Fatmir Terziu
Më në fund celulari im formoi numrin e biletës së prerë tre ditë më parë. Numri që u formua u transmetua në formën dixhitale. Pas tij erdhi edhe zëri nga ana tjetër e atij numri, në fillim në frëngjisht, e më pas në anglisht, gjermanisht, italisht…
„Jeni duke folur me muzeun.“
Sigurisht fliste kompjuteri. Ishte ende ora tetë pa dhjetë. E muzika në sfond dhe zërat që koklaviteshin, trazoheshin në një qasje të pakuptueshme. E unë dëgjoja…
Radarët depërtues në tokë kishin gjetur atë që dukej si një arkivol në shtresën Lutetian. Ata tashmë janë në procesin e gërmimit deri thellë. Një zë tjetër qartësonte. Një tjetër po i thoshte një femre të përdorte videokamerat e reja 4K për të regjistruar çdo detaj. Ndërkaq u përzien më shumë zërat ndërhyrës, kur ra zilja e derës.
E kisha lënë derën hapur. Sa bëra nga dera me celularin në dorë, pashë zonjën Bebet, që e kisha njohur në hollin e hotelit. Dera bënte karshillëk në dyshemenë e zmaltuar që të shpinte në dhomën e gjumit, duke ekspozuar mahitë e drurit të bukur të papafingos.
„A mund të hyjmë, zotëri,“ bërtiti ajo me një të hollë e tejet delikat, nga poshtë korridorit në holl.
„Po, zonjë, ju lutem hyni,“ bërtita unë, me më shumë mërzitje në zërin tim, sesa doja të shprehja.
„Unë jam në telefon me muzeun, Zonjë, ju lutem më tregoni çfarë ka ndodhur në dhomën e gjumit?“
Pastaj ndoqa me bisht të syrit zonjën dhe rregullatorin që hynë brenda për t'i parë teksa ngjisnin shkallët për në dhomën e gjumit. Rregullatori nuk ishte një burrë, por një grua, gjë që ishte befasuese në Francë. Gjëja e parë që vura re tek ajo, ishin ijet e saj të gjera të rrumbullakëta. Ajo kishte veshur një bluzë mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata, fund të zi me pala dhe çorape tradicionale, pariziane me qepje të pasme. Nuk ia dallova fytyrën, por pashë flokët e saj të kuq të lidhur në një topuz të ngushtë në pjesën e pasme të kokës dhe lëkurën e bardhë qumështore të qafës së saj.
„I dashur, po më dëgjon,“ tha ime shoqe, që kishte kohë që më priste në kafenenë përballë për të ngrënë mëngjesin e asaj dite.
„Po“, - iu përgjigja, - „u shpërqëndrova nga telefonata me Muzeun dhe nga pronarja që solli një rregullator në apartament. Po, do të zbres sapo të ikin.“
Pas disa minutash, zonja dhe rregulluesi zbritën poshtë. Rregullatori hyri në holl për të pritur. Zonja hyri në dhomën e ndenjes dhe tha se do të vinte nesër një ekuipazh për të filluar riparimet. Ndërsa zonja u kthye dhe eci nëpër korridor, unë pashë më në detaj rregulluesen. Ajo ishte kelt e pastër, me flokë të kuq, lëkurë të bardhë, sy drenushe ngjyrë kafe të errët që dukeshin të zinj, mollëza të larta dhe hundë të mprehtë të drejtë si të një statuje greke. Krahas bukurisë së saj mahnitëse, vura re gjerdanin e saj floriri në qafë, një pëlhurë tradicionale të artë keltike, e cila e tregonte atë që e mbante si një person të rangut të lartë. Unë kurrë nuk kisha parë një person të veshur me një të tillë. Kisha parë vetëm një në një statujë, kisha parë Gaulin që po vdes në Le Luvres. Sa shumë interesante mendova me vete.
Teksa po fliste me zonjën dhe po kthehej për t'u larguar, ajo bëri kontakt me sy. Ajo u përkul në shenjë mirënjohjeje duke mos dashur me zemër të thotë lamtumirë. Unë tunda kokën mbrapsht dhe ajo ishte zhdukur. Do të doja të kisha pasur mundësinë të flisja me të, ndoshta edhe t'i kërkoja një aperitiv bistro në ndonjë cep të Parisit, por… fajin ma kishte vetë tundja shumë e gjatë e kokës. Eh, kur ta bën koka jote këtë…. Oh mirë thashë sikur ndjeva të ishte ende në përkuljen e saj, „c'est la vie“.
