top of page

Dhe si zakonisht syri prek të ndjeshmen... respektin


Athina në syrin e shkrimtarit


Dr. Fatmir Terziu


Teksa linte pas fjollat e bardha në gri avioni “Easy Yet” në pistën e Gatwick të Londrës, dy vijëza të vockla rrezatuese u shfaqën në fiksimin e celularit “Blackberry’ që ishte i gatshëm në duart e mia të fiksonte çdo detaj të kësaj udhe ajrore që kishte destinacion Athinën. Këto dy vijëza të rrahura nga ikja e shpejtë e tymit qetësoheshin duke u pikëtakuar diku në horizont ku krahu i djathtë i avionit gati ishte këndi me të cilën ndahej shikimi i mëtutjeshëm në hapësirën e qiellit. Pas disa minutash teksa shtëpitë tipike filluan të merrnin forma të mirëfillta gjeometrike, dukej se ekrani i celularit që luante rolin e kameras në këtë rast, ishte i gatshëm të fiksonte e të mbante në trurin e tij, gjithë atë lëvizje e fiksim të momentit. Ndërkaq udha mes ajrit herë trazohej nga ndonjë lëvizje e shkundje e lehtë mes boshllëqeve ajrore, e herë mes cikërrimave të dritëzave në krahun e djathtë të avionit, të cilin syri im e kishte gati në tërë kornizën e dritares së vogël. Dhe dritëzat e vockla që kriheshin në qelqërinë e qiellit dukej se luanin kukamshehti me retë. Retë ngatërronin herë pas here rrugën dhe dukej se me ngritjen e kësaj makine ajrore, ato nuk e kishin të lehtë të shkundeshin nga hutimi. Hutim ky që pas tre orë e gjysëm udhëtimi do të zbriste në aeroportin e Athinës, ku flashet e dritëzave të ajrit do të zëvendësosheshin me flashitjet fotografike të miqve të letrave shqipe, Novruz Abilekaj dhe Arqile Gjata, që kishin marë detyrën të prisnin në emër të gjithë anëtarëve të shoqatës shqiptare “Vëllazërimi” që drejtohet nga i palodhuri Mihal Dusha. Dhe pastaj përmallimi mes miqve, mes njerëzve të mirë, të cilët kanë udhëtuar rreth 20 kilometra rrugë në një ditë pushimi dhe hallesh emigracioni, duke lënë bulat e djersës në kapitjen e zezë të asfaltit që shtrëngohet në këtë ardhje të nxehtë të stinës, në një rrugëtim mes qyteteve të Markopulos, Koropis, Spatas dhe Loutsas në lindje të Athinës qendrore, për të bërë ndalesën e tyre të respektit pikërisht në aeroportin Eleftherios Venizelos, emër ky që iu ngjiz në vitin 2001 kur ai u bë mbajtësi i pavdekshëm i emrit të atij personaliteti që dha një kontribut të shquar në zhvillimin e aviacionit grek dhe të Forcave Ajrore Greke në vitin 1930.

Dhe si zakonisht syri prek të ndjeshmen, emocionalen, atë që e bën vetë syrin të notojë edhe mes lotësh madhi, si arsye të pafiksuara në shkrepjen flashitëse dixhitale. Dhe pastaj mes shtrëngimeve e përqafimeve miqësore, pasi lamë pas terminalin kryesor, makina e kontraktuar shket mbi asfaltin gati të zjarrtë, për të pikëtakuar në fillim syrazi udhën dhe kapjet nxitimthi të arkitekturave që ballafaqohen me sytë gjatë tërë rrugëtimit. Ikja e syrit dhe vrapi i makinës diku gjen një prehje të shtrënguar, ku një ‘ah’ e drejtuesit të makinës të bën të shkundesh: “Ja tha, ai, tani na duhet të marrim jastëkun. Kanë bllokuar rrugët kryesore se votohet ai ligji i ..., në Parlament dhe ne tani jemi gati duke ngecur për një kohë të gjatë’. Dhe që këtu e kupton atë që nuk është më vetëm duf në Athinën e dufshme të viteve e sidomos muajve të fundit. Nuk është vetëm arsye e një shqetësimi të këtyre miqve që presin pak dritë për fati e tyre dhe të familjeve në udhëkryq, por edhe arsyeja vetë të mos jetë më vetëm përshpirtje. Ikje nga ajo që gatuhet pas murreve të lashta të Parlamentit grek. Ikje dhe gati ngecje në këtë rrugë ku boritë e makinave çajnë tërë hapësirën, dhe diku vetë inati prodhon edhe sharrjet e para në gjuhën e vendasve.

