Po mungon shpirti, ky vend po jep shpirt si një qiri tek tretet ngadalë në agoni. Një humnerë aq e thellë dëshpërimi, saqë nëpër rrugë vërehet lehtësisht zymtësia e fytyrave që shkojnë pa motiv, pa të nesërme, me barrën e pengjeve mbi kurriz, si të ishin kalimtarë të rastit në këtë botë. Të pafatët e humbur që s'gjejnë dot veten, nuk lindin mes dhembjes ëndrrat dhe ata duket sikur i janë dorëzuar të panjohurës.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë duruar shumë mbi supe, por kurrë nuk u është varfëruar buzëqeshja si sot, në kulmin e rënies morale dhe depresionit social. Ku po shkojmë kaq qorrazi, si të na ishin prerë krahët, pa mundur të gjejmë një fragment shprese diku mes zemre?
Asgjë nuk pipëtin, nuk ka reagim për kurrfarë të keqeje; dhe kjo pafuqi është lëngim i dikujt që nuk beson se e ardhmja ka dritë, por e shquan çdo herë e më zi. Jemi këtu, por s'jemi askund. Nuk i përkasim vetes, duket sikur i lutemi zotit të na mbrojë, pa mundur dot t'i dalim zot kokës sonë.
Kjo tokë fisnikësh sot ka ulur krye; dhe ne njerëzit e saj mbetëm me valixhe në dorë. Paketojmë realitetin, paketojmë ëndrrat, paketojmë të ardhmen dhe zhdukemi nga sytë këmbët. Po ku vemi, përveçse në burgun e ndërgjegjes? Megjithëse, a trashëgohet burgu nëpër breza...?
Përshëndetje Zonja Irsa,
Ju përgëzoj për këtë Ese me domethënie shumë të thellë. Megjithëse Eseja është e shkurtër, ajo, për nga thellësia e idesë që ngërthen në vetvete, është e përmasave të një romani. Vetëm në fjalinë “...nuk ka reagim për kurrfarë të keqeje...” përmblidhet gjithë fatkeqësia që ka karfosur cep më cep jo vetëm Shqipërinë Londineze, por edhe krejt kombin shqiptar në mbarë trojet etnike: shqiptarët janë familjarizuar me të keqen, me varfërinë, me vuajtjen, e cila u është bërë si buka e përditshme, ka hyrë thellë në psikologjinë e tyre. Pikërisht një psikologji e tillë ka bërë që krerët e pushtetit të sillen me shqiptarët si u do qejfi, duke i konsideruar ata jo si njerëz…