BULDOGU ME HUNDË KLLOUNI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 28, 2020
- 3 min read

BULDOGU ME HUNDË KLLOUNI
Tregim nga Kozma Gjergji
Gradualisht vëmendja e artistëve transavanguardistë (një llojë avanguarde më eksplozive), siç e quajnë veten, spostohet tek regjisori Vinicio. Me atë kokë buldogu, veshë të dalë si dy guaska të stërmëdha kërminjësh dhe hundë kllouni, zonjushës i vjen të besoi, se ai është një tallje e natyrës, ose i laparosur prej saj ashtu në ngut e sipër. Mendon që me siguri duhet të jetë nga më të preferuarit e karikaturistëve.
Teksa regjisori flet për filmat e prirjet më të reja me një gjuhë plotë fantazi, ajo konstaton se në atë figurë groteske, llafazane e mburravece ka dhe diçka interesante e tërheqëse.
Berti i tregon asaj që kineasti ka patur shansin të bashkëpunoi me skenaristin e shquar T. dhe, për tre filma me metrazh të shkurtër janë shpërblyer me çmime të rëndësishme.
Vinicio kërkon leje të shfaq për nder të mysafires së re filmat e tij të vlerësuar. Ende pa pritur miratimin vë disketën në televizor që nis me filmin "Kthimi nga lufta ". Në të jepet brenda pak minutave jeta e një ushtari, të cilin lufta e ka shndërruar në çakall. Kur kthehet në shtëpi, njerëzit e tij nuk e njohin, madje, trëmben dhe s'e pranojnë më si birin e tyre.
Mes shumë dyshimesh arrin ta dallojë vetëm e motra. Përpiqet t'i bind dhe të tjerët, por është krejt e kotë. Atëhere e merr në shtëpinë e saj. Bisedojnë për të kaluarën e përbashkët. Ajo ve re me tronditje, se të vëllait i janë zhdukur nga kujtesa shumë emra e kujtime të dashura. Bën gjumë të shqetësuar me përçartje e aluçinacione. Ndihet se është ende në luftë. I bëhet hera-herë se e thërret sinjali i alarmit.
Një ditë i përgjigjet realisht. Rrëmben armën e del me shpejtësi nga banesa, pozicionohet dhe hap zjarr. Viktimat që e pësojnë janë fqinji e disa kalimtarë. Në çast e sheh veten të rrethuar nga policia e me pranga në duar.
Një rrotë qerre në ngjyrë të kuqe midis dy shiritash në blu e të gjelbër, simbol i flamurit e traditës endacake të popullsisë rome dhe, proverbi: "Për rrotën tonë nuk gjendet rrugë e drejtë ", përbëjnë gjithë zemrën e filmit tjetër "Rrota e fatit." Personazhi kryesorë është pikërisht rrota. Mbi një reliev tejet të vështirë ajo bën mundimshëm ngjitje e zbritje, si guri i Sizifit, shoqëruar gjithnjë nga gërvima e vet, e cila është njëkohsisht edhe muzika edhe monologu i saj.
Gërvima-muzikë, që të përcjellë ndjesinë e grindjes së përherëshme me vetveten dhe për fatin e rënë në short, ndryshon sipas terrenit: Buzagaze, çapkëne, trimëruese, e lodhur, vajtuese, gjersa rrota bie në errësirën e greminës dhe filli i zërit këputet.
Pason menjëherë filmi tjetër dhe i fundit: "Helmi i dashurisë ". Vetëm nëpërmjet koreografisë përshkruhet tërë drama e dy të dashuruarve. Harmonizohen përsosur me njeri tjetrin dy trupa, dy shpirtra si dy flakë që shqyejnë terrin. Tymosin cigare përzier me narkotikë, të ëmbël dhe të hidhur si vetë jeta e tyre. Nën afshin e alkoolit, drogës, nikotinës shkëmbejn lakuriqësinë e makutërinë pa fre të trupit, duke krijuar figura që shprehin ekzaltim, dalldisje, pështirosje…
Nuk shkon gjatë dhe gjithçka zë e venitet e futet në krizë, sepse s'kanë më lekë. Ata s'mund të rrinë dot pa narkotikë. Ç'të bëjnë? Djali i kërkon të dashurës të shesë trupin. Ajo kundërshton vendosmërisht. I dashuri këmbëngul fortë gjersa më në fund e mposht. Vajza nis të bëj prostitutën. Tani i kanë me bollëk drogën, alkoolin, cigaret e çdo gjë tjetër.
