top of page

Dhoma prej qehlibari



Realizimi, para tre shekujsh, i një dhome prej qehlibari, ku të gjitha, - muret, dyshemeja, tavani, abazhurët, zbukurimet, sende të ndryshme etj, - u skalitën në qehlibar, dëshmon për vlerësimin që i bëhej këtij guri në atë kohë. E njohur fillimisht si ”Kabineti i Qehlibarit”, më pas si “Salla e Qehlibarit”, dhoma në fjalë u përgatit në agim të shekullit XVIII dhe gjendej në Berlin, në Pallatin e mbretit të Prusisë Fridrih Vilhelm I. Kur shkoi për vizitë në atë qytet, në vitin 1716, cari i Rusisë, Pjetri I (Pjetri i Madh), vizitoi kuriozitetet vendore. Kur pa “Kabinetin e Qehlibarit”, u ngazëllye. Mbreti i Prusisë ia dhuroi Pjetrit I “Kabinetin e Qehlibarit” si nderim për fitoren që ky sapo kish shënuar mbi suedezët në Poltavë dhe, njëherazi, për forcimin e marrëdhënieve prusiano-ruse. Pasi u çmontua, “Kabineti i Qehlibarit” mori rrugën drejt Sankt Petërsburgut dhe, prej andej, u drejtua për në rezidencën e së shoqes së carit, Ekaterinës, pra në Pallatin e Carskoe Sello-s, sot qyteti Pushkin. Aty u montua sërish duke marrë emrin “Salla e Qehlibarit”. Për dy shekuj me radhë hyrja aty përbënte një privilegj të madh. Vetëm në periudhën midis dy luftrave botërore, u dha leja për ta vizituar të gjithë ata që e dëshironin një gjë të tillë. Por, gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Salla e Qehlibarit” u zhduk. Ajo u çmontua dhe u grabit nga trupat naziste gjermane. Për fatin e saj nuk dihet gjë as sot e kësaj dite. Vetëm disa fragmente mundën të shpëtonin, bashkë me 20.000 objekte të tjera të çmuara, pikërisht kur pushtuesit po largoheshin nga Sankt Petërsburgu. E, megjithatë, sot, në ish-Pallatin e Ekaterinës, në qytetin Pushkin, ekziston... “Salla e Qehlibarit”, ashtu siç e patën njohur ata që e patën vizituar para se të zhdukej. Vetëm se nuk është origjinalja, por e rindërtuar, e gjasmuar, gjithnjë prej qehlibari, madje i së njëjtës cilësi dhe ngjyrë. Ideja dhe konkretizimi i një ndërmarrjeje kaq të guximshme dhe të ndërlikuar u përket pjesëtarëve të familjes Blinov nga Riga, kryeqyteti i Letonisë: dy Borisët (at e bir), të dy inxhinierë, dhe Antonina (bashkëshortja e të parit dhe nëna e të dytit), të tre të apasionuar pas arteve të aplikuara. Vështirësitë që hasën, ishin të panumurta. Ndër të tjera, mbi të gjitha, nuk ekzistonte asnjë fotografi me ngjyra, por vetëm një akuarel i pjesshëm, - i bërë në mes të shekullit XIX, - i dhomës së famshme. Gjithashtu kishin mbetur edhe disa fotografi bardhezi, por të realizuara nga pika vështrimi të ndryshme, çka kërkoi një proces të kujdesshëm “barazimi” të imazheve përkatëse me qëllim që të mësoheshin përmasat e vërteta të zbukurimeve dhe të të gjithë objekteve. Mungesa e imazheve me ngjyra solli edhe një vështirësi tjetër dhe pikërisht përzgjedhjen e varianteve përkatëse origjinale. Si rrjedhojë, u sajua një mozaik me qehlibare ngjyrash të ndryshme, të cilin e fotografuan në bardhezi dhe e krahasuan me imazhet e dikurshme, për të përcaktuar, përmes nuancave, llojet e qehlibareve që duheshin përdorur. Rezultati ishte i shkëlqyer. Vizitorët e shumtë vazhdojnë ta këqyrin me admirim “Sallën e Qehlibarit”.

6 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page