top of page

„Dashuri Jugu“: një rrjedhë e re e pagëzuar ...


Alma Zenellari

„Dashuri Jugu“: një rrjedhë e re e pagëzuar nga dashuria dhe respekti për njerëzit, për jetën

(mbresë )


Nga Alma Zenellari


Dëshirë spontane për ta njohur krijuesin në tërësi


Kur lexon një apo dy shkrime nga një krijues i panjohur dhe kur ato lënë mbresë të veçantë, vetiu të lindin jo vetëm pyetje e dilema, por natyrshëm të lind dhe një dëshirë spontane për ta njohur krijuesin në tërësi. Vetëm kur e lexon, atëherë mund të pretendosh se ke takuar botën e tij shpirtërore. Je njohur me ëndrrat, dëshirat, dhimbjet, me heronjtë frymëzues të tij… Unë nuk e njoh nga afër z. Fatmir Terziu. Njohja me lirikën e tij ka qenë krejt e rastësishme, kur unë isha në kërkim të një dritareje dashamirëse në promovim të poezive të mia.

Një ditë vendosa të trokas në labirintet e vargëzimeve të poetit Fatmir Terziu duke shfletuar me kujdes vëllimin e fundit poetik “Dashuri Jugu”. Dhe kjo trokitje s”është veçse një dëshirë për të kuptuar sa shpërthyese, sa e gjallë dhe emocionuese është poetika e tij. Mbetesh pa fjalë nga thjeshtësia e tij, po aq nga mençuria e cila zë vend në melodinë e vargjeve. Duke ndjekur këtë lum vargëzimesh mund të kuptosh më në fund se kush është realisht ai.

Ai është njeriu që e pjek fjalën në majën e gjuhës, fotografon mjeshtërisht shijen e fjalëve të shkruara. Lumturia e tij është si një zog me nesh. Është njeriu i dashuruar me çdo rrënjë lisi, me çdo burim , me çdo re, me tokën, shiun, me njerëzit. Adhurues i përjetshëm i gjuhës amtare. “Askush, thotë poeti, nuk do të dëgjojë gjuhë tjetër”. Dhe falë kësaj gjuhe të shenjtëruar, vargjet e tij flenë në një shtrat me mjaltin e dashurisë.


Ritëm dhe narracion i ndjeshëm


Lirikat e Fatmir Terziut kanë një ritëm dhe një narracion të ndjeshëm. Brenda tyre ndihet dilema e tij për të mbetur njeri deri në fund të jetës. Në ato vargje gjendet udha, shtëpia, miqtë, gjyshet me përrallat e lashta, të cilat duken sikur kanë dalë nga fletë biblike. Aty ngërthehen ëndrrat e gjalla e të ngrira. Është e kaluara e trishtë, janë dashuri të ngjizura në yje, begonja që varen nën çati. Të gjitha këto, e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja janë gdhendur në lëkurën e poetit. Në zemrën e tij flenë mistere të frymëzuara nga jugu në veri, ndalesa është jugu.


Në shpirtin e tij hapen fletët e historive njerëzore të pagëzuara nga ninullat, këngët dhe vajet e kënduara nën trarët e shtëpive të vjetra. Kjo ndjeshmëri e tejskajshme nuk ka si të mos na prek edhe ne lexuesit. Duke lexuar kuptojmë se tema kryesore që mbështjell këto vargëzime është dashuria e cila shpërfaqet në një shumësi formash e ndjesish të bukura, të qenësishme.

Poeti nuk e do aspak vetminë. Ai është pjesë e asaj jete plot nerv e cila lëviz marramënthi, ecën vrulltas dhe aty ndihet i gjallë, i mbushur me stinë, me zhurmërinë e ditëve. Bota lëviz me të sotmen. Ai di të dojë kaq bukur dhe na e thotë këtë poetikisht. Dashuria e bën atë të ndihet si një zog mes kaltërsisë së qiellit, si një cicërimë, mjafton që ajo e dashura, shoqja e zemrës, Dea e magjishme të qëndrojë shumë herë më lart në këtë dashuri. Ajo ka një vend meritor, më të epërm se vet ai, këngëtari i kësaj dashurie.


