top of page

Dheu s`do më tresë për Kosovën




Kosova është sot në një hall të madh dhe këtu te ne duket se askush nuk ia ka ngenë të merret me të. Aty - këtu dëgjohet ndonjë zë vajtimtar, por më të shumtë janë ata që gabimisht (oh sa gabimisht!), duan të na bindin se kjo që po i kërkohet asaj është punë e ndërkombëtarëve. Sipas tyre, janë ata që e krijuan atë si shtet dhe për rrjedhojë, është e drejta e tyre të vendosin edhe për fatet e më tejshme të saj. Gjithçka të huajt bëjnë, është sipas tyre në të mirën e kosovarëve. Edhe kur kërkojnë t`i heqin ndonjë copë, edhe kur luajnë me dy porta, edhe kur e akuzojnë për kokëfortësi, edhe kur shfaq ndonjë dëshirë të natyrshme dhe të ligjshme për t`u bashkuar me Shqipërinë, edhe kur flet për sovranitet e dinjitet, edhe kur përmend fjalën patriotizëm, edhe kur parasheh e denoncon qëllimet e largëta të Serbisë, edhe kur kujton historinë me pafundësinë e krimeve që janë bërë ndaj saj, edhe kur ngul këmbë për kthimin e eshtrave të bijve dhe bijave të saj të masakruar, përsëri ajo është fajtorja. Hajde politikë, hajde! Politika e mishit për top. Dhe pse e gjithë kjo? Epo ndërkombëtarëve u duhen disa “shprehje gjeografike” për të vendosur ekuilibra. Pra, ata kërkojnë të ruajnë paqen, qetësinë dhe sigurinë e tyre në kurriz të disa njerëzve të “dorës së dytë”. Pra, Kosova duhet të përdoret si amortizator për baltat që gatuajë vetë ata. Dhe balta më domethënëse është krijimi i situatës për të zgjuar nga letargjia ariun polar rus, i cili duke nxjerrë dhëmbët dhe thonjtë ndaj Ukrainës, gjen rastin të tregojë natyrën e tij kriminale dhe oreksin e pangopur për pushtime qysh nga koha e perandorëve. A nuk flasin qartë veprimet e tyre për t`i hedhur benzinë zjarrit e për ta mbajtur sa më gjatë ndezur atë konflikt turpërues për carin e ri Vladimir Putin? Po a keni parë ju ndonjë përpjekje serioze në rang ndërkombëtar, sot kur bota është më e organizuar, për ta shuar atë luftë? A keni konstatuar ndonjë kundërvënie të vendosur ndaj agresorëve? Po pse, me deklarata dhe me ca furnizime duke u dridhur dora do sprapset ushtria ruse? A nuk të mbetet të konkludosh se perëndimi kërkon ta raskapisë Rusinë, duke sakrifikuar një vend dhe një popull tjetër. Këto nuk janë shkruar e deklaruar askund, por njeriu me tru në kokë i bën ca analiza dreqi e mori. Natyrisht bota kështu ka qenë, kështu është dhe mesa duket, po kështu do të jetë. Prandaj asqë mund të pretendoj se ajo pret këshillat e mia. Unë shqetësohem si qytetar, kur shoh se ajo që po i kërkohet Kosovës së vuajtur, pra vetë Shqipërisë, është rrjedhojë e asaj që po ngjet atje. Në funksion të saj, pra, për ta izoluar sa më shumë shetin e madh dhe të rrezikshëm rus, për ta dobësuar sa të jetë e mundur fuqinë e saj ushtarake e cila kuptueshëm mbështetet edhe në aleanca të vjetra e të reja, thënë shqip, edhe për ta larguar dhe neutralizuar Serbinë (gjë që s`ka për të ndodhur kurrë!), ata kanë zgjedhur që kësaj të fundit, t`ia plotësojnë tekat, duke e joshur me atë që ajo preferon më shumë; me Kosovën. E do Veriun e Kosovës, Serbia. E lakmon, e ëndërron, thur e stërhollon lloj - lloj planesh për ta shtënë në dorë, pasi i njeh fare mirë vlerat që ajo trevë ka. Serbia e ka fare të qartë se Kosova i ka ikur nga