top of page

Burri qe "futi shejtanin ne shishe"



Grupi prej tre vetësh i gjeologëve u raskapit duke u kacavjerur shkrepave të maleve. Ishte vjeshtë dhe pyjet dukeshin sikur kishin mare zjarr ngaqë poshtë tyre zverdhonin e kuqelonin gjethet e thata me ngjyra të ndezura. Ata kishin tri ditë e tri net maleve. Flinin jashtën nën çadrën e vogël. Ushqimeve që kishin marë me vete u kishte ardhur fundi që në mëngjezin e ditës së tretë. Hengrën por sikur hengrën këmbët e tyre, aq pak ushqim kishte mbetur. Nuk e pandehnin se do të qëndronin kaq gjatë nëpër male por kurioziteti e pasioni për zanatin ku nuk të çon? Po afronte dreka. Zorrët po u kërcisnin nga urija. U shtrinë në kurriz mbi plloçat e pjerrta e të hirta të masivit të malit. Me sytë drejt qiellit shikonin pupla resh të bardha që mernin forma nga më të çuditëshmet nën puhinë e erës së lehtë. Tutje uturoi me rrapëllimë zhurma shurdhuese e një skuadrilje aeroplanësh luftarakë.

-Eh këta aeroplanët e sotëm, super të shpejtë, i bien botës rreth e rrotull dhe kthehen në bazë si njeriu që kthehet në shtëpinë e tij. Ata mund të jenë nisur nga Moska, nga Londra

apo Berlini dhe, kush e di ku e mbajnë frymën-foli Pasho Çekrezi më i madh në moshë se dy të tjerët dhe përgjegjësi i grupit.

-Jo po nga Tokioja-u përgjigj Petriti duke e shpotitur me shaka kolegun e vet-pse shkon aq larg o Pasho? Ata janë aeroplanët e NATO-s dhe bazën mund ta kenë në Romë, në Turqi, Greqi, Francë.

-Në kohën e luftës aeroplanët englezë krahas veshmbathjeve hidhin partizanëve edhe ushqime me anën e aeroplanëve-vijoi Pasho Çekrezi.

-Shikon ëndrra me sy hapur, i nderuar koleg, mos kërkon të hedhin ndonjë thes me panine nga qielli këta aeroplanë-vijoi Petriti me buzëqeshje.

-Sa mirë do të ishte..

- Për mua le të jenë nisur nga ta kenë patur kokrrën e qejfit dhe le të shkojnë ku të duan. Mua më intereson tani për tani barku im i zbrazur, më preu uria-ndërhyri Frrok Pjetri, më i riu i

grupit i cili u ngrit vrik në këmbë dhe bëri tutje. Sytë i kishin parë një mollë të madhe të egër.

-Për urinë , për bukën e kemi fjalën o Frrok. Ku shkon?-pyeti Pashua

-Ja, të mar ca mollçinka, si i thonë fshatarët e kësaj zone atyre frutave të vocrra, që po ma bëjnë me sy mbi pemën e madhe.

-Nuk më duken si mollçinka ato, mund të jenë fruta helmuese.Frroku u step. Vërtet ato mollë të vogla mund të jenë vdekjeprurëse? Ndërkohë në hundët e tyre gjeologët ndjenin nje erë tymi, si diçka përzhitëse . Kthyen kokën poshtë. Në pyll kishte rënë zjarri. U sulën në drejtim të pyllit me synimin për ta shuar. Arritën në kohë se zjarri nuk kishte zgjeruar vatrën e tij.

Sapo ishin djegur ca shkorreta dhe gjuhët e flakës po tentonin drejt lisave të mëdhenj. Por ata i ndaluan duke hedhur dhe’sipër flakës. Drejt tyre po vraponte një bari me krrabë në dorë. Ai u

bashkua me gjeologët dhe zjarri u platit krejt. Në përfundim të punës Pashua i tha bariut:

-Mos të ndodhet ndonjë kafshatë buke në torbë, o vëlla?

-Vallahi nuk kam asnjë krodhe. Sapo e hëngra atë copë buke me gjith djathin që më kishte mbetur.

