top of page

Dekretet e lavdisë.




Nga Timo Mërkuri


Kur më 28 Nëntor 2020, pas ceremonisë të Shpalljes së Pavarësisë, në sheshin pranë Muzeut Etnografik, në prani të një mase të madhe lëvruesisht, këngëtarësh, valltarësh dhe studiuesish të artit gojor shqiptar Presidenti i Republikës zoti Ilir Meta shpalli Dekretet e vlerësimit me tituj nderit të disa artistëve dhe të disa grupeve folklorike, shumëkujt ju duke se shqiponja e stampuar mbi dekrete hapi krahët e fluturoi dhe u ul mbi supet e të dekoruarve. Ndoshta ky ishte një iluzion optik i shkaktuar nga reflektimi i dritës së diellit, por ajo që kishte rëndësi ishte fakti se në këtë ditë të 28 Nëntorit, dekretet dhe dekorimi mbartnin një lavdi të dyfishtë mbi emrat e artistëve popullorë, lavdinë 108 vjeçare të shpalljes së Pavarësisë si dhe lavdinë 15 vjeçare të aritjes së shpalljes së iso-polifonisë shqiptare si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” dhe që mirej në mbrojtje nga UNESCO.

Prania e Presidentit të Republikës mes lëvruesve, krijuesve dhe studiuesve të artit gojor shqiptar dhe nderimi me tituj nderi i individëve dhe grupeve më të spikatura dëshmonte faktin se ky art, tashmë ishte nën kujdesin, vëmëndjen dhe vlerësimin e kreut të shtetit, dhe për pasojë talenti, dashuria, puna dhe aritjet e këtyre njerëzve të artit, do ishin në të ardhmen asete artistike kombëtare. Kënga iso-polifonike është pasuri e kombit, ajo dëshmon për lashtësinë, origjinën si dhe unitetin e kombit tonë. Këtë e dëshmon origjina e saj nga vajtimi, përbërja e zërave të saj nga zërat mortorë të vajtimit dhe egzistenca e iso-s në mbështetje të saj, si deti për anijen e këngës, si qielli për fluturimin e shqiponjës së këngës, ajo iso unike, vetëm shqiptare, që nuk e ka asnjë popull tjetër në botë.

Duartrokitjet dhe ovacionet që shoqëronin përmëndjen e emrave të personave dhe grupeve që dekoroheshin dëgjoheshin si këngë dhe ishin të tilla, që të krijonin mendimin se bashkë me ‘ta, dekoroheshin gjithë të pranishmit. Në fakt, gjithë të pranishmit i gëzoheshin vlerësimit dhe nderimit të personit apo grupit të dekoruar, sepse ata në radhë të parë shihnin te ky nderim, vlerësimin e madh që i bëhej këngës sonë popullore, asaj që mbarti në gjirin e saj dhe solli në epokën tonë historinë e kombit. Dhe në këtë moment të gjithë kujtuan faktin që shqiptarët nuk e kanë shkruar historinë e tyre nëpër libra, ata e kanë kënduar

nëpër këngë. Prandaj dhe populli ynë, nuk thotë “lexoj”, por thotë “këndoj” historinë.

“Këndimi” i tekstit të dekretit që i jep titullin “Nderi i Kombit” Lefter Çipës u prit me duartrokitje dhe ovacione të forta, që prej së largu dëgjoheshin si një këngë pilurjote e kënduar nga gjithë të pranishmit. Lefter Cipa është autori dhe ideatori i këngës së re pilurjote. Ai e ngriti dhe lartësoi këtë këngë, e shndroi në një këngë shpirti, jo thjeshtë këngë me iso. Ai e shënjtëroi tekstin dhe melodinë e saj. Lefter Çipa ngjan në tempullin e këngës si një patriark hije rrëndë, madhështor dhe i drejtë në “Dodonën” e artit gojor, sa që të krijon mendimin se këngët vjen dhe ja sjell nga Zoti ndonjë pëllumb, që i ulet mbi supe dhe ja pëshpërit në vesh, si porosi perëndie. Dhe ky, si një patriark i drejtë, këto melodi e tekste të perëndishme ua jep bashkë- puntorëve të tij, Vasillos, Katinës, Vangjelit, Qiros, Erimionit, Kristos etj që t’i këndojnë me atë melodi të perëndishme që i erdhi atij. Prandaj është kaq i bukur dhe i dashur për ne ky asambël engjëjsh që quhet “Grupi i Pilurit”, drejtuar nga krye engjëlli Lefter Çipa.

Lefter Çipa nga një njeri i ndershëm në shoqëri, në krahinë e në artin gojor shqiptar u bë një “Nder i Kombit” që në ecjen tonë në jetë të na shërbejë si një yll polar orientues për rrugën që do ndjekim. Dhe Lefter Çipa vetëm një rrugë ka në jetë, rrugën e atdhedashurisë. Aty e gjen mirëqënien e lumturinë, këngën edhe lavdinë.

Në këtë majë ku ka aritur Lefter Çipa nuk ka nevojë për lavdërime nga ne. Ai është vetë lavdia e mishëruar në një njeri. Jemi ne që kemi nevojë për një lavdërim, vlerësim a nxitje nga ai, qoftë me një fjalë, me një gjest a një shikim.

Nderimi me titullin “Kalorës i Skënderbeut” i artistit popullor Dhimitër Varfi, dëshmoi se atdheu nuk i haron bijtë e tij, kur ata ja kushtojnë jetën, punën dhe talentin lartësimit dhe nderimit të tij. Ky nderim, mua s’di pse më krijoi përshtypjen se Dhimitër Varfi mori detyrën atdhetare si vazhduesi i veprës së Kalorësit të vërtetë të Skënderbeut, kapedanit Anton Linjërosa që u priu himariotëve në betejën e Torviollit, ku ra plot lavdi në betejë.

Dhimitër Varfi mori këngët e Neço Mukos dhe si një skulptor i mirë, i lëmoi ato, duke u dhënë shkëlqim e dritë në çdo anë të tyre. Ai u dha atë ngrohtësi, që të krijon gulçe në shpirt e të loton sytë kur e dëgjon. Ai u dha dritën himariote vargjeve, flladin e brigjeve himariote tingujve,tramudanën e detit Jon isos dhe ti nuk e kupton që je duke dëgjuar këngë, sepse në fakt je duke jetuar atë. Vetëm një mjeshtër i madh të bën të jetosh këngën që këndon ai, dhe ky mjeshtër është Dhimitër Varfi e s’ka të dytë.

Akordimi i titullit “Mjeshtër i Madh” këngëtares Katina Mërkuri jo vetëm që u shoqërua me duartrokitje, por edhe me pyetjen zëulët pse i jipej kaq von ky titull i merituar.

Katina Mërkuri e ngriti këngën iso-polifonike në majat më të larta artistike, ndërkohë që këngën për dëshmorët e atdheut e mbushi me dashuri e dhimbje, duke mishëruar në ‘të Nënën Shqipëri.

Këta tre artistë, në këtë ditë të lavdishme i sollën bregut të detit një lavdi të re, si një kurorë me tre degë dafine, Tre mirënjohje nga thellësia e zemrës, me më shumë vlerë se tre thesare, do marin prej nesh.


29. Nëntor 2020.



40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page