top of page

BULLGARKA




Tregim nga Luan Çipi

          Kiço Dhanua, i ardhur nga një fshati i Tepelenës, pasi kishte kryer shkollën shtatëvjeçare dhe një kurs partie, kishte punuar ca kohë si instruktor në Bashkimet Profesionale. Më pas ishte zgjedhur ndër militantët, për të dhënë më shumë ndihmesë për të mirë të Partisë dhe të popullit dhe ishte caktuar instruktor në sektorin ekonomik të Komitetit të Partisë të rrethit Vlorë. Ai vinte shpesh edhe në kolektivat punonjëse të ndërmarrjeve ekonomike të Vlorës, për të kontrolluar, hetuar  e ndihmuar, deri punonjësit e thjeshtë, për të mbajtur të pastër vijën ideologjike marksiste-leniniste në çdo qelizë të ekonomisë socialiste. Nuk duhet harruar se në ndërmarrjen tonë të përzier në shumë aktivitete, aty, afër Drejtorisë, kishim dhe Repartin e Sallamit dhe atë të Ëmbëlsirave. Kiçua i kishte merak këto prodhime delikate dhe  i degustonte, herë pas here, duket, siç thoshte një miku im, edhe për të ruajtur popullin nga ndonjë helmim i mundshëm, qoftë dhe nga dizenteria. Për popullin duhet sakrifikuar deri vetja.

Në të njëjtën kohë me praninë, thjeshtësinë dhe shembullin e vet, ai kryente edhe detyrën e caktuar nga Partia për edukimin moralo-politik të punonjësve.

          Në zyrën e planit të ndërmarrjes sonë, bashkë me mua, punonte si ekonomiste e kosto-statistikës dhe një grua bullgare, Maria, gruaja e një dentisti të njohur, nga një fshat i bregdetit. Në një mëngjes dimri, Maria, që e ndiente shumë të ftohtit, në zyrën tonë pa ngrohje, kishte dalë me pallton e madhe gri hedhur krahëve dhe po pushonte pak çaste, për t’u ngrohur në atë shtrojerë, nën rrezet e ngrohta të diellit. Pikërisht, në atë çast fatkeq ia behu si me vrap Kiçua, siç ecte ai gjithnjë, falë temperamentit të tij sanguin. E sheh Marien drejt e në sy. Ajo, si e zënë në faj, ul kokën, me sytë e bukur e të pafajshëm dhe bëhet të kthejë shpejt në zyrë.

          - Po, ti, bullgarkë, ç’po bën aty? Po shullëhe?

          Maria, që as e dinte kuptimin në shqip të kësaj fjale, se e dëgjoi për herë të parë, e fyer, e trembur, po gjithë respekt, siç ishte ajo, iu përgjigj:

          - Jo, jo, shoku Kiço. Nuk po bëj gjë të keqe, siç duket se më the, po jam ca si e sëmurë dhe dola pesë minuta në diell, se kam të dridhura dhe brenda, pa ngrohje, është më ftohtë.

          - Po pse, për të punuar apo për t’u shullëhur ke ardhur ti sot? Oj, na paska ftohtë, zonja! Po mijëra punëtorë e kooperativistë të nderuar ç’duhet të bëjnë, sipas zotërisë tënde, të shullëhen apo të punojnë? Po, s’ke faj ti, se të toleron Luani, kapso shefi. Më jeni bërë kapitalistë dhe revizionistë bashkë ju e po bëni pallë ariu, ndërsa ne dhe të gjithë proletarët e botës duhet vetëm të punojmë, të na bjerë bretku në punë. Hë, pa do ta shihni edhe ju!

          Maria futet kokulur në zyrë dhe e ngashëryer ma shpjegon hollësisht ngjarjen.  

          - Mirë që bërtet sa ka në kokë, po pse më shan, madje, dhe më thotë me një fjalë të keqe e të vështirë: “shullëhe”. Unë nuk jam e atillë. Le që s’jam e atillë, por unë as që e kuptoj këtë lloj sharjeje në shqip, s’e kisha dëgjuar kurrë as nga gratë e lagjes, kur zihen me njëra-tjetrën dhe thonë deri fjalën e fundit. Nuk më thua, çdo të thotë në shqip kjo fjalë? Më thuaj ndonjë sinonim.

- Kuptimin ia di, - i them unë, - po tamam, tamam, të shoh fjalorin. Sharje nuk është, po dhe lavdërim nuk është, prandaj qetësohu dhe fillo punën, ngaqë jemi pas dhe do të rrimë jashtë orarit edhe sot. Kiço ziu atë punë ka, t’ia bëjë gam-gam, të mbllaçitë ca sallam cilësor e të ëmbëlsohet më pas me tahin, hallvë e biskota. Do të kthehet në Komitetin e Partisë pa i raportuar njeriu. Ai kënaqet me veten e tij, se e zhvilloi parimisht luftën e klasave dhe u ngop e u ëmbëlsua sa desh. Ti mos u mërzit fare, se Kiço Dhanua dhe ca si ai, atë punë kanë: të hanë dhe të lehin. Po, përgjithësisht, ai nuk i bën dëm njeriu, se është fukara dhe me një tufë kalamaj

x

          Në një tjetër ditë Kiço Dhanua, instruktori ekonomiko politik i Komitetit të Partisë në Vlorë, pasi kishte qenë për “kontroll e ndihmë” në Kantinën e verë-rakisë dhe kishte pirë sa donte, po pa meze, ashtu gjysmë i dehur, hap derën e zyrës sonë, fut kokën vrullshëm dhe për t’i ruajtur, për mos t’i përplasur sytë me të mitë, i ngre instinktivisht lart nga tavani. Aty, në një qoshe, dallon një shtrat merimange, pikërisht mbi tavolinën e Maries.