***
Nata po binte si një qilim mbi banesën tonë. Një hënë e plotë e argjendtë po ngrihej dhe uria ishte bërë e padurueshme. Unë po lexoja formularin e muzeumit dhe një broshurë të madhe me një informacion të detajuar dhe mistik në të. E kisha nisur tashmë, kur celulari im mbaroi porosinë për ngrënien e mëngjesin me time shoqe.
Lexoja. Lexoja… Ajo ishte vampire. Askush nuk e dinte se pas bukurisë së saj ditore nata zbulonte errësirën e madhe. Ajo kishte nevojë të ushqehej, duhej të kishte gjak të ri femëror të freskët, të qëndronte e gjallë dhe e re. Por shkenca kishte kohë që e kishte kuptuar arsyen, pse vampirët duhej të ushqeheshin me gjakun më të ri, mundësisht të foshnjës. Në vitin 1866, një francez i quajtur Paul Bert kishte bashkuar sistemin e qarkullimit të gjakut të minjve në një proces të quajtur parabiozë, dhe kështu kishte fituar çmimin e Fiziologjisë Eksperimentale nga Akademia Franceze e Shkencave. Në vitin 2012, Julia Ruckh e Universitetit të Kembrixhit gjeti minjtë e vjetër të bashkuar me minjtë e rinj të rinovuar fizikisht dhe mendërisht, duke u bërë më të rinj, më të zgjuar dhe më energjikë. Hulumtimet e mëvonshme zbuluan se proteinat në plazmë shkaktuan përtëritje. Mediat kishin shpallur, „burimi i rinisë u zbulua në plazmën e zakonshme“. Dhe mjaft të pasur, diktatorë, liderë, perandorë, në shekuj kishin ushqyer vampirë të tillë, që të u afronin pa kuptuar gjakun e ri në shkëmbim të jetës… Dhe ndaj thuhej prej asaj „c'est la vie“.
Asaj i nevojitej më i riu, i cili ka përqendrimin më të lartë të proteinave dhe hormoneve të përtëritjes, më i pastërti, i cili është pa viruse dhe infeksione, që ka nivelet më të larta të estrogjenit dhe progesteronit. Idealisht, gjaku i një foshnjeje do të ishte më i miri, por në shoqërinë e sotme moderne, foshnjat e vrara tërhoqën vëmendjen. Gjëja tjetër më e mirë dhe pragmatike ishte një vajzë 15-vjeçare e arratisur. L' Association Assistance et Recherche de Personnes Disparues (ARPD), vlerëson 1000 vajza Parisienne, të moshës 10 deri në 18 vjeç, të arratisura çdo vit për shkak të përdhunimit dhe abuzimit fizik, duke përfunduar në rrugë dhe duke pasur mbijetesë ose mbrojtje. Dhe pak kush u interesua. Ata u zhdukën, nuk u gjetën kurrë, të supozuar të vdekur nga një mbidozë droge, ose të therur me thikë në një luftë për ushqim, para ose drogë.
Meqenëse të arratisurit kishin nivele të larta sëmundjesh për shkak të varësisë ndaj mbijetesës ajo e përqendroi vëmendjen e saj te vajzat e reja emigrante me probleme që jetonin në Habitation à Loyer Modéré (HLM), ose ato të quajtura të projektit 93, numri i departamentit të Seine-Saint-Denis, banlierat më të varfra, kryesisht të banuara nga etnitete të ndryshme të Parisit. Dhe thoshte me vete… „c'est la vie“.
U mërzit. U ngrit në këmbë dhe në këtë rast preferoi të zgjidhte bishtin e saj, duke i lënë flokët e saj të zinj korbi të vërshojnë rreth shpatullave të saj, kështu që ajo mundi të fluturonte përreth gjatë natës duke u ulur në çati, duke dëgjuar për argumente, ose duke dëgjuar për haram (i ndaluar). Kur i dëgjoi ato fjalë, ajo e dinte se një baba po i detyronte zakonet e botës së vjetër vajzës së tij të lindur dhe të rritur në Francë. Vajza, duke shkuar në shkollën publike laike franceze, nuk dinte asnjë gjë nga ato që i mëshonte me inat i ati i emigruar nga larg, ndaj i dukej se u rebelua, duke dashur të jetonte një jetë të lirë, feministe dhe jo të nënshtruar… „c'est la vie“.