Ne ndjekim manovrat e djaloshit të mirë të makinës, dhe më pas edhe këshilllat e qeta e të matura të Novruzit. Në këtë pezm është edhe mërzitja e dhjetra të tjerëve që presin andej nga qendra e Athinës që të shtrëngojnë duart e të shmallen përqafimthi miqësisht me ne. E tregojnë telefonatat e shumta që herë i vijnë celularit të Arqiles, e herë telefonit të Novruzit e vetë shoferit... Unë vetëm shpall një udhëtesë tjetër përtej dritares. Syri më kap pamje të gurta, mermerosje tekanjoze dhe afera të lashta nën beton e gurrë. Dremitja e statujave më duket një lodhje mes lojërave të hershme të tragjikomedive greke, që ende vijnë në ditët tona sa të llastuara, aq edhe të harbuara. Aq më keq që tani janë edhe mes pretencave që cfiliten me duar shqiptarësh të mirë, të cilët i zgjasin instiktivisht vetë këta duar dhe i luten në heshtje vetëm Zotit.

Ikja nga kjo rrëmujë apo kaos udhëtimi mes Athinës është edhe një arsye tjetër për vegimin tashmë të zbehur, që matet me qorrëzinë e pandreqshme e të qëllimshme të neonëve të shkundafjetur të rrugëve. Qetësia është lart në katet e godinave ku tabelat e mëdha lajmërojnë e lajmërojnë se zyrat e ish firmave dhe kompanive janë bosh, e ku thuhet e shkruhet se ka dhoma e shtëpi me qira më të reduktuar. Pastaj syri të kap disa emigrantë me ngjyrë që turren të kapin euron e bukës së ditës, duke shitur me zor lulet kokëulura nga vapa që shtrihet në tharmin e zagushisë së gjithandejshme mes dritareve gjysëm të hapura të makinave që gati kapin njëra-tjetrën në një valle krize që nuk është vetëm në zyra.

Kur ora duhej të ishte destinacioni i fundit, para meje u shfaq Akropoli. I vendosur mbi një shkëmb të sheshtë në krye që ngrihet 150 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej rreth 3 hektarë në 7.4 hektarë të rrethuar, pamja më ngatërrohej me ato gurroret që shpesh Hollyvudi i ka prurë në retinë të syrit si damarë të ngurta ku bulon gjak dhe djersë. Statujat me dhe pa koka, ku përshfaqet edhe historia e lexuar dhe e fshehtë e Agamemnonit, teksa sheh vajza të bukura dhe djem të ikshëm mes vapës, rreken si karakterë që pikëtakojnë vetë kohën në të cilën shtrihet arsyeja e rrugës së devijuar nga qendra. Rruga që ngjan me vetë emrin e tij të parë, Cecropia, pas emrit të Mbretit të parë legjendar, Ceoprs. Pra duket se është ringjallur në këtë gurrore legjendare vetë njeriu gjarpër, legjenda e tij që duket se pikëtakohet jo vetëm në epokën neolitike apo edhe në arsyet e dokumentuara tek banesat në Atikë nga Neoliti i hershëm, por edhe tek këta imazhe që përthyhen në retinë. Por edhe vetë Homeri që është supozuar për t'iu referuar këtij fortifikimi, kur ai përmend “Shtëpinë e fortë të ndërtuar prej Erechtheus” Odisea (7.81), ngjan se është bashkëudhëtar në këtë udhë, të zhurmshme, e që diku syri ndjek instiktivisht ngritjen e domosdoshme të këmbës së një qeni të madh pranë një shge të egër, gati të gjysëmçelur, të cilin e mban fort me litar një grua tipike zonjë e Athinës. Pastaj zbritja kur syri të sheh disa ndërtesa me xhama ende të thyera, të udhëton larg në histori, aty ku para shek 13-të, një tërmet shkaktoi një çarje afër skajit verilindor të Akropolit dhe gati shkundi e tundi tërë zonën.

