AI VIT…
Nga Fatmir Terziu
Mëngjeset i grisën rruzat,
e vesa mbeti një ograjë
sytë mblodhën lule në dritare.
Musandrat kënduan e vallëzuan
vallet e stinës së harruar
me pajën e nuseve.
Në firmën e lëshuesit të lirisë
nuk duhej boja
lapsi qe mprehur gjetkë:
në kalendar u gris një muaj,
pastaj një stinë,
pastaj një vit,
u shtruan bollëk në një tavolinë
të gjitha ushqyen marrëzinë.
A mund të harrohej ai vit?
3 maj 2020
CIKRAMA
Nga Fatmir Terziu
Në mentesh’ të derës mbeti cikrama
poshtë ndryshkut të gërryer.
Hapej me sy e mbyllej me frymë
nga flama
digjej pranvera e vetmuar.
Shëtiste mendja buzëve të thara
e drithma piskatej pa ëndërra
tek cikrama.
3 maj 2020
ZBRAZËTI
Nga Fatmir Terziu
Qielli u zbraz.
Retë ranë në gjumë.
Toka u majis
dhe nuk u shkel lulja e deles
avujt pikturuan duar:
më do, s’më do? - mbetën duke shkruar
në plazmën e errësirës.
Dikush i hutuar fryu me forcë
duart i nguli në një gozhdë,
mallkoi, fshiu sytë
zgjati duart e veta,
ndjeu drithma në kockë:
sa e akulltë qenka kjo Botë?!
3 maj 2020
Nevrus Drita Hyska: Mjeshterisht e gdhendur . Ju uroj .
Adrian Kadria: Shumë i fuqishëm në varg! Suksese😊👏👏👏👏👏
Artur Shemaj: Tunjatjeta profesor Fatmiri te uroj shendet e suksese ne krijmtari tuaj letrare ,te lexojme me e kenaqesi