top of page

Cmirëxhiu


Cmirëxhiu

Fatmir Terziu


Njëherë e një kohë në një vend përrallor ka jetuar një nga njerëzit më të pasur. Ai kishte vetëm një emër. Pasaniku, e quanin të gjithë. Pasuria e kishte transformuar. Ama, e kishte shndërruar edhe nga sensi Njeri. Ky tashmë ishte dhe nuk ishte më njeri. Ndaj, ky njeri ishte kthyer në një person mizor dhe koprac. Mizor dhe koprac edhe për të vetmen vajzë të tij. Gjithë mirësitë njerëzore i ishin zhdukur. E vetmja „mirësi“, që i kishte mbetur, ishte dëshira për ta martuar vajzën një ditë, sipas midesë së tij. Por edhe kjo „mirësi“ në të vërtet, kishte disa kahje në ndjesinë e vet. Dhe teksa vajza i rritej si një filiz mbi tokë, atij i bluhej vetëm një mide në kokë…

***

Një ditë ai vendosi të organizojë një festë të madhe. Në këtë festë vendosi të ftojë të gjithë njerëzit më të pasur në botë. Më vonë vendosi të ftonte edhe mijëra të tjerë, ata të cilët ai i kishte nën kontroll në zonën e tij. Ndërsa i ftoi me tellall të madh, u hutua një çast. Gati sa nuk i rra infrakt. U mendua për këtë dhe iu duk se kishte gjetur një pakt. Menjëherë urdhëroi shërbëtorët e vet të bënin një gjetje të çuditshme. I urdhëroi për të gjetur të gjithë ata që mund të shpiknin një makinë, që me një shishe verë, një copë bukë dhe një thelë mish pule të ishte e mundur për të ushqyer të gjithë njerëzit e ftuar, madje edhe mjaft të tjerë të paftuar. Në shkëmbim të këtij talenti ai do të shpallte dhëndërin për vajzën e tij.

Dhe kështu ai, edhe pse me një mendim të krisur, duke vënë në shërbim të idesë së tij një vajzë krejt ndryshe prej vetes, si nga bukuria ashtu edhe nga mençuria, po aq edhe nga pasuria, kishte lënë një shans për shpikësin e kësaj makine, të kishte rastin për një bashkëshorte të tillë, vajzën e tij.

***

Jo shumë larg tij kishte qenë një djalosh i ri. Një djalosh që askush nuk ia kishte vënë veshin. I varfër por i mençur. I zgjuar dhe në hesapin e tij. Ai kishte shpikur shumë gjëra dhe tashmë këtë punë të makinës e kishte thuajse, si një shaka. Ai vetëm qeshi, kur e dëgjoi këtë lajm të të pasurit. Dhe nuk bëri mëdyshje. Në ditën e festës që organizoi i pasuri, edhe ai ishte aty në kopshtin e madh e të begatë të të pasurit. Ishte i thjeshtë. I qetë. I pazëshëm, sikurse ishte në të vërtetë. Nuk binte në sy. Nuk kishte premtuar asgjë. Nuk kishte asnjë mik të vjetër a të ri, nuk kishte asnjë të njohur aty. Askush nuk ia kishte vënë veshin dhe syrin atij.

Dhe kështu, shumë shpejt u grumbulluan mijëra vetë. Aq shumë, saqë vizitorët e parë s’kishin aspak hapësirë, as që të mernin frymë. Kur u erdhi koha të mernin ushqimin e premtuar, i pasuri filloi të dridhej. Ushtri njerëzish! Ushtri e pafund…, sa që dukej sikur kishin pushtuar çdo centimetër në atë pjesë tokë. Ai vuri duart në kokë.

Por, sa ai ktheu sytë andej nga kopshti, djaloshi u kishte ngecur të gjithëve nga një gotë verë, një copë bukë dhe një thelë mish pule. Djaloshi i kishte nxjerrë të gjitha këto ushqime nga makina që kish prodhuar vetë me talentin e tij. Dhe më e forta as makina e shpikur prej djaloshit nuk binte në sy. Vetëm se sytë i shkëlqyen me njëherë. Ç'të shikonte kishte lindur dielli dy herë. Një herë në qiellin e pastër paq, e një herë në atë verandë. Ishte vajza e të pasurit që dukej e tillë në fakt. Djaloshi ktheu sytë nga qielli, u lut në heshtjen e tij të pafjalë dhe menjëherë u bë zjarr…

***

Me një gisht vere në gotë, me pak bukë dhe një çikë mish të gjithë njerëzit ndiheshin të ushqyer e të stërngopur. Kështu i pasuri filloi të urdhëronte të silleshin në kopshtin e tij disahektarësh, fuçi me verë, prodhime bukësh të ndryshme dhe mishra nga më të përzgjedhurat.

