top of page

DEGËT LARG TRUPIT I THYEN ERA


Prof. Dr. Adem Zejnullahu (Prishtinë)




(Sabit Alidema, Rrënjë e Degë, Tiranë, 2008, f.257.)

Mërgimi ndër shqiptarët njihet si plagë e vjetër kombëtare, e cila asnjëherë nuk arriti të shërohej. Për kurbetin shekuj me radhë është kënduar në poezinë popullore, është rrëfyer në kallëzime popullore dhe janë shkruar forma të ndryshme të zhanrit letrar. Qe pesë shekuj në poezinë popullore, lirshëm mund thuhet se askund, nuk mund të gjendet ndonjë varg që e lavdëron atë, përveç që e mallkon rëndë, ngase bart me vete barrë të rëndë dhembjeje, mallëngjimi, dramë jetësore që jo rrallë është shndërruar në tragjedi individuale, familjare e kombëtare. Deri tash për mërgimin janë kënduar shumë këngë popullore për nizamët, për kurbetin, balada popullore historike etj., janë shkruar shumë poezi, tregime, romane, drama të autorëve të shumtë, e janë bërë shumë filma etj.,që kanë për objekt trajtimin e lëngatës shekullore të kurbetçinjve tanë.

Që nga kohërat e hershme ka pasur migrime popujsh të ndryshëm, prej një vendi në një vend tjetër, të cilat kryesisht bëheshin për të mira materiale, duke pushtuar tokat e popujve më të dobët, nga më të fuqishmit, dhe duke marrë popullin e tyre si robër lufte për përfitime të ndryshme. Më vonë fillojnë lëvizje popujsh prej një kontinenti në një kontinent tjetër, prej një vendi në një vend tjetër. Kryesisht këto migrime bëhen për kushte më të mira jete e pune, ose për shkak të klimave më të përshtatshme etj.

Shpërngulja e shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre për në vende të ndryshme të botës ka filluar shumë herët, që nga viti 167 para erës sonë, atëherë kur mbreti ilir Genti u mund nga forcat romake dhe me dhunë u depërtua në Romë nga konsulli romak Pal Emili, duke bartur me te edhe një numër tejet të madh banorësh të cilët i shndërroi në skllevër. Që nga ajo kohë e keqja si hije e ndjek pas popullin tonë.

Historikisht mërgimi te shqiptarët është bërë për shkaqe ekonomike, sociale dhe politike. Populli ynë me shekuj i robëruar nga të huajt, mbi të ka rënduar, veç barra e rëndë ekonomike dhe dhuna e pandërprerë e sunduesve, të cilët kanë bërë çmos që në trojet shqiptare të mos ketë shqiptarë.

Mërgimi, si e keqe kombëtare, fatkeqësisht nga mbarë trojet shqiptare po vazhdon edhe sot e kësaj dite, me intensitet të pa zvogëluar, nëpër vende të ndryshme të botës, duke e dëmtuar rëndë atdheun dhe imazhin e tij. Kjo dukuri ka marrë përmasa të mëdha shqetësuese e cila do shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga qeveritë shqiptare dhe institucionet e tyre përkatëse, po qe se duam t’ia ndalim hovin, ose edhe ta zhdukim tërësisht.

Kohëve të fundit dëgjohen zëra intelektualësh të cilët edhe shkruajnë me përkushtim artikuj e vepra të ndryshme lidhur me këtë problematikë të ndërlikuar. Këta intelektualë, me angazhimet dhe shkrimet e tyre, mundohen që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojnë sado pak në ndaljen e kësaj rrjedhë të turbullt. Shkrimet dhe veprat e tyre ua tërheqin vëmendjen qeverive dhe institucioneve shtetërore shqiptare që të merren më seriozisht me këtë problematikë sa nuk është bërë vonë.