-Oh, s’ka gajle. Ku mund të kërkojmë ndihmë se na preu uria?

-Fshati është shumë larg prej këtej por në u bëftë xhymerte zonja e asaj shtëpie që duket atje tutje, e shihni?, ja në atë brinjë kodre, mund të gjeni gjësendi.

-Pse si është puna e xhymertllëkut o bari i mirë?

-E zonja e shtëpisë është cingune. E dinë gjithë banorët e kësaj zone. Tushe e quajnë. Nuk po them gjë për të shoqin e saj, Ramadanin, se te shkretin e ka mbërthyer përdhesi, ka mote, dhe ka zënë krevatin. Shtëpinë e babovit Tushja. Ajo është kërnace e madhe. Kaq ta bësh dhëmbin meazallah se te jep një lugë kripë hua, si i thonë fjalës. Nuk është keq nga ekonomia se djemtë, të dy, i kanë në emigracion dhe xheku u dërgojnë goxha para prindërve të tyre pleq. Mirëpo historia e kopracllëkut të Tushes dorështërnguar është bërë bajat këtyre anëve, të gjithë e dinë.

-Ç’do të thuash me fjalën babovit?

-Do të thotëe për shtëpinë kujdeset Tushja.

-Po e provojmë një herë fatin pa copë të bëhet-përfundoi bisedën Pashua.

U nisën. Pas ndonja gjysëm ore rrugë dhish, me të përpjeta e tatëpjeta, më në fund mbrritën te shtëpia e pleqve vetmimtarë.

Ishte shtëpi e re, elbasançe, me tulla. Trokitën në derë. U doli përpara plaka Tushe, e zonja e shtëpisë, me peshtemall në prehër e me fshesë në dorë.

-Bujrum-u tha-ç’e mirë u solli në shtëpinë tonë të varfër?

-Nese quhet uria “e mirë”, ne ajo na ka sjellë-u fut drejt e në hall, pa bërë temenara, Petrit Kreka të cilit i kishte lezet fjala dhe shakatë me kripë-Jemi gjeologë dhe kemi mbetur pa ngrënë.

Deri sa të zbresim poshtë do të na bjerë të fikët nga e pangrëna.

-Uh, more djema, uluni të pini nga një kafe elbi se nga ajo e mira nuk ka nëna-ftoi Tushja mysafirët.Dhe ata ashtu bënë. U ulën në minderin e dhomës përdhese,rregulluar mirë, me televizor e qilima, me perde të bardha dritareve. Dhoma ishte e stilit të vjetër, me kllanik e vatër zjarri brenda, me çengel që dilte përfund oxhakut. Tushja kishte varur në çengel një kusi të pastër, të re, të madhe me ujë që po zjente.Në prush vuri xhezven për kafe elbi.

-Para se të pijmë kafe o zonja Tushe, a mund të na japësh gjëkafshë për të ngrënë se na griu uria?-pyeti një nga mysafirët.

-Po ç’tu jap Tushe zeza o bij?

-Çfarë të duash, ç’të ndodhet në shtëpi, ndonjë krodhe bukë me gjizë e qepë, ndonjë gotë dhallë ta bëjmë përshesh, qumësht po të kesh.

-Qumësht? Gjizë? Ka javë që nuk kemi bulmet o u keqen nëna. Nga tri dhi që kemi, dy na mbeten shterpa, njëra e ka prerë qumështin.

-Gjeologëve iu kujtua ajo ç’ka sapo u kishte thënë bariu:“E zonja e shtëpisë është cingune”dhe vërtetë kjo nuk është si ajo fukaresha që tregojnë se u trondit kur pa ti vinin mysafirë që nuk i priste në shtëpi dhe ajo nuk kishte gjalpë apo vaj për gatim.Nga hutimi ajo në vend që ti pyeste mysafirët nëse kishte rruga baltë iu drejtua:

“Mirëseardhët,po a kishte rruga gjalpë?”

Tushja nuk qe nga ato që turpërohen si zonja e mirë që ngatërroi baltën me gjalpin.Jo ,Tushja dukej që atje tutje që vërtetë ishte cingune.

