top of page

Dhe agimi e kthen dritën


Vitet 70: Minushi dhe Myrvetja

Dhe agimi e kthen dritën

Fatmir Terziu


Njeriu jeton me kujtimet, memorjet, ndodhitë e fiksuara e të imagjinuara, me të gjitha ndjesitë e tij. Perceptimet janë agravime kohore në kohë. Disa mbetet përkushtime të shenjuara zemre. Kohë më parë lexova disa përkushtime zemre dhe një këngë të kënduar dikur prej të Minush Hoxhës, e të gjitha si një memorje dhe mall për bashkëshorten e tij, që tashmë është në duart e Zotit: „Kushtuar bashkëshortes sime Myrvetes, këngë kjo të cilën e këndoja në fillet e afrisë tonë në rininë e hershme (paramatersore-të fejeses) dhe pasmartesore në ahengjet e viteve të 70-ta në Hotelin ,,Pashtriku" të Gjakovës, vetëm e në ahengje, bashkë me Ismet Pejën, legjendën e të kënduarit bukur.“ E mjaft të tjera janë postuar herë pas here në murin e tij të Facebook, në dy gjuhë. I lexon dhe ndjek me arsyen e jetës, jetikes, dashurisë dhe asaj që i mungon Njeriut të dashuruar në pafundje dhe në vetë ulluqet e jetës. E ti e cilëson këtë një gjuhë jo të zakonshme. Një gjuhë zemre!

Një gjuhë e tillë nuk është vetmi. Nuk është një fund. Ajo dikton dhe diktohet në tërësinë e vetë arsyes. Sikurse ndodh…me vetë dritën, sikurse ndodh me vettë erësirën.

Errësira vendos shpejt pas perëndimit të diellit. Si e tillë e bën botën të bëhet një vend më i ftohtë, por i butë për pushimin e shpirtrave të lodhur. Një cikël tjetër mbaron, por një natë e mbuluar me yje, të cilët lajnë galaktikën me madhështinë dhe dritën e tyre nuk shihen askund, përveç në zemrën e autorit Hoxha.

Pa të gjitha, përveç një shiu të këndshëm, era ulërin nga trishtimi. Flaka e fundit dhe thëngjijtë e saj fërshëllejnë në këtë ndryshim, duke mos e dëshiruar humbjen e ndriçimit dhe shkëlqimit të tyre, pasionit dhe energjisë.

Minush Hoxha

Një stilolaps i denjë, i gatshëm, i palodhur ka mbetur duke regjistruar këto ngjarje. Zemra shkruan dhe këput pendën e tij. Ndodh… ndodh. Sepse, hedhja e fjalëve që mungojnë në letër të bardhë nuk do të bënte drejtësi. Nuk do të bënte kthim.

Kujtimet e ëmbla, ndodhitë e hidhura, të përjetësuara nën këto faqe, nuk humbasin kurrsesi, edhe pas largimit. Këtë e parathotë disa herë Minush Hoxha. E parathotë…dhe gjithnjë ka dikush çfarë të mësojë.

Ai e lëviz tastierën duke shpresuar të ndezë një dritë për ata që kërkojnë t'i lexojnë ato. Derisa më në fund, fillon një cikël krejt i ri. Dhe agimi e kthen dritën. E rikthen në fakt, për këtë boshllëk humnerë. Dhe kënga është e gjallë, është ajo që ka kënduar Minush Hoxha së bashku me të Madhin Ismet Peja. E atje Lart mes yjeve dëgjon e dëgjon vetë Myrvetja. Fjalët e tij janë fjalë gjuhe që del nga zemra. Kjo është natën, kjo ndodh dhe ditën. Dhe agimi e kthen dritën…

168 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page