Në këtë grup intelektualësh, Sabit Alidema, zë një vend të rëndësishëm me veprën e tij “Rrënjë e Degë”( Mërgata dhe kujdesi ndaj saj). Ai deri me tash ka botuar edhe këto vepra: Dallëndyshet braktisën foletë e veta, 1958; Drangonjtë e Anamoravës, Prishtinë, 2003; Njeriu me shpirtblertë, Tiranë, 2003; Meteorë Lirie, (Monografi për Halil e Teuta Alidemën), Tiranë, 2006.

Në veprën: Rrënjë e Degë, Sabit Alidema, mërgimin, gjegjësisht inkuadrimin e punëtorëve tanë të inkuadruar përkohësisht në botën e jashtme e kundron nga shumë aspekte, duke filluar nga shkaqet e mërgimit, dhunën institucionale të shtetit robërues serb, vështirësitë e shumta për t’i kaluar kufijtë e shteteve të ndryshme, vendosja e tyre, jeta dhe veprimtaria e tyre, gjeturia në vende të caktuara, e deri tek brengat, mallëngjimet, dëshirat, ëndrrat, revolta dhe synimet e tyre për t’u kthyer në atdhe. Pra, vepra në fjalë, ngërthen në vete të dhënat të shumta për mërgatën tonë, pa lënë anash kontributin e diasporës që dha për popullin dhe për Kosovën, deri te vërejta se tani këta duhet të merren më tepër me hallet e saj.

Titulli i veprës “Rrënjë e Degë”, në mënyrë simbolike, paraqet rininë tonë e cila lë atdheun e vet dhe vendoset nëpër vende të ndryshme të botës. Struktura tekstore e veprës ngjesh në vete momente të rënda dramatike jetësore e historike, madje nganjëherë edhe tragjike. Vështirësitë me të cilat ballafaqohen kurbetçinjtë mund t’i dinë dhe t’i kuptojnë vetëm ata që i kanë përjetuar ato rrugë ferri dhe e kanë ngrënë atë bukë të mundit e të mallëngjimit.

Vepra “Rrënjë e Degë” përmban në vete shkrime publicistike, zyrtare, historike, fjalime me rastin e përvjetorëve të ndryshëm të figurave të shquara të kombit tonë, e veçanërisht rrëfime të drejtpërdrejta, të mara nga goja, jeta dhe veprimtaria e mërgimtarëve tanë nëpër mjedise të caktuara. Pra, ka këtu shkrime publicistike, kujtime, dialogë, shkrime në formë ditari, krijime artistike etj. Libri ndahet në tetë kaptina kryesore të cilat përfshijnë në vete një tematikë të nduarnduarshme, me disa nën kaptina të tjera të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën duke sajuar tërësinë e veprës.

Këtij shkrimi të rëndësishëm i paraprinë një parathënie e autorit, në të cilën ai njofton lexuesin në mënyrë të hollësishëm për përmbajtjen e veprës, arsyet dhe shkaqet të cilat e kanë shtyrë që t’i rreket një problematike kaq të rëndësishme, por edhe të ndërlikuar. Deri më tash, askush nuk e ka trajtuar mërgimin në mënyrë aq të përkushtuar sesa Sabit Alidema me këtë vepër, i cili nuk ndalet vetëm në trajtimin e punëtorëve tanë të inkuadruar në botën e jashtme përkohësisht nga treva e Anamoravës, por këtë problematikë e trajton edhe në përmasa më të gjera të hapësirës gjithëkombëtare. Autori në këtë vepër i bën një analizë të gjithanshme mërgimit si dukuri dhe si plagë shoqërore e kombëtare. Vepra flet në mënyrë të vaçantë për kontributin e diasporës që ka dhënë me vite të tëra për rezistencën, qëndresën, përgatitjen dhe Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vitit 1999.

