DITA E SHTATË ME “SHAKATË VLONJATE”
Nga Luan Çipi
Ky, ish koloneli vlonjat T.P., si lë të kuptohet, ka hequr dorë nga tregimet. Duket se i shteruan kujtimet me “shakatë vlonjate”, ndaj këtë të diele erdhi te “Kafja e Gjergjit”, në takimin me ne pensionistet vlonjat që banojmë në Tiranë, i shoqëruar me një Fierak. Pasi porositi kafe për ne dhe për atë, na tha: Sot do dëgjoni një “shaka myzeqare” dhe fjalën ia dha menjëherë (si t’i dorëzonte stafetën), mikut të tij, Valterit.
Valteri, që kish ardhur midis nesh dhe tjetër herë, pak më i ri nga ne, po me mustaqe e flokë të lyera, dukej plak qejfli, që kujdesej ende për lukun e tij. Ai, se ka zakon ta mbaj për vete çka i takon shokut, ndaj shpejt bëri një hyrje:
Mos ma jepni mua meritën e kësaj ndodhie, tha. Jo, origjinali, i takon Xha Ademit, një Skraparliu, me banim në të hyrë të Fierit, si vjen nga Lushnja, në fshatin “Petovë”. Aso kohe nuk ishin bërë kooperativat dhe çdo familje kishte edhe bagëti të imta, po edhe ndonjë lopë, që e mbanin për të siguruar qumështin për fëmijët. Lopën, kujdeseshin ta hiqnin rregullisht me dem race, që edhe të siguronin viçin për mish, ose mëshqerrën për ripërtëritje që ajo të ishte me rendiment të lart prodhues qumështi.
Xha Ademit i kishte ardhur në kohë lopa e tij për t’u mbarsur dhe s’kish më leverdi ta linte ashtu me gjatë, se i kishte firrasur qumështi dhe ish kthyer në parazite, aqsa atij i dukej se çdo ditë e ushqente qyl. Kish menduar, hetuar e pyetur gjithandej dhe kishte bërë pazare për ta ndërzyer lopën me dem race dhe për këtë kishte vendosur e piketuar një mikun e tij, Petrit e quanin. Ai, ishte po Skraparli, dhe kishte një dem race të provuar në gjenerata, për mëshqerra të sosura me rendiment të lartë në qumësht e me më shumë yndyrë dhe trup vogla e ekonomike në haje.
U takua me Petritin në një ditë pazari te “Ura e Sheqit” dhe ranë dakord në çmim, si dhe caktuan ditën dhe orën e përafërt.
Erdhi dita e caktuar dhe xha Ademi, vërtet u dëshpërua se, kishte kaluar 4 orë nga koha e caktuar dhe Petriti me demin nuk po dukej. Mahmudeja, gruaja e xha Ademit, gati 20 vjeç më e re, ishte futur dhe në mundim e në harxh: Kishte therur e pjekur një bidë me thërrime në saç dhe kishte shtruar drekën për shtatë palë qejfe.
Kur erdhi Petriti me demin e lodhur, që po e tërhiqte për litari branë, ishte errur dhe bërë natë.
Xha Ademi ngeli që larg me duar përpjetë dhe me fjalën në fyt, se Petriti i bërtiti po që larg:
-Mos më qorto fare, nuk e kam fajin unë, po demi. Ky demi im, ka nam të madh dhe nga kjo sot atë desh ma bënë copa: Ka hequr rrugës 4 lopë dhe nga ato 2 ishin mëshqerra të pangara. Nuk kam ç’i bëj miletit: Ma morën me dhunë dhe ç’është e vërteta, më kanë mbushur xhepat me para.
Ti, xha Adem, miku im Skraparli, do më falësh dhe do ma bësh hallall. Nga ana ime do të qëndroj me sa mundem: Demin e ke tëndin dhe fare pa para. Nuk do të të marr asnjë kokërr leku. E paç hallall spermën e tij çudibërëse!
Xha Ademit i erdhi çehrja në vend. Ia hoqi barrën mikut dhe u gëzua, sidomos se kjo punë jo vetëm do kryhej me sukses, po edhe gratis.
-Të kuptova fare mirë dhe të kam falur, po hajde të nisim menjëherë nga puna!
Kur Petriti kreu procedurat e nevojshme, vuri re se demi i rraskapitur nga lodhja e mundimshme dhe rruga e gjatë, nuk ishte i gatshëm për ndërzimin e radhës.
Pasi kaloi njëfarë kohe dhe puna nuk shkonte mbroth, xha Ademi, që e ndiqte me kujdes dhe e hetoi mirë gjendjen, bie sërish në dëshpërim dhe këtë radhë, jo vetëm që nuk u përmbajt, po i dyfishoj qortimet e kaloi deri në sharje e ofendim, çka ia lejonte edhe mosha.
Pasi nuk gjeti tjetër rrugë zgjidhje Petriti, si e qetësoi e inkurajoi dhe e bindi Xha Ademin, i kërkoj ndihmë atij, për t’i vënë në dispozicion Mahmudenë, gruan që dukej si të ish vajza e tij.
-Ik ti, xha Adem, nis rakinë e përgatit darkën, se unë erdha për 5 minuta të të shoqëroj. I gëzuar nga lajmi Xha Ademi zbatoj verbërisht urdhrin e mikut.
Petriti, hoqi mënjan Mahmudenë dhe i tregoj sekretin dhe procedurën që duhej të ndiqet në raste të tilla: Gjysëm ore masazh të pandërprerë me ujë të ngrohtë e sapun!
Ishte darka nga fundi, kur pas gjysmë ore, vjen e ulet aty në tavolinë midis tyre dhe Mahmudeja e gëzuar dhe me lajmin e mirë se çdo gjë përfundoj me sukses.
Pas një viti, po në një ditë pazari, te “Ura e Sheqit” u takuan sërish myzeqarët skraparllinj xha Ademi me mikun e tij, Petritin, pronarin demit të famshëm të racës.
Ishte radha e Petritit që kish ngrënë dy kafshata bukë në shtëpinë e mikut, ta ftoj xha Ademin për kafe e raki. Dhe si e tokën e pinë gotën e parë:
-Pa më thuaj, cili qe rezultati i asaj nate të mbrapshtë: U mbars lopa? Ç’lindi, mashkull apo femër?
-Lopa u mbars për mrekulli dhe polli jo një, po dy. Lum si lopa dhe lum si Mahmudeja, që u gëzua trefish... Po ç’kam hequr unë, nga ajo ditë e deri më sot, këtë më pyet, o zotëri.
-Pse, o xha Adem, ç’ndodhi me ty?
- Si, ore ç’ndodhi? Nuk më sheh si jam katandisur: Kockë e lëkurë. Më rropi fare ajo nxënësja jote e shkathët, ime shoqe Mahmudeja, nga që i mësove ti zanatin me ujë të ngrohtë e me sapun.
Lere, se kafenë dhe rakinë me meze do ta paguaj unë, ngaqë në shtëpi time u mësua, mandej pa paguar asnjë lek, një zanat i ri, që tamam ky meriton çmimin “Nobel”. Zanat i dobishëm që nuk harrohet kollaj e ngelet ndër breza.
Ndërsa unë, nga ai çast, hoqa çdo natë pataksinë ndenë kurriz, nga që mua Mahmudeja, me ujë të ngrohtë e sapun, tek më lante këmbët, më kalbi të ndenjurat nga përpara dhe nga mbrapa!
تعليقات