-Nuk të ndodhet fare pak, një koridhe bukë të paktën për këtë të riun-tregoi Pashua me gisht e me kokë Frrokun.

-Më rëntë pika që nuk më ndodhet asgjë edhe për këtë djalin që duket kërthi para jush. Po ju pini kafen dhe zbrisni poshtë në qëndër të fshatit. Atje ka klub, ka dyqan ushqimor. Është ca larg por ju jini mësuar me largësira se jini gjeologë, më thatë?

-Po, po gjeologë jemi, po mirë me se jetoni ju të dy pleq këtu xhanëm, me ajër e ujë?-pyeti me inat Frrok Pjetri.

-Ja ashtu hiq e mos këput, me ç’na dërgojnë djemtë nga kurbeti-u përgjigj ajo duke u hequr se nuk i bëri përshtypje fjala e të riut gjeolog dhe vazhdoi-Oh, të shkretën po me derdhet kafja e sikur nuk ka lezet kur pritet ajka me shkumbë e saj.Mori tre filxhanë dhe i mbushi me kafe elbi. Elbi është i ushqyeshëm. Qëmoti mbillnim shumë nga kjo bimë se kishim dy kuaj dhe i ushqenim me elb. Pa çonim edhe në shtet se prej elbit bëhej birrë e mirë në fambrikën e Korçës. Kështu thoshin pa ku e di unë e shkreta?

-Ke të drejtë nëno, me elb bëhet birra më e mirë, më ushqyese dhe më e shijëshme në botë. Unë kam studiuar në Çeki dhe atje bëhet birra “Pilsen” më e mira-mori fjalën Pashua duke rufitur

ngadalë kafen me sytë drejt një spate me bisht të ri, të shkurtër në fund të dhomës.

-Eh, ju kini parë botë more bir, po ne jemi rritur këtyre skërkave dhe nuk dimë shumë gjëra.

-Ke të drejtë, s’ke faj-kur shikon botën mëson shumë gjëra që nuk i di njeriu. Ja përshëmbull, po të them një gjë që ta dëgjosh ti po edhe këta dy burrat e tjerë që janë me mua se nuk ua kam

treguar deri tani pasi nuk ka rënë rasti. Në Çeki bëhet një lloj supë e famshme me dru mështekne që kur e gëlltisnje thoshe:“Ngrehu o i vdekur të hash!” Ky zjarr, ky ujë që ka marë force vlimi, ç’më kujtoi ekspeditat e jetës sime studentore në malet e Çekosllovakisë. Zjenim ujin dhe aty brënda në kusi hidhnim copa druri mështekne të pastra. I hidhnim kripë, vaj ose sallo dhe e hanim. Disa fshatare ceke nuk e dinin kete marifet dhe kur na shikonin tek gatuanim supen speciale mblidheshin rretherrotull e cuditeshin sikur lunate qeni I kallajxhiut..Kur unë pyeta një student çek nëse kjo lloj supe mund të bëhej me dru lisi, ai më tha : “Lis?Ku ta gjesh drurin e lisit sepse jo vetëm që ka më shumë vlerë ushqimore po lëshon edhe ngjyrë karakteristike si të kafejtë…”

Dy kolegët e Pashos dhe plaka po e dëgjonin me kureshtje të madhe bisedën. Petriti e Frroku shikonon njëri –tjetrin dhe dukej sikur pyesnin: “Po ky ku kërkon të dalë? Vërtet të jetë kështu siç po flet apo ja mbyt kot së koti? Si nuk na ka treguar më parë një gjë të tillë?” Ndërkohë Pashua vazhdonte të tregonte për mrekullinë e drurut të lisit. “E keqja ishte se atje ku ne bënim

specializimin nuk kishte lisa. Çekët ia dinin vlerën konjakut tone “Skenderbeu” dhe atij të Korçës dhe më thanë: “ “Konajku juaj fermentohet në voza të mëdha me rrathë druri lisi. Ngjyra

që mer konjaku nuk është për shkak të pigmenteve të ndryshme artificiale por vetë druri i lisit lëshon pigmentin natyral”. Ç’ta zgjatim më tej muhabetin? Thonë se supa prej mështekne pa le

prej lisi, dëha më mirë, përveç se të ushqen, ajo të largon edhe rrudhat e plakjes, të rinon.

