BRISHTËSIA BALLKANIKE


Fahri Dahri

BRISHTËSIA BALLKANIKE

Ndër shekuj tek popujt e Ballkanit kanë ndodhur ngjarje të rënda, kontradikta, mosmarrëveshje dhe armiqësira, të cilat duke përfituar dhe nga miopia e Fuqive të Mëdha, ose nga nënvlerësimet, apo dhe nga interesa të veçanta politike, strategjike dhe fetare, kanë shërbyer në kohë të ndryshme si nxitëse konfliktesh ndërmjet popujve të këtij gadishulli, deri në ashpërsi konfliktesh të armatosura si brenda për brenda popujve ballkanikë dhe më gjërë, me shtrirje të konflikteve nga rajonale në konflikte Botërore.

Diplomacia, pjesë e së cilës është edhe politika, si një instrument që krahas të tjerave merret me rregullimin e marrëdhënive ndërshtetërore, ndjek me kujdes të vazhdueshëm dhe me shqetësim të madh çdo shfaqje të lëvizjeve ekstremiste dhe pa dyshim çdo incident të dhunshëm kudo ku ndodh. Incidentet e kohëve të fundit ndërmjet disa shteteve të Ballkanit, nëse nuk analizohen me paanësi dhe objektivitet, rrezikojnë të sjellin pasoja të rrezikshme dhe të paparashikushme sidomos në rajonin me popuj shumë etnikë, shumë kulturash dhe me besime fetare të ndryshme, pa lënë mënjanë nacionalizmat e theksuara (nga ndonjëherë edhe artificiale).

Nuk është rastësi, por vazhdimësi e pandalur kur, në të gjitha rastet e përpjekjeve për të mbrojtur sovranitetin, identitetin tonë, padrejtësitë ndaj shtetit shqiptar, në forma të kamufluara dhe të drejtëpërejta, zërat e kundërta janë bashkuar si një orkestër me dirigjentë mjeshtërit e shndërrimeve të gënjeshtrave, në të vërteta dhe transferimin e veprimeve të tyre armiqësore, si produkt shqiptar. Spostimit të ngjarjeve të dhunshme, konflikteve deri edhe të armatosura, ndër shekuj janë shoqëruar me akuza të menjëhershme dhe të bashkërenduara më së miri nga shkaktarët e vërtetë të krijimit të situatave, me deklarimet se incidentet shkaktohen nga shqiptarët dhe fajësohet shteti Shqiptar. Si gjithnjë edhe kohët e fundit, po ndodh që në kor të përbashkët disa shtete ballkanike fajësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si irredentistë, konfliktualë, nacionalistë të theksuar, bile të shoqëruar edhe nga ndonjë zë i veçantë i brendshëm shqiptar, i pakuptueshëm, ndofta ngatërron inatet politike me sovranitetin e vendit, i cili akuzon për “narcisëm” ku atij- ish deputetit shqiptar, ne shqiptarët i dukemi të pandryshueshëm. Edhe sikur të pranohet pandryshueshmëria jonë, janë mendimet dhe veprimet e joshqiptarëve që rrëzojnë këto akuza ndaj nesh.

Për të kuptuar diferencat e theksuara më sipër, i drejtohemi veprimeve dhe mendimeve të freskëta që qarkullojnë në mjedisin ballkanik me shtrirje valësh (jehonën) edhe përtej kufijve ballkanikë. Aktualisht tone kërcënuese ndaj shqiptarëve janë dëgjuar nga ana e Mitropolitit të Konicës Andreas, i cili pa merakun se ndokush do ta quajë narcizt apo nacionalist ekstremist, kërkon zgjerim kufijsh në dëm të shtetit fqinj. Ai me zellin e madh armiqësor etnik dhe fetar ndaj nesh, më datën 17 maj 2015 në fjalimin e mbajtur kryefjalë kishte “Vorio Epiri”, kërcënonte haptazi shtetin Shqiptar, duke u shprehur: “Ne do ta

