top of page

Bregdeti...


Tregimi" Bregdeti, SEMAN nje plazh i vecante"

BREGDETI SEMAN, NJË PLAZH I VEÇANTË

Plazhi i Semanit, me një bukuri dhe vlerë të jashtëzakonshme, dikur mirëpriste pushuesit jo vetëm përgjatë një dite por edhe gjatë 2 javëve kur atje i krijoje kushte jetese familjes paksa me vështirësi sepse disa orendi shtëpijake duhet ti trasferoje për të plotësuar mungesat, jo fort komode; pikënisja ishte frigoriferi trasportuar mbi një kamion.Nga ana tjetër, pushimet 15 ditore nuk mund të shijoheshin vetëm me anëtarët e familjes sepse numrin e tyre e dyfishonte ftesa e planifikuar ,vëllait ,motrës ,nipërve dhe mbesave aq sa mund të konsiderohej luks fjetja e një personi në një shtrat, përherë shtrati * tek* merte funksjonin * krevat dopjo*..

Sa për mikëpritjen ,ishte një tipar i përbashkët i familjeve plazhiste që asnjëherë gjatë vaktit të drekës të mos ishin respektuar nga miq e shokë të ftuar apo të rastësishëm vetëm se... ndryshimi qëndronte në numrin e personave në seicilën familje ... u mbaj mënd gjatë atij sezoni kur numri i miqëve tek ne arriti 17 mysafirë , sepse servirja e drekës u organizua me radhë....

Dhomat e vogla-kabina, të renditura njëra pas tjetrës, me një hapësirë disi të kufizuar, por funksionale, të lejonin të bëje brënda tyre një jetë pothuajse normale përgjatë dy javëve të pronotuara jo pa vështirësi, por nuk mund të mohohet ndihma e një ambienti shtesë, aneksi. Çdokush që ka shijuar atë plazh, me siguri do vlerësonte ballkonin e vogël, nga ku mund të sodisje detin, nuancat e panumërta të ngjyrave, sidomos pasditeve dhe në mbrëmje. Për mua është e pamundur t’i përshkruaj dhe vështirë se mund të gjëndet një piktor i talentuar për t’i hedhur pamjet në telajo të pa përsëritëshme .

Ditët zëvendësonin shpejt njëra-tjetrën. Koha harxhohej për t’u shtrirë në rërën e pastër, për të ecur ngadalë buzë detit mëngjes-mbrëmje, duke notuar deri në lodhje në atë ujë të qetë e të tejdukshëm, duke drekuar me miqtë apo të peshkoje me rrjeta, pasoja të të cilit ishte pastrimi i mërzitshëm i peshkut, përgatitja e darkës por.. shija mbresëlënëse që e justifikonte plotësisht lodhjen.

Nga fundi i javës së parë, mbasdite, një grua e re iu afrua kabinës sonë. Burri im po pastronte peshkun e porsazënë, kurse unë po merresha me sistemimin e dhomës, e veshur me kostumin e banjës, për t’iu gëzuar notit të mbasdites.

E porsa ardhura kërkonte ndihmë mjekësore (bashkëshorti im është mjek pediatër), sepse djali i saj i vogël kishte bërë një infeksion të fytit dhe kishte temperaturë të lartë. Duhej ndihmuar fëmija sa më parë! Pas një konsulte të shkurtër me tim shoq, edhe unë punoj si mjeke ,e veshur me rroba banje, e ndoqa pas gruan e re, duke marrë me vete një mjekim të urgjencës të cilin asnjëhere nuk harrojmë pa e patur brënda çantës ,kur largohemi me ditë nga shtëpija për pushime .

Kabina në të cilën ajo ishte sistemuar, ndodhej afër tonës. Pra, e fillova shpejt detyrën e mjekut dhe në rastin konkret më duhej të bëja edhe punën e infermieres. I injektova dozën e analginës, përkatësisht moshës dhe e gjykova të arsyeshme të qëndroja atje një copë herë, në pritje të fillimit të përmirësimit të gjëndjes së fëmijës, gjë që do të na gëzonte të gjithëve.

Teksa prisja e interesuar uljen e temperaturës së dy vjeçarit , rastësisht, një siluetë mashkulli më tërhoqi vëmëndjen. Qëndronte në këmbë mbas perdes ndarëse të aneksit dhe dukej sikur hezitonte të futej në dhomë të më takonte mua. Vura re lëkundje të lehta të perdes, por jo spostim të saj dhe ardhjen e personit në dhomën ku ne po qëndronim. Mos vallë ngaqë unë isha me kostum banje?!

Po ,e vërtet ,por ama, në atë mjedis, mua më kishin kërkuar me urgjencë dhe, duke qenë periudhë pushimesh nuk po prezantoja të veçantën, pothuajse shumica e femrave ishin të veshura me kostume banje edhe përgjatë mbasdites .