Por kjo vetëm për një kohë të shkurtër. Vetëm pas disa minutash gjithshka u katandis ndryshe. Ajo ushtri e madhe e popullit të pranishëm u bë aq e vogël, sa ata dukeshin si milingona. Tamam milingona! Milingona që lëviznin në atë hapësirë me lule dhe gjelbërim. As vetë i pasuri nuk u besonte syve. Zbriti nga veranda e madhe e tij dhe i pa me sy. Fshiu sytë sërrish, dhe prapë ende i dukej si një ëndërr, dyfish. Pastaj ktheu sytë rreth e rrotull, madje vuri dhe dylbitë në përdorim dhe vuri re se të gjitha hapësirrat e pronës së tij përreth ishin të mbushura me miliona njerëz të vegjël. Njerëz që tashmë ishin gjallesa të tjetërsuara. Thjesht milingona. I pasuri u ngjit prapë në verandën e tij. Përsëri nuk u besonte syve…

***

Nga veranda e tij turfulloi me veten dhe qeshi me të madhe, ndërsa shijonte ushqimet, pijet dhe mjaft gjëra të tjera të shijshme në tryezën e tij të madhe.

-Këto krijesa janë të këndshme, - tha pastaj.

-Janë të këndshme, të këndshme, të këndshmeeeee…. Jehoi zëri i tij në atë verandë.

Dhe zëri i tij jehoi e jehoi tej e përtej atyre fushave të gjera e të gjata, deri matanë grykave që pasonin e pasonin këtë jehonë.

Por nuk u mjaftua me kaq. Mbeti kureshtar deri në detaj. Kureshtar! Donte të provonte vetë këtë ‘mrekulli’. Ishte kureshtar për të parë, se çfarë do të ndodhë edhe me të. Sapo ai u përpoq të provonte një gisht verë, një çapë bukë dhe një felë mish, nga ato që prodhonte makina e djaloshit, ai ndryshoi tërësisht dhe u transformua plotësisht si njerëzit e tjerë, ata krijesa që atij iu dukën të këndshme pak më parë, teksa i shihte nga veranda e tij.

***

“Mirë”, i tha, i pasuri djaloshit të ri, “Por tani më bëj mua siç isha më parë!”

Djaloshi filloi t’i drejtohej verandës. Teksa u ul pikërisht aty ku ishte ulur më parë i pasuri filloi t’i binte një dërrase me tela. Ai i binte, sikur të ishte një violinë, ndërsa muzika nuk dëgjohej asgjëkundi. Ashtu kot lëvizte gishtat dhe tundte dorën në ajër. I pasuri ‘vogëlush’ dridhej i tëri.

Djaloshi pastaj e la dërrasën dhe iu kthye të pasurit: “Si the?”

-“Më kthe ashtu siç isha…”

-“Siç ishe?”

-“Po”

-“Unë të kthej, po më the se ç’pjesë muzikore luajta unë?”

-“Ok. Por më parë më kthe ashtu siç isha…”

Djaloshi ktheu edhe njëherë kokën drejt tij. Dhe fatkeqësisht kjo nuk ndodhi përsëri. I pasuri ishte trullosur. Sa më shumë pika verë, bukë dhe mish ai vinte në gojën e tij, aq më i vogël e më i vogël vazhdonte të bëhej. Kur ktheu sytë djaloshi drejt tij, ai ishte bërë sa një kokërr rëre. Njerëzit e tjerë, tashmë vocërrakë, filluan të luajnë me të. Talleshin, gajaseshin, shkriheshin me të pasurin, që ishte bërë sa një kokrizë rrëre.

***

Pas shumë ditësh të gjithë njerëzit ishin të uritur. Edhe pse të vegjël, urinë e ndienin shumë. Filluan të hanin çdo gjë që ata mund të gjenin përpara. Shumë shpejt vendi u kthye nga një parajsë me kopshte në një vend pa shpresa. Vendi i bukur u shndërrua në një shkretëtirë.

Në këtë mesele të ngutshme, binte e binte papushim, vetëm një violinë e padukshme. Djaloshi shpikës i asaj makine po martohej me vajzën e të Pasurit. Nga anët përreth kishin ardhur qindra vetë, të paftuar, por jo thjesht për ta uruar. Dasma u bë e madhe dhe aty u festua gjatë. U hëngër, u pi dhe u gëzua me ditë e natë. Aq gjatë sa djaloshi i ktheu edhe ata mijëra vetë në gjendjen e tyre të parë. E gjitha ishte tashmë ndryshe, e ndjeshme, prekshme, dhe fushat morën pamjen e tyre të hershme. Në këtë hare u bashkuan të gjithë, gjithkush dëgjonte, gëzonte dhe këndonte, veç atij që kishte cmirën në shpirtin dhe ndjesinë e turpshme të tij, mungonte. Ai mbeti ashtu sa një kokërr rrëre… në zhurmën e athët të asaj ëndrre.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page