Kjo pranverë goditet papritur nga një acar vdekjeprurës. Vajza merr SID-ën e ia përcjellë edhe djaloshit. Ky ndihet shumë fajtor për tragjedinë. Tani i duhen lekë edhe për të siguruar drogën, edhe për të përballuar sëmundjen. Futet në borxhe të mëdha. Detyrohet t'u drejtohet prindërve e iu kërkon lekë, duke i kërcënuar të shesin gjithçka. Ata s'e dëgjojnë. Në kulm të dëshpërimit, nën ethet e drogës, sëmundjes, depresionit ngre armën e qëllon mbi prindërit.
Këto tre filma të vlerësuar regjisori Vinicio i shfaq e rishfaq sa herë krijohet ndonjë rast, ashtu siç bën veterani me dekoratat. Ndonëse prej dy dekadash s'e ka përsëritur asnjëherë suksesin për shkak të dhënies tërësisht pas një kinemaje krejt formaliste dhe largimit prej tij të skenaristit T., prapëseprapë flet me siguri për kryeveprën e tij të ardhshme.
-E kam të projektuar në mendje e xhiruar në imagjinatë gjer në hollësi. Është një film me metrazh të gjatë për jetën e balerinit dhe aktorit hollivudianë Rodolfo Valentino. Një karrierë shkëlqimtare ngritur mbi vështirësi, aventura, flirte…. Ka qenë nga personazhet më të lakmuar, si imperatori roman Xhulio Çezare, burri i të gjitha grave dhe gruaja e të gjithë burrave. I shndërruar në mit, kur ishte vetëm tridhjetë e dy vjeç, vdes papritur. E vajtoi gjithë Amerika. Dy gra vranë veten nga dëshpërimi. Një zonjë milionere i çonte lule tek varri…
Kozma Gjergji.
Miq e kolegë shumë të nderuar z.Myslim, z.Sotir, znj. Anabel! S'mund të qendroj dot pa ju falenderuar për vlerësimet e larta e mendimet tepër të çmuara rreth dy tregimeve të mia.
Si mos të ndjehesh në një farë mënyre "Sulltan ", kur "Patriarku…" arritka ta bëj Myslimin të ndihet "Pasha", dhe kur z.Athanasi (mbase hiperbolizon nga dashamirësia), duke i quajtur "risi në prozën shqiptare… "
Me mirënjohje e respekt të veçantë! Kozma Gjergji.
Skena e dyte dramatike na vjen natyrshem me tregimin: "Buldogu me hunde kllouni".
Berti me te dashuren, jane filli lidhes i skenave. Ne rastin konkret kinematografia, regjisori
Vinicio dhe skenaristi T. (Enderrues romantik te deshtuar). Ne te tre filmat me metrazh te shkurter, shpalosen para lexuesit dramat e dhimbshme te personazheve te sjella bukur artistikisht dhe, si gjthmone, pa munguar humori theres i autorit.
URIME. Me respekt, Myslim Maska
Xing.
Në qoftëse UBALDO, (Te "Patriarku dhe të tjerë") operon në fushën e fjalëve dhe të mburrjeve, "BULDOGU me hundë kllouni", ka zaptuar të gjithë hapsirën e veprimit.
Këto dy tregime, ne mund t'i shohim si një DIPTIK dhe nuk befasohemi edhe në rast se mbas tij do të ketë një tjetër personazh për t'u bërë TRIPTIK.
Shkrimtari Kozma Gjergji, me fantazinë e tij tejet krijuese, I bën mëse të besueshëm këta tipa (ndonëse anomalikë, por që kanë një prapavijë të dhimbshme e tejet dëshpëruese).
Pa hyrë në analizë, na mjafton fakti se kthimi nga lufta e ka bërë vëllanë e motrës ÇAKALL. Pasojat e saj e tjetërsojnë njeriun, cilido qoftë formimi I tij.
ROTA me ngjyrat e flamurit të…