Bukuria një mënyrë jo-konceptuale e njohjes në poezinë e poetit Artur Shemaj


Artur Shemaj

Bukuria një mënyrë jo-konceptuale e njohjes në poezinë e poetit Artur Shemaj


Prof Dr Fatmir Terziu


Memorja

Artur Shemaj është poeti që krijon poezi të bukura. Jo thjesht se “e bukura” është një togfjalësh që u emetohet “komentuesve” të afrohen me këtë vlerë krijuese, sikurse Prof. Dr. Eshref Ymeri e ka karakterizuar “poet i ndjenjave, zemërçelur, i drejtpërdrejtë”, por se “Arturi ka gjetur mënyrën për t’u përcjellë lexuesve informacionin për dritëhijet e jetës në përthyerjen e tyre të ngjeshur, të kulluar dhe lehtësisht të kapshme” (Ymeri, 2016: Fjala e Lirë). I tillë është dhe kur na sjell “kohëzat e valixhes” tek “Valixhja e vjetër e babait. Në këtë poezi ku “e kaluara” nuk është një valixhe, por “... heshtje [ku] kryqëzohet vështrimi .../te sarkofagu prej dërrase,/tek ajo valixhe si varkë në udhëtim/nga një dorë e dashur mbajtur…”. E kaluara është një stacion memorje. Një stacion që s’duhet të ndalojë të bart atë me vete kudo ku shkon memorja. Një stacion ku trazon e ardhmja.

Një valixhe e tillë nuk është thjesht si një bagazh dore. Mos harroni, na dikton poeti, një e tillë është kudo, dhe nëse nuk ekziston me dërrasat apo fibrën e saj, ajo ekziston se është një memorje që është aty. Është aty, na ridimensionon poeti, por sigurohuni ta mbani lehtë (!) Tani ajo flet edhe për të tashmen e kohëzës. Është valixhe, një që e paketon “kohëzën” vetë dhe varet nga ajo “kohëzë” që është në të. Do të na inkurajonte që të përgatitemi për “festën” e një jete të tërë: “Gjithë ato udhëtime mbajti brenda/dhe rraqet e njeriut të dashur/malle, dëshira dhe brenga/kur s`i nxinte vetë, rrugëve ua falte…”.

Një poezi e bukur duhet të përmbajë fjalë dhe gjuhë të stiluar “bukurie”, ide interesante dhe një pikë-ide tërheqëse, por mbi të gjitha, ajo që ne kujtojmë për të janë referencat e mesazhit të saj, dhe këtë Shemaj e ka mirëfilli të sqimtë në qasjen e bukur të fjalës: “... nga vrimat e holla të molës/që ia tradhtojnë moshën,/koha më bie gërvimat e kollës/në erërat e ftohta të kohës./Dhe erën e athtë e djersës/avujt e rakisë “mallëngjyese”,/dhe piklat e ftohta të vesës, kur babai gdhihej e natën ngryste…”.


Gjithëfigurshmëria


I tillë mbetet dhe kur përcjell për lexuesin “Nuk dua...”. “Nuk dua...” është e gjitha fjalëbukur, është diskurs që shkon dhe formon tërë kuptimin e “Bukuria e tepërt të mbyt”, apo dhe “Kur dashuria vjen si lumë/Dhe dielli në ujë kryet zhyt”. Në të dyja këto poezi, “e bukura” nuk është thjesht dëshirë, kundërshti, anatemë, apo një proces ku metohet mesazhi, por një arsye më shumë në fjalën e zgjedhur që prodhon mirëkuptim, filozofi, ndjenjë dhe natyrisht mesazh të pastër. Ajo është e tillë sepse autori krijon një arsye të fortë me të cilën diskursi formon tërë atë arsye që ka thelbi i idesë “S’e dua lakuriqësinë fshehur nën vel/paturpësia mbuluar rri shpesh/po e vërtete guxon e del/krejt lakuriqe në shesh./S’dua skajmërisht të urrej,/as të më urresh skajmërisht/i thikë me dy tehe të mprehtë,/me vështrim vret tinëzisht.”

Mjaft poezi të tjera të poetit, jo vetëm ato që ka hedhur në rrjetet sociale dhe në kënde letrare, por dhe në vëllimin e tij me titull “Arratia e ëndrrës” kanë në thelb të bukurës si metaforë, lidhje e gjithëgigurshme letrare, diskurs të thelbit emetues të vetë kumtit të saj, por dhe një mënyrë për të rrëfyer e shkuar më tej në brendësi, sikurse ndoh me poezinë “Blasfemi”. “Blasfemi” është një model i mjaft poezive “fine” të autorit, por dhe një poezi që konkuron në tërë këtë prurje të madhe të kohëve të fundit nën ndikimin “Covid-19”. “Blasfemi” ka mesazh, filozofi dhe tërë arsyen e një vargu që të bën të lexohet mirë dhe bukur: “E gjygjtarin mallkojnë, e sikur mos tu mjaftonte kjo, i sulen tërbimshëm,/guardalinjës qiellore/Atë Françeskut,/ti lutet gjygjtarit që ndeshja të anullohet./Në këtë zallamahisje shpirtërore,/për të gjetur besimin që u kishte humbur më parë./Ti lutet Zotit Gjygjtar/që të shohë në monitorin qiellorë gabimet që falen./I rreptë por i drejtë,/i mëshirshëm dhe shpresë plotë,/pret vërshëllimën finale,që loja mos të vazhdohet.”


Bukuria


Në të gjitha këto poezi “bukuria” është një problem për poezinë e Artur Shemaj, sepse nuk imagjinohet më si “bukuri” e formës tradicionale, por si një mënyrë serioze e njohjes të diskursit të saj. Se ajo është e tillë. E bukura e poezisë së Shemaj “shtrëngon” kumtin dhe nocionin e fjalës në hapësirën artistike dhe formon një strukturë të aftë për të imagjinuar vazhdimisht atë që nuk dimë. Ky lloj stili dallon formulimin e poezisë së Shemaj, si poezia ku ne “imagjinojmë atë që dimë”, që supozon se mesazhi dhe ideja përkthejnë dijet në imagjinatë. Tentativa e përgjigjes ndaj bukurisë në krijimet e tij poetike, të paktën në ato që kam lexuar prej tij tek “Fjala e Lirë” dhe gjetkë, rezulton, ndër të tjera, nga një sens intuitiv që bukuria i kundërvihet një përkthimi viral si “bukuri e shtirur” në një varg që kurë s’do ta pranonte si të tillë. Kjo sepse bukuria është një mënyrë jo-konceptuale e njohjes. Në poezinë e këtij poeti ajo është zhvilluar, në mënyrë implicite, si një ndjenjë e ushqyer prej jokonceptuales në bukurinë artistike.

Leximi

Dhe ne e lexojmë dhe e imagjinojmë bukurinë në termat e poetit Artur Shemaj, dhe kështu ne mendojmë se ato pjesë të bukurisë që i rezistojnë prurjes përsëri në poezinë e tij janë komunikuese. Në fakt, ato janë ato që bukuria ‘e di’: edhe ajo njohuri është - mbase më e rëndësishmja, ajo që nuk dimë akoma. Format e bukurisë në këto poezi janë struktura rezistente, struktura imagjinative, që paraqesin një model të padepërtueshëm të së panjohurës. Prandaj, bukuria në poezinë e poetit Shemaj është pafundësisht frymëzuese, biseduese, parashikuese dhe jo përshkruese, më dinamike sesa e vendosur, pafundësisht serioze dhe e dobishme ... është leximi.

42 views

Shkrimet e fundit