Dhe ja 5 poezi të tjera për miqtë dhe dashamirësit e mi.
Nga Fatmir Terziu
1. Dykohësi
Dhe Hëna na zbriti në sofër.
Nuk donim ta besonim,
shkrihej si përrallat e sajuara për kohën
e buka përsonazhi kryesor i ëndrrave që shikonim
habiti Botën.
Sot i jemi mësyrë Diellit për ta ngrënë
pafund grykës të paparë
sikurse vetëm tokësorët e dinë
në një garë
për t'ia vjedhur energjinë.
2. Në pakohë
Kohërat i kemi shtrydhur fort
lotë që derdhen në makete bronxi
të lindim herronj.
Sa lotë ka zbrazur Qielli për ne këtu në çdo kohë?!
Nëse do të formatonte sikurse ne makete
do të kishte vetëm herronj në Tokë.
3. Përtej kohës
Dielli më sheh në sy. Unë
nuk e shoh dot në syrin e tij.
Dielli sheh dhe di gjithçka…
përtej kohës
qindra rreze ndriçojnë mendimet e mia
në këtë mjedis
rrënjët zhbirojnë në zorrët e tokës
të ngatërruar në barërat e lidhura të vetmisë.
4. Në kohë
Ime shoqe veshi një pallto të re
u largua për në shkollë jo si ngahera
ndërsa gjethet binin me rrokullisje,
shtatë e mëngjesit: një kohë për rroba të tjera.
Shtatë e mëngjesit dukej shumë si shtatë e pasdites.
Në trotuar kishte gjethe.
Në mjegull, brenda turbullirës, ishte një udhë
ku ecte ime shoqe.
Shkundja e një peme ishte tamam si një njeri që zhvishet në vapë.
Në të djathtë,
vrapi i një makine luksoze linte një flurudhë të gjatë,
si një makinë e ngritur për vrap.
Kur gumëzhinte trotuari, në të majtë
mjegulla bënte më tutje një çap
ngjyhej si kalimtari.
Në kohë. Asnjë gjë nuk është njësoj.
Vetëm në atë kohë,
fryma ime përsëriti frymërat e tufës.
Shtatë e mëngjesit. Vrapova.
duke veshur kostumin e mjegullës.
5. Jashtë kohës
Mbrëmë llampa u mbush me flutura të bardha
duke fluturuar në çifte
ndërsa spikerja në ekran fliste për çmimin e energjisë
më kujtuan ardhjet e tyre të djeshmen,
më e pranishme se e tashmja
deri nesër,
ose deri disa kohë kur të kthehet dhe e ardhmja
bëhet e kaluar në llampën e ndezur me lotët rreth syve
nga halli i vizitës së tyre
tek shtëpia.
Unë jam përsëri një djalë,
tani në të pesëdhjetat e mia…
Koti poezitë
Fatmir Terziu:
I dashur Prof Dr Eshref
Komenti juaj dhe vlerësimi ndaj poezisë sime natyrisht më jep më shumë bindje në krijimtarinë time. Ju jam shumë mirënjohës.
I dashur Profesor Fatmiri,
Poezia juaj ka një nerv filozofik origjinal. Në të lexuesi gjen artin e asaj që nuk thuhet deri në fund. Kjo është arsyeja që ajo ia mban përherë të ndezur fantazinë.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 26 shtator 2022