top of page

„Dashuri diktatori“ mes nocionit „dialektika master – skllav“ dhe „refuzim-zhgënjim“ të Hegelit


Xhevat Mustafa, shkrimtar, analist, publicist

„Dashuri diktatori“ mes nocionit „dialektika master – skllav“ dhe „refuzim-zhgënjim“ të Hegelit


Prof Dr Fatmir Terziu


Abstrakt


Shkruar nga Xhevat Mustafa, romani „Dashuri diktatori“ (2021) është ndër romanet e parë shqiptarë, që hyn në një zhbirim të një labirinthi të shumëpërfolur, atë që lidhej me karakterin vetëpëlqyes të Enver Hoxhës dhe sensit të zotërimit diktat të Tjetrit, në formën e mollës në dorën e pronarit të „skllavia Izaura“[1], por pak të guxuar për të shestuar në thelbin e tij. Në roman, ndjenja e zotërimit dhe ajo e zhgënjimit janë dy nga elementët më dominues. Lexuesit mund ta kuptojnë atë që nga fillimi i romanit. Në këtë punim, qëllimi është të analizojmë zotërimin dhe zhgënjimet e disa personazheve dhe rezultatet e pashmangshme të kësaj ndjenje.


Aspektet filozofike në roman


E para, që vjen si një nocion filozofik i zotërimit na shpie tek, „dialektika master – skllav“ të Georg Wilhelm Friedrich Hegel. E përdorur në një konsideratë të jashtëzakonshme tek konceptimi i „Fenomenologjisë së Shpirtit“ fraza origjinale gjermane „Herrschaft und Knechtschaft“, e përdorur jo më kot nga Hegeli, funsksionon, pos përkthimit adekuat në thelbin e saj domethënës si „Zotëri dhe Skllavëri“. „Dialektika master-skllav“ tashmë prej kohësh konsiderohet gjerësisht si një element kryesor në sistemin filozofik të Hegelit dhe ka ndikuar shumë në shumë filozofë të mëvonshëm. Atë që e nënkuptojmë nga pasazhi është e qartë.

E gjitha vjen në formën narrative dhe ka nëntekst zhvillimin e vetë-ndërgjegjes si të tillë në një takim midis asaj që në këtë mënyrë (d.m.th., del vetëm nga ky takim) dy qenie të dallueshme, të vetëdijshme. Kjo në romanin e autorit Xhevat Mustafa, sikurse është sqaruar dhe më parë, vjen me dy linja. Linja e parë përmbledh historinë e shoqërisë dhe të dashurisë së njëanshme (nga ana e tij) të Enver Hoxhës me Aurelian, komshijen italiane gjatë viteve të rinisë në Gjirokastër, si dhe të martesës së saj jetëshkurtër, për shkak të ndëshkimit të bashkëshortit të saj, Xhuzepe Terrusi nga ana e Enver Hoxhës. Kjo linjë fillon me episode nga takimet dhe bisedat mes Aurelias dhe Enverit, në vitet 1926-1934. Aurelia ishte një vajzë e bukur dhe binte shumë në sy nëpër rrugët e qytetit të vogël të Gjirokastrës. Ajo kishte si pasione letërsinë dhe muzikën, nëpërmjet pianos dhe gramafonit, që kishin në familje. Edhe Enveri shquhej për bukuri të fytyrës dhe të trupit. Por ai dallohej, edhe për kujdesin e tepëruar ndaj dukjes së tij të jashtme dhe për ambicje egoiste dhe për tendenca aventureske. Ata kishin mundësi të takoheshin gjatë muajve të verës, kur ktheheshin në Gjirokastër për pushimet shkollore. Aurelia kthehej nga Selaniku, ku studionte në një kolegj francez murgeshash. Enver Hoxha vinte nga Korça, kur ishte nxënës në Liceun francez dhe nga Monpelje, kur ishte student në univertitetin e këtij qyteti francez. Enver Hoxha bie shpejt në dashuri me Aurelian dhe është këmbëngulës në qëllimin dhe kërkesat e tij për të kaluar në fejesë dhe martesë. Por, Aurelia nuk i përgjigjet pozitivisht dashurisë së tij. Këtu del dhe vetë thelbi i dialektikës, që shkon deri tek nocioni filozofik i Hegelit.

Thelbi i dialektikës së Hegelit tek ky pasazh i romanit të Mustafës, ashtu si në origjinalin e shfaqur nga Hegeli tek konceptimi i „Fenomenologjisë së Shpirtit“, është lëvizja, ose lëvizja e njohjes, në të cilën dy vetë-ndërgjegjet janë të konstituuara duke qenë se secila njihet si e vetëdijshme nga tjetri. Kjo lëvizje, e çuar në mënyrë të pashmangshme në ekstremin e saj, merr formën e një „lufte drejt vdekjes“, në të cilën njëri zotëron tjetrin, vetëm për të gjetur se një zotëri i tillë e bën të pamundur njohjen, që ai kishte kërkuar, që „nga skllavi“, më vonë në „ky shtet“, nuk është e lirë ta ofrojë atë.