çlirojmë, do të rikthehemi dhe toka do të dridhet “(bëhet fjalë për Epirin e Veriut-F.D.), duke vazhduar më tej: “Zgjohuni! Atdheu dhe Vorio-Epiri rrezikojnë në maksimum. Mos qëndroni indiferent se do ta paguajmë shumë shtrenjtë me katasfrofë kombëtare”. Edhe komunikata për shtyp, e cila fillimisht është botuar në faqen zyrtare të SFEVA, citon: “Çdo kufi guximi është tejkaluar nga pala shqiptare ndaj Greqisë që pas çështjes me shelfin kontinental. Po! Për shkak se ajo kurrë nuk ka braktisur planet e saj për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”. Ata harrojnë se kufijtë e tanishme, në jug të paktën, janë nga vjedhja e territoreve greke e Epirit të Veriut me ndihmën kryesisht të Italisë në 1914. Kjo sjellje është paturpësi pasi në saj të Greqisë, Shqipëria mundi pas rënies së regjimit ateist komunist që të qëndrojë në këmbë ekonomikisht. Mosmirënjohja është e njëjtë mes njerëzve të vegjël dhe shteteve mashtruese”. Mesazhi është shpërndarë përmes një qarkoreje të lëshuar nga Mitopoliti grek Andreas, i cili është një nga krerët e kishës zyrtare të Greqisë, Mitropoliti i Drinopoleos, Pogonit e Konicës sipas titullit të tij zyrtar. (Kujtoni para 1913 ishin territore shqiptare dhe kuptoni hipokrizinë e priftit)

Provokime të rëndë të herëpashershme, në shkelje të sovranitetit shqiptar kanë ndodhur dhe ndodhin, por përsëri përgjegjësia mbetet tek shteti shqiptar. Mund të kujtojmë zgjedhjen për kandidat kryetar bashkie në Himarë të Fredi Bejlerit (pjesëmarrës në incidentin e Peshkëpisë), apo thirrjet e ish deputetit grek i “SYRIZA”-s, Kosta Barka në favor të Fredit, duke kujtuar “Vorio Epirin”, pa u ndjerë në ndonjë siklet se ndërhynte në punët e brendshme të një shteti tjetër, etj. Nuk mbeten mbrapa edhe ish presidenti serb Nikoliç, vazhdon t’u bëjë jehonë vetësajimeve se shqiptarët kërkojnë “Shqipërinë e Madhe”. Po ashtu dëgjohen kërcënime të hapura me përmbajtje të theksuara tepër raciste, kërcënime me vdekje dhe çfarosje të shqiptarëve, apo me cilësime se shqiptarët janë indianë dhe të egër, etj. Këto “ulurima” vinin nga Ministrja e Brendshme e ish Maqedonisë, sot Maqedonisë së Veriut. Ajo e ndjen veten fare mirë edhe mbi racat e tjera, duke e shtrirë racizmin jashtë Ballkanit dhe Europës, me ndalesë deri në fiset indiane. E habitshme, disa të “zgjedhuri“ tek ne nuk e dallojnë dot “narcizmin” tek të tjerët, por e kanë më të lehtë t’ia etiketojnë Bashkëkombasve!.

Gordana Jankulloska shprehet: “Nuk ka bashkëjetesë me ata. Duhet që t’i pastrojmë njëherë e përgjithmonë”, deklaronte ajo ndërmjet të tjerave, siç transmetonte zhurnal.mk. “Nëse duhet të tregojmë se kush është më i fortë, për një orë mund t’i vrasim shiptarishtat”,dëgjohet zëri i saj, duke folur me Protuger. “Po merrem me këta “shiptarishtat”. Shiptarishtat po më nervozojnë shumë. Si munden të jenë aq budallenj”,-thotë Jankullovska, teksa bisedon me bashkëshortin e saj Vllatko Ilievski. Duke kujtuar këto kërcënime shfarosëse të ish Ministres maqedonase, më erdhi ndër mend, se edhe në gjysmën e dytë të shekullit XIV, Thomas Preljuboviç, despot serb i Epirit, në zonën e Janinës, ka vrarë dhe përndjekur shqiptarët, deri sa nga dëshira e madhe për të shfarosur shqiptarët, njihej me nofkën “shqiptarovrasës”.