- Shoqja Marie! Ç’është ai pisllëk aty në qoshkun e tavanit?

          Maria, që priste ndonjë përshëndetje mirësjellje nga i porsaardhuri, ngrihet menjëherë në këmbë me sytë lart, në drejtim të gishtit tregues të shokut Kiço. Shikon te qoshku i tavanit një rrjetë merimangash dhe brenda tij një insekt të madh, të zi e të frikshëm. I duket vetja si e zënë në faj, se duhet ta kishte vënë re dhe të njoftonte, të paktën, atë pastruese të pakujdesshme. Hutohet dhe i priten mendimet. Si t’i përgjigjej instruktorit? Po ajo as që e dinte si i thoshin në shqip. Pa e menduar shumë, nisi t’i thotë të vërtetën:

          - Të më falni, po nuk e di në shqip. Në bullgarisht i thonë...

          - Po, e mora me mend që nuk e dije. E kuptova nga vonesa e përgjigjes. Domosdo, ty shqipja nuk të intereson. As shqipja, as Shqipëria jonë e dashur. Këtë unë e kam të qartë. Po, unë një gjë nuk po arrij të kuptoj. Nuk kuptoj sesi të mbajnë ende në punë si nëpunëse të shtetit shqiptar, se t’i ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit. Unë nuk po kuptoj se kujt i shërben ti, shoqja bullgarkë?  

          - O shoku Kiço, - ndërhyra unë fortë i shqetësuar, ndërkaq, që Maria shpërtheu në të qara me dënesë, - po, ç’ke me shoqen Marie ti, që i je qepur me bukë në trastë. Dhe kur mu afrua dhe e ndjeva që qelbej era raki, e ngrita më shumë zërin, edhe për të qetësuar Marien. Ajo, - i thashë, - është nëpunëse model, punon shumë mirë dhe ka njohuri të thella. Pastaj burri i saj është drejtor dhe specialist në zë dhe komunist edhe më i vjetër nga ç’je ti. Ajo nuk ka për detyrë të merret me pezhishkat e mureve dhe me merimangat e vrimave, punë që i takojnë një pastrueseje. Unë nuk po të kuptoj dot ty sot, kur po na flet si i dehur dhe madje kalon në ekstrem me iluzione spiunazhi. Të lutem, na lër rehat, se unë marr menjëherë prej këtu në telefon Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë dhe mjerë ti dhe kalamajtë e tu pastaj.

          Kiçua uli zërin dhe u ul në një karrige, megjithatë, s’e komandonte dot veten nga rakia:         

          - Me gjithë respektin që kam, edhe për ty mund t’i them ca fjalë dhe atë që e ke vëllain në burg. Rri, mos e zbut luftën e klasave dhe mos më fol mua për merimangat e mureve, po hap sytë dhe shih këtu e kupto me ç’ merimangë punon. Me një merimangë bullgare, që çdo ditë thur rrjeta, për të të përfshirë në to edhe ty, që je kontingjent i gatshëm. I dimë ne këto, jemi vigjilentë, siç na mëson Partia dhe t’i themi hapur, pa e pirë mendjen. Prandaj ulni kokën, punoni, se po luajtët bishtin, ne ju presim kokën. Qartë? Ta mbyllim me kaq këtë punë?

          - Po, në këtë rast, - i them unë, duke e kthyer në shaka, siç duhej bërë me një të dehur, - ne këtë gabim kemi bërë, e kemi mbajtur kokën poshtë, se po ta mbanim lart, do t’i kishim parë ato pezhishkat e tua dhe me vigjilencë revolucionare do të kishim informuar pastruesen që, siç e di, për fat edhe ajo ka për të ushqyer jo pak, por pesë fëmijë, aq se keni dhe ju, shoku Kiço. Tani besoj se e more vesh që fajin kryesor për këtë gjëmë të madhe e ka ajo, po dhe ne pa faj nuk jemi.

          Kiçua nuk kishte më fuqi ta zgjaste bisedën, por edhe ashtu, i dehur siç qe, nuk shkonte dot më në zyrë dhe kur e pa që ne nuk ia varnim më, se kishim punë, filloi të dremiste i kënaqur në karrige, me kokën në tavolinë, midis të dy duarve si jastëk. Shpejt filloi dhe të gërhinte. Unë e zgjova me kujdes, e kapa nga krahët dhe e shtriva në kanapenë e Këndit të Kuq, aty pranë, ku, me derë mbyllur nga jashtë, fjeti deri në mbarimin e orarit zyrtar.

58 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page