Në anën tjetër qëndron e dyta, që është disi refuzuese. Ajo vjen si qasje nga fakti i zhgënjimit. Dhe në këtë rast Aurelia e romanit të Xhevat Mustafës, këmbëngul se shikon dhe dëshiron tek ai vetëm një shok dhe asgjë më shumë. Refuzimi i saj shkakton tek Enver Hoxha pakënaqësi dhe dëshirën për hakmarrje, të cilat i fsheh dhe nuk i shpreh në bisedat me Aurelian. Por, nuk i fsheh në një bisedë me motrën e tij. Në një ditë të verës së vitit 1936 motra e vogël i tregon se Aurelia ishte fejuar me Xhuzepen, drejtor në Bankën Italiane në Gjirokastër dhe që pas disa javësh do të transferoheshin në Vlorë. Në vijim, në këtë linjë përfshihen disa episode nga periudha e lidhjes së Aurelias me Xhuzepen, si një fundjavë romantike në një hotel dhe në plazhin e Sarandës gjatë fillimit të fejesës; ceremonia e dasmës po në Sarandë; udhëtimet e muajit të mjaltit në Venecia, Verona, Milano, Torino, Romë, Pulia... Është jo më kot kjo arsye e autorit, pasi në filozofinë e Hegelit, kërkohet zhbirimi që sjell në pah vetë refuzimin si shkak për zhgënjimin.

Zhgënjimi mund të përkufizohet si një ndjenjë e qasjes së një bote të brendshme të padukshme nga indikacionet ushqyese që vijnë nga iluzionet ose fantazitë e protagonistëve, ose ndjenja që shkon për të vërtetuar, se diçka është zhgënjyese, sepse nuk i ka përmbushur pritjet delirante, apo ato të cilat vijnë nga vetë-pëlqimi delirant i vetvetes. Dhe kjo dihet se ku synon. Kur zhgënjeheni fitoni përvoja, megjithatë, ato ju bëjnë të ndiheni të palumtur. Ju mësoni disa mësime jete nga zgjedhjet tuaja, por në të njëjtën kohë ato shkaktojnë trishtim. Termi „zhgënjim“ është një nga karakteristikat domethënëse të modernizmit. Siç tha Virginia Woolf, tek narrativi i saj i famshëm „Jeta“, se 'Jeta nuk është një seri llambash koncertesh të rregulluara në mënyrë simetrike…', një nga mesazhet e saj të qëllimshme mund të ketë qenë realitetet që janë kundër pritjeve tuaja. Dhe në këto pritje, natyrisht është dhe vetë fati i Aurealias, që në të gjithë atë që ndodh në narrativ e kulmon me vënie në vëmendjen e Sabiha Kasimatit, dashurisë tjetër, që Enver Hoxha, sikurse mësohet e dërgoi në fatin e dialektikës „master-skllav“.

Në vitet 1939-1943 Xhuzepe ka lidhje, dreka e darka edhe me oficerë të ushtrisë italiane në Vlorë. Në disa prej këtyre takimeve shoqërore është e pranishme edhe Aurelia. Njeri prej oficerëve, Euxhenio, guxoi të shkonte përtej miqësisë, të kërkonte marrëdhënie të fshehtë intime me Aurelian. Ajo nuk pranon. Nisur prej këtij përjetimi Aurelia debaton po atë natë me Xhuzepen, duke i kërkuar të rrallojë kontaktet, drekat dhe darkat me ushtarakët e lartë në Vlorë.

Urrejtja dhe hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj ish shoqes së tij të rinisë, Aurelias, nisin të shprehen pas fitores së komunizmit në Shqipëri, më 29 nëntor 1944, kur ai arriti të jetë njëkohësisht njëshi i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe kryeministër i Shqipërisë. Në një nga ditët e para të dhjetorit 1944 Xhuzepe dhe Aurelia debatojnë nëse duhet t'i dërgonin një telegram urimi Enver Hoxhës, për fitoren dhe detyrat e larta. Xhuzepe, i nisur nga frika dhe interesi për t'i bërë qejfin Enver Hoxhës, propozon dhe këmbëngul që t'ia nisin telegramin e urimit. Aurelia, duke e njohur më mirë Enverin, nuk pret ndonjë ndryshim apo përgjigje mirënjohjeje dhe falenderimi nga ai. Ashtu siç e kishte parandjerë Aurelia, në fund të marsit 1945, Xhuzepe, që ishte drejtor në Bankën Italiane në Vlorë, arrestohet me akuzën e sajuar se "ishte implikuar në transfertat e paligjshme të arit shqiptar për në Itali, gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga ushtria italiane". Në një proçes gjyqësor formal apo farsë Xhuzepe u dënua me 8 vite burg. Aurelia i dërgon disa telegrame Enver Hoxhës lidhur me arrestimin dhe dënimin e bashkëshortit të saj. Një ditë ajo niset në Tiranë për ta takuar spontanisht Enver Hoxhën, duke e pritur gjatë afër rrugës ku ai kalonte zakonisht nga shtëpia në zyrë dhe anasjelltas. Ndërsa ishte duke e pritur, rastësisht ajo i bie në sy Sabiha Kasimatit. Dhe këtu merr formën më të detajuar zhgënjimi, si faktor tejet dialektik i filozofisë së Hegelit.

