Besnik Mustafaj
Botimi i veprave të zgjedhura të Mid’hat Frashërit është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, që kanë ndodhur në botën shqiptare gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, është një nga frutet më të çmuara, që shoqërisë tonë i solli liria, pikërisht ajo liri politike, të cilës vetë Mid’hat Frashëri i kushtoi gjithë jetën e burrit. Përmenda shoqërinë tonë të sotme me qëllimin për të nënvizuar se vepra shkrimore e Mid’hat Frashërit është nga ata ingredientë të fuqishëm, që bën shkrirjen dhe njësimin e shoqërisë me kombin. Për shumë arsye historike dhe politike, të cilat nuk është rasti t’i përmendim, në gjykimin tim njësimi i shoqërisë me kombin në Shqipërinë e sotme po përballet me kërcënime të ngjashme me ato, me të cilat u përball në rininë e tij Mid’hat Frashëri dhe rilindësit e tjerë të lavdishëm. Prandaj më duket se kthimi te shkrimet e tij është sot shumë më tepër se një kureshtje letrare apo kulturore, është imperativ i kohës për të gjithë ata, që e duan atdheun. Në këto shkrime ne gjejmë jo vetëm sintezën e një realiteti shoqëror e kombëtar, por edhe vizionin e të ardhmes. Lënda e përfshirë në vëllimin e 5-të, që morëm tashmë në dorë, i përgjigjet kësaj nevoje jetike, që kanë bashkëkohësit tanë.
Fakti që një pjesë e madhe e shkrimeve të përfshira në këtë botim janë hartuar në frëngjisht më jep në një farë mënyre lejë edhe mua të përdor një shprehje në këtë gjuhë: Noblesse oblige. E kam fjalën për mirënjohjen që dëshiroj t’i shpreh ekipit të Institutit “Lumo Skëndo” dhe Uran Butkës, i cili ka përballuar me profesionalizëm të lartë një punë shumë të madhe dhe komplekse me shkrimet e Mid’hat Frashërit për të na i sjellë në këtë botim. Por, gjithë kjo punë jo vetëm nuk do të ishte kurorëzuar, madje ajo nuk do të kishte filluar fare pa mbështetjen bujare dhe të pakursyer të deputetit Agron Shehaj. Ai përbën një shembull ende shumë të rrallë sot, një shembull të jashtëzakonshëm, i cili shpresoj se do të bëhet frymëzues edhe për të tjerë, për ta vënë një pjesë të pasurisë së tyre në shërbim të ringjalljes së trashëgimisë tonë të vyer letrare, historiografike apo gjuhësore. Edhe kjo që po bën Agron Shehaj me Institutin “Lumo Skëndo” është në të vërtetë në traditën e Rilindjes tonë kombëtare. Populli dhe kombi u kanë qenë mirënjohës qysh në krye të herës dhe e kanë përjetësuar këtë mirënjohje. Po më vjen ndër mend një këngë kushtuar Abdyl Frashërit, babait të Mid’hatit e ku thuhet: “Shkrive një barrë flori për të bërë Shqipëri”.
Edhe vëllimi i pestë i veprave të Mid’hat Frashërit nxjerr në pah larminë e madhe të fushave, ku ai e ka thënë fjalën e tij me vetëdije të lartë patriotike dhe intelektuale, me bukuri të rrallë stili, me njohje të thellë të temës, që trajton, me fuqi të pashembullt argumentuese dhe me një gjuhë shumë të pasur. Parë nga kjo anë, nuk njoh një intelektual të dytë me një begati të tillë krijimtarie si ai në historinë e kulturës dhe të mendimit shqiptar. Gjithsesi, nuk po dua ta krahasoj Lumo Skëndon me askënd tjetër, qoftë ndër bashkëkohësit e tij e qoftë ndër pasardhësit e tij, por vetëm me veten e tij duke u mbështetur thjesht në lëndën e përfshirë në këtë botim.