Në kaptinën e parë: “Rrënjë e degë”, autori me shkathtësi të veçantë depërton në mesin e bashkë atdhetarëve tanë, pa marrë parasysh moshën dhe gjininë e tyre. Ai më këtë rast zhvillon një dialog të zhdërvjelltë, duke provokuar vëmendjen, ndjenjën, fshehtësinë dhe nga ata merr atë që do ta shkruajë në letër. Sipas shkrimit të tij, ai arrin të depërtojë thellë në botën intime të mërgimtarëve, duke ua zbuluar fshehtësitë e tyre që i ndryjnë thellë në vete, siç janë dashuria për fëmijët, për prindërit, për gratë, për vendlindjet, për yjet e qiellit për Kosovën etj. Ata vuajnë që s’kanë mundësi të kthehen në vendlindje, aty ku çdo gjë që ka e s’ka shpirt i thërret, i fton e i do, ku kanë lindur, ku kanë folur gjuhën e nënës, ku janë rritur dhe ku kanë kujtimet më të mira në jetën e tyre. Shumë prekëse janë rrëfimet e mërgimtarëve kur ata shikojnë në vetmi qiellin dhe mendojnë, duke i bërë vetes pyetje - a thua a ndriçojnë këto yje edhe mbi shtëpitë dhe vendlindjen tonë të dashur?! Ka të tillë që deri vonë zhvillojnë dialog me yjet me hënën, me qiellin për fatin e tyre. Nga biseda që zhvilloi autori i kësaj vepre, jo pak vijnë edhe ankesa të ashpra drejtuar Qeverisë së Kosovës se nuk ka bërë asgjë për kthimin e tyre. Nga rrëfimet dhe kujtimet e mërgimtarëve, lexuesi mëson për momentet më të rënda në jetën e tyre, duke filluar nga ndarja me familje, farefisin dhe atdheun, të cilët në largësi u sjellin vuajtje mundim e mallëngjim. Nga këto rrëfime mësojnë edhe për martesat e tyre me gra të shtyra në moshë të vendeve të ndryshme, martesa këto, që nuk e bëhen me dëshirë e dashuri, por siç thonë ata, për rregullimin e letrave për vendqëndrim. Gjithashtu, nga kujtimet e tyre lexuesi mëson edhe për peripecitë e shumta të tyre, të një numri të konsideruar të mërgimtarëve që ikin nga ushtria jugosllave gjatë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi dhe kalimin në fshehtësi të kufijve të shteteve të ndryshme për t’i shpëtuar ndëshkimit sllav. Dimension i veçantë në rrëfimet e tyre është vuajtja dhe mallëngjimi që përshkojnë fuqishëm qenen e tyre me rastin e vdekjes së prindërve, të fëmijëve, të grave, të vëllezërve farefisit të tyre e që nuk kanë mundësi të vijnë as në momentin e fundit të varrimit.

Mërgata jonë shfaqë shqetësim të madh se një ditë fëmijët e tyre do të asimilohen-zhduken në botën e jashtme, andaj i bëjnë thirrje organeve kompetente të Kosovës që të hapin vende të reja të punës dhe të kthehen në atdheun e tyre.

Në pjesën “Kontributi i mërgatës dhe kujdesi ndaj saj”, autori i veprës sjell mesazhin e punëtorëve tanë të inkuadruar përkohësisht në botën e jashtme për Qeverinë e Kosovës se ajo duhet të ketë kujdes më të madh ndaj diasporës, ngase diaspora ka bërë shumë për popullin dhe për Kosovën. Alidema këtë problematikë të rëndësishme e trajton në dy linja: në kontributin e madh që ka dhënë diaspora për një kohë të gjatë për mbijetesën dhe rezistencën e popullit tonë nën okupimin etnocidal të serbosllavëve, organizimin dhe financimin familjar e shoqërorë, e në veçanti ndihmën e madhe financiare që kanë dhënë për përgatitjen, organizimin, blerjen e armëve dhe pjesëmarrjen e tyre të madhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast ai veçon shumë emra të cilët tani janë në pozita e funksione të ndryshme politike në Kosovë.

Mërgimtarët tanë e ndanë kafshatën e gojës dhe atë me plotë zemër e dhanë për popullin e për Kosovën. Ata me modesti thonë se kanë vënë vetëm një gur në themelin e Shtetit të Kosovës, duke e ndier veten krenarë që kanë pasur mundësi ta ndihmojnë atdheu e tyre.

