top of page

BUSTI I ANTON ÇETTËS NË KLINË,


Nga Prend Buzhala NË 31-VJETORIN E PAJTIMIT TË GJAQEVE

Klina sot, në 31-vjetorin e Pajtimit të Gjaqeve, inauguroi bustin e Anton Çettës, në organizim të Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Meqë isha pjesë e këtij organizimi, në pamundësi që të marrë pjesë, po i përcjell përgëzimet e mia për këtë veprimtari të bukur e domethënëse. Kësaj vepre, përpos miratimit nga ana e komunës, pati krahun kryesor mërgatën tonë që e ndihmoi financiarisht realizimin e kësaj vepre.

1. Fjalë rasti mbajti prof. Pal Canaj, kryetari i këtij Forumi, pastaj kryetari i Komunës së Klinsë, Zenun Elezaj, Hava Shala, Gani Nikqi (Këshilli Financues ) etj. Busti është vepër e skulptorit të ri Agron B. Blakçori, kurse shkëmbi i granitit në të cilin qëndron busti, i shndërruar ne vepër arti, është skalitur nga Osman Morina Të pranishëm qenë edhe të ftuasr nga Shqipëria, të afërm të Anton çetës, pajtimtarë gjaqesh etj. manifestimi u përcoll edhe me pika artistike. Ç’ është e vërteta, vitin që shkoi qenë bërë përgatitjet për një simpozium shkencor kushtuar Anton Çettës e Pajtimit të Gjaqeve, por pers shkak të rrethanave pandemike, sesioni nuk u mbajt, dhe pritet të mbahet këtë vit. Ky Forum sesione shkencore me rëndësi për këto anë, ka mbajtur vazhdimit prej vitit 1990 e këndej. Po ashtu, do përmendur, se në shenjë të Jubileut të Madh të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ky Forum organizoi edhe vendosjn e bustit të Skënderbeut, pastaj memorialë me vlera tarshëgimore historike e nacionale në Klinë, Zllakuqan e Budisalc. Ishte ky rast që të përmenden edhe kuvendet e mëdha që u mbajtën aso kohe edhe në komunën e Klinës, si ai në Zllakuqan më 1990, në Festën e Pashkëve e në bashkëpunim me komunës e Malishevës, në Bubavec, në festën e Bajramit. Po ashtu, ndër këta krushkaparë pajtimesh mbahen mend Vesel Krasniqi, Dedë Daka, Frrok Gojani, Hamit Krasniqi etj e që nuk janë më në mesin e të gjallëve. Shtysë të madhe, aso kohe, dha familja e prof. Dr. Marjan Demajt (ish-rektor i Universitet të Ptishtinës), që fali tri gjaqe. Personalisht, nuk mund ta harroj bashkëpunimin e dy klerikëve: mulla Xhevat Kryeziu (që shërbente në xhaminë e Bubavecit, Malishevë) dhe Don Fran Sopin, famullitar i Kishës së Klinës, por që shërbente edhe në Kishën e Dobërdolit, Klinë. Në mbajtjen e kuvendeve të mëdha të pajtimit të faljes së gjaqeve, ngatërresave etj që u mbajtën në Kishën e Zllakuqanit Ditën e Pashkëve (15 prill 1990) dhe pas një jave në xhaminë e Bubavecit (për bajram, 26 prill 1990) e që ishte kontribut i pakursyeshëm i këtyre dy klerikëve; në të dy tempujt ishin bashkë klerikët tanë, me intelektualët e rininë e Kosovës. Kurse në mesin tonë në këtë veprimtari, na vinin ngas Prishtina prof. Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, Mark Krasniqi, Don Lush Gjergji, Idriz Kokrruti etj.

2.