Për shembull: kemi aty një kapitull me shkrime për ekonominë politike, kemi edhe një kapitull me kritikë letrare. Parë gjerë për nga objektivat ku rrahin, ekonomia politike dhe kritika letrare janë dy fusha të mendimit pa asnjë pikë takimi njëra me tjetrën. Por trajtimet në fjalë i bashkon diçka tjetër, shumë e rëndësishme e që është serioziteti i madh dhe sinqeriteti i thellë i autorit. Ai ulet për të shkruar i shtyrë nga një hall i madh i kombit, i cili shndërrohet natyrshëm në brengë vetjake. Sepse ai jeton me kombin dhe për kombin. Kjo e bën atë një shqiptar të madh. Në një gjendje të tillë përjetimi të sinqertë të hallit të përbashkët si një vuajtje vetjake, ai ushqen shpresën dhe besimin se ka zgjidhje, ka mundësi përparimi me kushtin që çdo shqiptar të kuptojë se mund të jetë i dobishëm duke bërë çfarë është në gjendje të bëjë. Bie fjala për pyjet: gjithkush mund të mbjellë dy – tre pemë rrotull shtëpisë dhe, kur shkon me sopatë në pyll, të presë vetëm drurët e thatë. Apo për zhvillimin e teatrit, për të cilin thotë se është dëftonjës i përparimit të një vendi dhe ndalet tek një shfaqje në Gjirokastër. Është viti 1926. Nuk mund të pritet ndërtimi i sallave teatrore për të ngritur pastaj trupat e aktorëve. Ai vlerëson drejtorin e liceut, zotin Hysni Babameto dhe nxënësit, të cilët vunë në shërbim mjediset e shkollës dhe vullnetin e tyre për të realizuar një shfaqje të bukur. Duken si këshilla shumë të thjeshta. Por janë të bëra me seriozitet të plotë nga autori, i cili, për veten e tij merr përsipër të bëjë çfarë di të bëjë më mirë. Pikërisht ky seriozitet e bën Mid’hat Frashërin një intelektual të madh, fort të ndershëm dhe të përkushtuar përtej çdo egoje. Rrallë bashkohen e shkrihen në një personalitet shqiptari i madh me intelektualin e madh si te Mid’hat Frashëri. Lum kombi, që e ka patur!
Sa për të krijuar një pamje të lëndës së përfshirë në botim, po kujtoj se kemi kapituj me publicistikë, albanologji, histori, kujtime, përshtypje udhëtimi, aforizma, udhëpërshkrime të të huajve, të cilët kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë shekujve dhe bibliografi. Në të gjitha këto fusha shkëlqen Mid’hat Frashëri si intelektual i udhëhequr nga ideali kombëtar dhe në shërbim të këtij ideali, i pajisur me një mendje jashtëzakonisht pjellore, me një kureshtje të pashembullt për kulturën dhe diturinë kombëtare dhe universale, me një vullnet të paepur dhe me një optimizëm po ashtu të paepur se “ditët e mia paskëtaj vijnë”, siç kishte shkruar ungji i tij Naim Frashëri.
Ka vend të besohet se pikërisht ky optimizëm është burimi kryesor i energjive të tij të pashterueshme. Në një nga aforizmat, që më duket sikur e ka shkruar për të shpjeguar pak veten e vet, Mid’hat Frashëri thotë: “Mendjet sipërore ia dalin shumë herë më mirë në punë të zahmetshme se sa në punë të kollajshme”. Ai pa dyshim ka qenë një mendje sipërore. Provë është edhe lënda e këtij libri, ku të gjitha punët e kryera prej tij nëpërmjet penës janë shumë të zahmetshme. A kishte gjë më të zahmetshme për një intelektual në kontekstin e prapambetur historik e shoqëror të fillimshekullit të kaluar se gjetja e argumentave për identitetin europerëndimor të shqiptarëve? Nuk është fjala për ëndërrime romantike, siç e kanë bërë shumë rilindas, por për argumente të vërteta shkencore, të mbështetura fort në fakte, për të bindur njëherash si vetë shqiptarët, mendja e të cilëve ishte e turbulluar nga lëngata pesë shekullore nën sundimin sulltanor osman, ashtu edhe fuqitë europiane.