Po ashtu në këtë pjesë autori sjell brengat, revoltën, shqetësimet, synimet që thonë mërgimtarët për Qeverinë dhe institucionet e Kosovës, e cila nuk është duke u kujdesur sa duhet për ta. Sipas autorit, ata me ngulmë kërkojnë që Qeveria e Kosovës dhe Qeveritë e tjera shqiptare të merren më me seriozitet më problematikën dhe hallet e shumta që ka sot diaspora, së cilës ditë e më tepër po i vështirësohet jeta dhe veprimtaria në vende të huaja. Ajo në mënyrë të veçantë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të bëjë diç më tepër për ta, të hapë vendeve të reja të punës për kthimin në atdhe. Ndërkaq, për ata që mbesin jashtë atdheut, për fëmijët e tyre të hapen shkolla, të pajisen ato me tekste, e mjete mësimore, madje edhe të financohen arsimtarët e tyre, në mënyrë që t’i shpëtojnë fëmijët nga asimilimi.

Të gjitha këto mund të arrihen nëse hapet një Ministri e veçantë për mërgatën tonë e cila do të ishte urë lidhëse në relacionin Mërgata-Kosova.

Autori i veprës “Rrënjë e Degë”, vëmendje të veçantë u ka kushtuar edhe studentëve të cilët studiojnë nëpër vende të ndryshme të botës, në Evropë e në Azi. Nga bisedat e zhvilluara me ta del në pah e dhëna së këta të rinj e të reja e duan atdheun e tyre, jetojnë, ëndërrojnë, punojnë dhe aftësohen me shpresa të mëdha se një ditë, dijen dhe përvojën e tyre të fituar në këto vende të huaja do ta aplikojnë në atdheun e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të shkencës.

Në pjesën “Figurat e Shquara në Diasporë”, autori shkruan për një numër figurash të shquara të cilat kanë jetuar e vepruar në diasporë. Ata kanë vepruar me të madhe në organizimin dhe zhvillimin e drejtpërdrejtë të Luftës për Çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Po ashtu në këtë pjesë, ai veçon edhe një numër të caktuar figurash të shquara kombëtare të cilat jetuan dhe vepruan dikur në diasporë, e të cilët u bën të pavdekshëm me veprimtarinë e tyre, si: Fan. S. Noli, Faik Konica etj. Në vazhdim të kësaj pjese, autori sjell edhe disa emra të njohur biznesmenësh të cilët kanë ndihmuar popullin e Kosovës, si: Bexhet Pacolli, Bexhet Sallahu etj. Këta bizismenë me kontributin e tyre ndihmuan në përmirësimin e gjendjes ekonomike e materiale të një shtrese të popullatës sonë.

Në pjesën “Aktivitete, tubime, fjalime e botime në diasporë”, autori shkruan për një mori angazhimesh të organizimeve të ndryshme me rastin e përvjetorëve të rëndësishëm, të figurave të shquara të kombit tonë, të cilët luajtën dhe luajnë një rol të rëndësishëm në synimin e zgjidhjes së çështjes kombëtare, si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Në kaptinën: “Shënime nga Aeroporti i Sllatinës dhe nga të tjerët”, Sabit Alidema, përveç shënimeve të rëndësishme që sjell për punën dhe veprimtarinë e këtij faktori të rëndësishëm ekonomik, në mënyrë të hollësishme, ai sjell në këtë vepër edhe preokupimet e udhëtarëve të gjinive dhe të kategorive të ndryshme, për jetën, për punën dhe për ardhmërinë e tyre në vende të huaja. Sabiti zhvillon biseda të drejtpërdrejta me ata që udhëtojnë, me ata që vijnë dhe me ata që i përcjellin të afërmit e tyre. Autori me të drejtë konstaton se shumë prekëse janë momentet e ndarjes, të ardhjes dhe të shkuarjes së bashkatdhetarëve tanë nëpër vende të ndryshme të botës. Në këtë aeroport ka takime, ka ndarje, ka bashkime, ka përqafime, ka buzëqeshje, ka mallëngjime, derdhje lotësh, shkëmbim uratash, porosi të ndryshme e përshëndetje të shumta.

