top of page

Dhimitër Xhuvani, ndihmës mjek, përpara se të bëhej shkrimtar


Dhimitër Xhuvani, ndihmës mjek, përpara se të bëhej shkrimtar


-Qemal Miraka: SHËMRIZA portë hyrëse e Sulovës së sipërme-


Dhjetor 1954.

Vazhdoja vitin e fundit të shkollës së mesme mjekësore.. Në Nëntor shpërtheu epidemia e fruthit në gjithë vendin. Të gjithë nxënësit e vitit të fundit u shpërndanë në tërë rrethet e vendit për ndihmë mjekësore, për një muaj. I vetmi që më caktuan në Gramsh. U paraqita në seksionin e shëndetësisë të rrethit me shef Mihallaq Verushin. Ndërkohë, për ndihmë nga qarku i Elbasanit erdhi ndihmës-mjeku Dhimitër Xhuvani, i cili kishte mbaruar dy vite para meje. Njiheshim. Tri ditë më pas, në seksion, morëm detyrën të shkonim në fshatrat e Sulovës. Përgatitëm nga një çantë me barna të mundshme dhe u drejtuam te makina e postës (tip Zis që sillte e merrte postën dhe pasagjerët). Kishim dy vendet rezervë për spitalin, në karroceri. Zbritëm te përroi i Shushicës, buzë lumit, sa arritëm përballë masivit shkëmbor, poshtë përroit të Skibicës Ishte dhjetor, lumi i Devollit nga prurjet, i pakalueshëm. I vetmi kalim: lundra e Darëzezës. Atje ishte instaluar lundra. Qe zgjedhur vendi më i ngushtë i lumit, me thellësi, buzë shkëmbit.

Lundra, në formë govate të thellë, e varur te një kavo teli të trashë. Njeriu i Lundrës, Idriz Tafa, të cilin më pas e kam trajtuar për disa vite, si mjek. I ri, i gjatë dhe i fuqishëm, i rezistonte të ftohtit dhe e manovronte lundrën me siguri. Unë e njihja mirë Devollin, por Dhimitri u frikësua pak. U futëm të dy në lundër, kaluam lumin dhe u ndamë me Idrizin. Morëm përroin e Skibicës, për në lagjen Duzhë Poshtë, buzë përroit të fshatit Kutërqarë dhe u ngjitëm lart. Në Qendër Kutërqarë, pasi u prezantuam, na u kërkua ndihmë për dy fëmijë të sëmurë. Ashtu bëmë, kryem vizitat përkatëse dhe morëm udhën drejt Sultit, edhe pse po shkonte vonë. Para nesh në rrugë po vinte një burrë i gjatë. Qëndroi ai i pari. U përshëndetëm.

“Jam Yzeir Jança, hoxha i fshatit,” tha. U prezantuam, i shpjeguam detyrën tonë dhe, meqë ishte vonë, na ftoi për darkë në shtëpinë e tij. E falënderuam, por nuk ndaluam. Kur po ndaheshim, Dhimitri I tha duke qeshur: “Ka të sëmurë në fshat, mundohu t’i ndihmosh!” “Nuk janë për mua, – ia ktheu hoxha, edhe ai duke qeshur. Në Kutërqarë Kodër thuajse na zuri nata. Sa vinte e bëhej më ftohtë. Vazhduam të ecnim drejt Sultit. Rruga dhe fshati, krejtësisht i panjohur për ne. Duke ecur, pamë dritat e një shtëpie dhe dëgjuam të lehurat e një qeni.

“Ndalojmë!” – tha Dhimitri. “Jemi vonë. Ta bëjmë një zë. Në Sult duhet të jemi.” Ndaluam dhe thirrëm. Qeni lehu më fort. Mirë që ishte i lidhur. Pa vonesë, u hap dera e shtëpisë dhe doli një burrë. “Kush po thërret?” – pyeti. “Kabull mysafirë?” – ia kthyem ne. “Bujrum, bujrum!” – foli në çast dhe erdhi e na takoi e na futi brenda në shtëpi. Shtoi mirë zjarrin, na bëri kafenë dhe bëmë njohjen e plotë. Na priti si miq dhe bëmë gjumë të qetë. Ai burrë mikpritës, bujar e zemërbardhë, ishte Hodo Miraka.