Ajo shkundi flokët e saj të zeza skëterrë, të bëra njësh dhe pus me natën e errët dhe mendoi se kishte gjetur shenjën e këtij muaji. Kështu menjëherë e fokusoi dëgjimin dhe shikimin e saj mbinjerëzor në një dritare ballkoni të hapur të katit të dhjetë të ndërtesës përballë rrugës. Aty mund të shihte një burrë të moshuar të veshur me tunikën tradicionale të dishdashasë së bardhë dhe kapelën e kafkës taqiyah të veshur në lutjet e mbrëmjes, duke bërtitur dhe duke i hedhur duart në ajër. Më tej në banesë, mund të shihte një vajzë duke qarë. Burri bërtiti vaka, vaka, pastaj e goditi me shuplakë dhe ajo ra në dysheme. Një grua e moshuar e tërhoqi burrin, ndërsa vajza u ngrit dhe vrapoi nga dera. Kështu ajo e dinte se si do të ndodhte kjo dhe ku po shkonte vajza. Katër blloqe më tutje ishte Lycée Général et Technologique, e cila strehonte si një qendër krizash 24-orëshe adoleshentët që përballeshin me abuzim fizik, ato me shtatzëni të papranuar nga të tjerët, homoseksualitet, hallexhinjtë dhe të pastrehët. Siç ishte parashikuar, vajza shpërtheu nga dyert e përparme të HLM-së, duke vrapuar, duke qarë rrugës. Flokët e zeza të saj, tashmë të lëshuara mbi fytyrë treguan shkitazi se kërceu nga ndërtesa 13-katëshe në ajër, duke e ndjekur në heshtje vajzën si një zog grabitqar. Vajza eci poshtë Rue Bonnevide në Rue Guy Moquet, duke marrë një rrugë të shkurtër përmes një parku të pyllëzuar... „c'est la vie“.
Ajo zbriti në tokë, u ul pa zë dhe e ndoqi vajzën nga larg. Ajo ishte e zonja tashmë. Kishte vetinë e paparë që të mund të nuhaste edhe në këtë shekull tipologjik e mjaft postmodern, rininë e saj, të shihte ijet e saj të rrumbullakëta dhe flokët e gjatë me shkëlqim. Kur vajza kishte ecur thellë në parkun e errët dhe të heshtur, ajo, si një vampire me përvojë i doli përpara si një pumë, duke e goditur vajzën për tokë dhe duke i prerë fytin e saj para se ajo të mund të bërtiste. Ajo filloi të shijonte atë, duke ia pirë gjakun që derdhej nga arteria karotide, duke shijuar gjakun e ngrohtë e të freskët. Vajza, e tronditur, i mbylli sytë me shpejtësi, duke u përpjekur të përpunonte atë që sapo i kishte ndodhur. Ajo u përpoq të fliste, por gurgulloi vetëm gjak, lotët e frikës filluan të rrjedhin nëpër faqe. Ajo e dinte se po vdiste, kishte frikë se mos vdiste, dhe donte që babai i saj të ishte aty për ta mbrojtur atë dhe për ta bërë gjithçka të largohej. Gjaku u ngadalësua deri në një rrjedhje. Vajza nukkishte më gjak dhe trupi i saj vdiq. Ajo vazhdoi të pinte, për të marrë dhe pikën e fundit të gjakut të mbetur. Trupi i vajzës u konvulzua, më pas u qetësua ndërsa truri i saj u ul ngadalë dhe më në fund vdiq.
Ndjeja përpëlitje, frikë. Habi. Tmerr. Miliona zëra çanin kubenë e heshtjes mizore. Ajo tashmë ishte ushqyer dhe ishte e tejngopur, se ishte me fat dhe ushqehej në një hënë të plotë. Ajo u ngrit dhe lëpiu buzët e saj të gjakut të mbetur. Rrobat e saj ishin të zhytura në djersë dhe gjak. Ajo shikoi trupin e pajetë të vajzës, duke admiruar ngjyrën e saj të pastër dhe sytë e mëdhenj kafe, por nuk ndjeu asnjë pendim. Ajo e mori trupin e vajzës në krahë, u hodh në qiellin e natës dhe fluturoi në zemër të Parisit, pasi la pas La Foret De Compiegne në la Department d'Oise, një pjesë kjo e izoluar dhe rurale e Francës, dhe më pas e stampoi ashtu mitikisht në mur…„c'est la vie“.
