Dëshira për të qenë një Republikë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 11, 2022
- 2 min read

Dëshira për të qenë një Republikë
…ose Ballkan i Hapur
Nga Fatmir Terziu
Udhëtojmë unë dhe vetvetja, nëpër drurë, si një ketër i trembur.
Këtu është një pyll, një korije, një zabel me shumë nëpërka
pickon zogjtë e sapolindur
thëllëzat
në këtë fshat të strukur bardhë e zi
ja ku jam një qingj i sapolindur,
ja ku mbahem si një mëzat i ri.
Unë dhe vetvetja udhëtojmë, si një plep që matet nga hija,
më mirë më kap më fut në një sirtar
ku komedina e bërë me këtë dru na mban të dyja.
Unë dhe vetja ime jemi në një mbrëmje paqësore
të (pa)varur me një rrahje të vetme në gjoks
midis mendjes dhe syve,
përtej kufijve të butë të lëkurës, mishit, kockave,
larg nga piramidat me siglën e harruar, prej së vërtetës
fare larg nga brezi i butë i qokave
në këtë fotografi të fiksuar të jetës.
E dëgjoj të flitet për të drejtat e Njeriut
në njërën anë vendos kufjen e bardhë në veshin me dyll
në tjetrën natyrshëm dëgjoj vetë veshin të pipëtijë
e i përkushtohem kostumit që vesh
duke u përkujdesur për mëngët
sipas të gjitha porosive të gjyshërve të parën mëngë
e kam për të djathtën
më duhet të kem vëmendjen për të majtën,
unë dhe vetvetja bëjmë kujdes për supet,
kostumi është i modës,
këmisha e bardhë, ndryshe prishet
tërbimi i kohës.
Unë e vetvetja ime ikim në mesin tuaj
ende si foshnjëza të alarmuara
ashtu si në fëmijërinë e vjetër vetë duke mos urinuar
mbi pelena të bardha të arnuara
nga Tjetri që në djep u ushqyem me frikë
unë dhe vetvetja nuk e di të tjerat me të sajuara
dëshira për të qenë e shtata Republikë.
Udhëtojmë unë dhe vetvetja, nëpër drurë, si një ketër i trembur,
fotografia e vjetër na bënë kurioz,
sa mite të tjera të çmendura kanë vdekur
nën këtë skrap të gjallë, nervoz?!
Comentários