Nejse syri kaq rrok në pikëtakimin e parë. Tjetri më i ndjeshmi është ai që të bën të blesh biletën dhe të bëhesh palë e turistëve që ngjisin shkallët e vjetra në majën e Akropolit. Aty fshihet e lexohet qartë më pas edhe fjalia e lexuar mes vetë filozofisë se ‘historia përsërit vetveten”. Vërtet ndodh kështu?

E ndërsa historia lexohet dhe interpretohet, ajo që hyn e trazohet me përlotje të brendshme shpirtërore është dashuria e miqve që presin të njihen e të shtrëngojnë duart, presin të përqafohen. Dhe janë Mihal Dusha, Andrea Zakollari, Vasilika Çupi, Fatma Tafaruçi, Myslim Maska, Murat Aliaj, Abdurahim Ashiku, Sotir Athanasiu, Xhelal Hasalla, Adem Kaseli, Kristaq Hysolli, Eduart Konica, Gëzim Strora, Luan Xhuli, Leon Lekaj, Lefter Simoni, Spiro Qirzidhi, Petraq Pali, Myrteza Mara, Nase Jani, Agim Basha, Shpresa Gjergji, Stefan Martiko, Andrea Mero, Vasillaq Cici, Ernest Cici, Lindita S. Agolli, Miço Çanga, Liliana Dusha, Evgjeni Gjata, Niko Curri, Ikli Punovija, Ndrec Perkola, Xhemil Voka, Ylli Koxha, Hamza Alia, Sadik Maha, Alma Zekollari, Rudina Mema, Dhurata Lezo, Brikena Qama, Vaso Sterjo, Stefan Anoli, Festim Zaçe, Medi Kona, Anna Dhmerkloka, Orland Haxhi, Mimoza Çekiçi Risto, Valentina Strakosha Seci, Ermira Ifandi, Valentina Jovani, Anthulla Tili dhe vetë ata që na shoqëruan në makinë, e mjaft të tjerë të cilët ishte e pamundur tu mbaja mend dhe shënim emrat. Gjithësesi lista e emrave ishte aq e gjatë sa vetë salla e Kolegjit Amerikan të Athinës, ku zhvillohej evenimenti nisi të fliste jo thjesht me hapësirën e saj të ngjeshur, por edhe me lëvizjet dixhitale që fiksoheshin papushim...

Evenimenti nisi në orën e duhur....

Meraku i poetit, organizatorit të zellshëm, mikut të mjaft krijuesve, Arqile Gjata, por aq edhe shtysa e bashkëshortes së tij të mrekullueshme, Xheni, merrte një arsye më shumë në respektimin e minutave që shënonin plotësin e orës së takimit. Në orën njëmbëdhjetë pa dhjetë minuta, makina u ndal në hapësirën para sallës së Universitetit Amerikan të Athinës. Dhe aty një grup i madh shkrimtarësh, krijuesish, artistësh dhe dashamirësish, ishin gati të shtrëngonin duart, qafoheshin dhe uronin me zemër. Salla dukej plot emocion dhe rregull. Shqetësimi u takonte më së shumti dy prezantueseve të mrekullueshme, absolutisht të përsosura, Brikena Qama dhe Amarda Ekmekçiu, dhe po aq njeriut të medias dixhitale, profesionalistit që përgatiti videomontazhin e takimit, Ylli Koxhaj dhe po aq edhe kameramanin mjeshtër Ilia Thaka. Kryesia e Shoqatës “Vëllazërimi” me nënkryetarët Andrea Zekollari dhe Vasilika Çuri e Fatime Tafariçi, kishte më së shumti merakun që përcillej qetë dhe në heshtje nga Kryetari Mihal Dusha. Kështu edhe ata shkrimtarë që do të diskutonin si Arqile Gjata, Novruz Abilekaj, Myslim Maska, Abdurahim Ashiku, Murat Aliaj dhe Nase Jani, si dhe pedagogja dhe studiuesja Shpresa Gjergji, që uhdëtoi enkas nga Universiteti i Vlorës, ishin në fazën e pashkruar të emocioneve të rastit në një sallë që kishte mjaft arsye edhe të ndjente përkushtim dhe respekt. Poetja dhe këngëtarja Anthulla Tili, natyrisht një intelekt i rallë, një zë fantastik do të ndiqej pos një interpretimi tejet të lartë të recitimit të poezive të mia, nga talenti i veçantë Lefter Simoni.