Pas mëngjesit e kafesë, na përcolli deri te rruga. E falënderuam dhe u nisëm për në Sult Qendër. Në fshat kërkuam dhe takuam kryetarin e këshillit. Vazhduam me vizitat në shtëpitë e të sëmurëve në Dufshan e Kukucovë. Prej andej, në fshatrat e Përrenjasit, deri në Sotirë e Shëmbërdhenj, për më se tri javë.

Bashkë me Dhimitrin, nga shtëpia e Arif Saraselit në krye të fshatit Sarasel, iu ngjitëm kodrës ,në lagjen e Mares për në Oban, atë kohë lagje e Katërlisit.

Dita po perëndonte. Tej në horizont, për nga deti, shfaqej vërtet i bukur peizazhi me diellin në perëndim.

“Ah!” – ia bëri Dhimitri dhe u ul buzë rruge.

Nxori nga çanta një bllok dhe filloi të shkruajë. Kishim ende rrugë për të bërë deri te kryetari i këshillit, ku do të merrnim të dhënat për të sëmurët dhe do të na caktohej baza për të fjetur, siç bëhej ato vite. Iu luta Dhimitrit disa herë që të çohej, por nuk ma vuri veshin derisa perëndoi dielli.

Atë natë qëndruam në Katërlis dhe, pasi kryem vizitat të nesërmen në familjet me të sëmurë, vijuam rrugëtimin në fshatrat e tjerë. Në ato vite, jeta në fshatra kishte mjaft vështirësi: ishin jo pak ato familje që banonin në kasolle, në shtëpi me haure, me burime uji të pambrojtura, në vështirësi për bukën, pa shërbimin shëndetësor, pa rrugë automjetesh. Pengesë e madhe edhe lumi i Devollit.

Vazhduam punën më pas me vizitat në fshatrat e radhës. Kishte fëmijë në gjendje të rëndë; epidemia e fruthit pati mortalitet të lart, kryesisht infantil.

Në Brasnik shkuam për darkë te hoxhë Brasniku, siç thirrej Ibrahim Bardhyli. Hoxhë me shkollë dhe njeri i zgjuar. Ish-anëtar i Klubit “Bashkimi”, i degës së Gramshit në korrik 1909. Një familje e madhe, me shumë fëmijë, derë e fisshme e fshatit, por që nuk i shpëtoi persekucionit të regjimit monist. Mban titullin “Nderi i Qarkut Elbasan”. Pamë atje disa fëmijë të sëmurë. Hoxha ishte i interesuar për mjekësinë, mbante edhe ilaçe të ndihmës së shpejtë në shtëpi. Ishte mik dhe mbante lidhje me Dr. Dishnicën në Berat. Intelektual me kulturë, bisedonte qetë e shtruar. Dhimitri mbeti i kënaqur.

Në Sotirë, te Murat Zadija për darkë. Gruaja e tij ishte me fruth, në gjendje të rënduar. Aplikojmë mjekimin me ato pak antibiotikë që na kishin mbetur: disa supracilina hungareze e disa kardiotonikë, si kafeina, kanfora, si dhe aspirina, piramidon, sulfatiasol.

Qëndruam në Çimollarë edhe ditën tjetër. E sëmura u ndje më mirë dhe u nisëm për Skënderbegas.

U munduam, u lodhëm, por edhe shërbyem, ndonëse në kushte tejet të vështira, në kohë të zgjatur, në terren të panjohur, ku nuk njihnim askënd, por kudo që shkuam, u mirëpritëm. Unë edhe si djali i Ramo Mirakës, pas prezantimit.

Dhimitër Xhuvanin e kujtoj prej shkollës së mesme. I pëlqente letërsia dhe shkruante. Dhimitri e la mjekësinë dhe shkoi në Rusi (B.S.) për studime, për gjuhë– letërsi, dhe u bë shkrimtar. Në jetën e tij ai mbeti ashtu siç ishte: njeri me vlera dhe shkrimtar i dashur për lexuesin. Vite më pas, kur isha mjek, e kam takuar disa herë në Tiranë dhe pinim ndonjë kafe e bisedonim. Kujtonte lundrën e Darëzezës dhe më pyeste nëse jetonin Hodo Miraka, hoxhë Kutërqara dhe hoxhë Brasniku. Unë i kujtoja perëndimin e diellit në Oban! Isha në Amerikë kur Dhimitër Xhuvani u nda nga jeta. Shpirti i tij u prehtë në paqe!


(Nga muri i rrjetit social Facebook të shkrimtarit Faruk Myrtaj)



14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page