Koha është një rrotullamë tjerrjesh. Vazhdimisht, dhe thuajse në tërë lëvizjen e saj kohore, vendore, hapësinore, ndryshon madhësinë e fijes së lidhjes. Ndryshon modelin. Seleksionon ngjyrën. Po, ashtu dhe materialin e zgjedh me gisht. E përzgjedh, madje sikurse puthjet … dhe dashuritë. Puthjet e shkurtit bluren së bashku me ëndrrat prore. Ato janë vizionet e para kohore dhe hapësinore të vendit, në ekranin e madh të ngrirë, duke zgjuar porëzat e strukura në memorje.
Koha trazon lëmshin e dorëzuar para duarve të gjyshes, ajo që fiksohet në memorjen tonë, të lëvizjes dhe mes lëvizjes. Këtu shfaqen dhe transmetohen në kohë, hapësirë dhe vend edhe shtizat me shpresë se do të mposhtin dimrin, kur kthehet përsëri momenti i lutjes. Ky moment është tek trashëgimia, tek mundësia e lirë dhe ajo që shkruhet me një penë të tillë, për të transmetuar tek brezat, kulturë, traditë dhe pak nocion kohe në lëvizje tërësisht dimensionale.
Koha, në këtë mënyrë është një kuti. Kjo kuti mbetet e shtypur nga të gjitha anët, shkak janë lëvizjet, modelet, ndryshimet, politikat, reklamat, tymërat, mjegullat që ne shtojmë në pafundësi. Pafundësia shkon tek e kaluara. E kaluara është fjalia, të cilës në këtë rrotullamë interesash dhe ndikimesh i mungon pika, ku në fakt e tashmja duket sikur nuk ka asnjë presje, e ardhmja mbetet tek pikëpyetja. Por koha edhe në këtë risi, edhe në këtë krijimtari, edhe në këtë Letërsi lëviz shpejt, që të mos duket risi, ikën si tymi, që mbulon derën e shtëpisë në vendlindje, ikën si orenditë që i përshtat Botës vetë termi i Njeriut që lëviz dhe i përshtatet duke iu ngjizur termit të filozofisë së Diasporës.
Ky Njeri mbledh dhe shtrydh çdo gjë. Kujtimet i mbledh, ëndrrave që i poston me erën në vlerë, kur kthehen në sirtarin e tyre të verdhë. Kështu koha lëviz më shpejt se këmbët e tilla, koha është ecja, vrapimi, ikja. Gjithnjë nga koha diçka ka humbur: Atëherë…Cila është koha e duhur? Si shenjë duhet të jetë vetëm një, thomëni, në cilën kohë duhet të jemi me të? Pikërisht në këtë kohë, kur edhe maskat janë bërë pjesë tjetër enigmë dhe mister në lëvizjen tonë, në mesin tonë mes termit përshtatje në Diasporë.
Por termi Diasporë ka evoluar me kohë. Me kohë vetë Koha ka prurë nocione të reja në këtë ligjësi të lëvizjes së Njeriut. E gjithë kjo ndryshesë është si një nyje, një nyje e tillë është edhe në krijimtari. Në krijimtari dhe në kohë. Në kohë reale dhe në kohë letrare. Ashtu sikurse koha „reale“ është një element themelor i ekzistencës sonë, ajo mbetet gjithashtu një element themelor në krijimtarinë letrare, për gati sa kohë që vetë letërsia vazhdon të ekzistojë edhe në këtë formë. Është e qartë, se në një farë mase, të gjitha historitë zhvillohen në kohë. Pavarësisht nga mënyra se si një histori mund të trajtojë kohën (p.sh. zhvillimi kronologjik, rrëfimi në kohë reale, kthimet prapa, përpara, përparimet e rastësishme kohore, etj), është akoma kalimi i kohës, ajo domosdoshmëri, që lejon shpalosjen e komploteve, skicimin dhe pikturimin e personazheve etj. Por ajo për të cilën po flasim këtu është letërsia ku koha, dhe kalimi i kohës, është një temë kryesore, dhe nganjëherë pothuajse një karakter më vete edhe në lëvizjen e Njeriut, me atë që përcaktohet nga koha, vendi dhe hapësira, pra edhe në Diasporë.
Kjo kohë është domosdoshmërisht Kohë edhe në vendlindje. Është e tillë se gjithnjë ka lidhje. Është se gjithnjë duhet të ketë ngjizje. Ngjizje karakteresh, memorjesh, ngjarjesh të fiksuara e të motivuara nga kohërat për kohërat, dhe në mënyrën më sublime tjerr dhe tjerret nga gishta të transmetuesve kohorë në kohë të domosdoshme për të kuptuar vetë kohën. Sakaq një roman, një novelë, apo një poezi e shkruar në Diasporë, gjithnjë ka një mesazh për këtë dhe atë kohë, për atë dhe atë vend, për atë dhe atë hapësirë. Gjithnjë ka një qëllim të lirë, një qëllim të mirë. Ndryshe nuk do të quhej krijimtari shqiptare në kohë, vend dhe hapësirë.
Liri Bele
Shkrim Shume i Bukur me permbajtje te thelle .Do te doja te shtoja (sipas gjykimit tim) edhe se : -Koha , *Fluturon * krahas shprehjes se permendur ne shkrimin Tuaj: -Koha iken, vrapon ...Liria .