Me emrin e Anton Çettës ndërlidhen, pse jo, dy epoka, ajo e mbledhjes e studimit të folklorit dhe ajo e Pajtimit të Gjaqeve. Anton Çetta ka ditur t’i zgjojë prirjet më të mira të popullit tonë. T’i zgjojë në çastet kyçe e kritike, për hir të një perspektive ndriçuese më të gjerë e më të qartë: që kjo ndërgjegje të ngrihet në shkallë më të lartë të vetëçlirimit nga plagët e së kaluarës. Është rruga e gjetjes së vërtetë të vetvetes. Në doke e zakone, në krijimtari shpirtërore e në traditat tona. Te Epoka e tij e Pajtimit kryepërvojat e tij për një gjysmë sekulli rreshti i shndërroi në Kryeveprën tjetër, në atë të Pajtimit të brendshëm, në mënjanimin e heqjes së plagës së gjakderdhjes përmes hakmarrjes e gjakmarrjes. Është shembulli aq fisnik e aq thelbësor i vetëdijes sonë kombëtare. Te Epoka e Parë ai ndërtoi komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit, te e dyta këtë komunikim e ngriti në çlirim të brendshëm, në një proces të dhimbshëm e aspak të lehtë. Në të parën ai ngriti në nivele më të larta njerëzit e urtë të popullit me urtitë e krijimet e tij nëpërmes meseleve, fjalëve të urta apo pleqnive dhe frazeologjizmave (shih: “Bisedat dhe kallëzimet alegorike në Drenicë”, në revistën “Përparimi” nr 7-8, 1959, Prishtinë dhe “Disa frazeologji të Drenicës si rezultante të anekdotave popullore”); në të dytën bëri zgjedhjen e vështirë, të transformimit të brendshëm të një shkalle më të lartë të kësaj vetëdijeje me veprat e pajtimit që çoi në pajtim e bashkim nacional shpirtëror. Gjithë ajo masë njerëzish e tkurrur dhe e strukur nëpër kulla e shtëpi të errëta gjatë dekadave të së kaluarës, përbuzej si mendjetrashë, “katundareske”, maloke… kurse Anton Çetta mendoi ndryshe: te ata ai gjeti një botë të pasur synime e dëshira për shkollim e emancipim, të pajisur me qëndresë e krenari të pazakontë kombëtare. Aty, nëpër kallëzimtarëve të shkathtë, ndodh ballafaqimi i botës reale me botën përrallore, ballafaqimi i urtisë me ligësitë e sunduesve e shtypësve. Aty, te ato kulla, ai dëgjoi këngën folklorike epike e lirike, përjetoi dasmën tonë dhe rrëfimet për tragjeditë historike, pa dramat e gjallimit dhe dëshmitarë e tregimtarë të zhdërvjelltë me aftësi krijuese. Dhe kur hartonte vëllimet me lëndë folklorike, ai zgjedh majat: ato që kondensojnë përvojat, prirjet krijuese të gjeniut popullor, vlerat e ngritura artistike. Mandej vinte dija: tipologjizmi i rrënimtarëve popullorë e i zhanreve të papërsëritshme popullore shqiptare. Nëse te Epoka e Parë ai u bë njohësi më i mirë i Kanunit, ai në vitet ’90 solli Kanunin e Pajtimit që i dha fund gjakmarrjes. I rryer edhe vetë si rrëfyes anekdotash e pelqnish nëpër odat tona gjatë Epokës së parë; ai në të dytën do të shndërrohet në prijësin e oratorin e mirëfilltë që i flet masës milionëshe shqiptare. Po fliste dhe po vepronte Njeriu i Popullarizuar. “Popullarizimi është një nga virtytet më të larta të Anton Çettës”, shprehet studiuesi Mehmet Rukiqi. Ishte Njeriu që e njihte populli, njeriu që e njeh popullin e tij. Njeriu që admirohej. Dhe ky zgjim shpirtëror po bëhej me ato mjete që i kishte farkëtuar vetë ky popull; ai po e shëronte shpirtërisht e në trup vetveten ne dorën e njerëzve të tij. Ai i kishte përvetësuar së thelli mendimet e Aristotelit për gojëtarinë: “Është thjeshtësia që e bën të paarsimuarin më veprues e më efektiv se sa të arsimuarin, kur i drejtohesh audiencës popullore – i detyron ata, siç na thonë poetët, ‘më joshës dhe ua magjeps më shumë veshët turmës’. Njerëzit e arsimuar vendosin parime të gjera e të përgjithshme; njerëzit e paarsimuar argumentojnë e debatojnë mbi njohuritë e përbashkëta dhe nxjerrin konkluzione të qarta…. Oratori duhet të mendojë për përmbajtjet, për të cilat dëgjuesit e tij me të vërtetë krijojnë tashmë pikëpamje dhe ato që janë pikëpamje, dhe pastaj ato duhet të shprehen, si të vërteta të përgjithshme, të njëjtat pikëpamje mbi këto tema të njëjta. Ky është një avantazh i përdorimit të maksimave.” Kësisoj, energjia e tij pajtuese gjeneronte një Tjetër Kohë, një Tjetër Epokë që po formohej me ndërgjegje të re historike, për të krijuar një të ardhme të re. Asnjë kornizë ligjore a gjyqësore nuk do të mund ta kryente atë kryevepër kohe, se ç’e kishin kryer zemrat dhe mendjet e njerëzve. Dhe sa e sa plagë e konflikte, të fjetura me dekada e dekada, dolën në sipërfaqe, sa drama të gjata, sfilitëse, dolën në aktin e tyre të fundit. Ishte ai kuvendimi popullor a dialogu popullor, i zgjuar nga traditat më të mira, që doli në sipërfaqe, doli si dialog i mirëfilltë pajtimi, me atë frymën e sinqertë, krejtësisht të hapur, mu ashtu si aspiron bota moderne: për hapje. Ishte ajo shenja jonë drejtuar botës: ne nuk jemi vrasës, por paqësorë! Ne nuk jemi terroristë, por paqedashës: vrasës e me prirje gjenocidale është dikush tjetër, me emrin Serbi. Dhe bota përparimtare i pa këto realitete, i ndjeu, i mirëkuptoi thellë. Dhe bota ndihmoi! Është përvoja shqiptare që iu dha botës: si arrihet një vepër historike pajtimi, së pari me vetveten e mandej me të tjerët… Le të mësojnë të tjerët, se si duhet pranuar diçka që është bërë gabim, se si zbulohet e vërteta, se si ndërtohen marrëdhënie të vërteta mes njerëzve që deri dje ishin armiq e gjakësorë; se si njerëzit flitnin me guxim, se si dinë të dëgjojnë. se si duhet dëgjuar dy palë në vuajtje. E këtë vepër nuk mund ta kryenin politikat as politikanët. As sot nuk munden!