duar përjetësisht qysh nga viti 1999, por duke nuhatur si dhelpra situatën që krijojnë perëndimorët, hedh të tavolinë kërkesa pas kërkesash, gjë s`ka për të përfunduar te krijimi i asociacionit, sajesa më absurde dhe më e pa nevojshme që vinka si rezultat i mbrojtjes të të drejtave të pakicave serbe në Kosovë. Jo, mor, jo; të gjitha të drejta ata i kanë, por halli është te krijimi i një Serbie të vogël brenda Kosovës dhe pastaj duke parë e duke bërë. Nga ana tjetër dhe vetë kreu i atij vendi Aleksandar Vuçiçi ka qëllimet e tij në politikën e brendshme, ku opozita e kundërshton duke ia rrezikuar karrigen. Por, kjo është puna e tyre. Ne shqiptarët, si këtu e si në Kosovë duhet të shohim punët tona, ku absolutisht duhet të jemi të bashkuar si kurrë ndonjëherë në mbrojtje të interesave të Kombit. Them duhet të jemi, pasi në të vërtetë nuk jemi. Ne kemi zgjedhur për të na drejtuar disa politikanë dhe ata e kanë detyrë të bëjnë gjithçka për vendin e Kombin e tyre. Kjo së pari, e pastaj ato dokrrat se ne jemi europianistë dhe NATO - istë. Kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe e kemi për krenari që jemi në aleancë me vendet perëndimore. Por kjo aleancë nuk duhet kuptuar si nënshtrim ndaj tyre. Kombi shqiptar është i shqiptarëve dhe janë ata që duhet të vendosin për problemet madhore që shtron koha dhe jo ndonjë individ, sado i gjatë të jetë ai, se atdheu nuk është çiflig i askujt. Është kjo arsyeja që tingëllon më shumë si kapriço dhe gjoja besnikëri çdo kundërvënie që i bëhet përfaqsuesve të Kosovës nga ana e Kryeministrit tonë e ca më shumë kur i paraprin ndëshkimeve që do t`i vinkan si kryeministrit ashtu dhe Kosovës vetë. Kur pretendon se je nxënës i Faik Konicës, atëherë kujto edhe atë thënien e tij se “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”. E para është Shqipëria, Kosova e Çamëria e pastaj politikat fleksible të të tjerëve. I duam ata, aq sa na duan, por kur shohim se po na përdorin, atëherë duhet t`u themi: deri këtu! Mjaft krijuam idenë se pa ata s`ka Shqipëri. Sa ka parë ky vend, sa e kanë shkelur, djegur e plaçkitur dhe ja ku jemi. Nuk i detyrohemi askujt për asgjë, prandaj nuk kemi ç`t`u japim atyre që duhet të na japin. Aleancat krijohen për më mirë dhe jo për t`u sakrifikuar për të tjerët. Se qeveria serbe, atë do të bëjë edhe në të ardhmen: do krijojë legjenda si ajo e tre policëve të rrëmbyer, ç`ka ngjet me atë inskenimin e sulmit nazist mbi radiostacionin e Gleiwitzit nga Naujoksi, për të përligjur pushtimin e Polonisë dhe që solli mos dhënien e ndihmës nga Britania e madhe dhe Franca edhe pse ato ishin zotuar ta ndihmonin Poloninë. Ja pse, duhet të mbledhim mendjen sa nuk është vonë; në të kundërtën pasardhësve tanë do t`u vijë turp nga mefshtësia dhe nënshtrimi ynë. Ata nuk do të mburren e krenohen me ne, ashtu sikurse ne ndihemi të lumtur kur kujtojmë atdhetarinë e të parëve tanë. Kjo i ra në pjesë brezit tonë. Sa bukur dhe sa madhërishëm e ka thënë patrioti i shquar Hasan Prishtina, ithtari i iluministëve dhe revolucionit francez dhe ideologu i bashkimit: “Njeriu pa kombin është asgjë. E kombi pa brezat e ardhshëm shuhet”. Por, ne nuk jemi nga ajo racë që shuhet kollaj!

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page