Pashua ishte futur në të thella, qëndronte serioz dhe shikonte herë Tushen që dukej si e shastisur, tërë sy e veshë dhe here kolegët e vet të cilët nuk kuptoheshin nese ishin të habitur e dëgjonin seriozisht apo e shikonin si paraqende kolegun e vet.

-Përse po e zjen këtë ujë moj nëno-vazhdoi me pyetje Pashua ndërsa i kishte dhënë fund tregimit të jetës së tij studentore në Çeki.

-Për të larë plaçkat me alisivë. Burrin tim, Ramadanin, e kam pa qejf, të sëmurë. Ai është nga dhoma tjetër, matanë. Unë jam vetë zot, vetë shkop në këtë shtëpi këtu mes maleve. Djemtë

janë larg e ne jetojmë me mallin për ta.

-Më bën përshtypje ajo spata atje në fund të dhomës. E paska bishtin e shkurtër dhe të ri fringo. Prej çfarë druri është bishti?

-Prej lisi.

-A mund ta zjejmë atë bishtin e spatës në këtë ujin që po valon dhe lëngun ta pimë si supë biçimi me qënë se nuk paske gjë tjetër o Tushe? Pastaj e vendosim përsëri në spatë.Tushja ktheu kokën nga spata dhe buzëqeshi.

-Si të doni-tha.

-Ta lajmë një herë.

-Ja se e lan nëna-tha Tushja-ti më ndihmo të heqim spatën prej çeliku. Me shpejtësi e lau mirë e mirë bishtin dhe siç qe e futi në tenxhere. Zjerja vazhdonte. Filloi të merte uji një farë

turbullire

-Të ndodhet pak kripë nëno?-pyeti Pashua.

-Posi, posi. Sa të duhen një apo dy lugë?

-Një.

-Shikoni si ngrihen flluskat e ujit sepse përxihen me kripën e me lëndët ushqimore të drurit të lisit.

-Sa do të presim o Pasho se na u ngjitën zorrët pas kurrizit pyeti Frroku.

-Ja edhe pak. Sikur të kishim një apo dy kokrra qepë e di si do të qe? Feja vetë!.

-Pika më rentë mua që edhe qepë nuk kam.

-Ke, ke, nëno-ndërhyri Petriti-Kur hymë këtu pamë vargun e qepëve varur në trarë tok me vargjet e misrave.

Kur njeriu ka uri, thonë se të gjitha shqisat janë më të mprehta:truri bëhet më i freskët, syri më i mprehtë, nuhatja me egzigjente,veshët më të ndjeshëm. Në këto kushte Frrokut nuk i kishte

shpëtuar vargu i qepeve dhe i misrave varur lart në trarët e koridorit i cili nuk ishte përfunduar me tavan.

-Uh, uh unë shushka, lajthita fare, si nuk m’u kujtua mua plakëzezës?

Po trarët janë lart dhe unë nuk i arrij dot.

-Hipi unë sakaq-ndërhyri Frroku.

U morën dy-tre kokrra qepë, u grinë dhe u hodhën në tenxhere.

-Ë, si thoni, ta provojmë tani?

-Edhe pak nëno, edhe pak. Se në mungesë të ndonjë lëpjete për t’i dhënë më shumë shije, do ta lemë edhe ca në zjarr.

-Lëpjeta? Po ka në ferrat e kopshtit ca lëpjeta se vërtet vjeshtë është po ka ca ditë kjo vjeshta që janë tamam behar e shkuar beharit. Kanë dalë lëpjetat si të ishte pranverë.

-Po shkoj unë-tha e u ngrit Frroku që pas ca çastesh hyri me një tufë lakrash në dorë. Tushja i pastroi, i lau, i griu dhe i hodhi në tenxhere

-Eh, more zotërinj, do të hani supën që nuk e kini ngrënë ndonjëherë në jetën tuaj. Po sikur të kishte, jo shumë por, dytri lugë miell pa të shihnit se ç’gjellë do të kishit provuar-tha tërë

gaz Pashua- lere lere, do të lëpinit gishtrinjë.