Hera herës lexohen shkrime dhe artikuj të shkruara nga bujtës të hershëm në truallin shqiptar, që në trajtimin e problemeve dypalëshe (të cilat në të shumtën e rasteve janë krijesa imagjinare të porositura), fajësojnë shtetin shqiptar, si ngatrrestar ndaj fqinjëve, që, sipas tyre, në vazhdimësi paska krijuar dhe krijon incidente, kur dihen mirë qëndrimet historike të palës tjetër, të cilën në një rast shkruesi na e servir si: “...fqinjin me garanci dhe standarte Europiane”.

Sa “bukur”! Sa gjetje e saktë dhe me përkëdhelje, por realisht çfarë vërtetohet nga historia?!. Citojmë dy paragrafë nga shkrimi, për të kuptuar mjeshtërinë e përdorur nga shkruesi, në plotësim të porosive të strukturave të ndërrtuara me kujdes nga fqinjët edhe me anën e shtetasve shqiptarë, për të krijuar atmosfera rënduese, të pavërteta kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Pra Shqipëria, me të gjithë fqinjët kufitarë tokësorë ka për momentin marrëdhënie aspak të mira që të kujtojnë politikën e rrethimit të Enver Hoxhës në vitet 70-80’. Në këtë tablo, duket qartë se Greqia, duke mos patur asnjë problem të nxehtë ndërshtetëror me Shqipërinë, duke konfiguruar politikën e saj rajonale në receta strikte të politikës së BE-së dhe NATOS, bashkë me asetin e disa qindra mijërave emigrantëve shqiptarë atje, përbën realisht fqinjin me garanci dhe standarte evropiane”. (Marrë nga gazeta “Tema”, 22 maj 2015).

Nuk do vazhdohet me trajtimin e shembujve të tjerë dhe të shumtë, sepse do të ndalemi tek analizat që koha ka vite që kërkon të realizohen, për t’u situr të gjitha veprimet dhe mosveprimet e shteteve të Ballkanit, si brenda territoreve të tyre dhe në marrrëdhëniet me shtetet fqinjë, për një bashkëjetesë paqësore, pavarësisht nga etnitë dhe besimet e ndryshme. Për të zgjidhur problemet e vjetra dhe të reja ndëretnike dhe fetare të shteteve të Ballkanit, nën optikën e re të politikave që ndjek Bashkimi Europian për Bashkëjetesë etnike dhe fetare, krahas mënyrave të shumta, mendoj që për të mos mbetur demagogji, duhen mbajtur mirë në konsideratë edhe disa komplekse të veçanta dhe permanente në hapësirën që i është dhënë si “fole e grenxave ballkanike”, të cilat shtrohen në formë pyetjesh për zgjidhje.

Para se të kalohet tek shtrimi i disa pyetjeve që dëshiroj t’i shërbejnë analizave euroatlantike për Ballkanin, do të ndalem tek thëniet se shqiptarët, megjithëse janë një popull i vogël (realisht nga numuri i popullsisë, Republika e Shqipërisë renditet e gjashta mes 11 Shteteve të Ballkanit, ndërsa për nga numuri i shqiptarëve, banues në shtetet fqinje dhe në vendbanimet autoktone, renditemi të dytët mbas Rumanisë), janë gjaknxehtë, ekstremistë, kohët e fundit na u shtua edhe “narciztë”. Për të kuptuar se ku shpie narcizmi (zbulim i brendshëm shqiptar?!) na e “sqarin” ish deputeti çpikës:”Të gjithë mund të rriten, të zbuten, të dobësohen, të pasurohen dhe të europianizohen për shkak të ndryshimit. Vetëm narcisti nuk do ndryshojë, sepse ai ka vetëm një përmasë. Për masën e mos ndryshimit”. Vërtet e habitshme, jo nga fjalët e zgjedhura, por nga nihilizmi i së vërtetave!. Sipas këtij konteksti, duke i parë ngjarjet dhe problemet historike, të vazhdueshme, të përsëritura të ndodhura në Ballkan dhe sidomos ndaj etnisë shqiptare nga shtetet fqinje dhe më gjërë, personalisht kam mendim ndryshe nga ata që na vendosin epitete jashtë natyrës tonë si luftënxitës, gjaknxehtë, ekstremistë dhe shumë epitete të tjera, deri edhe epiteti “narcist”.

