se je e imja, e imja, e imja...”

Në këtë premtim spontaniteti është imoral, ashtu siç edhe ai mbartet në vargun e Jatrut. Është i tillë se fsheh dhe fshihet, se imponohet ‘në pyllin e dendur’, se imponohet në kuadraturën e percepcionit që ende mban këtë figurinë të lidhur vetëm pas epshit dhe që parasheh të kundërtën si një pjesëz të cilën mund t’a kthejë e përdorë sipas egos së tij, sipas parathënies së madhe Frojdiane. Young dhe Lacan do të shtonin në këtë mes më shumë në lidhje me shpirtin, në lidhje me harresën e tij. Por edhe kur duket se fjalët dalin nga shpirti i karakterit mashkullor të Jatrut, natyrshëm ata ligjërojnë premtimin fals, shtirjen bajate, tipike të një sindrome dënuese, tamam imorale e kompromentuese. Edhe këtë stacioni dialektik lindje-jetë-vdekje ka një domethënie të madhe. Edhe këtu poezia ka punën e saj, këtu krihen botët, këtu krihet në fakt vetë kuptimi për jetën, kur vjen nga kënde të tilla:

“...Për një grimë lumturie jeta është kaq pak”.

Pra, kur ajo merr pamjen e një jete ‘disa-minutëshe’, pamjen e një sëmundjeje tipike dhe tepër kontradiktore. Në këtë krijim Jatru shënon edhe fundin, shënon humbësinë e tiranisë njërëzore, që vjen nga natyralja ‘gjysëm-hënë’ dhe përfundon tek instikti i mirënjohur i të kafshuarës së qenit, që popullorja pikëtakon natyrshëm Jatrun:

“.Gushës tënde do lë shenjë hënë e ngrënë E gjoksit tënd perfekt puthjet më të gjakta.”

E veçanta dhe konteksti poetik

Konteksti poetik parashihet në një gërshetim mes traditës dhe bashkëkohores. Por konteksti nuk është koncepti i poezisë dhe s ii tillë, ai është një ndryshe, një e veçantë. Është një e veçantë që shihet tek ‘nënstacionet’ natyrale ku poezia pikëtakon të dy modulet. Në fakt në rrugëtimin e saj dialektik Jatru parasheh edhe disa nënstacione të tjera, që e shtojnë ndjenjën e lexuesit dhe afishojnë një model për tu lexuar me ëndje. Ata vijnë natyrshëm, mbjellin farën e tyre dhe presin të rritet një krijesë normale, jo artificë fjalësh, kundrinash e ngarkesash kohore, vendore apo edhe më tej. Vetë poezia e Jatrut vjen si qiejt që mbart ajo në idenë e saj dhe sërish në ato qiej ajo ka diçka ndryshe për të thënë, për të shprehur e treguar “Për ato qiej të paprekur...”:

“Un’ të braktis për ato qiej të paprekur Ku pulëbardhat vdesin krenarisht Porse ëndrrat monopatin e kan’ gjetur Ndaj folëse i kthehem unë sërish...”

Dhe ndërsa këtu braktisja vjen nga shkaqe të ngjashme dialektike, ana tjetër është falja, është mesazhi që shënon një rast të tillë tek poezia “9th Simphony” e që është një (reflektim):

“Ana, kujdesu për mua, krihmi flokët me gishtërinjtë e hollë, se për ty kam krijuar një himn. Eja, lámë për të fundit herë dhe e dashur.....falmë. Siç ti fal shiun kur gjethet i rrezon në tokë,padashur. Në sirtar është një fletore, Hape në faqen e fundit dhe këndoje pa zë. Pranoje si dhuratë, Pastaj thuamë nëse i mungon diçka Që të jetë e përsosur. Ana...,”

Rikthimi i domethënies marrëdhënie në problematikën dashuri, në një arsye tjetër, ku vet arsyeja shmang tërësisht realitetin dhe fryn egon vjen për të krijuar një stres, për të vënë ‘theksin’ mbi i, pikërisht aty ku kulminacioni tipizon dhe paksa duket i mbipërdorur:

“Të të puth edhe të blertën e syrit kurorë buzësh mbi qepalla të të lë Të të them dhe këngën më të bukur Që është aq e vjetër, aq e re...”

Këtu metafora realizon kthjelltaz dhe rikthen poezinë në natyrën e saj. Pa domethënien e këngës që simbolizohet vazhdimësinë dialektike, në itinerarin dje, sot dhe madje edhe për të nesërmen e që gjen ushqim në mbiemërzimin e këngës së bukur, natyrshëm të dashurisë së sinqertë, që është e vjetër, aq e re, ku natyra e dashurisë është sfidë për antagonisten, sfidë për regresiven, joestetiken, një pikëtakim me jetën dhe të bukurën. Në këtë kontekst vijnë “Sikur ta dije vërtetë...”, “Më prit”, “Unë” etj. Tek njëra nga këto poezi Jatru e shpreh qartë kontekstin e saj poetik, në botën të cilës ajo po i kushton rininë, pjesën më të bukur të jetës:

“...Ndaj mos e lodh penën ndër duar, As sytë t’i përhumbësh nëpër qiell. Se brenda shpirtit tënd të trazuar, Si një varg i harruar do t’më gjesh...”

Kjo instancë që mbin si një frut marrëdhëniesh dialektike parasheh edhe parantezën e metaforës lindje-jetë-vdekje. Dhe “Prelud” gjen miken si shkas. Mikja që sillet aq bukur sa poezia në këtë prurje nuk është vetëm kaq. Këtu është fjala e poezisë:

“Mikja ime,vdiq dje. Kujtim i saj do të mbetet. Këmbanat bien dhe prishet foleja e dallëndyshes. Prangosmë o Jetë!...”

A mund të shihet poezia në këtë rast si një shkëputje? Natyrshëm që jo, natyrshëm që shënon nevojën e vazhdimësisë dhe aq më shumë të jetës edhe pse dhimbja për miken është e patregueshme. Jatru gjen forcë shprehëse:

“...Futmë në burgun më të errët, Për të mos parë e ndjerë,shijen tënde të hidhërimit. Mikja ime vdiq dje. Dëborë në shpirtin tim. Po më thinjen flokët. Do te ikin ditët dhe netët do të rizgjohen. E unë, këtu....... ......duke mbajtur zemrën me dorë nga dhimbja.”

Poezia tjetër “Trishtim...” plotëson më tej:

“...eja! Të qajmë së bashku, Për telin e violinës që u këput dhe për të bardhin pëllumb që pashë dje, të rrëzohej vrik nga fluturimi.”

Poezinë “Ti nuk me pe kur qava mbrëmë” po ua lë të “tjerëve”, ashtu nëpër dihatje dhimbjesh dhe heshtjesh të çuditshme:

“Ti nuk më pe kur qava mbrëmë As lotin kur të ra mbi faqe. Dhe për çudi një gjysëm hëne, Më pikte dhimbjen asaj nate...”

30 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page