DASHURI E VONUAR



Liri Bele

Kardiologu, sapo shkëmbeu vështrimin me personin përballë, në moment njohu Selamin, njërin prej shumë pacientëve me të cilët ishte i pashkëputur. Parametrat mjekësor të tij, shoqëruar me një mënyrë sjelljeje mbresëlënese dhe shkallë të lartë intelekti, ishin ruajtur brenda kujtesës e zemrës së tij (me të tjera raste të veçanta), sepse ato ishin pjesëza përbërëse treguese të thelbit të profesionit të mjekut. Fillimisht kishte qenë një takim i zakonshëm në raportin mjek-pacient që u mundësoi njohjen e mëtejshme, e cila, bazuar në respektimin reciprok, u shërbeu si bazë për krijimin e një marrëdhënieje thjesht miqësore. Për më tepër, pacienti kishte mbaruar fakultetin në degën e veterinarisë.

Selami tregonte përkushtim në përditshmërinë e ushtrimit të profesionit, sa viteve të fundit, simptomat apo ankesat tipike, përkatësisht rritjes së shifrave të tensionit të gjakut, i kishte konsideruar si shenja të mbilodhjes në punë. Bazuar në prezantimin e situatës shëndetësore të Selamit që vlerësohej mbi mesataren, si një arsye e fortë për të faktuar ecurinë e diagnozës së përcaktuar saktë, protokolli detyronte kontrolle mjekësore të domosdoshme të planifikuara, ndaj të cilave ai tregonte korrektësi dhe nuk harronte asnjëherë të mos përmendte shprehjen e vet të përzgjedhur:

“Detyra jonë është kujdesi, ndihma sa më e shpejtë për t’i siguruar jetëgjatësi qenies së gjallë. Kjo është linja jonë e përbashkët, por, nga ana tjetër, ne pozicionohemi në largësi të skajshme me njëri-tjetrin, për faktin se ju e ndjeni brenda zemrës, e shihni me sy, e mendoni, e vlerësoni gjendjen shëndetësore të pacientit mirënjohës, duke qenë njëri prej tyre. Jam plotësisht i sigurt! Sa i përket mjekut të kafshëve, një punë tepër e lodhshme që e njoh mirë, as mund të krahasohet apo të komentohet”.

Mjeku, njëherazi miku i Selamit, po e dëgjonte i përqendruar. Nuk mund të mos binte në sy buzeqëshja e lehtë dhe e çiltër si shoqëruesja e përhershme e natyrshmërisë së karakterit të tij njerëzor dhe, për më tepër, e njihte brendinë e kësaj teme të shtjelluar në shumicën e bisedave të mëparshme. I tërhoqi vëmendjen dhe nisi të shqetësohej (pa mundur ta njihte shkakun) pamja kundrejt, që i dukej krejtësisht e ndryshuar, mbasi e njihte imtësisht përgjatë një periudhe trevjeçare, kur, në zanafillë, Selami prezantoi njërin nga pacientët. Atëherë, puna e përbashkët dhe këmbëngulëse realizoi përmirësimin e pritshëm, gjë që i gëzoi të dy.

Po tani, çfarë e shqetësonte?

- I dashur Selam, ia dole me sukses! Nuk po të bëj qejfin, por po prezantohesh një burrë i pashëm qysh kur ti arrite përputhjen korrekte të gjatësisë me peshën e trupit (dhuratë nga nëna natyrë që të përzgjodhi ty njërin nga anëtaret e grupit të meshkujve shtatlartë). Mirëpo, pikërisht vetë iu largove atyre parametrave dhe tejkalove peshën me më të lartin numër të kilogramëve për një mashkull normal. Mbipesha jote pothuajse e frikshme dhe transformimi në një grumbull mishi e dhjami ta zbehu përkohësisht vlerën e konstruktit të gjatë, aq sa ishe kthyer në një shëmtirë njerëzore. Saje vullnetit të çeliktë, flake tej gjithçka të dëmshme dhe fitove admirimin tim. Dua të kujtoj edhe diçka tjetër. Në të njëjtën kohë, matjet e përsëritura të tensionit arterial tek ti tregonin shifra shqetësuese, të shoqëruara me rritjen e përmbajtjes së yndyrnave e të sasisë së sheqerit të tretur në gjakun qarkullues. Nëse këta faktorë rrezikues gjenden së bashku tek i njëjti person, zemra e tij dëmtohet ndjeshëm.

Ndërsa po bëj krahasim midis dy situatave të kaluara prej teje, me të drejtë ta vlerësoj punën këmbëngulëse, të ndërgjegjshme përgjatë viteve të fundit, forcën e karakterit, të respektoj se rikthimi yt brenda parametrave normal ishte një arritje e pazakontë, e vështirë.