Për të kuptuar më mirë termin 'zhgënjim', mund të kërkohet të kuptohet zhvillimi i periudhës moderne. Në librin e tij „E gjithë ajo që është e ngurtë shkrihet në ajër“ („All That Is Solid Melts In Air“) (1982), Marshall Berman ndan modernitetin në tre faza. Shkurtimisht, ai deklaron se, faza e parë është një periudhë e pavetëdijshme midis shekujve 18 dhe 19. Njerëzit e jetojnë atë, por ata nuk kanë ide se çfarë është moderniteti. Faza e dytë është Revolucioni Francez. Siç është një përpjekje e qëllimshme për transformim njerëzit bëhen më të vetëdijshëm. Faza e fundit është pas Luftës së Madhe. Njerëzit u besojnë premtimeve të falsifikuara të dhëna nga qeveria, por përballen me të vërtetën e tmerrshme dhe përfundojnë me zhgënjimin.


Jo thjesht si arsye protagonisti


Romani „Dashuri diktatori“ (2021) është romani i serisë së disa romaneve të shkrimtarit, Xhevat Mustafa, por konsiderohet si më i miri nga shumë kritikë. Historia e romanit bazohet në një faktor mjaft domethënës së protagonistit kryesor, diktatorit Enver Hoxha, kështu që mund të kategorizohet si një roman që shkon në linja të mbuluara me dritëhije vitesh, me uzurpime retushimesh, e me zhdukje faktesh. Shkurtimisht, romani tregon historinë e dashurive të diktatorit dhe marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin, si dhe të tjerët. Por në thleb sikurse e dikothet janë vetë linjat dialektike të filozofisë së Hegelit, sikurse i parashtrova, ato që ndërtojnë një narrativ të bukur e të mirëlexueshëm. Fillimisht, unë do të përpiqem të sqaroj sensin e zhgënjimit përmes karakterit të të dy dashurive, dy vajzave që piketoi dhe u hakmorr brutaisht diktatori, të cilat janë disa nga viktimat më të dukshme të kësaj ndjenje. Arsyeja e zhgënjimit në këtë lidhje buron nga faktet dhe ato që autori i ma mësuar mes konsultimeve me Aldo Renato Terrusi, Gezim Peshkëpia, Dr. Ivi Kasimati, Osmon Kaceli, etj...