Dashuria i shfaqet sikur drita mes syve.


Poeti, Fatmir Terziu, di të jetë i dashuruar me vajzën e ëndrrave, por di të jetë dhe biri i denjë e i dhembshur, që i këndon mrekullisht shpirtit të nënës, syve të saj që nuk lodhen nga pritja. Nënë, ti kokën ngre ngadalë /dhe pret gjatë,/ të dëgjosh të paktën një fjalë: “Mirëmëngjes!”

Kaq. Vetëm kaq pak, / ja si kjo erë në mesnatë/ do hapet në ëndërrat e tua/ ky urim për 8 Mars, dhe ky mall… Apo vargjet : “galaktikën huazova këtë natë,/ nënokja ime e dashur,/ e yjet i bëra tufë një e nga një.

E pra dashuria për nënën zë një tjetër hapësirë në këtë vëllim poetik ashtu si në hapësirat e zemrës së tij. Ajo ka në sy, në duar, në zemër mijëra bekime për bijtë e saj. Ndaj atij, poetit i duhet kjo dashuri për të bekuar çdo hap , çdo ëndërr , çdo sukses. Pa atë, as pranverë nuk mund të ketë. Poetit në veçanti i duhen të gjitha historitë e dashurive me dëshminë e detit, pa muaj kalendarikë. I duhet gjuha e valëve, bungavilet e ndezura sepse ato i zbukurojnë shpirtin. Atij i duhet edhe gjuha e bukur shqipe, mushti i baltës amtare, rrëfenjat, legjendat, historitë. Pa ato poeti nuk mund të skalis portretin e tij. Pa ato mbetet si një faqe e grisur historie, mbetet si një lum i harruar.


Poezi rrënqethëse: aq dhe kureshtare e përmalluese


Poezia e servirur nga Fatmir Terziu është sa rrënqethëse aq dhe kureshtare e përmalluese. Është e pasur me metafora impresionuese, krahasime e togfjalësha mbresëlënës. Lexon dhe kupton se brenda vargjeve është legjenda e tij e pagëzuar me ujë të bekuar. Autori na shfaqet herë si njeri i dashuruar, herë si udhëtari, vëzhguesi që kërkon të fiksojë thellë shpirtit bukuritë e pafundme të vendit. Herë na shfaqet i dhënë pas arkeologjisë së kohës, si njeriu që shkon në skajet e një kohe të lodhur duke parë e dëgjuar historinë e fjalëve, prerjeve, mbjelljeve e mbirjeve jetike. Herë na shfaqet si kërkuesi i zellshëm që gjurmët e çojnë në një tunel, që pret dritën në fund të tij. Ai është ëndërrimtari, që ëndrrat i lidh pas flatrave të avionëve, në krahë të pulëbardhave që pijnë e dehen në kaltërsi.

Ky udhëtar i devotshëm udhëton në kohë dhe pajiset me mençurinë, të cilën e vjel në dritaren e qiejve. Në çdo faqe libri, ai njeriu poet na shfaqet si adhurues i çdo fragmenti, çdo copëz toke të vendit dhe kërkon të na e zbulojë këtë mrekulli. Portreti i tij dyzohet mes rreshtave, herë poet herë piktor që ngjyen penën e tij mbi retë e Himarës. Zgjedh me kujdes yjet, retë, valët e bardha. Bëhet i ndjeshëm, i bukur me këngën e tij për Jugun. Dhe dëshëron që përrallat e shiut nën çatinë e vjetër të shtëpive, të mbeten të përjetësuara si legjenda e gurit të Qafës së Muzinës.

