Vullnet Mato
Unë dhe Tomi, ishim profesorë,
lidhur herët në shpirtra, si shokë.
Sapo ai u ngrit në post superior,
më pa si miush, u krekos si maçok.
Kështu një ditë, krejt pa kuptuar,
si Tomin me Xherin dielli na gjeti.
Ai frynte pendët, duke u shndërruar,
herë si pallua, herë si gjel deti...
Lëvdatat e miqve servilë, përqark,
e shndërruan, në një qenie tjetër,
sikur i derdhën te damarët në gjak.
lëngun magjik, të frynte pendët.
Këshillat e mia, për vetëkorrigjim,
Tomi i quante frikësim, miushi.
Para fuqisë së tij, fryrë me pompim,
unë i dukesha, Xherri askushi.
Lexova të di, diagnozën e mjekësisë,
pse i kish hyrë aq në qejf, vetja e vet?
Thuhej: Simptoma, delir i madhështisë,
të bën, sikur mbi skllevër je bërë mbret.
Sikur ai ishte përcaktuar nga vet zoti,
të drejtonte gjithë kombin, etnikisht.
Kurse unë i dukesha, një dhaskal koti,
destinuar të jem, inferior përjetësisht...
Zbrazte kudo, vetëm fjalë bombastike,
rrokje të forta, si krisma shpërthimi,
duke përhapur gjithandej, tone frike,
nëpër shpirtra, me bindje nënshtrimi.
Dëgjuesit e thjeshtë, heshtnin të ndrojtur,
të mençurit, mbledhin supet me habi:
ç’ishte ky birbo, me paraqitje të lojtur,
që si Neroni, donte të mbetej në histori?...
Sot, kur njerëzimi ka flakur prej kohësh,
diktatorët, që ngjiten si gjelat mbi pleh
zgjidhet në krye njeriu i fjalës së ngrohtë,
kurrsesi, tipi i bastardit, që fillon e leh...
Pres me keqardhje ditën e shpuplimit,
kur Tomit t’i bien pendët krejt përtokë.
Dhe siç ndodh zakonisht, pas rrënimit,
të vijë të më lutet, ta pranoj për shok!...
Comments