Në veçanti veprimi si një shenjë e çmuar respekti dhe nderimi për mua, vinte nga udha e gjatë, vinte nga Vlora e mrekullueshme, me vizionin e qartë e të mrekullueshëm të kryetarit të klubit ''Petro Marko'' Myrteza Maradhe shkrimtarit Jurist të diplomuar në moshë të ndjeshme, mikut të palodhur, Petraq Pali që foli ndjeshëm dhe mjaft. Një ish shoqja ime e shkollës, Rudina Mema që erdhi apostafat nga Elbasani për të më ndjekur nga afër, natyrisht kishte më shumë se respektin e merituar në këtë sallë. Dhe kështu salla nën tingujt e mrekullueshëm të një pianoje që luhej nga duar të njoma profesionale, ishte edhe shtysa e një arti që pushtohej cep më cep nga Kristina Zekollari. Një art që shfaqej në një sallë e mirëqenë kulture dhe edukimi, si sfidë për mjaft kërshëri të hamendësuara jashtë vrullit magjik të njeriut dhe sidomos krijuesit njeri.

Programi fliste me një pasion, respekt dhe përkushtim. Ndjenja e tillë shihej dhe emociononte. Natyrshëm ishte një auditor miks. Dhe kështu edhe ndonjë kapërcim dhe shkurtim i bënte mirë ndjesisë dhe durimit. Përfaqësuesja e Ambasadës shqiptare në Athinë, zëvendësambasadorja, Enkelejda Mërkuri, ishte një prani e respektit, por edhe shtysa e një angazhimi të vvetë Ambasadës për promovimin e vlerave. Ambasadori shqiptar, Shkëlqesia e Tij, Dashnor Dervishi, që solli përshëndetjen e tij, dhe që na kushtoi pritjen speciale në Ambasadë ishte edhe arsyeja e mjaft duartrokitjeve të nxehta që shpalosnin respektin për vlerat e tij dhe respektin për njerëzit e artit dhe kulturës sonë.

Respekti vinte edhe nga Universiteti Amerikan i Athinës, ku Presidenti Elias Foutsispërcillte përshëndetjet dhe respektin e dyfishtë, edhe të takimit të ditës tjetër, mes përfaqësueses, Silvana Teli. Në aktivitet mernin pjesë dhe një grup studentë që studjojnë në Athinë të cilët kanë Shoqatën e tyre Studentore, me kryetare Ilca Mane, merte pjesë dhe kryetari i FEDERATËS së emigrantëve Etmond Guri. Nga ana tjetër një respekt i vecantë për Kompaninë e Sigurimit të Automjeteve që përfaqësohej nga dy vajza shqiptare, Ana Dhimogjoka dhe Ana Menti, si dhe një emër që i dha jetë aktivitetit, studenti Klement Rrasa, djaloshi që menaxhoi tërë foninë.

Aspektet e tjera ishin vetëm duartrokitje, gëzim dhe natyrshëm edhe bulëza lotësh që treteshin në dihama frymëmarrjesh të ndjeshme.... E gjitha pastaj ishte festive, mes këngëve të grupeve të ndryshme, kostumeve kombëtare dhe recitimeve e këngëve të mirëpritura.

Respekti zyrtar u finalizua me dorëzimin e certifikatave, mirrënjohjeve dhe tufave me lule. Respekt që uhdëtonte edhe nga përtej Atlantikut dhe Francës, ku poetja shqiptare Iliriana Sulkuqi dhe shkrimtari Aleko Likaj kthenin trokthat emocionale të respektit dhe zemrave të tyre të mëdha në hapësira duartrokitjesh dhe përshëndetjesh. Një respekt që edhe një zemër mali zor se mund ta kthejë dot në rikthim respekti. Respekti që më pas transferohej në ambiente zyrtare si Universiteti Amerikan i Athinës, apo edhe në zyrën e vet Ambasadorit Dervishi...

Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, një diplomat karriere që drejton selinë tonë diplomatike në Greqi, na pret në zyrën e tij. I qeshur, i thjeshtë, tepër popullor. Në shoqërinë e zëvendësambasadores dhe poetit Arqile Gjata, pasi shtrënguam duart vijon biseda. I pari është normalisht i Zoti i shtëpisë, dhe fjala e tij e thjeshtë, por e sinqertë kërkon njohjen e mëtejshme të vizitës, aktivitetit dhe uron për arritjejt dhe rezultatet. Ndërsa takimi kishte në plan të parë përgjigjen ndaj ftesës së vetë Shkëlqesisë së Tij, natyrisht edhe fjalët tona ishin disi të rezervuara, por të fokusuara në krijimtarinë e sotme, krijuesit, arritjet dhe problemet e tyre.

Krijimtaria shqiptare në emigrim përballet me sfida të shumta. Ajo vazhdon të mbetet jashtë zhvillimeve letrare europiane dhe botërore, edhe kur ajo më së shumti ndeshet në gjuhën e Tjetrit, apo edhe ku r përkthehet e tenton ndonjë cmim. Shkrimtarë ka sa të duash, madje edhe të tepërt, por vlerat pothuajse janë të padukshme, jo vec kësaj, por edhe arsyeve se ata janë jetimë në vlerat e tyre, kur kanë të tilla dhe të harruar në plot kuptimin e fjalës. Krijues pa status. Broçkullat lavdërohen e mediokritetet duartrokiten, në këtë rast edhe me shenjën e përkrahjes, që duhet kuptuar edhe dëmotohen, jo vetëm ata, por edhe të tjerët e madje gjithë letrësia. Shtëpitë botuese në atdhe janë pothuajse komerciale, ndërsa institucionet e përkrahin librin me një shumë qesharake, dhe në raste vetëm miqësish e jo vlerash. Në emigrim cmimet të qethin kare. Politika ia ka kthyer shpinën krijuesit, e sidomos ai në mërgim është vetëm një hulli lotësh, madje edhe një ‘turist’ në shifrat dhe statistikat zyrtare. Më tej krijimtaria sot në tërë angazhimin e saj ballafaqohet me tri sfida. E para lidhet me probleme teorike e historike të zhvillimit të letërsisë (ose të moszhvillimit), e dyta lidhet me shkrimtarin (dhe atë që mendon se është i tillë), dhe e treta sfidë është mungesa e mbështetjes për letërsinë e mirë, edhe për atë që vazhdon të krijohet, edhe për atë që do të mund ta shihte dritën. Të trija mblidhen në torbën e halleve të përditësisë.

Pozita e krijuesit dhe vendi i krijimtarisë në mërgim ka qenë dhjtera herë më shumë interesant dhe në interes kohë më parë, edhe pse këto dy probleme nuk ka qenë kurrë të mirëtrajtuara, në asnjë shoqëri dhe në asnjë periudhë kohore. Gjendja e mjerueshme, bërrylat, kriza shpirtërore, lëkundjet e thella psikologjike, plasaritjet në mes të gjeneratave e brenda gjeneratave kanë ndikuar që krijuesi shqiptar i emigruar, të ndjehet dy herë emigrant brenda letrave të veta. Dhe duke parë se sot urat kulturore janë më të ndjeshme, duhet thkesuar se letërsia e një kombi asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk do të duhej të ishte produkt vetëm për atë komb.

Por jo më kot e thonë se mali me mal nuk takohen. Dhe në këtë rast një foto flet më shumë. Koha kur im atë drejtonte sektorin e Hotolishtit dhe z. Dervishi ishte Komandant aksioni. Në këtë rast është respekti, malli lotët dhe përqafimi në vendin e babait tim Dail Terziu që uron mes telefonit...Kështu beseda dhe mikpritja të shtojnë respektin akoma më shumë për një zyrtar dhe një model që di të ndajë zyrtaren me miqësoren. ...


31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page