Nuk jam i atyre mendimeve, jo për shkak se nuk më pëlqejnë por sepse nisur nga ngjarjet historike, këto epitete më shumë janë bumerang i atyre që i adresojnë ndaj nesh. Prandaj dëshiroj dhe pretendoj të analizohet ecuria shekullore e Shteteve të Ballkanit, lidhur me qëndrimet ndaj etnive, racave, besimeve fetare, pushtimet e trojeve të të tjerëve, etj. Aftësitë demagogjike që të “pavërtetat të merren si të vërteta”, kanë qënë dhe janë të pandara nga politika djallëzore e shteteve fqinje serbo-greke.

Për të qënë i besueshëm, në këtë konkluzion, po i drejtohem gazetarit Berthold Seeëald, redaktor për historinë kulturore në gazetën “Die Ëelt”. Në artikullin me titull “Historia para Cipras”. Greqia e ka shkatërruar dhe një herë më parë rendin në Evropë. Sipas gazetarit, Greqia “prishi” rendin e paqes të vendosur në Evropë në Kongresin e Vjenës në vitin 1815 pas rrëzimit të Napoleonit dhe e la kontinentin të çapitej. Sipas Seeëald, një nga arsyet e kësaj sjelljeje nga grekët është se ata nuk janë evropianë në të vërtetë.“Ideja se Grekët modernë janë pasardhës të Perikliut apo Sokratit dhe jo një miks të sllavëve, bizantinëve dhe shqiptarëve (këta të fundit e quajnë veten arvanitas-FD) është një dogmë në system arsimor në Evropë”.

Analiza e tij bazohet tek libri i JakobPhilipp Fallmerayer, i cili thoshte se, bazuar tek emrat sllavë dhe shqiptarë mes të dhënave të tjera, “raca helene është zhdukur nga Evropa” dhe se “asnjë pikë e pastër gjaku helene nuk rrjedh në venat e popullsisë kristiane të Greqisë moderne”.

Nuk mund ta mendoj se diplomacia europiane të ketë qenë dhe të jetë e paaftë për të përcaktuar saktësisht se çfarë rruge kanë ndjekur, ndjekin apo që duhet të ndjekin shtetet Ballkanike në politikat e tyre. Shtetet Europiane duhet të përpiqen, që rruga logjike që ndjek politika në vendet europiane, të bëjë të mundur zëvëndësimin e politikës së rrugës emocionale që mbizotëron në Shtetet Ballkanike. Kjo është më e theksuar dhe në radhë të parë në Greqi dhe Serbi. Analiza është evidente dhe e domosdoshme, duhet të organinizohet sa më shpejt, pasi ngjarjet, faktet janë historikisht të njohura, të prekshme, ato njihen edhe nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare të rajonit tonë e më gjërë.

I.- Ballkani është vetëm një gadishull, në mes të këtij Planeti, me një sipërfaqe prej 765.310/km² dhe me një popullsi rreth 64.100.000 banorë, i cili ka krijuar dramat e mëdha në kontinentin Europian. Ndërsa Europa ka një sipërfaqe prej 10.180.000/km² dhe një popullsi pej 740.000.000 banorë. Sipas këtyre shifrave gadishulli përbën 8,7% të popullsisë dhe 7,5% të sipërfaqes së Europës. Njohja me sipërfaqes e popullsisë, ngjarjet e rënda të ndodhura dhe shtrirja e tyre në 100 përqind të sipërfaqes dhe të popullsisë së Europës nga një pakicë ndaj madhësisë, habit ndikimi i saj dominues ndaj shumicës për nga rreziqet që i ka sjellë Kontinentit. Në këtë këndvështrimi, vetvetiu lindin disa pyetje:

● Nëse janë kryer analiza fetare, politike, ekonomike, demografike, sociale, kulturore, klimaterike dhe ushtarake, për të nxjerrë shkaqet e vërteta nga ku gadishulli i Ballkanit është quajtur “Fuçi Baruti”?.

● Nëse është ndërmarrë ndonjë studim lidhur me autoktoninë e popullsisë së gadishullit të Ballkanit dhe shtrirja rezidenciale e saj sipas hapësirave etnike?.