3. Meqenës Prishtina pati problemazizuar qe sa e sa vite çëstken e një përnendoreje, këtu po skëpus vetëm një mendim të shkrimatrit e publisitit proverbial shqipatr, Ramiz Kelmendit, tashmë i ndjerë: "Nuk di a ka tjetër popull që i nënçmon më shumë njerëzit e vet më të merituar, që i nënvlerëson, që i mohon, le që i harron, se sa populli shqiptar njerëzit e vet më të mëdhenj... Në Prishtinë, bie fjala gjendet një shtëpi, në oborrin e së cilës gjenden dy shtatore... të njërit nga njerëzit më të merituar... E kam fjalën për pajtimin e gjaqeve, për lëvizjen e pajtimit të gjaqeve... Kemi pajtuar 1200 gjaqe. Janë pajtuar 2400 familje. Në krye të asaj lëvizjeje gjithëpopullore, që ishte një UÇK në mënyrë të vet, sa ka qenë UÇK-ja me pushkë ka qenë pajtimi gjaqeve një top kundër Millosheviqit dhe politikës antishqiptare të tij. Në krye të asaj lëvizjeje ishte, kush tjetër, Atnon Çetta...si s’u kujtua dikush që njërën nga ato përmendore ta vërë, në mos kurrkund tjetër, para Institutit Albanologjik, në mos kurrkund tjetër në Raushiq, ku u bë pajtimi i parë i gjaqeve, mos kurrkund tjetër - pse jo, diku në qendër të qytetit të mos figurojë edhe ai monument?!?"

4. Në fund, Klina e kreu borxhin e vet modest.

(Prend Buzhala)

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page