Këta udhëtarë i përcjellin, të dashurit, të dashurat, pleqtë, fëmijët, shokët, miqtë etj., ku, secili në mënyrë të veçantë, i përshëndet të afërmit, duke iu uruar mirëseardhje, ose shkuarje të mbarë. Ata që marrin rrugët për në vende të ndryshme të botës sytë u mbesin kah të afërmit, kah vendlindja, kah Kosova, duke marrë me vete mallin dhe dashurinë për të afërmit e tyre, për atdheun. Një numër nga ta, udhëtojnë me ngarkesë të madhe, se si do të gjenden në rrugën e fatit, a do t’u buzëqeshë apo jo!

Në pjesën e fundit “Brengat e mërgimtarëve dhe riorganizimi i tyre në Diasporë”, Sabit Alidema sjell opinionet dhe mesazhet e bashkatdhetarëve tanë, se si mund të riorganizohen më mirë sesa në të kaluarën. Në tubimet e tyre dëgjohet fuqishëm zëri për një riorganizim të brendshëm më të suksesshëm të diasporës në veprimtarinë e saj jetësore e politike, e cila do të ndihmonte më lehtë inkuadrimin e saj në rrjedhat e multikulturave evropiane. Ata thonë se klubet e punëtorëve të deritanishëm më nuk e luajnë rolin e dikurshëm, andaj sa më parë duhet të formohet ”Lobi Shqiptar i të Mërguarve Shqiptarë”, i cili duhet të ishte më gjithëpërfshirës, më funksionalizues dhe më artikulues i kërkesave të diasporës në raport me institucionet e vendeve ku punojnë e jetojnë dhe me Qeverinë e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë etj.

Diaspora në asnjë mënyrë nuk duhet t’i shkëpusë lidhjet me atdheun. Brenga më e madhe e saj është çështja e shkollimit të fëmijëve, ngase ata shkollohen në gjuhë të huaja, çka paraqet rrezik permanent për asimilimin, në një të ardhme jo fort të largët, andaj ata të shqetësuar kërkojnë ndihmë nga institucionet e Kosovës.

Mërgata jonë synon të inkuadriohet në rrjedhat multikulturore të globalizmit evropian, por me gjuhën dhe trashëgimin e saj kulturore, ngase me të huajat nuk do të jenë ata që janë. Në këtë synim Qeveria e Kosovës mund të ndihmojë shumë në organizime, në forma të ndryshme, duke ua mundësuar që mos ta harrojnë trashëgiminë e vet kulturore.

Në fund do thënë se vepra “Rrënje e Degë” e Sabit Alidemës ka një rëndësi të madhe publicistike, dokumentare, historike, politike, shoqërore e kombëtare. Ajo është e para e këtij lloji që merret, kryesisht me trajtimin e problematikës së mërgimit, duke e veneruar atë në shumë sfera jetësore, familjare, shoqërore e kombëtare, në thellësi e gjerësi, duke mos i lënë anash as sukseset, as dështimet, as angazhimet dhe as kontributin e saj të madh dhënë Kosovës dhe popullit të saj.

Vepra thekson në mënyrë të veçantë edhe brengën dhe shqetësimin e vazhdueshëm të diasporës për të ardhmen e saj, inkuadrimin në rrjedhat botërore, rrezikun ndaj asimilimit të gjeneratave të reja që lindin në vende të ndryshme, revoltën dhe thirrjet e tyre për hapjen e vendeve të reja të punës që do të mundësonte kthimin e tyre gradual në atdhe. Kjo vepër, në mënyrë të drejtpërdrejtë me anë të fakteve, dëshmon për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet diaspora në një anë dhe bën thirrje Institucionevetë Kosovës, që sa më parë të angazhohen për t’i dalë në ndihmë asaj në anën tjetër, sepse degët e shpërndara larg rrënjës shumë lehtë mund t’i thyejë era një ditë dhe mund t’i përpijë një natë e errët, duke i larguar përgjithmonë nga trungu i tyre.

38 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page