top of page

BRENGA PËR KOHËN E HUMBUR


BRENGA PËR KOHËN E HUMBUR

Tregim nga Luan Çipi


Ishte një periudhë fort e vështirë në vendin tonë, kur nuk po kuptohej se ç’bëhej. Një pasiguri e përgjithshme për punën dhe për jetën. Dita fillonte me gjimnastikën e mëngjesit, po nuk dihej ku e kur do të mbyllej.

Zhvilloheshin mbledhje të shpeshta dhe të gjata, aq sa ishte bërë proverbiale shprehja:“Nga mbledhja vjen, në mbledhje shkon dhe mbledhja s’di se kur mbaron” ose bëhej pyetja me humor, që duket se kishte ardhur nga Rusia: “Kur do të bëhet ajo mbledhja e madhe, që të mbledhë gjithë këto mbledhje?”

Kudo kërkoheshin vullnetarë për të populluar fshatin, sidomos malësinë dhe vendet e shkreta: “T’u qepemi maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore, ashtu si fushat”. Hajde shpikje, hajde! Në Evropën Perëndimore vetëm 5 deri 10 përqind e popullsisë banonte në fshat, teksa te ne 70 përqind dhe përsëri duhet të shtohej fshati me popullim të ri.

Një pjesë e jetës kalohej nëpër zbore ushtarake, ku organizoheshin “lojëra” të lodhshme, që asokohe i quanin “si në kushte lufte”.

U denoncua Traktati i Varshavës, një pakt ushtarak i përbashkët i vendeve socialiste, kundërvënie e NATO-s. Dhe ky ishte vërtet një akt i guximshëm. Po nuk dihet pse u lidhëm me Kinën e Madhe, që na thuhej se na garantonte deri sovranitetin dhe mbrojtjen ushtarake direkt, pavarësisht nga largësia territoriale prej mijëra kilometrash. Kjo quhej si shpëtimi i dytë i Shqipërisë. Aq shumë kapeshim pas kësaj teze, sa atëherë një lektor, diku në një fshat të Vlorës, në një mbledhje kooperative tha: “Me numrin e madh, mbi një miliard banorë, që ka Kina Popullore, sikur ata vetëm një ditë të agjërojnë, ne na furnizojnë me ushqime, sa të hamë gjithë vitin” Një guximtar, që kishte dëgjuar se ata hanin çdo gjë që kishte toka, veç njeriut dhe çdo gjë që kishte qielli, veç avionëve, si me shaka tha: “Mirë, more shoku i deleguar, thua ti dhe ne të besojmë, se është krejt logjike kjo që thua po, në qoftë se racionin e ngrënies të asaj dite ata ta kenë bullarë (gjarpinj, dua të them), ne, gjynahqarët, gjithë vitin bullarë do të hamë?”

Ishte kjo panorama në miniaturë e gjendjes social-ekonomike të vendit tonë kur, drejtorin tonë të mirë të ndërmarrjes ku unë punoja, të ndjerin Haxhi Xhemali, një ish-partizan dhe më vonë sindikalist e që u bë deri Kryetar i Bashkimeve Profesionale të Rrethit Vlorë, e dërguan në fshat si Kryetar të Kooperativës Bujqësore të Lepenicës së Vlorës dhe në vend të tij emëruan Nesti Qafëzezin, një ish-teknik nafte nga Korça, mik i Sekretarit të Parë të Partisë të Rrethit, që, gjithashtu, ishte korçar.

Kishim dëgjuar që Haxhiu kishte bërë fjalë dhe ishte zemëruar keqas me Nestin, jo vetëm se i kishte zënë vendin në qytet me anë miku, po ngaqë kishte marrë vesh se Nesti e përgojonte atë, e quante të paaftë dhe se kishte thënë “Atë kokë pati, atë qylaf i vunë”. Kjo, ishte për të qarë...

Në një mbasdite, pasi kishim bërë pushimin e drekës në shtëpi, me disa shokë pune ishim ulur në një qoshk të bar-restorant “Sazani”, lokali më i mirë i qytetit, dhe po pinim nga një kafe. “Sazani” sapo ishte restauruar dhe zbukuruar me kollonatat e sallës së madhe të veshura me pasqyra të larta kristali. Aty, fare ngjitur me ne, me tre shokë të tij ishte ulur dhe Nesti Qafëzezi. Ata po pinin nga një krikëll birrë dhe të shkujdesur, po bisedonin me zë të lartë, çakërrqejf, për hesap të tyre, siç bënin aty shumica e klientelës vlonjate.

Ndërkohë, Haxhi Xhemali, që sa kishte ardhur nga fshati për një mbledhje në Seksionin e Bujqësisë, hapi derën e lokalit dhe aty përballë, në krye të sallës, pa se ishin vendosur dhe po hanin, po pinin dhe po çirreshin rivali dhe shokët e tij gazmorë. I befasuar kujtoi se ata, që instinktivisht kishin kthyer të tre kokën nga dera, që u hap me zhurmë, po e përgojonin dhe po qeshnin me të, për ta tallur. Një shtysë e vetvetishme e bëri që, shpejt e shpejt, të kapë një shishe birre të zbrazët nga tavolina më e afërt dhe t’ia vërtiti fluturimthi drejt Nestit. Ai, për fat, u shmang dhe shishja goditi pikërisht pasqyrën e madhe të kristaltë. Pas kësaj filloi ndeshja me të sharra dhe me grushte, derisa hymë në mes ne dhe i ndamë.

Ishte një kohë e humbur kot për shumëkënd e pa sigurt, e mërzitshme dhe me shqetësime. Dukej se një kob, si një mallkim i madh, kishte pushtuar mbarë vendin. Ndihej dhe përjetohej një rënie në mjerim e varfëri, pas një lulëzimi e përtëritje gjatë kohës së miqësive të mëdha dhe kjo pikërisht pas shkëputjeve fatale, të shpejtuara e të pamerituara, me dy kolosët botëror rus dhe kinez. Duket se nga pushtetarët e hutuar kërkoheshin rrugë të reja shpëtimi. Qytetarët nuk dinin nga të venin për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre. Njerëzit nuk arrinin të shpjegonin dot lëvizjet dhe transferimet e tyre dhe për asnjë ankesë nuk gjendej rrugëzgjidhje. Ishte një brengë për kohën e humbur kot. Jeta u bë për t’u qarë. Shpresoje për më mirë e bëhej më keq...

Haxhiu, babaxhan, ishte edhe më fatkeq se, pas një viti vdiq, ashtu siç e ndjente veten, i dëshpëruar, i braktisur dhe i shqetësuar, pas një të ftohti që morri, gjatë rrugëtimeve për në fshat. Shkaku ishte fare i kot: një reaksion peniciline i neglizhuar nga dëshpërimi dhe i pa përballuar në kohë, nga pakujdesia.


11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page