Dy ish vajzat e dashuruara nga Enver Hoxha njiheshin edhe nëpërmjet bisedave me Enverin, edhe nëpërmjet fotografive që ai kishte me ato dhe që ai u kishte treguar po vetë, në intimitet. Pas disa muajsh pa përgjigje të asnjë telegrami ajo arrin ta takojë Enver Hoxhën për pak minuta. Ky i kthen përgjigje se nuk mund të lehtësonte dënimin e bashkëshortit të saj, duke u justifikuar se nuk ndërhynte dot në punët e organeve të drejtësisë. Po me këtë "argument" Enver Hoxha ishte justifikuar edhe para lutjeve dhe lotëve të prindërve dhe të motrës së tij, kur në maj 1945 lejoi të dënohej me vdekje me pushkatim Bahri Omarin, burrin e motrës së tij të madhe. Po kështu kishte vepruar e thënë edhe për arrestimin e ish shoqes tjetër të tij, intelektuales së shquar Musine Kokalari, e diplomuar për gjuhë dhe letërsi italiane në Universitetin e Romës. E zhgënjyer nga indiferentizmi i Enver Hoxhës dhe e bindur se ai po hakmerrej ndaj saj, Aurelia bashkë me djalin e vogël, Aldon, të lindur në janar 1945, shkon ta takojë Xhuzepen edhe në Burgun e Vlorës, edhe në Burgun e largët të Bulqizës. Si rrjedhojë e kushteve të tmerrshme të burgut dhe të ndarjes së gjatë nga gruaja dhe djali, shëndeti i Xhuzepes është përkeqësuar shumë dhe vdekja e tij nuk duket e largët. Edhe me lutjet e vetë Xhuzepes, Aurelia bën kërkesë për riatdhesim në Itali. Miratimi i kërkesës së saj, ashtu si edhe të qindra italianëvë të tjerë të mbetur në Shqipëri, pas përfundimit të luftës, zgjat rreth 4 vjet. Por, një ditë, gjatë kohës prej disa orësh, kur ishte në rradhë për t'u interesuar për kërkesën e saj, një prostitutë i thotë se përgjigja pozitive mund të shpejtohej, duke bërë një sakrificë. Si femër e bukur ajo mund të hynte në lidhje me ndonjë nëpunës në zyrën e riatdhesimeve apo me ndonjë njeri që kishte lidhje të forta më ndonjerin prej tyre. Efektin e kësaj alternative apo mundësie Aurelia e shikon me sytë e saj edhe kur ishte në rradhë. Një vajzë e re dhe e bukur italiane, me njohje nga brenda zyrës, e merr shumë shpejt përgjigjen pozitive për veten dhe nënën e saj. Sigurisht Aurelia nuk e pranon këtë rrugë. Më 1949 Aurelia dhe Aldo nisen për në Pulia, duke e lënë Xhuzepen në Burgun e Burrelit. Pa Xhuzepen në tavolinë i gjejnë edhe festat e Krishlindjeve dhe të Vitit të Ri, 1950 dhe 1951. Ky u rezistoi kushteve të tmerrshme në Burgun e qytetit të Vlorës dhe në Burgun famëkeq të Burrelit deri më 2 mars 1952, kur vdiq si pasojë e një krize të rëndë dhe të mungesës së kujdesit shendetsor në burg. Telegrami për vdekjen e tij arrin në Itali vetëm pas 3 muajsh. Xhuzepen e varrosin në një gropë, poshtë degëve të një qershie të vjetër, në mes të oborrit të burgut. Këtu ishin varrosur edhe shumë të tjerë më përpara. Qëllimi i autoriteteve të burgut ishte që viktimat të mos kishin as varr, ku familjarët të shkonin për t'u vendosur një tufë me lule. Eshtrat e Xhuzepes do të ngatërroheshin me të viktimave të tjera të mëparshme dhe të mëvonshme. Kur t'i kërkonin familjarët do të ishte shumë e vështirë të gjendeshin dhe të identifikoheshin eshtrat e secilit.


Përtej narrativit


E gjitha kjo që vjen nga narrativi, si në kontekstin filozofik të dialektikës „master-skllav“, ashtu dhe në atë të hakmarrjes dhe zhgënjimit, natyrisht të shpie në ditët tona moderne të botës së krimit e të uzurpimit të pushtetit mes formave të tilla, të dashurive, drogës, krimit, trafikimit, në serialin e NetFlix „Mbretëresha e Jugut[2], që është një serial mjaft i shikuar, e që thuajse trajton në mënyrë të ngjashme, por me një formë më moderne të kohës, ku liria e keqpërdorur natyrisht ka çmim tjetër. Në anën tjetër zhgënjimi dhe hakmarja janë thuajse dhe faktorë të uzurpuar nga vetë-pëlqimi, brutalileti dhe miskiniteti i diktatorit dhe në këtë rast nga akti që lidhet me kreun e kartelit të drogës e që bëhet Guvernator, duke u përfshirë me para e krim në politikë.

Nëse në letërsinë britanike, në tërësi, përshkrimi i dashurisë dhe besimit të D.H. Lawrance tek romani ‘Bijtë dhe të dashuruarit’, që është një nga romanet thelbësore të shekullit të 20-të, mund të interpretohet si një lloj fatkeqësish që shkatërrojnë jetën e zonjave Morel, Ëilliam Morel dhe Paul Morel, në romanin e shkrimtarit Xhevat Mustafa, „Dashuri diktatori“ (2021) linjat e dashurisë nuk janë thjesht shkatërrim jetësh, por masakër, çnjerëzim, brutalitet, krim që shkon përtej vdekjesh, se aty janë vënë në rrezik jetë të jetëve, breza të tërë të ndëshkuar e të zvetënuar, të harruar e të vënë në hijen e vetë jetikes. Ndërsa ajo që i bashkon është të gjitha arsye të tilla shkaktojnë zhgënjim për ta dhe tregojnë se dialektika „master-skllav“ e Hegelit është një linjë e pikasur bukur nga autori dhe që funksionon deri në majën e lartë të komunikimit për lexuesin.

Ky komunikim i lartë e bënë narrativin në vetvete që të dallojë mjaft mirë dy linjat e tij, që padyshim nuk mund të funksionojnë jashtë filozofisë së Hegelit. Ndërsa e para tashmë e konkretizuar fuknsionon sikurse u citua, e dyta është një përmbledhje me ngjarje të ndodhura dhe të krijuara, por që gjithnjë ka apriori dialektikën „master-skllav“ dhe zhgënjimin. Thuajse të gjitha këto ngjarje kanë të bëjnë me historinë e njohjes qysh në vitet e shkollës, në Liceun Francez të Korçës mes Sabiha Kasimatit, (shkencëtare biologe, e diplomuar në Torino më 1941) dhe Enver Hoxhës. Kjo del qartë në narrativin e romanit dhe shkaku është i qartë, se Kasimati, e njihte shumë mirë të shkuarën problematike të Enver Hoxhës në Korçë dhe Francë, po ashtu ajo ishte dhe një faktor i zhgënjimit, si pasojë e kundërshtimit prej saj të dashurisë së Enver Hoxhës, dhe ndaj Sabiha Kasimati u survejua vazhdimisht dhe hapur gjatë periudhës janar 1945 -shkurt 1951.