Njëkohësisht me Faik Konicën, Mid’hat Frashëri, siç tregojnë edhe shkrimet e përfshira në këtë botim, shfaqet i bindur qysh herët se e ardhmja e pavarur e Shqipërisë ndërtohet sa përmes kundërshtimit me kryengritje të armatosur të pushtimit osman, aq edhe përmes besimit dhe mbështetjes europiane, e cila duhej të vinte sa nga kancelaritë politike e diplomatike aq edhe nga opinioni i gjerë publik. Do të kisha thënë se Mid’hat Frashëri në historinë e shtetit shqiptar do të mbetet edhe si pararendësi i diplomacisë kulturore. Ai ka punuar në këtë drejtim si askush tjetër. Edhe pse krejt i vetëm, pa asnjë mbështetje logjistike e as financiare, ai ka nxjerrë një sërë veprash të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht. Është një trashëgimi, e cila, për nga tematika, vëllimi dhe niveli letrar apo shkencor do t’i bënte nder edhe një akademie të tërë shkencash e artesh. Ai e ka bërë punën krejt vetëm, nëpër dhoma të vogla hotelesh. Ai zgjodhi frëngjishten për t’i shkruar këto vepra jo vetëm pse e zotëronte shumë mirë. Ai zotëronte po kaq mirë edhe disa gjuhë të tjera europiane. Por frëngjishtja deri pas luftës së dytë botërore ishte gjuha kryesore e diplomacisë botërore. Si e tillë, frëngjishtja mbetej mjeti më i sigurt dhe më i shpejtë për të përcjellë tek ata që na njihnin e tek ata që s’na njihnin mesazhet e dëshiruara. Pjesa më e madhe e këtyre veprave në frëngjisht janë shkruar në një periudhë shumë të shkurtër, 1918-1920, që përkon edhe me periudhën kur përgatitej e mandej zhvillohej Konferenca e Versajës, ku do të vendosej edhe fati përfundimtar i integritetit territorial të Shqipërisë për të mbetur të paktën në kufijt e caktuar në vitin 1913.
Një nga këto vepra të hartuara drejtpërdrejt në frëngjisht, nga pikëpamja e cilësisë letrare për mendimin tim më e jashtëzakonshmja, është libri “Aforizma të kohës së tanishme”. Kjo kryevepër është kryer e gjitha në Zvicër. Ne e gjejmë të plotë në vëllimin e pestë, që po promovojmë sot. Siç mësojmë nga shënimet shoqëruese të tekstit, Lumo Skëndo e filloi shkrimin e saj më 23 dhjetor 1918, pra vetëm pesë javë pas nënshkrimit të armistisë, që shënonte përfundimin e Luftës së Parë, e vazhdoi në Montreux dhe e përfundoi në Lousanne më 24 mars 1919, në orën 11:23 paradreke, ditë e hënë. Janë saktësisht tre muaj e një ditë. Sikur vetëm këtë vepër të kishte shkruar në një kohë kaq të shkurtër, do të kisha thënë se autori ka punuar me një ritëm balzakian. Por nuk është vetëm kjo. Gjatë kësaj periudhe dhe në muajt në vazhdim ai ka shkruar edhe veprat madhore “Shqiptarë dhe sllavë”, “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë”. Të gjitha në frëngjisht. Këto të fundit edhe ka nxituar t’i botojë për t’i përdorur në mbështetje të veprimtarisë së delegacionit të qeverisë së Durrësit, ku në fillim ishte anëtar e pastaj kryetar, gjatë punimeve të Konferencës së Versajës. Aforizmat nuk ishin për këtë qëllim utilitar imediat. Por e them me bindje se, në perspektivë, një kryevepër e tillë filozofiko – letrare ishte e paçmueshme për të ndihmuar veçanërisht si dëshmi autentike e identitetit europerëndimor të shqiptarëve ani pse në tekst nuk janë përmendur asnjëherë shqiptarët apo drama e historisë së tyre, sllavët apo grekët dhe synimet e tyre grabitqare ndaj trojeve shqiptare, turqit apo politika e tyre si pushtues ndaj shqiptarëve. Kjo kryevepër në indin e saj zbulon një autor me brumosje kulturore dhe bindje filozofike thellësisht perëndimore. Për vlerat e saj të jashtëzakonshme me siguri që do të bëhen në të ardhmen studime të thelluara. Në një ditë promovimi si kjo, unë dua të shpreh vetëm ndjesinë time të parë pas leximit: isha i mrekulluar dhe njëherash i lumtur që letërsia shqipe e kishte në thesarin e vet një tekst të tillë. Në këtë mënyrë po shpreh edhe ftesën time për të gjithë dashamirësit e letërsisë: lexojeni!
Comments