Zgjati rreth një orë mëdyshja e personit treguar mbas perdes së hollë ndarëse, në aneks. Mund të ishte babai i fëmijës dhe ndoshta mendonte të mos më vinte mua në pozitë të vështirë, prandaj nuk hynte të më takonte. Kaloi kohë e gjatë dhe, si duket, iu sos durimi. Pas pak, perdja u spostua anash dhe drejt nesh po afrohej një mesoburrë i gjatë, me trup të fuqishëm ,lëkurë të bronxtë falë orëve të zgjatura nën efektin rrezeve të diellit ,flokë kaçurrela e mustaqe të zeza. Një fjalë e preferuar e atyre viteve, do ta etiketonte *Simpatik *. Qëndroi ulur në një karrige, pa u përzier në bisedën tonë, por çuditërisht pa më bërë asnjë pyetje , teksa atje ndodhesha si mjeke. Vogëlushit iu normalizua temperatura dhe unë u largova e shoqëruar nga falënderimet e nënës së fëmijës.Fakti që nuk u takuam më pas, vërtetonte se fëmija nuk kishte patur asnjë shqetësim tjetër .

Pushimet përfunduan dhe ne ju kthyem punës. Në një fundjavë së bashku me tim shoq na duhej të blinim diçka në një dyqan në qëndër të qytetit, “Mapo industriale” etiketohej atëhere. Pasi e plotësuam kërkesën u përgatitëm të largoheshim për tu këthyer në shtëpi .

Në brëndësi të mapos ,rreth 3 m. pranë derës së daljes, u përballëm me dy burra , të cilët nuk i njihja. Njëri, pasi i shtrëngoi dorën tim shoqi, e afroi pranë vehtes dhe e përqafoi përzemërsisht, ndërsa mua ndërsa më dha dorën, më vështroi miqësisht dhe tha:

- Ju falënderoj të dyve! Ju jam mirënjohës që ndihmuat djalin tim të vogël, për më tepër në një kohë që unë ndodhesha larg. Më treguan me hollësi për gadishmërin tuaj pa më të voglën vonesë .

Burri im u kthye nga unë, duke më ftilluar kujtesën:

- Besoj se të kujtohet djali i vogël i sëmurë në plazh. Është i ati.

- Si jo! – ia ktheva në çast. - E mbaj mënd mirë. Po... babai i fëmijës ishte një burrë tjetër, i gjatë, me flokë kaçurrela të zeza , me...

Më mahniti reagimi i tij. Më ndërpreu ashpërsisht fjalën dhe me një shikim të egër, të pashpjegueshëm për mua, më pyeti:

- Sigurisht , kishte edhe mustaqe apo jo?

Sapo ula lehtësisht kokën në shënjë aprovimi, pa arritur të shqiptoj gërmën e parë të fjalës pohuese, shikimi im u kryqëzua me atë të burrit tim, që çuditërisht nuk po merrte pjesë në bisedë.

Ai shikim është i papërshkrueshëm dhe i papërsëritur gjatë gjithë viteve tona së bashku. Në të ishin shkrirë në një të vetme kritika e ashpër, sharja pa zë, një inat i pamatë, të gjitha për atë që unë kisha thënë më lart. Pra, po më trajtonte si fajtore.

U shqetësova, u turbullova, por nuk po kuptoja se ku qëndronte faji im. Në moment, u qartësova. Gabimi im qëndronte në faktin se unë kisha pohuar vetëm me një tundje të lehtë të kokës për mustaqet e personit në plazhin Seman (sipas mendimit tim të sinqertë, ai ishte babai i fëmijës), por kuptova se personi i shkurtër përballë meje, pa mustaqe, me kokën tullace (as që mund të përmëndej fjala “kaçurrela”), na ishte babai real i fëmijes. Po si mund t’i bëja unë këto dallime, kur as burrin prapa perdes së aneksit në plazh, as këtë përballë meje nuk i kisha parë ndonjëherë?! Sinqerisht po përjetoja një moment të vështirë, kur dëgjova, tanimë e trishtuar:

- Ja, tani e kuptova mirë! U binda plotësisht që, kur mungoj unë, prapa meje janë “Mustaqet”!?

(Rastësisht shumë kohë më vonë mësova se babai i fëmijës me temperature në plazhin e Semanit atë fund vere ishte trasferuar në Tiranë dhe kishte filluar punë si pedagog në fakultetin...pikërisht koha e pregatitjes se vitit të ri mësimor ...)

Nuk mund ta përcaktoj shkallën e tronditjes sime atyre çasteve !

M’u desh kohë të qetësohem dhe të kthjellohem, por kjo ngjarje më dha një mësim: sinqeriteti është diçka e mirë, dhunti, pjesë e patjetërsueshme e karakterit të një njeri por ne rrethana të veçanta tregohet *dëmtues*...dhe i pa dëshirueshëm... Me keqardhje kam konstatuar se ,shumë pak vlerësohet.


20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page