Autori e bën narrativin më të zhdërvjellët dhe natyrshëm në këtë linjë përfshin edhe episode nga shoqëria, takimet dhe bisedat e Sabihasë me publicisten dhe poeten Mysine Kokalari, diplomuar në Universitetin e Romës për gjuhë-letërsi italiane si dhe me publicistin dhe poetin Manush Peshkëpia, në periudhën e viteve 1941-1951. Bisedat e tyre kanë si tema kryesore politikën, gjendjen dhe përspektivën e Shqipërisë. Në ato ndjehet dhe shprehet edhe frika dhe pasiguria si rrjedhojë e ardhjes në pushtet të ish shokut të tyre Enver Hoxha dhe e ruajtjes prej tij të ndjenjave të urrrejtjes dhe të hakmarrjes ndaj tyre. Me frymë dhe ngjyra lirike janë episodet e miqësisë mes Sabihasë dhe Enrikos, shok universiteti me atë, në periudhën 1937-1941. Kur kërcenin bashkë valse të Shtrausit dhe të Shopenit në mbrëmjen e diplomimit dhe të lamtumirës Enriko i lutet Sabihasë të qëndrojë me të në Torino. Por, Sabiha nuk pranon. Një ditë më parë ajo kishte refuzuar edhe ofertën e dekanit të fakultetit të Biologjisë në Universitetin e Torinos, për të qëndruar si asistente pedagoge në këtë universitet. Enriko nuk e harron dot Sabihanë. Me dëshirën për një lidhje dashurie me Sabihanë dhe për të shkuar deri në martesë, Enriko kërkon vullnetarisht të vijë si ushtar në Shqipëri më 1942. Një ditë ai e befason Sabihanë kur, i veshur si ushtar, vjen për vizitë në shtëpinë e saj. Ai ia rishpreh dashurinë, por përsëri Sabiha e dëshpëron dhe zhgënjen me një "JO" të qartë. Pas disa muajsh Enriko plagoset rëndë në një nga luftimet dhe humb shikimin në dy sytë. Kështu merr fund edhe historia e lidhjes mes tij dhe Sabihasë.

Për 6 muaj të vitit 1944, Sabiha është e shtruar në Sanatoriumin e Torinos, për t’u mjekuar për shenja tuberkulozi. Këtu njihet me Manfredon, një shkrimtar i ri Italian, autor i dy romaneve… Por, njohja e tyre nuk vazhdon gjatë, sepse Mamnfredo vdes shpejt.

Në vitet 1947-1951, krahas depresionit nga survejimi prej spiunëve të Sigurimit të Shtetit, Sabiha jeton edhe çaste të bukura e të lumtura me Astritin, të fejuarin e saj, gjithashtu një intelektual elitar të kohës. Me atë ajo ndan edhe vuajtjet shpirtërore, edhe dëshirat dhe ëndërrat për të ardhmen e tyre si familje. Por, ndryshe nga Astriti, në bisedat e Sabihasë janë të pranishme e të kuptueshme edhe pesimizmi, frika, paniku, pasiguria. Ato kanë një burim: emrin, fytyrën, kujtimin dhe imazhin e një njeriu: të Enver Hoxhës. Urrejtja dhe hakmarrja e Enver Hoxhës arrijnë deri në ndëshkimin e saj me pushkatim më 26 shkurt 1951, me akuzat e fabrikuara si "terroriste" dhe "armike e popullit". Sabiha Kasimati është e vetmja femër, që u arrestua dhe dënua me pushkatim si të implikuar në të ashtëquajturën "Bomba në Ambasadën sovjetike në Tiranë". Mes të arrestuarve, sipas listës së përgatitur edhe me dijeninë dhe shtesat e Enver Hoxhës, është edhe tregtari Jonuz Kaceli, gjithashtu me njohje dhe lidhje të hershme me diktatorin shqiptar. Një natë para ekzekutimit Jonuzin e torturon vetë Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm i kohës dhe një nga njerëzit më të afërt të Enver Hoxhës si dhe një oficer i policisë, i njohur për dhunim kafshëror ndaj të burgosurve gjatë hetuesisë. Ata e hedhin Jonuzin gati pa ndjenja dhe të mbytur në gjak nga dritarja e katit të tretë, me dëshirën që të vdesë në vend. Dhe ashtu ndodh. Por, publikisht vrasja e tij urdhërohet të paraqitet si vetëvrasje. Nëpërmjet fundit tragjik të këtij tregtari synohet të transmetohet mesazhi se Enver Hoxha dhe regjimi i tij e urrenin dhe e ndëshkuan Jonuz Kacelin edhe si përfaqësues të klasës së kapitalizmit, i cili në Shqipërinë e asaj kohe ishte në fazën embrionale.

