top of page

Dhuratë Prindërore dhe Hyjnore


Fisnikëria e Intelektualit

është Dhuratë Prindërore dhe Hyjnore


Kushdo që ruan thellë në shpirt nderimin, respektin për njerëzit e vet dhe për të tjerë njerëz dashamirës, kthen kujtesën prapa dhe fillon të shtegtojë drejt viteve të fëmijërisë, të pararinisë dhe të rinisë, duke sjellë pranë vetes prindërit e dashur, gjyshen dhe gjyshin e çmuar, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij, me edukatën që i patën mëkuar për të qenë në jetë njeri i respektuar, me zemër të madhe, dhe për të rrezatuar ngrohtësi shpirtërore me njerëzit e mirë. Pikërisht prindërit, gjyshja dhe gjyshi me zemër të madhe, janë ata që kanë vënë gurin e themelit në edukimin e njeriut me ndjenjat e larta të fisnikërisë së shpirtit, me frymën e humanizmit dhe të mospajtimit asnjëherë me të keqen.

Pikërisht me njërin nga intelektualët me të tillë edukatë, të trashëguar nga prindërit, gjyshi dhe gjyshja e tij, kam pasur fatin të njihem në jetë. Me këtë intelektual vetëm një herë jam takuar në Vlorë, në verën e vitit 2015, gjatë prezantimit të një vepre të shkrimtares së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj, kur edhe pushuam ca ditë në plazhin e Ujit të Ftohtë. Paskëtaj shoqëria jonë dhe “takimet” tona kanë vazhduar dhe vazhdojnë pa ndërprerje në Portalin e tij mjaft mikpritës.

Pra, e kam fjalën për Prof.dr. Fatmir Terziun, Mjeshtër i Madh, personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombëtare, I dekoruar me Dekoratën më të lartë Presidenciale, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili ka bërë emër si shkrimtar dhe poet mjaft i talentuar, kritik letrar i shkëlqyer, krijues me mjaft fantazi në fushën filmave dokumentarë, analist dhe eseist i përsosur.

Talenti i Profesor Fatmirit pasqyron madhështinë e mendjes, kurse fisnikëria e tij rrezaton gjenialitetin e shpirtit.

Çdo bashkatdhetar me vetëdije të lartë kombëtare, është dhe duhet të jetë shumë krenar me Prof.dr. Famir Terziun, i cili jeton dhe krijon në Londër, në njërin nga metropolet e famshme të kulturës dhe të shkencës botërore. Atje në Londër, Profesor Fatmiri është një mbështetje e fuqishme e diasporës sonë, çka e ka vërtetuar më së miri me përshkrimet, analizat, reportazhet dhe esetë dritërrezatuese që boton, kushtuar përfaqësuesve të njohur të saj nga fusha e biznesit dhe e sferave të tjera të veprimtarisë.

Roli i Profesor Fatmirit është i pranishëm në jetën e shqiptarëve edhe në mbarë trojet tona amtare, rol që pasqyrohet mrekullisht në faqet e Portalit të tij aq të dashur “Fjala e Lirë”, të cilin e kam vlerësuar dhe e vlerësoj si Dritare e rrezatimit të së vërtetës”.

Profesor Fatmiri më emocionoi tej mase me fisnikërinë e vet që pasqyrohej në esenë që më kishte kushtuar, të botuar në numrin e djeshëm (29 janar) të Portalit në fjalë, me titull Jo thjesht propozim, por zë i ngritur meritor për shkencëtarin e Fjalorëve…”.

I jam shumë mirënjohës dhe i shpreh publikisht falënderimet e mia më të përzemërta, edhe në emër të shoqes sime të jetës, Havasë, duke i uruar shëndet, suksese dhe mbarësi në familjen e tij të shtrenjtë.

Kaliforni, 30 janar 2023

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page