Fatmir Terziu është tepër detajist dhe këto detaje ai i përdor në favor të shprehjes së tij individuale. Këto detaje i japin ngjyra optimiste krijimtarisë së tij. Çuditërisht emocionohesh nga përshkrimet. Ato janë si ato pamjet filmike, si fotografitë memoriale apo pikturat që nuk i zbeh asnjë kohë. Përkundrazi rimarrin vlera me kalimin e viteve. Në sofrën e tij vargëzuese, me penelin e fjalëve që krijojnë muzikalitet, ai sjell vende që janë bërë për t’u soditur dhe dashuruar përjetësisht si fusha e Vurgut, Llogoraja, Bistrica me zërin mistik të lumit, pulëbardhat marroke në portin e Sarandës etj etj.


Pulson ndjenja e fortë atdhetare


-Në thellësi të vargjeve pulson ndjenja e fortë atdhetare. Një lexues i mirë kupton në to, jo vetëm harenë, ngazëllimin, këngën krenare të poetit për pasuritë e pashterrshme të Atdheut, por ndjen edhe merakun, shqetësimin therrës të njeriut, që jeton për një kohë të gjatë larg vendlindjes. Sepse - thotë autori, -është e natyrshme se gjithkush e ka një hall/ gjithkush e ka një mall e brengë/ gjithkush e ka një mallkim. Nuk është e lehtë të jetosh i ndarë… Ndaj bëhet nostalgjik dhe shpesh bën rikthime në kohë(retro). Këto rikthime, të emocionojnë së tepërmi. Duke ndjekur vargun ndeshemi me lagje, rrugë, me fëmijë të pafajshëm. Takohemi me gjuhën e ndjeshme të shpirtit. Gratë e thjeshta, nënat mes dy gjuhëve, kujtime , intimitete. Lirika të tretura mes syve. Çdo gjë në Dhivër thuhet në një krijim, të flet për tokën, për zjarrin, hijet, aromat. Ai është vendi ku ngjizen dashuritë.

Lirika e Fatmir Terziut është edhe meditative, të zhyt në një botë mendimesh. Përzihesh dhe beson sa i hidhur është realiteti i maskave, realiteti shpërfytyrues i njerëzve shpirtveckël, indiferentë. E Megjithatë ai nuk është aspak pesimist, përkundrazi na qartëson me thëniet e tij. Është koha për të thyer ciklin, është koha për të vrarë zakonin e keq, demonin. Është koha për të jetuar denjësisht, për t’i dhënë besimin fëmijëve që rriten këtu në Atdhe.


Dedikim Jugut


Libri “Dashuri Jugu” tingëllon edhe si një dedikim, si një falenderim dhe mirënjohje për ata bashkëqytetarë të ndershëm, për ata njerëz të thjeshtë të Jugut, që kanë qenë frymëzuesit e tij real. Ndihet kudo nëpër vargëzime, entuziazmi kur takohet me ta, në shëtitoren buzë detit. Magjepset me bukurinë e pashoqe të isos së pavdekshme polifonike, e cila është e gërthyer fort pas geneve joniane. Ndihet ngazëllues dhe i thërret me emër në sofrën e miqësisë.

Falë tyre ai ka mësuar thellësinë e artit të vërtetë. Është joshur nga arti profetik i vargjeve joniane. Ndihet falenderues dhe i impresionuar, kur zbulon dhomën e veshur me xhevahiret e orëve apo kur zgjohet me mëngjeset e pikturuara nga duart e florinjta të piktorëve jonianë. Është i joshur gjer në palcë me këtë fushë bukurie, mbjellë me sqimë dhe dashuri, me këtë kulturë shumëvjeçare e cila mbetet e fortë, kumbuese në memorjen njerëzore, jo vetëm në zërin dhe shpirtin e poetëve jonianë.


Duke përfunduar


Përfundimisht mund të them se “Dashuri Jugu”, libri poetik i Fatmir Terziut, është një lum i ri i pagëzuar nga dashuria dhe respekti për njerëzit, për jetën. Është një det i ri në gjeografinë e shpirtit të poetit brenda të cilit frymojnë shpirtra të vërtetë njerëzorë.

Ka një qiell të pastër ndjenjash, mirënjohjesh falenderimesh. Ndaj kjo dashuri Jugu, mbetet e shenjtë për krijuesin.

93 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page