top of page

Dashi i mundjes „Golloborda“ fitohet nga emigranti i Britanisë së Madhe

Updated: May 21


Dashi i mundjes „Golloborda“ fitohet nga emigranti i Britanisë së Madhe


Prof Dr Fatmir Terziu


Para pak ditësh mundësi Elton Zepaj, nga Trebishti i Gollobordës, dhe me banim në Durrës e me punë në Mbretëri të Bashkuar, fitoi Kupën e 10-të tradicionale të sportit të mundjes. Ky sport i bukur burrëror që zhvillohet në natyrë, u zhvillua këtë vit në fshatin Ostren i Madh. Evenimenti i sponsorizuar nga Shoqata e Mundjes „Golloborda“ me drejtues të saj Profesorin Razi Rama, dhe nga Bashkia Bulqizë, bashkoi në këtë rast mundës nga Golloborda, Dibra, Maqedonia e Veriut dhe nga Kosova. I kthyer tashmë në një eveniment sportiv dhe festiv edicioni i 10-të kishte natyrshëm një harmoni tradicionale sportive, por dhe një ambient mjaft festiv. Veshjet tradicionale të vajzave të zonës shtuan krenarinë vendase, ndërsa një nga fjalëmbajtësit e evenimentit e shtoi atmosferën festive kur G. Xhafa, i komanduari në Bashkinë e Bulqizës e quajti Gollobordën një aset Kombëtar. Në këtë fjalë, sikurse dhe në fjalimet e sapo të zgjedhurës në krye të Bashkisë së Bulqizës, Dr Festime Mjeshtri, u dëgjuan fjalët më të mira se dora dhe forca e gollobordasve nuk është vetëm në mundjen Kombëtare, por dhe në të gjitha veprat ndërtuese kombëtare e më gjerë në botë ku ata punojnë dhe jetojnë sot, sikurse është dhe Kampioni absolut Elton Abit Zepaj.


Po kush është i riu triumfues në moshën e të rriturve mbi 20 vjeç?


Thuajse i rritur jetim. Ka qenë vetëm 2 vjeç e gjysëm kur i ati i tij, një intelektual i njohur në Trebisht, Abit Fido Zepaj ndërroi jetë në një nga spitalet më absurde të sistemit të Diktaturës. I ati i tij, që në rini kishte mendime të përparuara demokratike dhe rridhte nga një derë e një fis i mirrënjohur patriotik në zonë. Ndërsa kishte shprehur mendime të përparuara dhe kritikuese për sistemin, atë e degdisën në atë spital, ku dhe e trajtuan me mjekimet më të rënda të dëmtimit të sitemit nervor. E kështu nëna e Eltonit e lindi dhe e rriti Eltonin dhe fëmijët e tjerë, duke mbajtur mijëra halle në kurriz.

Fillimet e lëvizjes së lirë demokratike në vend e dhanë mundësinë që të lëvizte në drejtim të Durrësit dhe në moshën 19 vjeçare Eltoni u pranua mundës me Teutën e Durrësit. Por koha ishte mjaft e pafavorshme për të. Ekonomia familjare e detyroi të marrë rrugët e mërgimit. U martua dhe u bë me fëmijë në një moshë të hershme, duke u inkuadruar kështu para kohe në moshën prindërore. Por zemra nuk e linte të qetë në drejtim të sportit të mundjes. Disa herë udhëtoi në vendlindje dhe doli disa herë kampion. Madje është ndeshur dhe ka fituar me disa mundës, disa herë më të mëdhenj në moshë.

Eltoni është modest. Është mjaft i qetë dhe i respektueshëm. Është mjaft i fortë si fizik, dhe si karakter.


Kupa dhe Dashi në krahët e tij


Ndërsa fituan përkatësisht më të vegjëlit, pra Alim Tola deri në 15 vjeç, dhe Ergen Rama deri në 15-20 vjeç, Eltoni fitoi Kupën e 10-të dhe Dashin tradicional. Sapo ngriti Dashin e fitores mundësi i mirënjohur nga Trebishti, Reiz Abdiaj, shtrëngoi duart me të dhe po kështu me radhë drejtuesit, trajnerët, albitrat, dhe të pranishmit, Razi Rama, Shefqet Karasani, përfaqësuesi dhe drejtuesi lokal i zonës Fitim Balla, Dr Festime Mjeshtri e mjaft të tjerë, e të tjerë.

Ai ndjen krenari edhe për talentët e tjerë fitues si Vilson Spiro Marku, nga Vërnica, Ardit Kanxha nga Trebishti, Ergen Rama nga Radoveshi, Adi Dehari nga Ostren i Vogël, Leondas Hysa nga Ostreni i Vogël, Arlind Tola nga lagja Guri, Ostren, Leon Halilaj nga Lladomerica e mjaft të tjerë.


Kujt ia dedikon këtë fitore


Natyrshëm Eltoni ia dedikon familjes së tij të dashur. Është krenar me udhën që i ka dhënë nëna e tij dhe kështu ai ndjen krenari të jetë inspiruar dhe të dedikoj një arsye më shumë respekti dhe përkujtimi për të Atin që nuk jeton, dhe për djalin e dajës së mamasë së tij, që tashmë nuk është në jetë, por që në emrin e tyre shikon dritë nga qielli. Ai e përmend me krenari emrin e këtij mundësi të talentuar që iku shpejt nga kjo jetë. Ai është Uran Adil Shevroja, dhe që në fakt në moshën e tij ka qenë sfidues.

Sidoqoftë në sensin figurativ mund të thuhet se pas kësaj fitoreje, Dashi i mundjes „Golloborda“ udhëton lirshëm dhe fitimtar drejt Britanisë së Madhe, falë forcës, muskujve dhe talentit të mundësit shqiptar me punë dhe banim në Londër, Elton Abit Zepaj.



347 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page