Një orë para mesnatës së ekzekutimit Sabiha shikon një ëndërr të bukur. I duket se i fejuari, Astriti, ka ardhur me fustanin e saj bardhë, të nuses, për ta marrë që të bëjnë dasmën e martesës së tyre. Por, ëndrrën e saj e ndërpret dhunshëm zëri i njerit prej gardianëve, që e urdhëron të bëhët gati se do ta dërgojnë në një vend tjetër. Ndërsa udhëtojnë me një kamion ushtarak për në vendin e ekzekutimit Sabiha bisedon për herë të fundit me mikun e saj Manush Peshkëpia si dhe me intelektualët dhe gjirokastritët e tjerë, Reiz Selfo dhe Qemal Kasaruho. Të katërt kanë pasur njohje të afërt personale me Enver Hoxhën dhe dinë shumë për mangësitë e tij në formimin intelektual dhe për aventurat që ka përjetuar gjatë viteve të studimeve dhe të punës në Korçë dhe në Francë. Të katërt u arrestuan dhe do të dënoheshin me pushkatim më 26 shkurt 1951 si "terroristë" në përrallën e "bombës në ambasadën sovjetike" në Tiranë. Të nesërmen arrin lajmi në familjet e Manushit dhe të të pushkatuarve të tjerë. Gratë, fëmijët dhe familjarë të tjerë shkojnë para godinës se Ministrisë së Brendshme për të kërkuar se ku i kanë futur kufomat e të pushkatuarve. Nuk u tregojnë. Siç thuhet edhe në epilog, kockat e tyre do të gjenden pas 41 vjetësh, më 1993.

Sekuencat në narrativ zgjerohen dhe me gjuhën tipologjike të artit ata krijojnë funksione të kuptueshme. Kjo shihet dhe mbështetur në lidhjet që ka me Sabihanë dhe për fatin e përbashkët, të pushkatimit më 26 shkurt 1951. Në roman këto janë integruar me disa episode që kanë të bëjnë me Manush Peshkëpinë. Në këto episode ai paraqitet si bashkëshort, si prind, si mik i sinqertë, si poet, si antikomunist... Transmetojnë emocione të forta episodi i arrestimit të tij në natën e 19 shkurtit, para syvë të gruas dhe të dy fëmijëve, djalit 13 vjeç dhe të vajzës 3 vjeçe si dhe biseda e tij para pushkatimit me Sabihanë.

Romani shkon përtej perceptimeve, pasi narrativi i tij synon të vërtetën. Diku në shënimet e tij shkrimtari Xhevat Mustafa sqaron „Për efekt të vërtetësisë historike dhe për të nënkuptuar se historia e "Bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951" ishte thjeshtë një sajim apo skenar i paramenduar, janë shfrytëzuar edhe dy dokumente arkivore. I pari është procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë më 20 shkurt 1951. I dyti është telegrami drejtuar Stalinit, udhëheqësit absolutist të Bashkimit Sovjetik. Ky telegram shpreh shumë qartë edhe servilizmin dhe hipokrizinë e udhëheqjes shqiptare ndaj tij.“

Skenat që shkojnë sërrish tek zhgënjimi janë skena që plotësojnë elementin zinxhirr në narrativ dhe kur lidhen me mosgjetjen e eshtrave, „Eshtrat e 22 viktimave të pushkatuar më 21 shkurt 1951 u gjetën pas 42 vjetësh, në një ditë nëntori të vitit 1993. Ndërsa përpjekjet këmbëngulëse të Aldo Terrusit për të gjetur eshtrat e të jatit, Xhuzepe Terrusi, me të cilin kishte jetuar nën një çati vetëm rreth 2 muaj dhe për t'i futur në një varr në Itali, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Pra, edhe pas 70 vjetësh nga dita e vdekjes dhe pas 28 vjetësh kur nisi odisejada e kërkimit. Disa prej autorëve të arrestimit të Xhuzepe Terrusit, të dënimit të tij me një gjyq – farsë dhe të torturimit nëpër qeli të tmerrshme, jetojnë akoma, ose të pandëshkuar fare ose kanë kryer dënime qesharake. Disa prej tyre mund ta dinë me saktësi se ku ndodhen eshtrat e Xhuzepe Terrusit. Por...vazhdojnë të heshtin, duke ndëshkuar pafundësisht edhe të vdekurin, edhe njerëzit e tij të afërm, të gjallë“; dhe kur lidhen me zhgënjime të tjera, që shihen tek sytë e brezit tjetër, si ato të vizatimit të anijes nga Aldo: „Po tani çfarë ke ndërmend të vizatosh, zemra ime? – e pyeti duke e puthur edhe në flokë.

