top of page

Cigarja e fajit


Cigarja e fajit

Nga Fatmir Terziu


Tani të gjithë janë ulur këmbëkryq,

dredhin cigare,

mbajnë erë nga tufa e ditëve të mbjedhura,

në miliona vite kalendare,

sa larg paskan qenë,

dhe sa afër mbeten,

ndërsa udhët shkojnë larg,

e të gjitha treten në tymin që endet,

deri në pikëtakimin e parë,

me gjethen e fundit që zverdhet …


Tani të gjithë presin të gdhihet,

siç ndodh me një ditë dhe një natë,

me një album të mbyllur,

që nga koha kur nisi të qahet,

deri kur e njëjta e qarë është e ngjizur,

në syrin që s'mbahet.


Tani të gjithë shkruajnë fatet e tymit

me një cigare të dredhur në dorë,

duke pikturuar hajvanët e padurimit,

në çmenduritë që tymosen në gojë,

e shfaqen si në ekranet e filmit,

në kohë e në pakohë.


Tani të gjithë pikturojnë në mendje,

rrugët që kryqëzohen pos tymit,

me një këmbë që mësyn në ecje,

me një tjetër që shtyn drejt kthimit,

gjithë jetën një formë beteje,

kjo jetë e njerëzimit.


Tani të gjithë janë si të gjithë,

me kokën pingul mbi dixhital,

është soji i sotëm i tillë,

nuk harxhon shumë fjalë,

dashurinë e ka një pikë,

jetën thjesht një mesazh.


E kështu kjo udhë për të gjithë,

u bë si cigarja e fajit,

kush kërkon ta kuptoj më mirë,

le të shfletoj njëmijë hënat e majit…

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page