● Nëse është studiuar ndonjëherë ndikimi i influencave fetare, si brenda për brenda popujve të Ballkanit dhe atyre europianë ?. Në favor të kujt populli kanë ndikuar politikat fetare të Europës, cilat kritere kanë qenë dhe përdoren në përcaktimin e formimit të kombit?.

● Nëse janë studiuar ndonjëherë nga politikëbërësit europianë, anët pozitive dhe ato negative të dy kritereve që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në përcaktimin e kombeve tek popujt e Ballkanit?. Kjo në vartësi të shfrytëzimit të tyre nga shtetet dhe institucioneve fetare!.

● Si duhen drejtuar shkencërisht dhe objektivisht, që asnjëri dhe as tjetri kriter të mos ndikojë, ideologjikisht, ushtarakisht, politikisht, ekonomikisht, fetarisht dhe ekspansionisht në ndërgjegjen kombëtare dhe hapësirat etnike të seicilit mjedis shoqëror Ballkanik?.

● Nëse ka studime për ndikimet pozitive apo negative tek bashkëjetesat etnike dhe fetare dhe konkluzionet për secilin rast, të çdo shteti ballkanik dhe ç’farë studimesh apo analizash janë kryer në rastet e trajtimeve të njëanshme të problemeve etnike, duke ndërtuar diferenca të theksuara në favor ose në

disfavor të popullsive me kriter kombësie atë fetare dhe të popullsive me kriter kombësie , territor, tradita, e “farë e fisnor?.

II.- Shkaqet e këtij shkrimi janë rrjedhojë, produkt i politikave aspak të favorshme që po operojnë, sidomos edhe në kohët fundit, të mbarsura ndër shekuj në disa shtete ballkanike. Shteti shqiptarë në vazhdimësi është përpjekur të zbusë paragjykimet historike që padrejtësisht rëndonin mbi të. U çliruam nga prangat e diktaturës, me vështirësi arritëm të pranojmë rotacionin politik në pushtet, me ngadalësi u sigura disi rritja ekonomike, etj. Të cilat krijuan një qasje optike dashamirëse nga euroatlantikët. U forcua bindja se Shqipëria mbështet një politikë vëllazërore, bashkëjetesë miqësore mes etnive të ndryshme, shembull i tolerancës fetare brenda vendit dhe në marrëdhëniet me popujt fqinjë. Këto qëndrime ndikuan në kthesat politike të euroatlantikëve ndaj nesh, u sigurua anëtarësimi në NATO, u vu drejtësia e munguar me pavarësnë e Kosovës dhe po realizohen detyrat e shtëpisë në përpjekje për hapjen e negociatave për kandidat, më pas anëtar të BE-së.

Fakti i rëndesave të pushtimeve nga të huaj për gjatë dymijë viteve, ku më shkatërrimtarja ishte lufta dhe përpjekjet kundër asimilimit iliro-epirot që nga perandoria Romake, Bizantine, Otomane, me rendin komunist dhe ndaj egërsisë së fqinjëve për gati 200-vjeçare në dëm të etnisë shqiptare, duke përdorur çdo lloj mjeti dhe metodash, kanë korrur sukses duke mos lejuar civilizimin, arsimimi. Kanë dëmtuar rëndë ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet përdorimit efikas të kriterit fetar në përcaktimin e kombësisë. Kriteri fetar si përcaktues për kombësinë ka çoroditur, shumicën e arbërorëve të emigruar në Greqi gjatë shek. XII, XIII dhe XVIII e XIX, që ranë në grackën demagogjike ku me anën e besimit fetar përcaktohet kombësia dhe kanë injoruar “farë e fisin” e tyre Arbëror. Ndër shekuj ruhet e folura shqipe, traditat dhe zakonet arbërore, por nuk u njihet etnia, ndalohet përdorimi i gjuhës amtare, nuk lejohet hapja e shkollave shqipe. Lidhur me qëndrimin e arvanitasve, po citoj përcaktimin shumë kuptimplotë të ish deputetit të Pasokut, arvanitasi Teodor Pangallos, i cili është shprehur: ”Arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush në Greqi, pasi ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit. Por vetë ata e “gëlltitën” të shkuarën e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë të bindur se ishin grekë, dhe me ndihmën e mësuesve arritën ta zhduknin gjuhën arvanite”.(Deklarim në paraqitjen e librit të z.Thanas Moriati).