Po, tani e prezanton qartë fytyrën burrërore me ngjyrë të bronztë, për shkak të tejzgjatjes së orëve të punës nën efektin e rrezeve përvëluese. Banojmë në qytet, por edhe ne i njohim mirë kushtet e jetës në fshat. Të mbaj mend mirë kur më kundërshtoje sugjerimet për të mbajtur kapele mbi kokë. Duket se ty të tremb vendosja qoftë e një kashtoreje të thjeshtë, mbase mendon se ta fsheh bukurinë e flokëve të dendur me ngjyrë të çelët, të dallgëzuar e të derdhur deri në mes të ballit të lart. A kam të drejtë, Selam? Ky është realiteti, pranoje… Të mos i hahet haku këtij shalli të bukur rreth qafës sate, - mjeku zgjati dorën para, preku lehtësisht me dorën e djathtë një shall të leshtë ngjyrë gri të punuar me mjeshtëri, të shndërruar gati në një objekt artistik. Çuditërisht ai e mbante rreth qafës nga fundi i vjeshtës, gjatë gjithë dimrit dhe pothuajse tërë marsin. - Asnjëherë nuk je ankuar për probleme të fytit, nuk ke pasur kollë falë tij. Të dy e vlerësojmë…

Selam, të jesh i sigurt se kapela nuk mundet të pengojë shkëlqimin e ëmbël të syve tu me nuancën e rrallë midis të gjelbrës dhe bojëqiellit. Për më tepër kapela është një mjet praktik dhe funksional, sepse shmang rrezikun e përvëlimit të diellit gjatë verës. Me këtë rast, do të sugjeroja që kapela ka vendin dhe kohën e saj, sikurse shalli…

Mjeku e ndërpreu një moment fjalën, se iu krijua një përshtypje e pakëndshme, sikur ngjyra e syve që kishe përballë, ndryshoi si me magji. Nuk ishte më ngjyra e zakonshme, por ata u errësuan dhe morën një shkëlqim rrezatues, si të një metali të çeliktë dhe dukej se ishin gati të shpërthenin në lot.

Sytë e Selamit dhe një pëshpëritje rrëqethëse u shoqëruan nga fjalët e tij:

- Oh! Ky shall… As mund ta imagjinoja, më tradhtoi… E bëri…

Mjeku u shqetësua. Në pamundësi të kuptonte ndryshimin e papritur të gjendjes shpirtërore të Selamit, po ndihej keq në vetvete, së pari si mik i tij, së dyti në pozitën e mjekut. A mos vallë ai po humbiste logjikën papritmas? Pse?

- Më kupto Selam, je njeri me vullnet, me durim të admirueshëm, gjithashtu ke tregur se punën e përfundon me cilësi. E flake tej mbipeshën, duke pakësuar kilogramët e tepërt. Treguesit e yndyrnave dhe sheqernave të gjakut u kthyen brenda parametrave të duhur, njëherazi shifrat treguese të tensionit normal të gjakut të matura periodikisht, tregojnë bazën e fortë të bashkëpunimit midis nesh, - dhe mori në duar fletët treguese të rezultateve të analizave, preku aparatin e tensionit, duke e ngritur paksa nga tavolina manometrin. Gëzimin e brendshëm e pasqyronte fytyra, kryesisht shikimi drejt tij.

Pas një çasti Selami iu përgjigj:

- Të kuptoj qartë, po më dukesh i habitur, ndërsa më ke ngulur sytë, të bën përshtypje pamja ime e këndshme sot, por, a nuk ishe ti që më këshillove me shumë durim për dietën e duhur? Të pohoj se i plotësova me kënaqësi rekomandimet e tua për dietën, e bëra tepër të kufizuar, strikte, - dhe si të donte të bëhej më i besueshëm e përsëriti disa herë fjalën e fundit.

Pastaj tregoi hollësira rreth dietës, të cilën e shoqëronte në të njëjtën kohë me aktivitet fizik të tepruar në kopshtin e shtëpisë apo dhe larg në ara e vreshta.

Mjeku nuk mund të mos i kërkonte shpjegime për fjalët e paqarta dhe tronditëse për sendin më të zakonshëm dhe funksional, siç është një shall i leshtë. Selami lehtësisht tundi kokën. Sapo mori fjalën, në zërin e tij nuk mund të mos dallohej një brengë e thellë dhe e pashpjegueshme:

- Brendia e takimit të sotëm përmban ca fije të vogla, ende të pashkëputura me fëmijërinë e largët, ndikimin e të cilave pas kaq vitesh më duhet ta shtjelloj ngadalë, derisa të përputhen midis njëri-tjetrit, se falë tyre ti do të kuptosh dhe do të më ndihmosh… Por, të lutem të më falësh për kohëzgjatjen. Pikërisht tani detajet rreth saj janë të domosdoshme, si kurrë më parë…