– Një anije të madhe, mami! –iu përgjigj gjithë kënaqësi Aldo. Si ajo që na solli neve në Itali dhe që do të sjellë edhe babin!“


Konkluzion


Le ta fillojmë me atë që duket se tingëllon po aq e domosdoshme: „Natyrisht në këtë roman nuk synohet të bëhet histori, por merret shkas nga historia për të bërë art, me prirje drejt psikoanalizës. Qëllimi është të gjendet një përgjigje për tri pyetje. Përse nuk e dashuruan Enver Hoxhën vajzat e bukura Aurelia Pocelli-Terrusi, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari? Çfarë panë ato tek ai, përtej bukurisë së jashtme, sidomos të fytyrës, që i trembi apo ndaloi? Përse Enver Hoxha i ndëshkoi shumë egërsisht shumicën e intelektualëve të diplomuar në Francë, Itali, Austri, Gjermani, etj, që i kishte pasur komshinj në fëmijëri, adoleshencë dhe rini dhe shokë universiteti, që dinin shumë të vërteta jo të këndshme lidhur me shkollimin dhe sjelljet në vitet e studimeve në Paris dhe Monpelje dhe të punës në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel?

Të tre këto pyetje janë një angazhim sublim i dialektikës së Hegelit dhe në tërësinë e easaj që bën arti i fjalës ë shkruar dhe hulumtuar bukur duket se ka kryer një funskion të qartë, të saktë, të shumëpritur e të një niveli të lartë. Romani „Dashuri diktatori“ (2021) po aq sa është larg dashurisë së shtjelluar, ëshë dhe po aq larg urrjetjes, por në thelb kërkon të vëndosë modelin e një dashurie njerëzore, një domosdoshmëri kjo për të mos urryer, për të krijuar e rikthyer kulturën e vërtetë shqiptare, e jo atë të ndikuar nga formati diktatorial i hakmarrjes, i urrejtjes së Tjetrit që mendon ndryshe.

Ne pas leximit kuptojmë qartë se thelbi është vërtetësisht Hegelian. Pra, ajo që na jepet nga filozofia e Hegelit. Dhe për këtë, në mënyrë që të shpjegojë se si funksionon kjo, Hegel rrëfen një histori abstrakte, të idealizuar për mënyrën se si takohen dy njerëz, të cilën e gjejmë ndjeshëm dhe bukur në narrativin e shkrimtarit Xhevat Mustafa. Sidoqoftë, ideja e Hegel-it për zhvillimin e vetë-ndërgjegjes nga vetëdija, dhe nënshtrimi i saj në një unitet më të lartë në njohurinë absolute, edhe pse nuk është truri i konturuar i shkencës natyrore dhe i biologjisë evolucionare, por një konstrukt fenomenologjik me një histori, ai që duhet të ketë kaluar nëpër një luftë për liri para se ta kuptojë vetveten, mbetet një kënd më vete në këtë roman të shkrimtarit shqiptar.

Kjo shihet dhe tek gjuha e romanit „Dashuri diktatori“, ku në mënyrë mjaft të qëmtuar gjuha abstrakte e përdorurur nga Hegeli nuk lejon kurrë që dikush të interpretojë këtë histori në një mënyrë, por jep si në rastin e tij dhe në narativ një formë të kuptueshme e të qartë. Mund të lexohet si vetëdije që vjen në vetvete përmes zhvillimit të një fëmije ose të rrituri, ose vetëdije që do të jetë në fillimet e historisë njerëzore (shih hominizimin), ose si ajo e një shoqërie, ose kombi që realizon lirinë.

Që dialektika zotëri-skllav mund të interpretohet si një proces i brendshëm që ndodh në një person, ose si një proces i jashtëm midis dy ose më shumë njerëzve është një rezultat, pjesërisht, i faktit që Hegel pohon një „fund të antitezës së subjektit dhe objektit“. Ajo që ndodh në mendjen e njeriut ndodh edhe jashtë saj. Objektivi dhe subjektivi, sipas Hegelit, lartësojnë njëri-tjetrin derisa të unifikohen dhe „historia“ e merr këtë proces përmes „momenteve“ të saj të ndryshme kur ngritja e dy momenteve kontradiktore rezulton në një unitet më të lartë.

Duke ndjekur filozofinë e Hegelit, natyrisht në linjat e qarta të romanit të marë në konsiderata, kuptojmë qartë se leximi i dikatorit është përtej anës së errrët, në një tunel kaotik të mbushur me zezërima dhe fluska transparente urrejtjesh, me qëllimin e vetëm për të ndëshkuar dhe zhdukur arsyen. Një agoni tejet primitike e tipike diktatorësh e më e thekët tek shqiptari i tjetërsuar Enver Hoxha, që në ardhjen e tij në skenën e frymëmarrjes.