Sytë ishin lodhur tashmë. Ndjeja një forcë të mistershme që më dukej se ishte duke e lëshuar trupin e vajzës, e cila në hapje dhe mbyllje të kapakëve të syve të mi, u duk se goditi tokën me një goditje të fortë, në oborrin e sfumuar nga shikimi i trazuar nën nenonë të muzeumit, ndërsa ajo preku butësisht. Më tej udha e saj, vampiruese, ishte në sytë e mi një fermë. Ferma ishte e errët, ku drita e vetme ishte ajo e hënës së plotë. Ajo dëgjoi një shushurimë që vinte nga shtëpia në fermë. Ajo pa një plak që po ecte në rrugën e saj, duke mbajtur një llambë vaji me flakë të zbehtë dhe pastaj nxori një tufë me euro nga palltoja e saj e zezë dhe ia hodhi te këmbët. Plaka nuk guxoi ta merrte. Ishte e tronditur, kishte shumë frikë prej saj. Plaka ndoshta e dinte se çfarë ishte ajo. Dhe ajo e dinte me siguri, e dinte se çfarë ishte ajo.
Flisja me vete. Bulëzat e djersës më kishin pushtuar ballin, trupin, ndjesinë time. Mendova me vete, se ajo plakë do të vdiste nga pleqëria dhe vetëm shpresoja që Zoti ta falte për ndihmën ndaj atij përbindëshi. I fshiva sytë dhe u mbajta tërsisht në pasmën tjetër të murit të madh të mbushur me detaje. Ajo, pra vampirja, u kthye, u hodh në qiell dhe u zhduk. Unë po dridhesha, por isha disi i lehtësuar që ajo ishte zhdukur. Por nuk doja më ta shohja atë për një tjetër hënë të plotë. Pashë plakën që u përkul me dhimbje dhe mori tufën e eurove. Duart i dridheshin. Unë isha ende me sytë në atë cep të murit të muzeumit, kur papritmas pashë rregullatoren që e solla zonja e banesës.
Rregullatorja doli nga shkallët lëvizëse në La Gare Montparnasse dhe u drejtua drejt një makine shitëse biletash, hyri në destinacionin e saj, Quimper, futi çipin e saj EMV dhe kartën e debitit pin dhe mori biletën e dhënë në makinë. Ajo hyri në la grande, ndërsa parakaloi një grup meshkujsh adoleshentë afrikanë. Njëri doli nga grupi, duke iu afruar me një buzëqeshje dhe e pyeti: „Hey chérie, quel est ...“ Ajo buzëqeshi, pasi kishte luajtur lojën më parë, ktheu flokët, u largua dhe tha, „dans tes rêves petit“.
Unë fshiva sytë, nuk doja ta besoja. Ishte vërtet ajo. Vërtet ajo… U shkunda menjëherë. Nesër ishte një hënë e plotë dhe ajo dhe hijet e saj do të takoheshin siç bënin çdo prag ekuinoksi. Unë menjëherë tentova të prekja celularin. Ajo ishte fare afër. Fare afër … Një errësirë vërshoi ngadalë periferinë e saj vizuale, derisa gjithçka që ajo mund të shihte ishin sytë e saj të ngulur mbrapa. Ajo qetësoi mendjen, duke marrë frymë thellë ngadalë. Sytë në pasqyrë u shndërruan nga sytë e saj kafe drenushe në sytë joshëse blu mace safir. Fytyra dalëngadalë doli në dritë dhe fokus. Një grua me flokë të zinj korbi të shndritshëm, lëkurë të bardhë alabastri, buzë të plota dhe sy mahnitës mace blu safiri me qerpikët e gjatë.
Fshiva sytë. Nuk mund të lexoja më. I magjepsur nga bukuria e saj, fytyra e saj e djegur përgjithmonë në mendje.
„Unë nuk e dija se kush ishte, por e dija se ishte e rrezikshme.“- po i tregoja time shoqeje, ndërsa prisnim të merrnim një sanduiç në anën më të zhurmshme të muzeumit... Radhpritësit e sanduiçt të muzeumit flisnin e shpotisnin, shakatonin dhe prisnin të shuanin urinë e një dite të mbushur me mistere mitike të mbetura mrekullisht si ndonjë dhuratë nga lart në art … „c'est la vie“ (Kështu e ka jeta!).
Comments