top of page

DHJETË MOTIVE POETIKE




Nga Kozma Gjergji

(Janë të botuara vite më parë në antologji të ndryshme në Itali.)


NDARJE


Bie shi

Herë i butë

E herë me rrebesh.


Bie mbi rrugët

Ku shëtisnim bashkë

Si melodi fërgëllonjëse

Nëpër tela.


Bie mbi detin e blertë të fushës

Ku të dy zhyteshim ethshëm

Në kërkim të perlave.


Bie mbi urën e drunjtë

Ku ndaleshim shpesh

Të admironim lumin

Duke lëshuar petale në rrjedhë

Që iknin shpejt

Si çastet tona të papërsëritshme.


Bie shi…

Mbi binarët e lagur

Treni çon larg

Nëpër mjegull dhe natë

Dhimbjen e ndarjes.



NË VENDLINDJE

Këtu gjithçka

Më buzëqesh

Dhe shikon

Tërë pritje.



NJË PYETJE


Një pyetje Perëndisë:

Përse rruga e Shënjtit

Çon në shkretëtirë?!



AJO…


Ajo i beson filxhanit të kafesë,

Unë veç syve të saj të mëdhenj.

Ajo i beson ëngjëllit mbrojtës,

Unë veç çastit tonë hyjnor…



KA LULE


Ka lule që vyshken

Pa e njohur shkëlqimin e tyre

Dhe pa e ditur se

Ç'dhurata iu bënë syve…



VIGJILENCA


Veshët vigjilonin buzët,

Dritaret vigjilonin rrugët,

Muret vigjilonin fqinjtë,

Gostia vigjilonte miqtë,

Krevati vigjilonte dashurinë,

Varri vigjilonte vdekjen,

Vigjilenca vigjilonte vigjilencën.



VITI I RI


Çdo tridhjetë e një dhjetor

Mblidheshim rreth tavolinës së varfër

Dhe sobës së ftohtë,

Mblidheshim rreth shpresës së re

Dhe uronim: "Qoftë vit i mbarë! "



URAGANI


Me ç'tërbim theu degë,

Shkuli pemë me rrënjë

Dhe e shkretoi pyllin madhështor!

Por farat, farat

Nuk i zhduku dot.



SHËNJTORËT


Djajtë

I kam takuar gjithandej,

Shënjtorët

Duket kanë shkuar në qiej.



MIQTË


U mblodhën

Miqtë e vjetër, kujtimet…

Ylberi i sinqertë i miqësisë

Ngrihet e shkëlqen

Nëpër qiejt e viteve

Dhe zbret

Gjer në gotat me verë.


Kozma Gjergji.

167 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page