Kjo tipologji në roman është e qartë. Është një vetëdije primitive. Duke iu afruar tjetrit kjo vetëdije primitive ka humbur vetveten e vet, pasi që e gjen veten si një qenie tjetër dhe në këtë mënyrë ka nënvlerësuar atë anën tjetër, sepse kjo vetëdije primitive nuk e konsideron tjetrin si thelbësisht real, por e sheh veten e vet dominnat te tjetri.

Këtë e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme artistike narrativi i këtij romani. Dhe në fakt është ndoshta kjo dhe ajo që e strukturon filozofikisht, ato që e bëjnë këtë roman të domosdoshëm jo thjesht për t'u lexuar, por edhe për t'u studiuar.


Referenca:

[1] Kjo mollë është e imja, me të mund të bëj çfarë të dua, mund ta kafshoj, ta shtrydh e ta shpërfill… Fragmenti është nga novela e famshme braziliane, e shfaqur jo më kot në TVSh që në kohën e rregjimit dictatorial të Enver Hoxhës. Në vitet tetëdhjetë kjo novelë e ekranizuar e dominoi ekranin shqiptar. Thelbi i saj ishte që të diktohej se Diktatori, ishte dhe pronari i jetës, të drejtës, lirisë dhe të gjitha të tjerave që lidheshin me Tjetrin, sidomos gjininë tjetër. Në kontekstin e kësaj novele ishte dhe skllavja Izaura, një bukuroshe që kaloi në skena të ngjashme me ato që shkruan Mustafa.A Escrava Isaura (Skllavja Izaura) është një telenovelë braziliane e vitit 2004 e bazuar në „A Escrava Isaura“, një roman romancë abolicioniste e vitit 1875 nga Bernardo Guimarães. [2] Mbretëresha e Jugut është një serial televiziv amerikan me dramë krimi i zhvilluar nga M.A. Fortin dhe Joshua John Miller. Seriali u shfaq premierë në 23 Qershor 2016, dhe përfundoi në 9 Qershor 2021, me 62 episode të transmetuara në Rrjetin e USA. Isshtë një përshtatje e telenovelës La Reina del Sur e cila transmetohet në rrjetin motër të SHBA Telemundo; të dyja janë përshtatur nga romani La Reina del Sur nga autori spanjoll Arturo Pérez-Reverte. Seriali u rinovua për një sezon të pestë më 29 gusht 2019. Prodhimi i sezonit të ri u pezullua për një kohë të pacaktuar në 14 Mars, 2020, për shkak të COVID-19, por rifilloi në vjeshtë të vitit 2020. Më 7 Prill 2021 u shfaq dhe sezoni i fundit i serialit. Pra, „Mbretëresha e Jugut“ është një përshtatje e telenovelës La Reina del Sur, e cila është vetë një adaptim i romanit me të njëjtin emër nga autori spanjoll Arturo Pérez-Reverte. Seriali përqendrohet rreth Teresa Mendoza. Mendoza jeton në barrion e Culiacán në Sinaloa, Meksikë. Ajo bie në dashuri me një anëtar të një karteli droge, dhe përpiqet të ngrihet mbi gjendjen e varfër të jetës së saj. Pasi i thanë se i dashuri i saj ishte vrarë, ajo detyrohet të ikë. Ajo kalon kufirin për në Shtetet e Bashkuara ku bashkohet me një person nga e kaluara e saj në mënyrë që të rrëzojë drejtuesin e rrjetit të drogës që është pas saj. Mendoza përfundon duke krijuar organizatën e saj të shpërndarjes së drogës dhe bëhet shumë e pasur, gjë që i paraqet asaj më shumë probleme, të një lloji tjetër.

100 views1 comment

1 Comment


Xhevat Mustafa

Shumë faleminderit, i nderuar Fatmir, për këtë analizë të thellë, letraro- filozofike, objektive, me cilësi të spikatur! Sinqerisht, ndjehem i befasuar dhe tejet i emocionuar nga gjykimet dhe vlerësimet tuaja! Ndjej kënaqësi të dyfishtë edhe për faktin se ju padyshim jeni një nga publicistët, krijuesit, studjuesit, botuesit më cilësorë, më kontribues dhe më prestigjioze në këto dy dekadat e fundit. Fatmirësisht,ashtu edhe si shkrimtari, studjuesi dhe kritiku Robert Martiko në Korfuz, si dhe disa studjues e kritikë të tjerë numërpakët në Shqipëri, apo si Nexhat Rexha, Fahredin Shehu, Adil Olluri... në Kosovë, ju jeni edhe i pakompleksuar dhe jo "skllav" i listës së fryrë, edhe më pseudoshkrimtarë e sigurimsa, të shkrimtarëve, që lanë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia.…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page