Në dallim me arbërorët e zhvendosur në shtetin Grek, arbëreshët e emigruar në shtetin italian ndër shekuj, jo vetëm e ruajnë gjuhën, traditat dhe zakonet Arbërore, por kanë shkolla dhe filiale të gjuhës shqipe në universitete. Arbërorët në Greqi njihen si “arvanitas”. Ata nuk e deklarojnë etninë arbërore dhe vetëquhen grekë, ndërsa arbërorët e Italisë njihen si “arbëreshë” dhe e pranojnë etninë arbërore. Arvanitasit (jo të gjithë) shfryëzojnë çdo mundësi për të dëmtuar interesat e vendit të “arbërorëve”, ndërsa të dytët, tregojnë dashuri, dhimbshuri dhe e kujtojnë me respekt vendin e “arbërorëve”.

Trajtimi i këtyre rëndesave nuk bëhet, sepse kemi kundërshti ndaj zgjedhjes së kritereve për formimin e kombit, absolutisht jo. Problemi qëndron në faktin se përdorimi i kriterit komb mbi bazën e besimit fetar nga shteti dhe kisha greke, për shtrirjen dhe përhapjen e kombit grek, me synim zgjerimin e territoreve në dëm të shteteve dhe popujve të etnive të tjera, përbën një element të rrezikshëm dhe të papajtueshëm nga popujt me kombësi mbi bazën etnike. Kjo të kuptohet qartë dhe të marrë fund njiherë e përgjithmonë. Veprimi ndikon ndjeshëm në ndërgjegjen kombëtare dhe në qetësinë shpirtërore në Gadishullin e Ballkanit. Këto përpjekje ndikuese e influencuese kanë shkaktuar trazira jo vetëm ndër popujt e Ballkanit, por kanë ndikuar edhe në prishjen e unitetit dhe vllazërimit midis tre etniteteve me bazë arbërorëve, ku shqiptarët dhe arbëreshët vazhdojnëtë ruajnë lidhjet arbërore, ndërsa arvanitasit, jo që nuk i pranojnë këto lidhje të hershme, por vazhdimisht, sa herë u jepet rasti shfaqin urrejtje, mohim të etnisë dhe krijojnë incidente, të cilat me mbështjetjen shtetërore dhe kishtare, rezultojnë në ashpërsime marrëdhëniesh ndërshtetërore, sidomos duke qenë edhe në poste të shumta qeveritare të shtetit fqinj.

Në përpjekjet e mëdha për të plotësuar kushtet e anëtarësimit në Bashkimin Europian, popujt e Ballkanit Perëndimor krahas detyrave të tjera e kanë të domosdoshme një skanim, për të përcaktuar elementet pozitivë apo negativë të ekzistencave ose jo të sëmundjeve kanceroze, në ruajtje të një shoqërie të shëndetshme, të pastër nga ndikimet e faktorëve të renditura mësipër, por jo vetëm ato. Rezultatet e skanerit, pozitive apo negative, sigurisht duhet t’i shtrijnë efektet edhe tek shtetet e tjera ballkanike, anëtare të Bashkimit Europian.

Kryerja e analizave dhe skanimi, siç dëshiroj dhe rekomandoj, janë në ndërgjegjen e drejtuesave të lartë euroatlantikë, ndërsa mundësitë reale për të zbuluar të vërtetat gjenden në dosierët politikë dhe kronologjitë e historisë së popujve Ballkanikë, pa anashkaluar dëshmitarët okularë, mbi të cilët kanë rënduar vuajtjet nga tragjeditë e faktorëve të mësipërm dhe dëshmitarët bashkëkohës që i kanë të freskëta dramat fatkeqe të ndodhura, mbasi kanë ndihmuar dhe ngritur zërin ndaj padrejtësive, të cilat kanë shkaktuar morte dhe vuajtje nga më makabret dhe të papranueshmet prej shoqërive civile të zhvilluara.

Koha është e volitshme, pa harruar thëniet: “Më mirë vonë se kurrë”.

Itali, më 02.06.2015.- Studiues i pavarur: #Fahri #Dahri

0 views

Shkrimet e fundit