- Ashtu? Po bollguri a bën?

-Bollgur? Akoma më mirë. Pse të ndodhet?

-Të shikoj një herë në dollap –tha ajo- dhe hapi dollapin në afërsi të kllanikut.

-Të lumtë Tushe.

-Nuk paskam bollgur por në magje mund të gjej ca miell.

Shkoi dhe u kthye.

-Mjafton?-pyeti duke treguar pak miell në një pjatë të nderë.

-Mjafton por do të bëhet supa fare e hollë dhe nuk do të ngopemi. Se, jemi tre neve dhe ti Tushe me gjith tët shoq,Ramadanin, bëhemi pesë se edhe ai njeri është, i sëmurë është dhe supa do ta gjallërojë. E kam fjalën se nuk mjafton mielli.

Megjithatë, kur nuk kemi pulën do të hamë sorrën, s’kemi ç’bëjmë.

-Po shkoj të krruaj edhe një herë mirë magjen.

Shkoi, u kthye me një sahan miell.

-Ja, tani po. Kësaj i thonë supë e trashë që të mbush barkun.S’ka gajle se nuk ka të lyrë, gjalpë apo vaj. Shikoni, shikoni se si po ntrashet supa, shikoni se ç’ngjyrë mori!

-Lyrë? Po a bën gjalpi i dhisë se më duket se ka mbetur pak në një jamake që e kam në qilar.

-Ç’ thua moj Tushe? A bën gjalpi i dhisë? Po ai është melhem jo vetëm për oreksin e stomakut por edhe për sëmundjen e plakut. Se dhija nuk kullot si lopa apo delja që hanë bar atje ku kanë shkelur këmbët e njeriut e të kafshëve, ku ka rrjedhur balta e këllirat e pyllit. Dhija ushqehet me majën e gjetheve, lart mbi degë.

-Vajta dhe erdha, më prisni pak, mos e trazoni tenxheren.

Dhe ajo sa hap e mbyll sytë vajti në qilar dhe u kthye me një poçe me gjalpë dhije.

-Mirë kanë thënë o bij se pleqëria është më e keqe se varfëria.

Kisha harruar fare unë dambllamadhja këtë poçe me gjalpë. Ja tek është. Sa lugë të hedh në tënxhere?

-Nja pesë a gjashtë lugë- ndërhyri Petriti.Tushja e pa me përbuzje.

-Sa të duash ti Tushe.

- Po i hedh pesë pra, nga një lugë për njeri.

-Të lumtë.

-Po e trazoj edhe pak pasi mielli nuk u tret mirë dhe është bërë kotka kotka-ndërhyri Pashua që atë pasdite u kthye në guzhinier dhe “diplomat”Dhe kështu shto miell e shto ujë, shto gjalpë e shto lakra u arrit që të bëhej një gjellë e trashë si mëmëligë por më e shijëshme sepse kishte edhe perzierje të tjera: Qepë, lakra(lëpjeta), gjalpë,lëngun e bishtit të spatës prej druri lisi.

-E, si thoni, ta heqim nga zjarri e ta hamë tani?

-Edhe pyet?Shpejt se mbaruam.

-Në qafë u paça që nuk kisha ku të gjeja ca djathë të forte dhije-vazhdoi Pashua duke parë me bisht të syrit të zonjën e shtëpisë.

-Qëndro, mos e hiq nga zjarri supën-tha ajo tërë entuziazëm-Kam një myshere djathë të bardhë e të fortë dhije.Të shkoj ta mar?

-Ç’pret akoma?..

Dhe kështu, pasi plaka i çoi plakut të vet racionin e ngrohtë të gjellës, vetë u shtrua tërë lezet në sofër tok me tre gjeologët që kishin uri prej ujku..Pashua ia arriti këtë radhë “ta futëte djallin në shishe” duke treguar se nuk janë vetëm gratë ato që futin shejtanin në shishe, halli bën që edhe burrat “kur u vjen veza gati për ta bërë” përdorin marifete të tilla. Nevoja është nëna e shpikjes.Diplomacia hyn kudo në punë.

Fiqri Shahinllari

38 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page